Sunday, April 12, 2009

Një Lumë me Pyetje për Ministrin Beja dhe një Apel për Vajzat pa Shami

Vehap S. Kola

Vendimi i fundit (i cili është i pari në fakt) i Ministrit të Arsimit për të mos lejuar mbajtjen e simboleve fetare nëpër shkollat 9-vjeçare dhe të mesme ka prekur dhe ka dëshpëruar kryesisht muslimanët dhe atë pjesë të shoqërisë civile dhe politike që mbështesin vizionin e një shoqërie shqiptare të integruar në Bashkimin Europian, të zhvilluar ekonomikisht, të kultivuar dhe emancipuar kulturalisht, por mbi të gjitha të një shoqërie përfshirëse dhe mbrojtëse sidomos të shtresave të dobëta dhe të lëna anash. Në fakt ky vendim prek vetëm muslimanët, sepse për to është marrë; për të ndaluar mbajtjen e shamive në kokë nga vajzat muslimane në shkolla. Qëllimi i këtij vendimi është që të mos lejojë që vajzat muslimane të mbajnë shami në shkolla apo, që në fakt është efekti më i mundshëm i tij, moslejimin e vajzave muslimanë me shami në shkollë. Z.Beja e mori këtë vendim në vijim të një rasti flagrant të përjashtimit nga pjesëmarrja në procesin mësimor të një vajzë muslimanë ne një shkollë të Burrelit.

 

Ekstremizmi i Ministrit Beja

 

Ministri Beja ka shpalosur një tipar ekstremist dhe të dënueshëm shoqërisht (në mos edhe ligjërisht, sepse unë nuk jam jurist, anipse kjo çështje nuk do ndonjë njohje të thellë të së drejtës). Ai ka vendosur të qëndrojë i palëkundur në një pozitë të papërcaktuar laiciteti, ashtu siç është i papërcaktuar (apo i pavërtetë) laiciteti i tij.  Çfarë do të thotë laicitet sipas Ministrit? Laicitet do të thotë të mbash një pozite ekstreme dhe urrryese ndaj një pjese vitale të shoqërisë, (e cila për shkak të lirisë që e karakterizon nuk pranon të shëtisë cullak rrugëve të qyteteve dhe fshatrave) duke i dhënë gjunjë çfarëdo qëndrimi të pambështetur prej tyre dhe duke forcuar alibitë e ekstremistëve. Ky vendim rrezikon të ngarkojë negativisht strukturën e marrëdhënieve ndërfetare në vend sepse godet drejtpërdrejt mënyrën e jetesës dhe aplikimin e bindjeve të fetare të një grupi (që në fakt është më i marxhinalizuar për një numër arsyesh) në mënyrë të pabarabartë me grupet e tjera fetare.

 

Z. Beja është treguar ekstremist kur ka marrë një vendim fanatik dhe aspak të leverdisshëm për emancipimin social të vendit, pasi ai nuk ka pranuar të gjykojë nga pozita të pavarura apo nga pozitat e vetë të prekurve nga vendimi i tij. Pse u dashkan akuzuar për fanatizëm apo ekstremizëm disa njerëz që bëjnë atë që e besojnë dhe e duan dhe disa të tjerë të shpallen me të madhe si progresistë dhe të emancipuar? Fanatiku më i madh në këtë çështje është në fakt Z. Beja pasi ai nuk e ka mbështetur firmën e tij në asnjë përcasktim të gjithëpranuar të laicizmit për të gjykuar, kësisoj pa baza solide, si laik ose antilaik modelin etik të veshjes së një femre muslimane. Ajo që Ministri ka bërë është adaptimi i një modeli tejet përjashtues pa testuar aspak pranimin e tij nga shoqëria. Por një model nuk mund të zgjidhet me një vendim arbitrar. Ai duhet të testohet nga vetë populli, dhe madje nëse është i padrejtë, nuk lejohet të hidhet as në një referendum.

 

Simboli i vërtetë fetar

 

Çfarë simbolizon shamia në të vërtetë? A mund të themi se një shami në kokën e një gruaje synon të tregojë bindjet e saj politike, religjoze, traditën apo arsye personale? Z. Beja ka marrë përsipër një mision të dështuar që në nisje: të gjykojë si simbole fetare shamitë në kokat e femrave. Në fshatin tim të origjinës, vajzat shkojnë akoma në shkollë me shami dhe t’i heqësh shaminë një vajze është e barabitur me marrjen e nderit të saj. Por asnjë ose shumë pak prej tyre mund të kenë për qëllim bindjen ndaj Zotit në një kuptim ideologjik që Ministri orvatet në thotë. Të njejtën gjë bëjnë edhe vajzat më të rritura, gratë, nënat dhe gjyshet. A mundet vendimi i Z. Beja të bëjë dallimin e qëllimeve simbolike fetare në mesin e këtij komuniteti? Sigurisht që jo, dhe prandaj ai ose nuk do të zbatohet dot kurrë, ose do të jetë i padrejtë saherë që të zbatohet.

 

Ky Ministër është treguar profan kur ka ngritur në nivelin e një Vendimi Ministri paragjykimin e tij apo të një pjese të shoqërisë. Ai është treguar i paditur kur e ka konsideruar religjozitetin e shoqërisë si një formë të thyerjes së laicitetit. Në fakt është diskriminimi pozitiv apo negativ i një grupi fetar ndaj një tjetri ai që thyen laicitetin. Nëse shteti është laik, atëherë ai është i paanshëm.  Çfarë do të bëjë Ministri i Arsimit me gjithë ato kryqe që varen në kraharorët e të rinjve nëpër shkolla? A do t’i konsiderojë edhe ato simbole fetare? Sërish do të gabojë sepse pjesa më e madhe prej tyre e vendosin kryqin si prirje të modës së kohëve të fundit.

 

Sa për simbolikën, myslimanët nuk pranojnë dhe nuk lejojnë të përdorin simbolika supersticioze apo përfaqësime pa thelb, siç mund të ishte veshja. Madje kjo përfaqëson një subjekt delikat për të vleftësuar apo zhvleftësuar besimin e tyre. Veshja islame është thelbësisht dhe vetëm funksionale; ajo përdoret për të mbuluar trupin. Askush nuk mund të ketë të drejtë të gjykojë se cilat pjesë të trupit duhet të mbulojë një qytetar i Shqipërisë nëse zgjedhja e tij nuk cënon sigurinë, mirëqenien apo ushtrimin normal të veprimtarive të subjekteve të tjera, qofshin publike apo private. A mund t’i thuhet një vajze se sa dhe si duhet t’i vijë turp nga të tjerët? A mund t’i tregohet asaj se sa mund dhe sa nuk mund të zbulojë nga trupi i saj? A nukdo të ishte tirani nëse vajzën (nuk e di nëse ka) e Z. Beja do ta detyronin të vishte një rrobë më të shkurtër (apo të pamjaftueshme sipas saj) dhe t’ia kushtëzonin përfitimin e të mirave publike për të cilat ajo është legjitime në sajë të bindjes ndaj këtij detyrimi?

 

Vizioni i Ministrit për të ardhmen e vendit dhe sidomos të rinjve

 

Të shtunën Z. Berisha ishte në Korçë për të takuar të rinjtë. Me një hap prej rioshi ai u ngjit në skenë dhe përcolli entuziazëm dhe një vizion mjaft dinamik zhvillimor për të ardhmen intelektuale dhe profesionale të të rinjve. Por pas tij qëndronte hija e shëmtuar e vendimit të padrejtë të Ministrit të tij të Arsimit i cili ka vendosur të mos pranojë në shkolla vajzat që mbajnë shami, sepse kjo përbëka thyerje të laicitetit.

 

Ky vendim i padrejtë nuk është vetëm i tillë por edhe kulturalisht, ekonomikisht dhe shoqërisht kërcënues. Kjo pjesë e të rinjve shqiptarë nuk do të mund të përfitojnë arsimim normal dhe konkurrues me pjesën tjetër të të rinjve. Ata nuk do të mund të fitojnë vende pune me të ardhura të mira apo mesatare. Do të vazhdojnë të kryejnë punë të rëndomta dhe do të pozicionohen në shtresat e marxhinalizuara ekonomikisht, kulturalisht dhe shoqërishmërisht.  Ata do të jenë subjekt i varfërimit të vazhdueshëm, duke sjellë rezultate kundërthënëse me objektivat e çdo qeverie për të zbutur varfërinë dhe për të rritur mirëqenien.

 

Familjet e tyre do të rrisin fëmijë më pak dhe më keq të arsimuar, sepse nuk do të mund të përballojnë studimet në universitetet e shtrenjta, dhe prirja rënëse nën kurbën e Lorencit do të qëndrojë apo thellohet. Sigurisht Ministri nuk ka bërë asnjë vlerësim të ndikimit të vendimit të tij në përmbushjen e objektivave të zbutjes së varfërisë dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë të qeverive. Nëse zgjedhja e vajzave është e paligjshme është një çështje që nuk është marrëveshur mes palësh, ndërsa detyrimi i shtetit për të mbështetur dhe shpëtuar shtresat e varfra nuk lidhet me ligjshmërinë e saj. Nëse familjet e prekura do të dëmtohen shoqërisht dhe ekonomikisht, atëherë është obligim i shtetit për t’i asistuar ato. Jo vetëm padrejtësi shoqërore, por edhe dëm ekonomik për periudhat e ardhshme buxhetore sjell ky vendim i Ministrit. Nëse 800 mijë ndërtime pa leje ishin të paligjshme, qeveria vendosi t’i legjitimojë për të shmangur një katastrofë sociale dhe ekonomike në rastin e shkatërrimit të tyre.

 

Koha për të mos menduar dy herë

 

Në këtë situatë vërtetësisht të keqe për besimtarët muslimanë është koha që vajzat besimtare të mos mendohen dy herë. Para dy ditësh një mike e imja më njoftoi se u ishte bashkangjitur grupit të vajzave me shami. E përgëzoj atë vajzë sepse jo vetëm ka bërë një vepër të duhur (për të cilën gjithmonë është koha e duhur) por sepse ka gjetur një moment mjaft kritik. Në analizat socio-ekonomike, ky moment quhet pika e vdekjes. Ajo është studente në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe vendimi i saj do të ketë befasuar një pjesë të mirë të kolegëve dhe të njohurve. Por kjo nuk e ka penguar aspak që të mos ketë më asnjë dyshim për domosdoshmërinë dhe vlefshmërinë e këtij vendimi.

 

Përveç pranimit të porosisë së Zotit, që në fakt është shpërfaqje e pranimit të Vetë Atij, sot është një detyrim ndaj atyre vajzave dhe grave që sot ndjehen dhe janë të shtypura, të përjashtuara dhe të pambrojtura vetëm e vetëm pse kanë zgjedhur të pranojnë dhe të vënë në krye të vendit të jetës së tyre Zotin. Është një detyrim ndaj fëmijëve tanë, të cilët përpara se të përballin dyzimin “të vënë Zotin mbi veten, apo veten mbi Zotin”(që është dyzimi i të pavendosurave sot), do ta shohin shaminë të renditur në veprat e paligjshme që një nxënës (mbase dhe një student siç shihet prirja) mund të bëjë në shkollë, përkrah përdorimit të narkotikëve, alkoolit, orgjive seksuale, mbajtjes së armëve dhe mjeteve të tjera të presionit të pandershëm (nëse do të vazhdojnë të jenë akoma të paligjshme). Është koha për të mos u menduar dy herë.