Sunday, March 29, 2009

Emri tjetër

Tërheq zvarrë kufomën time
Si Kain në një sfidë krenarie me shpezët
Trupin tim të blatuar
Për të ushqyer të vegjlit e mi

Ngjallem
Për të rindjerë dhimbjet e gjilpërta
Që vdekja m’i humb në tkurrjen e pluhurt të plazmës
Dhimbjet që më janë shenja jete

Ngjallem nga hiri im
Prej xhelozie të zogjve të mi
I dua të pagabueshëm
Shtegtarët e rinj të qiellit
Mbi retë shtroj dafina – eshtrat e mia
Me vdekjen time të pakëputur
Shtëpinë e lumturisë t’ju dëftej

Fshikulloj lëkurën time të bulëzuar
Nga avuj të pazakontë gënjeshtrash
Zakonesh të mbrapshta grabitqarësh
Që bëjnë ushqim zogjtë e tyre

Tërhiqem gjer në klithmë
Si një flok i padëshiruar
Mes rrënjës së fortë
Dhe duarsh të pashpresa

Dergjem i lumtur mes barishtesh
Në folenë e re të zogjve
Që sot e ndërtojnë vetë
Për të imituar fatin tim

Thursday, March 19, 2009

Turizmi Hyrës Duhet Nxitur

Parashikimi i parë i besueshëm mbi efektet e krizës botërore në Shqipëri është rënia e hyrjeve nga flukset turistike, nisur nga fakti se as të huajt dhe as shqiptarët me banim jashtë vendit, nuk do të kenë përsëri të njëjtat të ardhura në dispozicion. Nevoja për të ngushtuar shpenzimet jo të domosdoshme do të prodhojë padyshim një rrudhje të hyrjeve turistike në vend, dhe për rrjedhojë edhe një ngushtim të prurjeve financiare të këtij sektori në buxhetin e shtetit.
Por duke e konsideruar krizën si një oportunitet, entet politikë-bërëse të këtij sektori janë në kohë të parashikojnë masa zbutëse, për ta kthyer këtë dobësi sektoriale me burim ndërkombëtar në një pikë të fortë të ofertës vendase.

Masa e parë më e rëndësishme është që paketave turistike hyrëse (in-coming), që agjensitë shqiptare do të ofrojnë në treg përmes rrjetit të partnerëve të tyre ndërkombëtarë, t’u hiqet TVSH-ja, duke ulur me të paktën 15% çmimin e startit në ofertën pritëse për të vizituar Shqipërinë.


Kjo qasje do të ketë të paktën tre efekte të menjëhershme:

E para, ajo do të gjenerojë një fluks më të organizuar të vizitorëve të huaj apo emigrantëve shqiptarë, të cilët blerjen turistike do të priren ta bëjnë në mënyrë të organizuar për të përfituar nga oferta e moderuar. Sjellja e klientelës në mënyrë të organizuar do të përqëndrojë më mirë kërkesën turistike, duke rritur në mënyrë thelbësore cilësinë e ofertës turistike dhe duke gjeneruar përmirësime zinxhir deri në nivel rajonal.

E dyta, kjo do të rrisë cilësisht bashkëpunimin e operatorëve turistikë brenda tregut shqiptar, kur dihet se shumica e agjensive turistike kanë në librin e kontakteve 100 hotele turke dhe vetem 3 shqiptare. Ky bashkëpunim do të harmonizojë shumë më shpejt interesat e sektorit dhe të operatorëve të tij, duke ndërtuar një vizion shumë më efektiv mbi parimin e përfitimit të dy-anshëm. Kjo prirje do të dinamizojë së pari ofertën e brendshme, duke faktorizuar ato potenciale deri më sot të shfrytëzuara mbi baza rastësore.

E treta, kjo qasje do të prodhojë një konkurencialitet më të lartë të Shqipërisë në tregun turistik rajonal, duke e bërë vendin më atraktiv në kushtet e mungesës së gatishmërisë së klientelës europiane për të paguar çmime të larta për pushimet e tyre. Kështu, me kosto të përmbajtura promocionale Shqipëria do të arrijë të përthithë më tepër vëmendje falë një oferte më fleksibël, duke e mbështetur këtë promocion mbi tipologjinë e gërshetuar të tureve si ato kulturore, ekzotike-mjedisore, malore- sportive, etj. Në fund të fundit shprehja më e mirë e fleksibilitetit të ofertës është çmimi i saj.

Gjithashtu ruajtja e nivelit të flukseve turistike hyrëse i shërben drejtpërdrejt zgjerimit të shkallës së njohjes së vendit në arenën ndërkombëtare dhe ndërtimit të një imazhi realist dhe empirikisht të besueshëm, çka në kthim përkthehet me më shumë investime të huaja direkte dhe përqëndrim më të mirë të vemendjes ndërkombëtare, duke qenë se vendi ruan një rritje ekonomike të besueshme – edhe në kushtet e recensionit botëror.

Kjo qasje u zbatua me tepër sukses në Kroaci, e cila arriti të katërfishonte flukset turistike të vendit brenda tre vitesh nga momenti i zbatimit të këtij vendimi strategjik. Nga heqja dorë prej TVSH-së për paketat turistike hyrëse, shteti kroat pati një hyrje financiare që e bëri turizmin pa asnjë diskutim sektorin më të rëndësishëm në kornizën e PBB.

Nëse Shqipëria adopton këtë qasje, është e sigurt se ajo do të ruajë rritjen e parashikuar turistike dhe do të ushqejë me të ardhura krejt zinxhirin dytësor të shërbimeve që ndërlidhen me këtë sektor. Nga kjo e ardhur, shteti do të rifitojë shumë më tepër në terma financiare, duke mos humbur asgjë.