Monday, March 11, 2013

Një Biografi Tjetër për Profetin


nga Vehap S. Kola
I.                  
ʽAlī ibn Ebū Ṭālib (r.a.) e përshkroi Profetin (s.a.ë.s.) në këtë mënyrë: “Ai nuk ishte vulgar, as nuk e falte vulgaritetin dhe nuk bërtiste në treg. Ai nuk e kthente të keqen me të keqe, por falte dhe nuk vinte re. Kurrë gjatë gjithë jetës së tij nuk qëlloi kënd me dorën e tij, përveç se kur luftonte në emër të Allahut. Nuk qëlloi kurrë shërbëtorin as gruan. Unë kurrë nuk e pashë të hakmerrej për një padrejtësi që i shkaktohej, përveç rasteve kur shkileshin ndalesat e Allahut. Nëse shkileshin kufinjtë e Allahut, ai ishte nga më të zemëruarit. Saherë i jepej mundësia të zgjidhte, zgjidhte me të lehtën. Kur hynte në shtëpi, ishte si çdo burrë; pastronte tunikën e tij, milte dhinë dhe shërbente vetë.
Ai e përmbante gjuhën nga çfarë nuk i interesonte. Ai i afronte njerëzit dhe nuk u rrinte larg. Ai e nderonte njeriun e fisëm dhe i besonte përgjegjësi. Ai ishte i matur me njerëzit dhe frenohej para tyre, por nuk e kursente buzëqeshjen e ngrohtë apo sjelljen e duhur. Ai interesohej për shokët e tij dhe pyeste njerëzit për to. Ai e përkrahte të mirën dhe e përmirësonte atë dhe i kundërvihej të keqes dhe e luftonte atë. Ai ishte i qetë dhe i qëndrueshëm. Nuk ishte kurrë i shkujdesur, që njerëzit të mos mësoheshin të shkujdesur dhe të bëheshin mospërfillës. Ishte i përgatitur për çdo rast dhe kurrë nuk i mungonte drejtësia, as nuk e tepronte. Më pranë tij qëndronin njerëzit më të mirë dhe njerëzit më të mirë në sytë e tij ishin më të kuptueshmit në këshillë. Më i larti mes tyre ishte më i kujdesshmi me të tjerët dhe ai që i ndihmonte njerëzit. Saherë ulej apo ngrihej lëvdonte [Zotin]. Nëse shkonte në një kuvend, ulej në fund të grupit (dhe jo në krye) dhe kështu i nxiste njerëzit. Çdokujt që ulej pranë tij, i jepte vëmendje, aqsa çdocili prej tyre ndihej se askush nuk ishte më i rëndësishëm se ai për Profetin. Nëse vinte dikush të ulej pranë tij apo t’i kërkonte një nder, ai ishte i durueshëm dhe qëndronte me të derisa miku të largohej. Kushdo që vinte me një kërkesë ndaj tij, kthehej me çfarë kishte kërkuar ose me një fjalë të përzemërt. Gazmendi dhe sjellja e tij e mirë i kishte pushtuar të gjithë, saqë ai u bë si një baba për ta dhe të gjithë fituan të drejta të barabarta. Kuvendet e tij ishin kuvende dijeje, përunjësie, durimi dhe fisnikërie. Aty nuk ngrihej zëri, as nuk shkileshin ndalesat. Ai nuk i vinte në dukje gabimet e të tjerëve, por nuk reshte së këshilluari dronë ndaj Zotit. Gjatë këtyre kuvendeve, respektoheshin të thyerit në moshë, fëmijëve u falej mëshirë, u jepej përparësi atyre që ishin më ngusht dhe mbroheshin të huajt.”
Ai vijon: “Ai ishte paprerë i buzëqeshur, miqësor në sjellje, i butë në natyrë. Ai nuk ishte i vrazhdë, i pashpirt, i zhurmshëm, shfrytëzues apo dorështrënguar. Çdo gjë që nuk i pëlqente, nuk e përfillte dhe kurrë askush nuk u dëshpërua prej tij. Asnjëherë nuk iu përgjigjej nënçmimit apo fjalëve të ulëta. Ai ia kishte ndaluar vetes tri gjëra: debatin, mendjemadhësinë dhe atë që nuk i takonte. Nga tri gjëra i lehtësoi njerëzit: nuk diskreditonte askënd as nuk i fyente, nuk gjurmonte nderin apo çështjet e tyre private dhe fliste vetëm në rastet kur shpresonte se do të shpërblehej. Kur fliste, pjesëmarrësit i ulnin kokat si t’u ishin ulur zogj mbi supe. Kur ai mbaronte, ata flisnin. Ata nuk haheshin për fjalën me njëri-tjetrin në prani të tij, por kur dikush fliste, e dëgjonin derisa të mbaronte. Në prani të tij, fliste i pari i tyre. Qeshte me njerëzit dhe shprehte habi. Kishte durim me të panjohurit kur flisnin ashpër dhe kërkonin shumë, aqsa shokët e tij do t’i qëllonin. Ai thoshte: “Nëse shihni ngusht ndokënd, silleni tek unë. Pranonte lëvdatë vetëm prej njerëzve të matur dhe të përmbajtur. Nuk ndërkallte të folmen e tjetrit nëse nuk mëkatonte, për çka ai mund t’i qortonte apo mund të largohej. Ai ishte më zemërgjeri, më fjalëdrejti, më i buti dhe fisnik në marrëdhënie. Ai që e shihte për herë të parë, i frikësohej, ndërsa ai që shoqërohej me të, e donte. Ata që e përshkruajnë thonë: “Nuk kam parë kurrë më parë apo më pas një njeri të ngjashëm më të, paqja qoftë mbi të’”.
II.                
Nën ndikimin e kësaj biografie karakteriale të Profetit, unë mund ta përfytyroj atë si një njeri që ec mbi vezë dhe kujdeset që të mos thyejë asnjë syresh. Mund të thirren në ndihmë shumë virtyte dhe vlera të larta morale për të përmbledhur më besnikërisht këtë përshkrim mallëngjyes të ʽAlīut për Profetin dhe secili prej tyre do të ishte me vend. Por vetëm një prej tyre do të ishte i mjaftë: vetëpërmbajtja. Kurdo kishte një gëzim, një ngjarje të pakëndshme, një rrezik apo një kuvend miqësor, ai festonte, trishtohej, përgatitej apo bisedonte duke qenë i bindur se ajo që po bënte ishtë një gjë e drejtë dhe e dashur për Zotin. Mund ta përfytyrojmë Profetin që mendohet mirë përpara se të hedhë një hap, përpara se të marrë një drejtim, para se të flasë apo të gjykojë. Por nuk mund ta përfytyrojmë Profetin me toruan të humbur, ne mes të panikut, në histeri apo në akte, për të cilat më pas duhej të ndjente keqardhje. Kësisoj mund të kuptojmë se misioni i tij ishte i rëndësishëm dhe një mision serioz mund të përmbushej vetëm me maturi.

Megjithatë, shumëkush mund ta keqkuptojë vetëpërmbajtjen dhe maturinë e Profetit. Mbi këtë argument, Lindjes i mvishet tipari i mefshtësisë, dembelizmit dhe prapambetjes. Ndërkaq, me konkurrencën dhe ndryshimin e pandërprerë në thelb të tij, qytetërimi modern dhe mënyra bashkëkohore e jetesës ngjajnë, në një këndvështrim, si sipëror ndaj asaj letargjie orientale. Është e vërtetë se fati i Islamit u themelua si një qytetërim i qëndrueshëm, në komunitetin e ngulitur të Medinës. Është kaq e vërtetë, gjithashtu, se mënyra moderne e jetesës në qytetërimin judeo-kristian pikëniset në fatin e pasigurt dhe të paqëndrueshëm të hebrenjve në shkretëtirë. Por kjo nuk do të thotë aspak se dinamizmi dhe arratia nga boshti i traditës të përbëjë një avantazh ndaj maturisë dhe natyrës qendërsore të Islamit.

Për gjithkënd që mund të keqkuptojë vetëpërmbajtjen e aktualizuar të Profetit dhe atë të priturën nga çdo musliman, është e dobishme të përpiqet të rrokë pozitën qëndrore të Zotit në mendimin dhe veprimin e Muhamedit dhe çdo pjesëtari të bashkësisë së tij. Veprimi dhe mosveprimi i tij përcaktohej nga vetëdija e plotë mbi vështrimin e plotë Hyjnor dhe bindja se përgjegjësia para të Gjithëditurit në Ditën e Gjykimit nuk është aspak e lehtë, as e shmangshme.

Vetëdija dhe bindja e tillë përcaktonin plotësisht qëndrimin dhe veprimin e Profetit dhe ai, kësisoj, i jepte Islamit, përmes rolit qëndror të modelit të tij, një natyrë evolutive, e jo revolutive. Ndryshimi përmes transformimit gradual dhe organik të institucioneve dhe elementëve të shoqërisë njerëzore, dhe jo përmes përplasjes me to apo thyerjes së tyre, ishte metoda e vënë në veprim nga Islami. Kjo metodë nuk u zgjodh as rastësisht, as për shkak të pamundësisë së përballimit të alternativës së përplasjes. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë Profeti dhe komuniteti i besimtarëve do të ishin lirisht të ashpër dhe arrogantë me pakicën hebraike të Medinës, apo me popullsinë, dikur persekutuese e tashmë të nënshtruar, të qytetit të Mekës në çastin e çlirimit. Kësisoj, qëndrimin dhe veprimin e Profetit nuk e kishte përcaktuar asnjëherë qëndrimi apo veprimi i subjektit ndaj tij personalisht, por vetëm vetëdija mbi shikimin vigjilent të Qiellit.

Ndoshta një njohje e vërtetë dhe e pakompromentuar e Profetit do t’i ndihmonte njerëzit që të ndërtonin një klimë më të qëndrueshme mirëbesimi dhe pajtimi. Me gjasë, botës do t’i ishin kursyer disa shfaqje cinike të arrogancës dhe shpotisë ndaj muslimanëve dhe poaq shpërthime histerike të irritimit të vetë muslimanëve në reagimin ndaj tyre. Prapëseprapë, të paktën muslimanët do të kishin dhënë kontributin e tyre përmes një reagimi të matur dhe të vetëpërmbajtur ndaj tyre, Askush nuk mund të thotë se karikaturimi i profilit të Profetit është një akt naiv dhe që vjen nga padija: ky do të ishte një argument tërësisht i papranueshëm. Ndërsa nga ana tjetër, duket se arenën e kësaj ndeshjeje të paqytetëruar dhe të pakulturuar e ofron në mënyrë naive vetë bota islame. Respekti duhet merituar. Nëse të tjerët nuk na respektojnë, kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi mundur t’i detyrojmë të tjerët të bëjnë kështu. E kundërta, nëse të tjerët nuk na respektojnë, ne nuk kemi mundur t’i bindim ata se ne jemi dinjitozë.

Modeli i Profetit duhet të kuptohet në dritën e statusit të tij, si mëkëmbës i Zotit (khalīfetu’Llāh) në tokë. Si mëkëmbës, ai duhet të përfaqësonte dhe reflektonte Cilësitë e Larta Hyjnore në marrëdhënie me komunitetin e njerëzve dhe mjedisin natyror, ku drejtësia garanton një pozitë të mesme të paprekur. Ndërkaq, përfaqësuesi i Zotit duhet të kujdeset për rendin në tokë, për mirëqenien e krijesave dhe për ruajtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore. Misioni i tij nuk është të mbrojë dhe garantojë të drejtat e tij personale, por të përpiqet që të sjellë në Qiell një rekord të mirë.
III.              
Ndërsa lexon se si e kujton Profetin një nga njerëzit që e kanë njohur më mirë atë, bindesh se mizëria e frikërave, vuajtjeve dhe pakënaqësisë së njeriut të sotëm, musliman apo jo, besimtar apo ateist, buron nga baltovina e karakterit të keq. Një qasje e përmbysur sipas të cilës mirëqenia njerëzore nis me kërkimin e të drejtave, dhe jo me përmbushjen e detyrimeve, i ka shformuar karakteret e njerëzve. Përfundimi mund të merret me mend: askush nuk merr atë që i takon, sepse askush nuk ka përmbushur detyrimin që ka ndaj tjetrit; sepse askush nuk mendon të japë atë që mundet për botën.

Siguria mbi pasojat është një parakusht i domosdoshëm për veprimin e patensionuar. Profeti ishte i bindur se Zoti është i gjithëpranishëm përmes gjithëveprimit në kozmos, në jetë. Nisur që këtej, ai nuk kishte ndonjë brengë mbi të ardhmen, duke qenë i patundur në besimin e tij mbi rolin Hyjnor në skenën e historisë. Sakaq, Profeti ndërroi jetë, por gjithëprania Hyjnore përmes gjithëveprimit nuk reshti së përcaktuari kahjen dhe pasojat zhvillimeve në shoqërinë njerëzore. Prandaj, i këtillë duhet të jetë edhe qëndrimi i besimtarit musliman, pjesëtarit të ummetit, bashkësisë së themeluar nga vetë Profeti a.s. Ky duhet të jetë edhe kuptimi i jetërrëfimit të Profetit: të jetë modeli i muslimanit.



                                                                   

No comments:

Post a Comment