Monday, March 11, 2013

Një Biografi Tjetër për Profetin


nga Vehap S. Kola
I.                  
ʽAlī ibn Ebū Ṭālib (r.a.) e përshkroi Profetin (s.a.ë.s.) në këtë mënyrë: “Ai nuk ishte vulgar, as nuk e falte vulgaritetin dhe nuk bërtiste në treg. Ai nuk e kthente të keqen me të keqe, por falte dhe nuk vinte re. Kurrë gjatë gjithë jetës së tij nuk qëlloi kënd me dorën e tij, përveç se kur luftonte në emër të Allahut. Nuk qëlloi kurrë shërbëtorin as gruan. Unë kurrë nuk e pashë të hakmerrej për një padrejtësi që i shkaktohej, përveç rasteve kur shkileshin ndalesat e Allahut. Nëse shkileshin kufinjtë e Allahut, ai ishte nga më të zemëruarit. Saherë i jepej mundësia të zgjidhte, zgjidhte me të lehtën. Kur hynte në shtëpi, ishte si çdo burrë; pastronte tunikën e tij, milte dhinë dhe shërbente vetë.
Ai e përmbante gjuhën nga çfarë nuk i interesonte. Ai i afronte njerëzit dhe nuk u rrinte larg. Ai e nderonte njeriun e fisëm dhe i besonte përgjegjësi. Ai ishte i matur me njerëzit dhe frenohej para tyre, por nuk e kursente buzëqeshjen e ngrohtë apo sjelljen e duhur. Ai interesohej për shokët e tij dhe pyeste njerëzit për to. Ai e përkrahte të mirën dhe e përmirësonte atë dhe i kundërvihej të keqes dhe e luftonte atë. Ai ishte i qetë dhe i qëndrueshëm. Nuk ishte kurrë i shkujdesur, që njerëzit të mos mësoheshin të shkujdesur dhe të bëheshin mospërfillës. Ishte i përgatitur për çdo rast dhe kurrë nuk i mungonte drejtësia, as nuk e tepronte. Më pranë tij qëndronin njerëzit më të mirë dhe njerëzit më të mirë në sytë e tij ishin më të kuptueshmit në këshillë. Më i larti mes tyre ishte më i kujdesshmi me të tjerët dhe ai që i ndihmonte njerëzit. Saherë ulej apo ngrihej lëvdonte [Zotin]. Nëse shkonte në një kuvend, ulej në fund të grupit (dhe jo në krye) dhe kështu i nxiste njerëzit. Çdokujt që ulej pranë tij, i jepte vëmendje, aqsa çdocili prej tyre ndihej se askush nuk ishte më i rëndësishëm se ai për Profetin. Nëse vinte dikush të ulej pranë tij apo t’i kërkonte një nder, ai ishte i durueshëm dhe qëndronte me të derisa miku të largohej. Kushdo që vinte me një kërkesë ndaj tij, kthehej me çfarë kishte kërkuar ose me një fjalë të përzemërt. Gazmendi dhe sjellja e tij e mirë i kishte pushtuar të gjithë, saqë ai u bë si një baba për ta dhe të gjithë fituan të drejta të barabarta. Kuvendet e tij ishin kuvende dijeje, përunjësie, durimi dhe fisnikërie. Aty nuk ngrihej zëri, as nuk shkileshin ndalesat. Ai nuk i vinte në dukje gabimet e të tjerëve, por nuk reshte së këshilluari dronë ndaj Zotit. Gjatë këtyre kuvendeve, respektoheshin të thyerit në moshë, fëmijëve u falej mëshirë, u jepej përparësi atyre që ishin më ngusht dhe mbroheshin të huajt.”
Ai vijon: “Ai ishte paprerë i buzëqeshur, miqësor në sjellje, i butë në natyrë. Ai nuk ishte i vrazhdë, i pashpirt, i zhurmshëm, shfrytëzues apo dorështrënguar. Çdo gjë që nuk i pëlqente, nuk e përfillte dhe kurrë askush nuk u dëshpërua prej tij. Asnjëherë nuk iu përgjigjej nënçmimit apo fjalëve të ulëta. Ai ia kishte ndaluar vetes tri gjëra: debatin, mendjemadhësinë dhe atë që nuk i takonte. Nga tri gjëra i lehtësoi njerëzit: nuk diskreditonte askënd as nuk i fyente, nuk gjurmonte nderin apo çështjet e tyre private dhe fliste vetëm në rastet kur shpresonte se do të shpërblehej. Kur fliste, pjesëmarrësit i ulnin kokat si t’u ishin ulur zogj mbi supe. Kur ai mbaronte, ata flisnin. Ata nuk haheshin për fjalën me njëri-tjetrin në prani të tij, por kur dikush fliste, e dëgjonin derisa të mbaronte. Në prani të tij, fliste i pari i tyre. Qeshte me njerëzit dhe shprehte habi. Kishte durim me të panjohurit kur flisnin ashpër dhe kërkonin shumë, aqsa shokët e tij do t’i qëllonin. Ai thoshte: “Nëse shihni ngusht ndokënd, silleni tek unë. Pranonte lëvdatë vetëm prej njerëzve të matur dhe të përmbajtur. Nuk ndërkallte të folmen e tjetrit nëse nuk mëkatonte, për çka ai mund t’i qortonte apo mund të largohej. Ai ishte më zemërgjeri, më fjalëdrejti, më i buti dhe fisnik në marrëdhënie. Ai që e shihte për herë të parë, i frikësohej, ndërsa ai që shoqërohej me të, e donte. Ata që e përshkruajnë thonë: “Nuk kam parë kurrë më parë apo më pas një njeri të ngjashëm më të, paqja qoftë mbi të’”.
II.                
Nën ndikimin e kësaj biografie karakteriale të Profetit, unë mund ta përfytyroj atë si një njeri që ec mbi vezë dhe kujdeset që të mos thyejë asnjë syresh. Mund të thirren në ndihmë shumë virtyte dhe vlera të larta morale për të përmbledhur më besnikërisht këtë përshkrim mallëngjyes të ʽAlīut për Profetin dhe secili prej tyre do të ishte me vend. Por vetëm një prej tyre do të ishte i mjaftë: vetëpërmbajtja. Kurdo kishte një gëzim, një ngjarje të pakëndshme, një rrezik apo një kuvend miqësor, ai festonte, trishtohej, përgatitej apo bisedonte duke qenë i bindur se ajo që po bënte ishtë një gjë e drejtë dhe e dashur për Zotin. Mund ta përfytyrojmë Profetin që mendohet mirë përpara se të hedhë një hap, përpara se të marrë një drejtim, para se të flasë apo të gjykojë. Por nuk mund ta përfytyrojmë Profetin me toruan të humbur, ne mes të panikut, në histeri apo në akte, për të cilat më pas duhej të ndjente keqardhje. Kësisoj mund të kuptojmë se misioni i tij ishte i rëndësishëm dhe një mision serioz mund të përmbushej vetëm me maturi.

Megjithatë, shumëkush mund ta keqkuptojë vetëpërmbajtjen dhe maturinë e Profetit. Mbi këtë argument, Lindjes i mvishet tipari i mefshtësisë, dembelizmit dhe prapambetjes. Ndërkaq, me konkurrencën dhe ndryshimin e pandërprerë në thelb të tij, qytetërimi modern dhe mënyra bashkëkohore e jetesës ngjajnë, në një këndvështrim, si sipëror ndaj asaj letargjie orientale. Është e vërtetë se fati i Islamit u themelua si një qytetërim i qëndrueshëm, në komunitetin e ngulitur të Medinës. Është kaq e vërtetë, gjithashtu, se mënyra moderne e jetesës në qytetërimin judeo-kristian pikëniset në fatin e pasigurt dhe të paqëndrueshëm të hebrenjve në shkretëtirë. Por kjo nuk do të thotë aspak se dinamizmi dhe arratia nga boshti i traditës të përbëjë një avantazh ndaj maturisë dhe natyrës qendërsore të Islamit.

Për gjithkënd që mund të keqkuptojë vetëpërmbajtjen e aktualizuar të Profetit dhe atë të priturën nga çdo musliman, është e dobishme të përpiqet të rrokë pozitën qëndrore të Zotit në mendimin dhe veprimin e Muhamedit dhe çdo pjesëtari të bashkësisë së tij. Veprimi dhe mosveprimi i tij përcaktohej nga vetëdija e plotë mbi vështrimin e plotë Hyjnor dhe bindja se përgjegjësia para të Gjithëditurit në Ditën e Gjykimit nuk është aspak e lehtë, as e shmangshme.

Vetëdija dhe bindja e tillë përcaktonin plotësisht qëndrimin dhe veprimin e Profetit dhe ai, kësisoj, i jepte Islamit, përmes rolit qëndror të modelit të tij, një natyrë evolutive, e jo revolutive. Ndryshimi përmes transformimit gradual dhe organik të institucioneve dhe elementëve të shoqërisë njerëzore, dhe jo përmes përplasjes me to apo thyerjes së tyre, ishte metoda e vënë në veprim nga Islami. Kjo metodë nuk u zgjodh as rastësisht, as për shkak të pamundësisë së përballimit të alternativës së përplasjes. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë Profeti dhe komuniteti i besimtarëve do të ishin lirisht të ashpër dhe arrogantë me pakicën hebraike të Medinës, apo me popullsinë, dikur persekutuese e tashmë të nënshtruar, të qytetit të Mekës në çastin e çlirimit. Kësisoj, qëndrimin dhe veprimin e Profetit nuk e kishte përcaktuar asnjëherë qëndrimi apo veprimi i subjektit ndaj tij personalisht, por vetëm vetëdija mbi shikimin vigjilent të Qiellit.

Ndoshta një njohje e vërtetë dhe e pakompromentuar e Profetit do t’i ndihmonte njerëzit që të ndërtonin një klimë më të qëndrueshme mirëbesimi dhe pajtimi. Me gjasë, botës do t’i ishin kursyer disa shfaqje cinike të arrogancës dhe shpotisë ndaj muslimanëve dhe poaq shpërthime histerike të irritimit të vetë muslimanëve në reagimin ndaj tyre. Prapëseprapë, të paktën muslimanët do të kishin dhënë kontributin e tyre përmes një reagimi të matur dhe të vetëpërmbajtur ndaj tyre, Askush nuk mund të thotë se karikaturimi i profilit të Profetit është një akt naiv dhe që vjen nga padija: ky do të ishte një argument tërësisht i papranueshëm. Ndërsa nga ana tjetër, duket se arenën e kësaj ndeshjeje të paqytetëruar dhe të pakulturuar e ofron në mënyrë naive vetë bota islame. Respekti duhet merituar. Nëse të tjerët nuk na respektojnë, kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi mundur t’i detyrojmë të tjerët të bëjnë kështu. E kundërta, nëse të tjerët nuk na respektojnë, ne nuk kemi mundur t’i bindim ata se ne jemi dinjitozë.

Modeli i Profetit duhet të kuptohet në dritën e statusit të tij, si mëkëmbës i Zotit (khalīfetu’Llāh) në tokë. Si mëkëmbës, ai duhet të përfaqësonte dhe reflektonte Cilësitë e Larta Hyjnore në marrëdhënie me komunitetin e njerëzve dhe mjedisin natyror, ku drejtësia garanton një pozitë të mesme të paprekur. Ndërkaq, përfaqësuesi i Zotit duhet të kujdeset për rendin në tokë, për mirëqenien e krijesave dhe për ruajtjen e mjedisit dhe burimeve natyrore. Misioni i tij nuk është të mbrojë dhe garantojë të drejtat e tij personale, por të përpiqet që të sjellë në Qiell një rekord të mirë.
III.              
Ndërsa lexon se si e kujton Profetin një nga njerëzit që e kanë njohur më mirë atë, bindesh se mizëria e frikërave, vuajtjeve dhe pakënaqësisë së njeriut të sotëm, musliman apo jo, besimtar apo ateist, buron nga baltovina e karakterit të keq. Një qasje e përmbysur sipas të cilës mirëqenia njerëzore nis me kërkimin e të drejtave, dhe jo me përmbushjen e detyrimeve, i ka shformuar karakteret e njerëzve. Përfundimi mund të merret me mend: askush nuk merr atë që i takon, sepse askush nuk ka përmbushur detyrimin që ka ndaj tjetrit; sepse askush nuk mendon të japë atë që mundet për botën.

Siguria mbi pasojat është një parakusht i domosdoshëm për veprimin e patensionuar. Profeti ishte i bindur se Zoti është i gjithëpranishëm përmes gjithëveprimit në kozmos, në jetë. Nisur që këtej, ai nuk kishte ndonjë brengë mbi të ardhmen, duke qenë i patundur në besimin e tij mbi rolin Hyjnor në skenën e historisë. Sakaq, Profeti ndërroi jetë, por gjithëprania Hyjnore përmes gjithëveprimit nuk reshti së përcaktuari kahjen dhe pasojat zhvillimeve në shoqërinë njerëzore. Prandaj, i këtillë duhet të jetë edhe qëndrimi i besimtarit musliman, pjesëtarit të ummetit, bashkësisë së themeluar nga vetë Profeti a.s. Ky duhet të jetë edhe kuptimi i jetërrëfimit të Profetit: të jetë modeli i muslimanit.



                                                                   

Arsimi që tregtojmë


nga Vehap S. Kola

Qytetarë të Athinës, unë ju përshëndes dhe ju çmoj shumë,
por më tepër do t’i përulem Zotit sesa juve,
dhe sa të ketë frymë e forcë në mua,
s’do të ndalem së kërkuari të vërtetën,
e t’ju këshilloj, e t’ju mësoj, dhe kur me dikë prej jush të takohem,
do të flas sipas shprehisë sime:
“Miku im i nderuar, je qytetar i Athinës, shtetit më të respektuar për nga forca dhe urtia,
e a nuk turpërohesh që përkujdesesh se si të grumbullosh më shumë para, famë, respekt,
e për mençuri, vërtetësi e shpirt, për t’u bërë më të mirë,
për këto nuk përkujdesesh dhe nuk çanë kokë fare?
Dhe ju mësoj se virtyti nuk krijohet me para, por virtyti krijon paranë.”
Sokrati

Qëkur dija e zhvendosi interesin e saj nga kërkimi i kuptimit në kërkimin e fitimit, shoqëria njerëzore u bë dëshmitare e shndërrimeve dramatike në të gjitha rrafshet e ekzistencës. Në këtë rrokullisje të dijes drejt inxhinieringut, çdo qasje që synonte të rrokte të vërteta themelore dhe parime të gjithëkohshme u reduktua në rrugë të painterestë dhe u braktis masivisht dhe progresivisht nga njerëzit përgjatë kohës. Ky bar i mbirë në shtegun e moçëm të dijes dendësohet dhe rritet aty për të fshehur çdo gjurmë të kahershme që mund të dëshmojë se herëdokur dija ishte dukshëm tjetërfar nga ajo që sot bota beson dhe ndjek si të tillë. Asketi, filozofi, artisti dhe shkrimtari zunë të përfaqësojnë shembuj të pasuksesshëm dhe me funde tragjike.

Shndërrimi, që nuk reshti së ndryshuari shpirtin, fytyrën dhe drejtimin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, përfundimisht i dha tregut, industrisë, parasë pushtetin të vendosë se çfarë është dhe si duhet të përmbushet edukimi i njerëzve: dituri të leverdisshme sipas kërkesave të tregut. Prandaj, që nga momenti historik i këtij parakalimi fushat më të dëshiruara të thellimit, nuk janë më filozofia, arti dhe metafizika, por ekonomia, inxhinieria dhe marrëdhënia publike. Filozofët, artistët dhe asketët pushuan së qenuri njerëzit më të rëndësishëm dhe më të njohur, dhe ekonomistë, inxhinierët dhe folësit publikë bëhen modelë të njerëzve të suksesshëm dhe të famshëm.

Kjo shkëputje nga jeta intelektuale dhe shpirtërore dhe përngjitja me aspiratën ekonomike e materiale pothuaj e kanë çrrënjosur vetëdijen e shoqërisë njerëzore mbi pazëvendësueshmërinë e udhërrëfimit intelektual e shpirtëror, mbi nevojën e parimeve udhëheqëse të jetës dhe mbi rolin përcaktues të dijes në natyrën dhe drejtimin e zhvillimit të botës. Përpjekja për të ndërtuar një jetë pa Zotin e çoi njerëzimin drejt korruptimit të misionit të tij moral dhe zvetënimit të pashembullt shpirtëror, duke pamundësuar, këtillësisht, pozitën e dijes si lokomotivë e udhëtimit njerëzor.

Aq çrrënjosës ishte ky proces reduksionist përgjatë historisë sa, herë në emër të laicizmit e herë në emër të ateizmit, shumëkund në emër të shkencës dhe ndokund në emër të progresit dhe shkëputjes nga primitivizmi, misioni i mësuesit si kultivues i karakterit dhe dijeve u tkurr në detyrën e instruktorit të veprimeve praktike dhe konkrete. Edukimi u bë arsimim. Kjo vërehet qartë në etiketimin ‘intelektual’ të profesionistëve me arsim të lartë apo studime profesionale pas-universitare. Statusi i profesionistit rregullohet gjithnjë nga një kod etike, që kujdeset për çdo detaj të veprimtarisë dhe sjelljes së tij, çka krijon mbresën e rrejshme të disiplinës shpirtërore dhe emancipimit intelektual.

Liberalizimi në fushën e arsimit është ripohimi më i fundit i faktit se arsimimi (lexo: ish-edukimi) mund të rregullohet si çdo sektor tjetër i tregut të të mirave dhe shërbimeve. Dora e fshehtë e mekanizmit të tregut, ku publiku kërkues dhe tërësia e ofruesve pikëndeshen për të gjykuar shkëmbimin e vlerave, ka marrë përsipër detyrën e trajnimit dhe zhvillimit profesional të fuqisë punëtore që do t’i shërbejë po këtij tregu. Instrumenti lehtësues i këtij akti shkëmbimi është, si për çdo të mirë e shërbim tjetër, paraja. Sepse ‘ajo është matëse e vlerës’ dhe ‘ruajtëse e saj’. Sepse vlerë është gjithçka që njeriu fiton e zotëron në përpjekjen e tij për mirëqenie. Dhe sakohë mirëqenia matet me një tregues të të ardhurave për frymë, vlera është një derivat i parasë dhe jo i jetës.

Disiplinimi i edukimit nga mekanizmi i tregut e ka shndërruar shoqërinë njerëzore në një armatë gjigande profesionistësh dhe zanatçinjsh, ku zërin kryesor dhe gjithnjë e më të lartë e kanë sindikatat, njësoj si ushtritë e skllevërve. E folmja drithëruese e një libri të shenjtë apo prania hirëplote e një të urti (apo shumë të tillësh) për të gjykuar midis të vërtetës dhe të shtrembrës tingëllon si një shfaqje prapanike dhe asfare demokratike. Mirëpo, tregu vepron në bazë të interesit material për të prodhuar konsumatorë besnikë dhe jo në bazë të nevojës së individëve dhe familjeve për të edukuar njerëz të mençur dhe të virtytshëm.

Po, nga lind interesimi i tregut për arsimimin, apo, që është e njëjta gjë, mospajtimi i tregut me edukimin?

Edukimi ka si mision të ruajë dhe të rrisë natyrën burimore të njeriut; ta nxisë njeriun të mendojë, të kuptojë dhe të rrokë të vërtetën e pranisë së tij në jetë; të pranojë dhe të marrë përsipër misionin pse është. Parimisht, pritet që njeriu i edukuar të jetë i pajisur me një vizion, të gëzojë një gjerdan virtytesh, ku spikat përgjegjshmëria ndaj burimeve natyrore dhe e drejta e brezave ndaj tyre. Ky individ, me prirje konsumi të vetëpërmbajtura, ishte shkaku që rritja mesatare vjetore e prodhimit nga viti 1400 deri në vitin 1900 të ishte vetëm 1% në vit. Së këndejmi, nuk ka pse të jetë befasues qëndrimi jomiqësor i tregut ndaj edukimit.

Ndërkaq arsimimi ka për mision zhvillimin e aftësive profesionale të njeriut. Nevoja për mjeshtëri dhe profesionalizëm ka ekzistuar gjithmonë dhe në botën tradicionale çirakët fitonin aftësitë teknike në mjediset e punës. Por çirakët nuk ngatërroheshin askurrë me të urtët e filozofët, artistët e mistikët. Njerëzit e arsimuar, pra profesionistët, kanë një prirje të vetvetishme për konsum më të lartë dhe një imperativë për standard ‘profesionale’. E tillë është prirja dhe/apo imperativa për paraqitje, sjellje dhe zgjedhje profesionale, si dhe për mallra e shërbime të statusit. Për këtë arsye, arsimi nuk prodhon vetëm asete për tregun, por edhe vetë blerësit e mallrave dhe të mirave që ata ideojnë dhe realizojnë. Ky lloj i individit është shkaku pse rritja mesatare vjetore e prodhimit gjatë shekullit të 20-të qe 5%.

Vendosja e hegjemonisë së tregut mbi arsimin përbën edhe përplotësimin e pushtimit të gjithçkaje në botën bashkëkohore nga paraja. Me këtë larje hesapesh, gjithçka mund të tregëtohet, dhe meqë arsimimi nënkupton pajisjen me një kuadër dijesh teknike dhe praktike, edhe ai mund të tregtohet. Duke e bërë atë të këndshëm dhe dobiprurës, njësoj si shumësia e mallrave dhe shërbimeve të tjera përmes marketingut modern, tregu e ka vënë njeriun bashkëkohor nën diktaturën e konsumit. Megjithë shijen e hidhur që lë ky konstatim, ai mbart edhe një të mirë në brendinë e tij: rikonfirmimin, edhe për njeriun bashkëkohor, se shpirti i njeriut është trualli i vetëm që nuk mund ta pushtojë tregu.

Jeta si ripohim i paktit të kryehershëm me Zotin


nga Vehap S. Kola

***
I gjithë angazhimi njerëzor në jetë mund të përkufizohet kështu: ripohim i paktit të kryehershëm me Zotin. Është fjala pikërisht për atë pohim, betim, besëlidhje, e cila që në kryehershmëri qëndron në themel të marrëdhënies ndërmjet njeriut dhe Zotit dhe i jep frymëmarrje vetë vazhdimësisë së shoqërisë njerëzore. Historia e ekzistencës së njeriut nis atëherë “Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.”[1] Që atë çast, njeriu është i ngarkuar me përgjegjësinë për ta ripohuar këtë pakt përmes jetës, pa mundësinë për ta tjetërsuar apo transferuar këtë përgjegjësi. Përpjekjes së disa shoqërive për të zhveshur veten nga pesha e amanetit të këtillë, Zoti i përgjigjet “Mbajeni fort atë që ju dhamë dhe kujtoni çfarë përmban ajo, që të ruheni nga gjynahet.”[2]

Sot, shoqëria njerëzore përpëlitet në të njëjtën përpjekje shfajësuese dhe arratiake dhe për pasojë mbi kokat e njerëzve bën hije mali i peshës së shfajësimit për braktisjen e besëlidhjes. Ndërsa dimë përfundimin e historisë të cilës i referohet Kurani, ne nuk jemi aspak të sigurt rreth përfundimit që do të ketë ajo e jona. Ne jemi të sigurt vetëm për hapësirën e mundshmërive të saj: nëse e pohojmë besëlidhjen e vjetër, do të mund të vazhdojmë jetën, në të kundërt, mali do të bjerë mbi ne dhe jeta e shoqërisë njerëzore mund të ndërpritet. Është frikëndjellëse të dëshmosh sesi ne, njerëzit, ashtu si jemi sot dhe me atë drejtim që kemi, kemi zgjedhur një rrokullisje drejt mundësisë më të keqe, asaj fatales. Nevojitet një kthim i shpejtë dhe i fortë drejt besatimit të moçëm, që kjo mundësi të mos bëhet e pashmangshme.

Debatit se ku është e ruajtur dhe kush është dëshmitar i kësaj marrëveshjeje midis Allahut dhe bijve të Ademit i jep fund vetë qenia e njeriut. Ajo gëzon, trashëgon, përmban në thelb të saj këtë betim në formën e natyrës së pastër burimore.  Është kjo arsyeja pse të shpëtuar, në ditën e Gjykimit, do të quhen ata që dalin përpara Zotit të tyre me zemër të pastër. Është ruajtja e pastërtisë së ‘zemrës’, që Zoti ka vendosur në njeriun, ajo që garanton rikonfirmimin e kërkuar të paktit të kryehershëm. Në ç’shkallë është ruajtur kjo natyrë burimore e ‘zemrës’ përcakton edhe forcën me të cilën njeriu aspiron të njohë dhe dëshmojë Zotin në unitet të kulluar. E thënë më ndryshe, është qartësia e jehonës së atij pohimi – “Po, dëshmojmë se Ti je.” – kumbimi i tij në zgafellat e qenies njerëzore që shkakton këtë aspiratë të njeriut.

Kurani, ashtu si vetë krijimi i njeriut përsëpari, i bën jehonë këtij pakti dhe i bën apel njeriut të kthejë sytë nga vetja, ashtu si nuk i bën apel kaq të fortë të hedhë vështrimin jashtë tij. Sepse gjurma më e qartë dhe, me gjasë, më e ruajtur e kësaj besëlidhjeje gjendet pikërisht në vetë njeriun. Me leximin ritual të tij, muslimani e rigjen atë gjuhë të vjetër dhe e rishqipton atë aspiratë, duke e ripërtërirë dhe realizuar potencialisht. “Fjala është një kumbim i brendshëm. Ky kumbim buron pjesërisht (në mos kryesisht) nga objekti që shënon fjala. Por nëse nuk e shohim vetë objektin, dhe dëgjojmë thjesht emrin e tij, në kokën e dëgjuesit lind një imazh abstrakt, një objekt i çmaterializuar që ngjall menjëherë dridhje në ‘zemër’”[3] Por Kurani nuk është një hajmali, një formulë e pakuptueshme apo një relike magjike. Ai ofron parimet udhëheqëse të jetës, që rikonfirmon paprerë besëlidhjen e vjetër.

***
Muslimanët e shekullit të njëzetë dhe njëzetenjëtë janë të troshitur ndërmjet objektivash qendërikës të suksesit, progresit dhe mirëqenies. Islami u mëson atyre të bëjnë një jetë të moderuar, të drejtë dhe shpirtërore. Mësimet e fesë u thonë atyre të mos derdhen në konsum, luks dhe kënaqje, pasi ky është trualli i teprimit, shpërdorimit dhe idhujtarisë. Vënia e jetës në shërbim të përjetësisë, apo shërbimi ndaj jetës si një synim autonom, kjo është dilema. Në fakt, përgjigja në rrafshin teorik është e qartë: jeta është një mundësi, jo një synim. Çfarë ngjall diskutim është sfera e konkretes, e të përditshmes dhe fusha e veprimit të muslimanit të thjeshtë. Sharrimet moderne të kuptimeve të gjërave në fenë islame e kanë kthyer dukshëm vështrimin e muslimanit kah kjo botë.

Të jesh musliman i gjithëfarllojshëm është e mundur sot: musliman praktikant, modern, progresist, europian, amerikan, paqësor, moderator, i vërtetë etj. Mirëpo, të gjithë këto togfjalësha gjymtues e përdorojnë emrin musliman si një identitet socio-politik, si një përkatësi solidare, si një model sociologjik, e që këtej injorojnë thelbin e ngarkesës kuptimore e intelektuale dhe kuadrin e plotë të pritshmërive që duhen përmbushur për të merituar këtë emër. Por, pasi e ka zhbërë muslimanin bashkëkohor përmes asaj makinerie instrumentash dhe metodash mendjebjerrëse dhe shpirtngurtësuese, qytetërimi bashkëkohor i dëften atij se mund ta gëzojë titullimin musliman vetëm duke e trajtësuar atë sipas karakterizimeve të reja, kryekrej të palidhura me, dhe shpeshherë reduktuese të qenësisë muslimane.

Të jesh musliman, sipas kuptimësisë dhe ngarkesës që mbart ky nocion, është ajo që kërkohet nga, dhe mjafton për njeriun. Meqenëse, nuk është e mundshme të shkruhet një platformë e plotë apo manual i hollësishëm i muslimanit shembullor, është e mundur të theksojmë çfarë mungon më shumë në jetën e besimtarit musliman shqiptar:  shpirtërorja e mirëfilltë. Në vend që të keqkuptohet si një shtim sasior i adhurimeve, jeta shpirtërore duhet të kuptohet si një shtrirje e pranisë së përmasës shpirtërore të gjërave në të gjithë veprimtarinë e njeriut. Jeta shpirtërore duhet të konsistojë në përkushtimin në adhurim, përkushtimin e tërësishëm ndaj Allahut, Më të Lartit, mospërfillje ndaj stolive dhe bukurisë së botës, vetëpërmbajtje nga kënaqësia, pasuria dhe prestigji i vërejtur në shumicën e njerëzve, dhe veçimi prej të tjerëve për të adhuruar në vetmi. Ky ishte rregulli i përgjithshëm i shokëve të Profetit (pqmt).

Gjithçka në jetë dhe qytetërim duhet të jetë në funksion të shpirtit. Shtëpia, puna, bashkëshortët, qeverisja, qyteti dhe festa kanë si funksion të shërbejnë si lëvozhgë për bërthamën shpirtërore të ekzistencës sonë. Qëndrimi i muslimanit në shtëpi nuk duhet të dallojë nga qëndrimi në xhami: në të dy rastet njeriu duhet të jetë njësoj i vetëdijshëm mbi praninë e Allahut, mbi plotvështrimin dhe gjithëdëgjimin e Tij. Namazi në shtëpi, në punë apo në festë duhet të jetë i njëjti: gjithëherë një takim me Zotin dhe një ndijim i pranisë hyjnore. Ndarja dhe kategorizimi i gjërave në shpirtërore dhe të kësaj bote është e huaj dhe gjithëpoaq e helmët.

Së fundmi, është me vend të kthehet vëmendja edhe tek përfaqësuesi par excellence i veprimtarisë shpirtërore: dhikri. Për një shumicë njerëzish, ai është një akt vullnetar dhe shfaqet në formën e shqiptimit të përsëritur të disa formulave të shkurtra në gjuhën arabe. S’do mend se dhikri është (duhet të jetë) thelbi i adhurimit dhe veprimit njerëzor në tokë. Çdo gjë që i ndodh njeriut duhet t’i kujtojë atij Zotin. Ndërkaq çdo që ai (njeriu) bën, duhet bërë si formë e rivendosjes së lidhjes së kryehershme me Qiellin. Mirëpo, shfaqja më klasike e dhikrit është kredhja (në vetmi ose në kuvend) në përmendjen e Allahut, që shërben si mekanizëm korrigjues i deformimeve shpirtërore e intelektuale, përshpejtues i afrimit pranë Tij dhe amplifikues i thirrjes së brendshme (fitra) për ripohimin e paktit të kryehershëm. Rikthimi i traditës së kuvendeve të dhikrit është një sfidë kryesore për muslimanët dhe një domosdoshmëri e patjetërsueshme. Përsa kohë ato mungojnë, apo shikohen me frikë si shtojca në fe dhe aq më tepër nuk njihen, Islami do të vijojë të shihet si ideologji, identitet social dhe si krenari politike. Dhe, ç’është më e keqja, Islami nuk do të jetë rruga e urtë drejt lumturisë së përjetshme, por rruga e shkurtër dhe e vrazhdë kah gara për këtë jetë gjithaq të shkurtër dhe të vrazhdë.


[1] Kuran, surja El-Aʾrāf, 172.
[2] Kuran, surja El-Aʾrāf, 171.
[3] Vasili Kandinski, Mbi Shpirtwroren nw Art, Botime Perpjekja, Tiranw 1998, fq. 38.

Familja tradicionale, familja islame


nga Vehap S. Kola

Nëse vendosim të flasim për familjen do të kemi gjithnjë ndërmend vetëm dy forma të saj: familjen shekullare dhe familjen muslimane, pasi vetëm këto dy botëkuptime kanë krijuar një model të familjes. Familja shekullare është një lëshim i detyruar i botëkuptimit materialist nga nevoja për të organizuar shoqërisht dhe ekonomikisht jetën e tij. I paaftë për të edukuar individët në laboratorin e madh social, për të menaxhuar ekonominë në nivel individual dhe për të përballur pasojat e papërgjegjshmërisë së jetës jashtëmartesore, botëvështrimi materialist vendos të pranojë një formë të reduktuar të familjes. Nga pikëpamja teorike e materializmit, nuk mund të gjejmë asnjë premisë për ekzistencën dhe funksionimin e familjes si të tillë. Sidoqoftë, familja moderne i ngjan më shumë një sipërmarrjeje të braktisur, një nisme të lënë në mes, sesa një synimi të mirëfilltë të cilit i shërbehet sistematikisht. 

Modeli i dytë është familja islame. Arsyeja pse Islami ka një model për familjen është shumë e thjeshtë: sepse familja është një institucion origjinalisht dhe ekskluzivisht islam. Shtjellimi i këtij argumenti nuk është në qëllimin e kësaj trajtese. Një argumentim i pakundërshtueshëm dhe mahnitës i kësaj teze është kryer nga i ndjeri Alija Izetbegovic në veprën e tij “Islami Ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. Qëllimi i kësaj eseje është të trajtojë fatin dhe sfidat e familjes muslimane në Shqipëri.

Familja Shqiptare në Diktaturë

Instalimi i diktaturës komuniste në vitin 1945 në Shqipëri ishte guri i themelit të një botëkuptimi të ri, që ngriti ngrehinën e tij të mendimit dhe veprimit zyrtar e të kulturës masive në vend. Me një bazë të fortë ideologjike dhe me një eufori tipike revolucionare, aparatura e re qeverisëse filloi menjëherë me uzurpimin e prerogativave të nënës dhe kompetencave të familjes përmes ideologjizimit të nxënësve dhe ngritjes së miteve të udhëheqësit të dashur e nënës parti.

Nuk ishte aspak e beftësishme që reforma në mendim të niste me pozitën dhe rolin e gruas në shoqërinë e re. Me plotgojë mund të thuhet se pavendosmëria ishte tipari kryesor i qëndrimit komunist ndaj gruas. Duke shfrytëzuar padrejtësitë e vuajtura nga pjesëtaret femra të shoqërisë shqiptare të paraluftës së dytë botëroreNga njëra anë, gruaja duhej të ishte një nënë pjellore që do të lindte djem luftëtarë dhe vajza të bukura (motive tipike folklorike, një shfrytëzim i nacionalizmit për qëllime të ngushta politike), çka thekson, vetvetiu, rolin dhe detyrimin qëndror familjar të gruas. Ndërkohë, ajo duhej të punonte krah-përkrah burrit, me të njëjtat të drejta dhe detyrime, pasi të dy ishin të barabartë dhe njësoj të aftë për të ndërtuar atdheun e ri socialist. Në këtë mënyrë, gruaja ishte ngarkuar me një përgjegjësi të dyfishtë dhe të troshitur. Periudha e paqes pas përfundimit të luftës, favorizoi uljen e vdekshmërisë së fëmijëve dhe rritjen e prodhimit, por shpejt urbanizimi uli lindshmërinë. Përfundimisht, troshitja midis dy roleve të papërputhshme, e çoi gruan shqiptare drejt dështimit në rolin e saj të nënës. Ajo vendosi të heqë dorë nga roli i saj i natyrshëm dhe të pranojë rolin e ri: si e barabarta e burrit në jetën ekonomike, politike dhe sociale.

Familjet e shterrura emocionalisht dhe shpirtërisht u shndërruan në fjetina dhe njësi ekonomike, gjersa prodhuan probleme të pakthyeshme emocionale, mendore dhe sociale të fëmijëve. Trajtimi i foshnjeve në çerdhet shtetërore me programe standarde që nuk përfshinin më shumë se strehimin, ushqimin dhe kujdesin shëndetësor, nuk mund të sillte pasoja të tjera përveç krijimit të qenieve monstruoze dhe egocentrike. Se çfarë mund të shkaktonte ky shformim i individit në jetën shoqërore, do të shihej disa dekada më vonë, kur kërcënimi i ligjit të ashpër të reshtte së ekzistuari.

Një tjetër problem i krijuar nga mendimi i ri zyrtar dhe nga kultura masive ishte zbehja e rolit të babait dhe zëvendësimi gradual me rolin e udhëheqësit të dashur, i cili mendon për të gjithë si për fëmijët e tij. Duke imituar Zotin, ideologjia komuniste i rrëmben prindërve role të rëndësishme në emër të parimeve të reja dhe u jep fëmijëve të drejtë t’i gjykojnë prindërit e tyre sipas paradigmës së re e të relativizojnë figurën e tyre. Kësisoj, këto pikë vlerësimi i transferohen partisë dhe udhëheqësit.

Sipërmarrja më e pamundur diktaturës karshi familjes shqiptare ishte orvatja për të ndërtuar një moral pa Zot. Në mungesë të motivit të vërtetë, të përhershëm dhe të besueshëm, që mund ta bënte të vlefshëm përmasën morale të njeriut, shteti përdor shtrëngimin ligjor dhe terrorin për të shmangur veset dhe veprat penale. Por ndërsa veprat penale me pasoja konkrete ekonomike apo të sigurisë mund të kundërbalancoheshin përmes sanksioneve, degradimi moral dhe zvetënimi i karakterit të individit që nuk përbënin ndonjë vepër penale, nuk mund të kuroheshin pa Zot. Së këndejmi, gjatë asaj periudhe u ruajt një nivel i lartë sigurie dhe korrektese nga pjesa dërrmuese e popullsisë, por u shpërbënë tërësisht fibrat moralë që mbanin të lidhur jetën në familje dhe forconin solidaritetin shoqëror.

Në konkluzion të kësaj analize të gjendjes së familjes gjatë periudhës së diktaturës mund të përmbledhim se ajo çfarë bëri më shumë diktatura ishte ngulitja e themeleve të një skene ku do të luhej tragjedia më e madhe e familjes shqiptare prejsa mbahet mend. Duke ndalur me dhunë thjesht vënien në skenë të kësaj tragjedie, diktatura arrinte të bindte lehtësisht njerëzit se ajo ishte mbrojtësja e vërtetë e vlerave morale dhe pasurisë shpirtërore të kombit. Se çfarë dëmesh të pariparueshme kishte shkaktuar komunizmi në strukturën dhe substancën e familjes, kjo do të kuptohej vetëm pasi ngrehina e amortizuar e terrorit të plandosej në tokë në fillim të viteve 1990.

Familja Shqiptare në Tranzicion

Rrëzimi i diktaturës dhe shpallja e pluralizmit politik në vitin 1990, nxori në pah dëmet e pandreqshme që ajo i kishte shkaktuar familjes shqiptare. Nëse diktatura me tërësinë e mendimit, institucioneve, metodave dhe instrumentave të saj i dha goditjen më të rëndë familjes tradicionale shqiptare, tranzicioni që nisi me ndryshimet politike të viteve 1990-1992 shërbeu si faza e fundit e dizintegrimit dhe shformimit vështirësisht të kthyeshëm të saj.

Në tranzicion, familja shqiptare vijoi të ruajë problematikën e papërcaktueshmërisë së rolit të gruas dhe zvetënimit të fibrit moral të shoqërisë. Ndonëse papunësia e shkaktuar nga shoku ekonomik e detyroi gruan të kthehej në pozitën e shtëpiakes, ajo ishte pothuaj e paaftë për të kuptuar, pranuar dhe aktualizuar rolin e saj si nënë dhe edukatore e fëmijëve. Ajo nuk ka as kultivimin moral, formimin intelektual, as disiplinën shpirtërore të nevojshme për të rrokur kompleksitetin e misionit të edukimit të fëmijëve, përtej plotësimit të nevojave të jetesës dhe sigurimit të mundësive për arsimim e formim profesional.

Gjatë kësaj kohe, familjes shqiptare iu shtuan edhe një listë e gjatë problemesh dhe kërcënimesh.

Një ushtri të divorcuarish dhe të pamartuarish në moshë të pjekur dhe të thyer i kanë dhënë shoqërisë tipare të thella individualiste dhe një ngjyresë të fortë vetmie e anomie. Bindja e përhapur gjerësisht se martesa është një përgjegjësi që duhet menduar gjatë dhe që kërkon kohë për ta pranuar, konditat e shtuara ekonomike dhe sociale për të realizuar një martesë mesatare, si dhe forma të reja të jetës ndërgjinore jashtëmartesore e ndesh institucionit tradicional të martesës i kanë dhënë një dorë të madhe ndihme kësaj dukurie të re.

Ashtu siç është përvijuar më lart, tranzicioni e gjeti familjen shqiptare me një fibër moral tërësisht të shpërbërë. Kësisoj, imuniteti i saj ndaj çdo forme të re të degjenerimit dhe zvetënimit, që burojnë nga sulmi konsumerist dhe nga botëkuptimi (dhe jeta) pa Zot e modernitetit, ishte tërësisht i pamjaftueshëm për të garantuar vazhdimësinë e shëndetshme dhe të vërtetë të saj. Mungesa e fibrit moral reflektohet në një përhapje të gjerë të dukurive të korrupsionit dhe krimit, të mosdhënies së drejtësisë nga sistemi gjyqësor dhe të qeverisjes klienteliste.

Familjet shqiptare të periudhës së tranzicionit nuk janë të afta të shërbejnë si elementë bazë komunitarë dhe nxitëse të frymës së bashkekzistimit dhe bashkëndarjes me fqinjët dhe farefisin. Solidariteti, edhe ashtu i cunguar, i 50-viteve të diktaturës komuniste i ka lënë vendin kaosit shoqëror dhe individualitetit. Pothuaj, nuk mund të gjesh asnjë lagje apo komunitet në Shqipëri që të dëshmojë kujdes dhe vlerësim për pasuritë dhe të drejtat e përbashkëta, që nga infrastruktura, mjedisi apo rendi publik. Sakaq, janë të rralla ato komunitete që kanë ngritur institucione dhe infrastrukturë sociale e shpirtërore të përbashkët. Shumica e objekteve të kultit janë ngritur dhe administrohen me ndihmën e donatorëve të huaj dhe të organizatave të financuara nga jashtë komunitetit përkatës. Mobilizuesit më të mëdhenj dhe kryesorë të komuniteteve janë partitë politike, kurse vullnetarizmi apo vetorganizimi shihen si tabu dhe propozime jo aq të mençura.

Familja Muslimane si Mundësi

Familja muslimane, prej shumë kohësh, shihet si një formë arkaike e organizimit të njerëzve, veçanërisht kur asaj i mvishen tipare rurale, e destinuar për t’iu nënshtruar modernizimit dhe tjetërsimit të natyrës së saj. Po çfarë është familja muslimane? Si është e kompozuar ajo? A është e mundur që ajo të rilindë si një model real i familjes shqiptare?

Familja muslimane është familje e zgjeruar që integron vertikalisht të paktën tre breza dhe horizontalisht tre rrathë të anëtarëve. Gjyshërit, prindërit dhe fëmijët jetojnë nën të njëjtin ‘kulm’ shtëpie, me një udhëheqje të vetme, zakonisht nga mashkulli më i moshuar në familje, me buxhet të përbashkët dhe me veprimtari të unifikuar përgjithësisht. Horizontalisht ajo ka në qëndër bërthamën e sipërpërmendur. Rrethi i dytë përfshin një numër familjarësh shumë të afërt, jetojnë apo jo së bashku, të cilët kanë të drejta të veçanta ndaj njëri-tjetrit, që lëvizin lirisht nëpër shtëpi dhe ndërmjet të cilëve nuk është i nevojshëm hixhabi (mbulesa). Të tillë janë  ungjit dhe emtet, fëmijët e njërit prej prindërve, etj. Në rrethin e tretë bëjnë pjesë vjehrri, vjehrra, kunetërit dhe kunatat, fëmijët e bashkëshortëve, bashkëshortët e fëmijëve dhe njerkët.

Është mjaft me interes të vihet re përputhshmëria thuajse e plotë e familjes tradicionale shqiptare me modelin e familjes islame. Ngjashmëria dhe përputhjet midis dy këtyre familjeve zgjatohen edhe në mënyrën e funksionimit dhe udhëheqjes së familjes, kur dihet se që të dyja janë familje patriarkale, me një rol më të gjerë të gruas brenda shtëpisë dhe me përgjegjësi kryesore të burrit për të siguruar jetesën e anëtarëve të saj. Shpehsherë, familja tradicionale sulmohet dhe gjykohet duke marrë si shembull trajtën e deformuar të saj. Në këto raste, pozita e keqe e gruas dhe natyra maskiliste e familjes i mvishen karakterit të saj patriarkal. Modeli islam i familjes, pra familja e zgjeruar, nuk ka si synim të krijojë një mbretërizë të vogël për çdo burrë të padrejtë, por të garantojë reflektimin e unitetit hyjnor (teuhidit) që në fazën embrionale të shoqërisë njerëzore. Realizimi me sukses i këtij synimi në këtë nivel të organizimit shoqëror është conditia sine qua non i aktualizimit të unitetit në shoqërinë e tërë.

Pikëtakimet e shumta të modelit të familjes islame me atë tradicionale shqiptare, si dhe pranimi i dështimeve të së kaluarës, mund të shërbejnë si një mundësi krejt realiste për familjen bashkëkohore shqiptare. Përqafimi i këtij modeli përfaqëson një shans, me gjasë, të fundit për të shpëtuar familjen shqiptare nga rrënimi dhe shpërbërja dhe shoqërinë nga rrokullisja drejt degradimit të pakthyeshëm, apo, edhe më keq, nga rënia e lirë në një humnerë, që për ne sot nuk është aspak një parabolë.

A do të mbijetojë kapitalizmi në Shqipëri?*


nga Vehap S. Kola
1.       
“A mund të mbijetojë kapitalizmi? Jo, nuk mendoj se mundet”. Këto fjalë qenë shkruar nga dora e Joseph Schumpeter në vitin e largët 1942, ndërsa i jepte frymë veprës së tij profetike Kapitalizmi, Socializmi dhe Demokracia. Ndaj, për të kuptuar vatrën e tërmetit që po përjeton sot sistemi ekonomik global tërësisht kapitalist, është e doemostë që niset me leximin e kësaj vepre. Nuk mund të jemi të sigurtë nëse vetë Schumpeter, po të jetonte sot, do ta kishte gjykuar me vend të pohonte ‘jua kisha thënë’, pasi nuk mund të thuhet me gojëplot se kapitalizmi nuk arriti të mbijetojë. Me gjasë, do të duhet pak kohë që të largohet pluhuri dhe tymi dhe të mund të shihet më qartësisht se çfarë kishte ndodhur dhe cilat ishin pasojat e tërmetit.
Thuhet që ai, në vitet e fundit të jetës, të ketë thënë se, si i ri, ai pati tre ambicie: të bëhej një nga ekonomistët më të mëdhenj të botës, një nga kalorësit më të mirë dhe një nga dashnorët më të mëdhenj të botës. Ai kishte vijuar të thotë se ishte i lumtur të vërente se ia kishte dalë në dy prej këtyre ambicieve. Çfarë ai nuk kishte bërë, është se nuk tregoi cilat prej tyre.

Kapitalizmi qe efiçent në rritjen e prodhimit dhe kjo nuk ishte një rastësi. Argumenti i kritikëve të kapitalizmit se suksesi ekonomik i tij në Shtetet e Bashkuara dhe në Angli ishtë produkt i ndërthurjes së rrethanave rastësore me veprimin qeveritar për të asgjësuar pasojat negative të tij, hidhet poshtë nga argumenti i Schumpeter se Amerika që bëri të pasur 200 milionë njerëz përmes kapitalizmit, nuk i pasuroi dot disa miliona indianë, ndërsa të njëjtat burime ishin aty. U desh një sistem ekonomik efiçent që të shfrytëzojë mundësitë reale të atij kontinenti. Në fakt, politikat antikapitaliste të shtetit gjatë viteve 1930 vetëm sa e përkeqësuan normën e papunësisë dhe reduktuan normën e përmirësimit të mirëqenies ekonomike.

Mirëpo sot kapitalizmi është vënë nën furtunën e një arsenali të përtërirë kritikash, që ushqehen në morinë e dështimeve ekonomike globale dhe veçanërisht në idetë e reja antiglobaliste. Këmbëngulja e tyre në konkurrencën e plotë sipas mësimeve të Adam Smith dhe sulmi mbi pushtetin e diktaturën e megakorporatave globale, që ndikojnë mbi qeveritë dhe prekin mekanizmin e tregut të lirë, është gjithaq një përpjekje për të ruajtur kapitalizmin nga një shformim fatal për vetë atë. Megjithatë, konkurrenca e plotë është një kërkesë normative dhe ideale. Në treg, ajo ndoshta kurrë nuk do të realizohet ashtu siç kërkohet. Konkurrenca nuk është një gjë që duhet krijuar, apo mbrojtur. Ajo qëndron në vetë natyrën e njeriut. Ndërhyrja e qeverisë mundet vetëm ta reduktojë apo asgjësojë atë, ashtu siç e prish garën e atletikës pengesa e më të shpejtëve, jo vetëm duke i ndalur apo ngadalësuar padrejtësisht ato, por edhe duke demotivuar çdo pjesëmarrës të mundshëm. Gjithë çfarë mund të bëjë qeveria për të ndihmuar konkurrencën, është ta lërë atë të zhvillohet e lirë, pa penguar më të shpejtët.

Madhësia e një firme, përparësia ndaj rivalëve, pjesa e rritur e tregut dhe fitimet mbi mesataren e tregut janë disa indikatorë që përdoren për të bërë objekt të ligjeve anti-monopol sipërmarrje të suksesshme. Por janë pikërisht këto tregues që përbëjnë motivin e aktivitetit dhe përpjekjes sipërmarrëse si dhe matësin e suksesit të një biznesi. Konflikti ndërmjet aspiratës së brendshme të biznesit dhe kërcënimit ligjor për ndarje dhe dënime të rënda prodhon në çdo rast pasojat e padëshiruara nga tregu.
2.       
Rihapja e diskutimeve për mundësinë e rikthimit të tatimit progresiv mbi të ardhurat në Shqipëri ka sjellë edhe njëherë në vëmendje kërcënimet që, si shpata e Demokleut, qëndrojnë mbi kokën e mekanizmit të tregut të lirë dhe konkurrencës, që shpërblen ata që janë më të aftë dhe përpiqen më shumë. Ata që fitojnë më shumë duhet të paguajnë më shumë, ata që fitojnë më pak do të paguajnë më pak. Është e logjikshme që kjo të demotivojë sipërmarrjen e lirë dhe të rrisë organizmin e shtetit. Gjithaq është e qartë se kjo është një ndërhyrje në ‘pistën e vrapimit’. Pritshmëritë mbi miratimin e një pakete fiskale që parashikon tatimin progresiv si formë e tatimit të të ardhurave, do të detyrojnë bizneset të rishohin projeksionet e tyre të ardhshme dhe do të bëjë që investimet e huaja direkte të shtojnë edhe një faktor të disfavorshëm më shumë. S’do mend se Shqipëria nuk do të jetë më vend aq konkurrues në rajon.

Ashtu siç e parashikon edhe Schumpeter, një ndër armiqtë kryesorë të kapitalizmit do të jenë intelektualët. Vetë kapitalizmi stimulon zgjerimin e vazhdueshëm të arsimit të lartë dhe, që këtej, edhe të radhëve të intelektualëve. Është e çuditshme të besohet se grupi i biznesmenëve që përbën edhe boshtin e grupit parlamentar të majtë nxisin apo mbështesin taksimin progresiv të të ardhurave. Kjo ngjall dyshime mbi mundësinë e klientelizmit dhe trajtimit selektiv të biznesit në praktikën fiskale, çka nuk është një gjë e panjohur në vend. Por, a thua këta biznesmenë janë bindur nga, apo kanë rënë nën ndikimin e intelektualëve ekonomistë falë përllogaritjeve premtuese apo si akt i përgjegjshëm patriotik ndaj vendit? Vështirë se kjo të besohet nga publiku skeptik i Shqipërisë. Të gjithë e dimë se taksa më të larta nuk do të thotë aspak më shumë drejtësi fiskale, por, pa asnjë dilemë, do të thotë zmadhim i administratës publike. Pra, më shumë njerëz do të punësohen në sektorin publik. Duke qenë se premtimi për punësim në administratën shtetërore është shpërblimi më i mirë për qytetarët e zakonshëm, votat e të cilëve janë më të shumta se ato të biznesmenëve, atëherë ai do të prodhojë edhe më shumë vota për partinë politike propozuese. Ndërsa Schumpeter sheh punëtorët dhe burokratët shtetërorë si dy grupet më aleate të intelektualëve në këtë betejë ndaj kapitalizmit, në projeksionin politik të radhës në Shqipëri ato shkrihen në një grup të vetëm: punëtorë dhe të papunë që aspirojnë të bëhen burokratë.

Një ndër masat antikapitaliste që ka cënuar mekanizmin e tregut të lirë është sistemi i pagave të referencës, që megjithëse u vu në zbatim nga një qeveri e djathtë, është një zgjedhje plotësisht antitreg, sepse detyron sipërmarrjet e lira dhe të punësuarit të paguajnë mbi një bazë që nuk merr në konsideratë shpërblimet e diferencuara në varësi të suksesit të kompanisë. Është e kuptueshme që punonjësit e një kompanie të suksesshme paguhen më mirë se ato të një kompanie joprosperuese. Sakaq, mekanizmi i tregut vlerëson dhe shpërblen ofertën e punës në një mënyrë tërësisht tjetër nga ajo e pagave referenciale: profili profesional dhe personal i punëkërkuesit. Arsyetimi se kjo masë justifikohej nga niveli i lartë i evazionit fiskal tingëllon i çuditshëm, kur pranohet gjerësisht se mikro-ekonomia moderne kapitaliste është tërësisht pozitive dhe asfare normative. Përjashtimi i fesë dhe edukimit moral si mundësi për të kultivuar individë të drejtë dhe mosfunksionimi i rendit ligjor nuk mund të drejtpeshohen nga ndërhyrje në ekuilibrin e tregut.

Një tjetër armik i madh i kapitalizmit në Shqipëri janë vetë sipërmarrësit e atashuar me krahët politikë. Mosbesues ndaj mundësisë për të dalë fitimtarë në luftën e tregut dhe të frikësuar nga konkurrimi me po të njëjtën metodë nga biznese të tjerë, një listë e gjatë sipërmarrjesh private, që sot zotërojnë pjesë të konsiderueshme të tregjeve sektorialë dhe ushtrojnë ndikim të dukshëm mbi ekuilibrat e këtyre tregjeve, janë përfshirë në anësimin partiak. Në shkëmbim të mbështetjes financiare gjatë fushatave zgjedhore dhe në shumë momente të dobëta të liderëve politikë, ata presin të fitojnë koncensione për shfrytëzimin e resurseve kombëtare apo kontrata për kryerjen e punëve publike pa kaluar përmes një procesi të ndershëm dhe transparent konkurrimi. Së këndejmmi, është shfaqur dukuria botërisht e përhapur e diktaturës së korporatave ndaj mekanizmit të tregut të lirë. Si çdo diktaturë, ajo ka pak të fituar në dëm të shumicës së sipërmarrjeve dhe popullsisë.

Por më shumë se vetë efiçencën e mekanizmit, këto shformime dhe ndërhyrje kanë cënuar parimet morale mbi të cilat është ngritur konkurrenca e lirë dhe e ndershme: ekonomia e lirë e pakompromis dhe shteti në rolin e arbitrit jashtë pistës së garimit. Pjesa dërrmuese e sipërmarrësve dhe njerëzve të lirë të këtij vendi nuk do ta kuptojnë ndonjëherë qartësisht mënyrën e funksionimit ekonomik në çfarëdo sistemi ekonomik, qoftë ai i sipërmarrjes së lirë, qoftë socialist. Masa e gjerë e njerëzve kanë për ta gjykuar një sistem ekonomik në bazë të përputhshmërisë së tij me parimet e tyre morale dhe jo sipas tipareve pastërtisht shkencore të veprimit të tij. Nëse liria ekonomike ia del të mbijetojë në vitet që vijnë, kjo do t’i kushtohet pranimit të moralitetit themelor të saj nga shumica e njerëzve.

*Botuar në revistën ‘SHENJA’, numri 13, Maj 2012

Një Botë, Një Ëndërr


nga Sundeep Wislekar
Ne jetojmë në dy botë. Njëra është bota e shpresës. Tjetra është bota e dëshpërimit. Në botën tonë të shpresës, shumë shpejt Interneti do të operojë 10 mijë herë më shpejt se sot. Në këtë botë, një bisturi e re do të presë një qelizë të vetme të gjakut. Modifikimi gjenetik do të mundësojë lindjen e bebeve të modeluara. Në këtë botë, qytetërimi njerëzor do të përhapet në hapësirën jashtëtokësore, detet do të ëmbëlsohen përmes nano-teknologjisë për çkripëzimin dhe bimët sintetike do të thithin dioksidin e karbonit nga atmosfera.
Në botën e dëshpërimit, 10 milionë fëmijë do të vdesin këtë vit dhe çdo vit për shkak të kequshqyerjes dhe mungesës së kujdesit shëndetësor. Në këtë botë, ka 50 milionë refugjatë, 100 milionë të pastrehë dhe 1 miliard banorë getosh. Në botën e dëshpërimit, një miliard njerëz nuk sigurojnë dot ujë të pijshëm. Mbi një miliard e gjysmë jetojnë në errësirë pa energji elektrike.
Prej nesh, ata që jetojnë në botën e shpresës jetojnë në një iluzion se ne mund t’i shpëtojmë botës së dëshpërimit. Ne ndërtojmë gardhe elektrikë në Johanesburg. Ne fshehim getot në Karaçi dhe Kajro. Ne organizojmë shfaqje me lazer në Uan Çai.
Ne nderojmë degët e korporatave në Mumbai dhe organizojmë ceremoni dasmash luksoze në Nju Delhi. Ne ngremë mure të lartë për të mbrojtur vendbanimet tona në Jeruzalem. Ne bllokojmë rrugët jashtë ambasadave tona anekënd botës. Ne besojmë se e mundshmja mund të injorojë të duhurën dhe emri e fama mund të shpërfillin turpin. Ne jetojmë në një iluzion.
Bota në dëshpërim mund të përmbytë botën shpresës. Kur niveli i tij rritet, deti mësyn tokën dhe i shndërron ujërat nëntokësorë në të kripur. Kur një vrimë e zezë zmadhohet, ajo gëlltit të gjitha yjet pranë saj. Ndryshimi i klimës, pandemitë, krimi dhe terrorizmi janë shprehje të ndryshme të të njëjtës sëmundje. Ata demonstrojnë potencialin e botës në dëshpërim për t’u rritur dhe fuqizuar. Barrikadat, muret dhe ushtarët tanë nuk kanë vlerë.
Ndryshimi ndërmjet dy botëve nuk është thjesht e vetëm material. Ai është një ndryshim në konceptet e fuqisë, që rrjedh nga ide kundërthënëse mbi natyrën e njeriut. Është çështje e gatishmërisë sonë për t’u udhëhequr prej busullës morale. Të urtët tanë u përpoqën fort për të folur me urtësi. Ne i stolisim libraritë tona me Analitikën e Konfucit, Etikën e Aristotelit, Vedat, Upanishadet dhe Kuranin e Shenjtë. Por ne i zhytim jetët tona në koprraci, shkëlqim, hipokrizi dhe në një kërkim të verbër për pushtet.
Nuk ka asgjë të gabuar me pushtetin per se. Bota e shpresës drejtohet nga pushteti në vizionin e Bertrand Rasëll. Është aftësia për të arritur qëllimet e dëshiruara. Është kapaciteti për të krijuar, mësuar dhe përparuar. Bota në dëshpërim drejtohet nga pushteti në vizionin e Maks Veberit. Është forca për të detyruar dikë për të bërë çfarë ti dëshiron të bëjnë, përkundër rezistencës së tyre.
Konflikti e ka origjinën në një debat në Kinë më shumë se dy mijë vjet më parë. Një i urtë i quajtur Mencius mëtoi se natyra e njeriut ishte thelbësisht e mirë, si Rusoi shekuj më vonë. Ai u sfidua nga Xunxi, i cili argumentoi se natyra e njeriut ishte thelbësisht e keqe dhe gjeti një ndjekës te Hobsi, ndoca 1800 vjet më vonë. Rasëlli e mori frymëzimin e tij nga Konfuci, Menciusi dhe Ruso. Veberi qe bindur nga Xunxi, Makiaveli dhe Hobsi. Këto dy vizione krijuan dy botët në të cilat ne sot jetojmë.
Ne mund ta përballonim dikotominë për shekuj me radhë, pasi veprimi ishte mjaft i dobët. Luftërat e shekullit të 17-të asgjësuan një të tretën e popullsisë europiane, por shpëtuan mjaft për të ndërtuar një kontinent të ri dhe për të pushtuar pjesën tjetër të botës. Luftërat e shekujve të fundit vranë 100 milionë njerëz, por shpëtuan mjaft për të ndërtuar një planet të ri dhe për të pushtuar hapësirën jashtëtokësore.
Shekulli i 21-të është ndryshe nga e kaluara. Tani ne jetojmë në epokën ku terrori, teknologjia dhe temperatura kanë evoluar në një nivel që nuk njeh kufij mes kombesh. Ne jetojmë në një epokë ku lumenjtë e tërbuar dhe refugjatët e shpërngulur nuk lexojnë kushtetuta. Ne jetojmë në një epokë ku patogjenet nuk njohin patriotizëm. Ne jetojmë në një epoke ku bota jonë e shpresës s’është më e veçuar nga bota në dëshpërim.
Nëse duam që bota në dëshpërim të zmbrapset, ne duhet të sigurohemi që bota e shpresës të zgjerohet. Kjo nënkupton që ne të zbatojmë konceptin e Bertrand Rasëll për pushtetin dhe t’i besojmë shpjegimit të Rusosë mbi natyrën njerëzore. Kjo do të thotë që ne të lejojmë dhembshurinë të zëvendësojë konkurrencën, dialogun të zëvendësojë mosmarrëveshjen, bashkëndarjen të zëvendësojë fshehtësinë dhe zemërgjerësinë të zëvendësojë babëzinë. Kjo do të thotë që ne të gjithë të kemi një ëndërr, një ëndërr për një botë ku çdokush të jetojë në shpresë dhe askush në dëshpërim.
Ideja më e madhe e shekullit të 21-të do të ishte që i gjithë njerëzimi të kishte një ëndërr. Ne duhet të kujtojmë se ëndrrat më të pamundura janë të mundshme. Dikur, një burrë i moshuar shëndetlig kishte ëndërr një komb të pavarur dhe sot India është e çliruar nga zgjedha e huaj. Dikur një predikues kishte ëndërr që biri i një njeriu me ngjyrë dhe biri i një të bardhi do të mund të uleshin në të njëjtën tryezë. Dhe sot, biri i një njeriu me ngjyrë dhe bija e prindërve të bardhë i japin formë së bashku çështjeve të botës së tyre.
Dikur një politikan kishte ëndërr që një populli i duhej forcë e brendshme më shumë sesa një ushtri për t’u mbrojtur. Dhe sot dy vendet më të sigurta të botës janë ato pa armë dhe forca ushtarake.
Qëkur ëndrrat bëhen të vërteta, le të kemi si ëndërr një botë ku nuk ka refugjatë dhe fëmijë të shfrytëzuar. Le të kemi ëndërr një botë ku natyra ushqehet. Le të kemi ëndërr një botë ku shpirti njerëzor është i mbrojtur. Le të kemi ëndërr një botë ku secili ka një rol. Le të kemi ëndërr një botë që është një.
Përktheu: Vehap S. Kola
(Forbes)

Sipërmarrjet e Vogla e të Mesme dhe lufta ndaj monopoleve


Vehap Kola
Ekonomia e lirë e tregut ka në thelb të idesë së saj themelore mekanizmin e tregut të lirë. Me pak fjalë, kjo do të thotë jo vetëm që tregu vendos se çfarë, në ç’masë dhe me ç’çmim e kush do ta shesë të mirën dhe shërbimin, por edhe që ai është i lirë ta bëjë këtë, pa asnjë shtrëngim dhe kufizim të padrejtë. Dora e padukshme është simboli më kuptimplotë për të hedhur poshtë çdo mundësi apo propozim për praninë e një institucioni apo instrumenti ndikues mbi mekanizmin. Qoftë institucionet e ashtuquajtura rregullatore, qoftë aktorët konkurrues me peshë të rëndësishme, përfaqësojnë dy rastet ekstreme të ndërhyrjes në ekonomi. Ndonëse, ndërhyrja në ekonomi është një togfjalësh terminologjik që i shoqërohet gjithmonë shtetit si agjent veprues në sistem, ajo është poaq e mundur edhe për sipërmarrjet apo sipërmarrësit privatë, që duke gëzuar peshë përcaktuese në ofertë, mund të ndikojnë sezonalisht apo lokalisht (globalisht në rastin e transnacionalëve) funksionimin e mekanizmit të tregut.
Por si arrihet mosndërhyrja e plotë? Teoricienët e kapitalizmit i kanë dhënë një përgjigje dykrerëshe këtij problemi gjithaq dykrerësh: shteti duhet të jetë i vogël, pra të kryejë vetëm rolet bazë të mbrojtjes, rendit dhe drejtësisë; biznesi duhet të jetë i vogël, pra të mos jetë në gjendje të ndikojë në ekuilibrin e tregut dhe të përfitojë në dëm të konsumatorëve. Madhësia nuk është vetëm tregues i suksesit, por edhe burim i fuqisë, pushtetit dhe ndikimit. Një shtet i madh ngrihet në kurriz të pronës dhe aktivitetit privat, si një kancer ndaj organeve të shëndosha. Një biznes i madh, i fuqishëm, i pushtetshëm dhe ndikues shkatërron përpjekjet e sipërmarrjeve të vogla e të mesme, ashtu si një kancer malinj shndërron organet në kalbësirë.
Megjithatë, e vogla synon të bëhet e madhe dhe kjo është krejt e natyrshme. Çdo gjë e gjallë, rritet. Por mbi të gjitha ajo maturohet. E tillë duhet të jetë edhe sipërmarrja: e maturueshme. Por organizmat plaken dhe vdesin, a duhet të plaken dhe të vdesin edhe iniciativat fitimprurëse private? Sipas ligjit, ato nuk përfundojnë me vdekjen e pronarit, por trashëgohen te pasardhësit. Ashtu siç nuk merr fund jeta me kalimin e brezave, ashtu nuk merr fund as iniciativa me kalimin e kohës. Jeta ruhet përmes riprodhimit. Pasuria dhe biznesi ruhen duke u trashëguar dhe duke u menaxhuar mirë. Por ndërsa një pjesë e sipërmarrjeve rriten për shkak të menaxhimit të mirë, disa të tjera tkurren dhe shuhen për shkak të mungesës së tij. Në këtë rast është supozuar se secila prej tyre ofron produkte dhe shërbime të ngjashme dhe konkurruese. Kështu më të suksesshmit marrin edhe pjesën e lëshuar nga të dështuarit. Kështu ato shëndoshen dhe ndërsa rriten, fitojnë fuqi dhe pushtet, ndikojnë në dorën e padukshme dhe këtu fillon plakja dhe vdekja e vetë mekanizmit të tregut. Tregu shndërrohet vetëm në një pikëtakim real apo virtual, ku blerësit duhet të paraqiten për t’u furnizuar, pa mundësinë për të zgjedhur ndërmjet dy vendimeve: të blejnë apo të refuzojnë të bëjnë kështu.
Të themeluar si nisma individuale apo si ndërmarrje shtetërore, monopolet, bashkë me pjesën e tregut të dështakëve, gllabërojnë edhe fuqinë vendimmarrëse të konsumatorëve, pra tërthorazi edhe mirëqenien e tyre. Ndonëse në emër të eficencës është rrahur mjaft se bizneset e mëdha janë në gjendje të ulin kostot përmes përfitimeve nga ekonomitë e shkallës, për shkak të mundësisë së tyre për të dëmtuar dhe asgjësuar konkurrencën, kjo eficencë nuk kthehet në përfitim të matshëm për publikun blerës, por bëhet një normë e shtuar fitimi për vetë aksionerët/pronarët. Në fakt korporatat do të ishin të pamenaxhueshme nëse do të kompozoheshin si një bashkim i ngurtë i disa/shumë sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. As një shumatore e mikrofunksioneve të tyre nuk është eficente. Kësisoj, ato priren të zëvendësojnë njerëzit me teknologji të automatizuar. E thënë thjesht, një korporatë që realizon një vëllim ekonomik të barabartë me shumatoren e vëllimeve ekonomike të një numri të caktuar sipërmarrjesh të vogla dhe të mesme, punëson më pak njerëz se ç’punësojnë të gjitha këto sipërmarrje të marra së bashku. Duke qenë se normat e fitimit të korporatave, për shkak të aftësisë së tyre për të përcaktuar çmimin, priren të jenë më të larta, atëherë jo vetëm që të ardhurat do të shpërndahen në më pak duar, por edhe totali i të ardhurave të shpërndara në këto pak duar është më i madh se totali i të ardhurave të fituara nga sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm. Kësisoj, sipas një progresioni gjeometrik, thellohen zhbalancimet.
SME-të (sipërmarrjet e vogla dhe të mesme), në dallim nga korporatat, priren të punësojnë më shumë njerëz, duke shpërndarë, me gjasë, më shumë të ardhura për të punësuarit. Duke qenë më të konkurrueshme, ato janë më të bindura ndaj çmimit ekuilibër dhe arrijnë të realizojnë fitime më të moderuara. Fitime më të moderuara për SME-të do të thotë më pak tërheqje të parasë nga publiku në drejtim të sipërmarrësve, duke ndikuar sakaq në mënyrë të tërthortë në shpërndarjen e drejtë të pasurisë. Ky lloj i biznesit është përgjithësisht pronë e një ose disa familjeve dhe i shërben tregut lokal, që, duke lënë terren të favorshëm për zhvillimin e bizneseve të ngjashme në çdo rajon, e rrit me progresion gjeometrik shkallën e shpërndarjes së drejtë të pasurisë.
Një tjetër argument që përdoret për të justifikuar nevojën për korporatat është se ato janë në gjendje të realizojnë projekte të mëdha, që shpeshherë shtrihen në një plan ndërshtetëror ose global. Projekte të tilla si ndërtimi i korridoreve të transportit, përparimi teknologjik etj., që kërkojnë ndërthurjen e burimeve dhe njohurive të shumëllojta, janë komplekse dhe vetëm korporatat e mëdha dhe me përvojë janë në gjendje t’i implementojnë ato. Ç’është e vërteta, pjesa më e madhe e korporatave funksionojnë si njësi për menaxhimin e projekteve, që nënkotraktojnë pjesën më të madhe të proceseve që përbëjnë projektin. Si të tilla, ato do të ishin lehtësisht të zëvendësueshme nga organizma të vetë bizneseve lokale, për të marrë përsipër vetë realizimin e projekteve të tilla. Ato mund të funksiononin si organizma jofitimprurës dhe të shmangnin kësisoj jo vetëm marzhet overheadtë monopoleve, por edhe dëmin që këto të fundit i bëjnë garës në treg.
Ndonëse tingëllojnë të djathta, monopolet përfaqësojnë një mutacion të rëndë të idesë së liberale mbi tregun. Duke shfrytëzuar dobësitë dhe mosveprimin e skeptrit të rregullacionit shtetëror, disa prej agjentëve ekonomikë fitojnë epërsi ndaj të tjerëve dhe krijojnë një mosbaraspeshim ndikues mbi ekuilibrin. Një dështim i shtetit të djathtë sjell një dështim të idesë së djathtë mbi tregun. Në thelb të idesë liberale është konkurrenca e plotë, që mund të garantohet vetëm nga SME-të. Asnjë instrument i drejtpërdrejtë nuk mund ta rregullojë mekanizmin e tregut të lirë më mirë se vetë gara e ndershme mes aktorëve. Lufta më e mundur ndaj monopoleve është zhvillimi i SME-ve. Të karakterizuara nga një tipar lokal, me pronësi familjare dhe me rol më madh të burimeve njerëzore, SME-të sjellin një zhvillim të balancuar, shpërndarje më të drejtë të të ardhurave dhe qeverisje më të decentralizuar.

Rruga e Mesme e Lirisë Ekonomike


http://www.mapo.al/2012/05/31/rruga-e-mesme-e-lirise-ekonomike/

Vehap Kola
Është shumë e çuditshme të vëresh përparimin e madh në jetësimin e lirive politike të njerëzve dhe, njëkohshëm, ta shohësh lirinë ekonomike si një vlerë që mund të cenohet dhe të kufizohet, pa u trembur se kjo ndërhyrje mund të jetë dëmsjellëse dhe ndikuese në vetë liritë politike të individëve dhe shoqërive. Ndonëse kjo vlerë është parë gjithnjë si një truk në mbrojtje të interesave të të pasurve dhe zotëruesve të kapitalit, në mënyrë tërësisht të pandershme, i njëjti standard nuk përdoret në rrafshin e lirive politike. E etiketuar në këtë mënyrë, liria ekonomike nuk ka gëzuar thuajse asnjëherë popullaritet të mjaftë aqsa të mund të realizohej dhe të vihej në jetë, sakohë vendimmarrja publike kalon përmes votimit të popullsive të dominuara nga shtresat e mbështetura nga politikat esktreme sociale. Në fakt, këtu nuk duam të fajësojmë njerëzit, individët pjesëtarë të shoqërive moderne, por duam të vëmë në dukje kurthin në të cilin ato janë zënë nga elitat politike dhe ekonomike, me arsyetime në dukje sociale.
Për të qenë të qartë, me sistem të lirisë ekonomike kemi ndërmend atë kuadër të rregullimit ekonomik të një shoqërie, ku roli kryesor i qeverisë do të ishte parandalimi i çdokujt nga përdorimi i forcës apo mashtrimit në ndërveprimin me të tjerët, duke nënkuptuar se edhe mbrojtja kombëtare i përket kësaj kategorie të kompetencave. Në thelb kjo është ekonomia laissez faire. Vërtet ajo është shumë pak e gjasshme në ciklin e jetës së shoqërisë njerëzore, por arritja e saj duhet të qëndrojë si një ëndërr, një motiv për përpjekje; ndërkaq, mosarritja si një shkak për moskënaqje.
Kundërshtarët e kësaj pikëpamjeje mbi sistemin ekonomik marrin si argument faktin se gjendja e ekonomive dhe tregjeve nuk është në një start të drejtë dhe të barabartë. Disa operatorë, veçanërisht transnacionalët, duke gëzuar një avantazh të dukshëm në distancë dhe energji financiare, arrijnë që të thellojnë avantazhin dhe padrejtësinë. Që këtej lind nevoja e ndërhyrjes në ekonomi me qëllim zbutjen e këtyre dallimeve dhe afrimin e esktremeve me njëri-tjetrin. Askush nuk mund të ketë një argument aq të fortë sa ta rrëzojë argumentin e mësipërm, sepse përndryshe me të drejtë do të etiketohej si ekstremist apo me pikëpamje të padrejta mbi jetën dhe shoqërinë njerëzore.
Sidoqoftë, edhe mbrojtësit e zjarrtë të lirisë ekonomike janë poaq dëmsjellës për këtë filozofi, me qëndrimin e tyre kryeneç në mbështetje të pakusht të saj dhe në mospranimin e problemit të diferencave ekonomike të akumuluara nga proceset historike. Është e vërtetë se shoqëria njerëzore sot nuk është as në momentin zero të rrugëtimit të saj historik dhe as në një pikë drejtësie perfekte në shpërndarjen dhe përndarjen e burimeve dhe mundësive ndërmjet njerëzve. Pranimi i këtij konstatimi është arsye e mjaftueshme për të legjitimuar politikat sociale, që vënë dorë në parimin e lirisë ekonomike. Prapëseprapë, pranimi nuk është dhe nuk duhet të jetë asnjëherë arsye për konservimin e një natyre sociale të qeverisjes; konsolidimi dhe zgjerimi i mundësive për lirinë ekonomike duhet të zënë vendin qendror në axhendën e qeverisjes.
Nuk është aspak rastësore që, edhe në rastin e lirisë ekonomike, pozita më e drejtë të jetë ajo e mesme; qëndrimet dhe praktikat teoretike fanatike nuk bëjnë asgjë tjetër përpos zhbërjes së asaj që ka ngritur pikëpamja kundërshtare dhe ngritjes së asaj që pikëpamja kundërshtare do ta zhbëjë sapo të marrë në dorë frerët e pushtetit. Rruga e mesme është ajo rrugë që pranon papërsosmëritë e gjendjes ku ndodhet shoqëria njerëzore, dhe veçanërisht situatës ekonomike, dhe merr përsipër të realizojë misionin e vështirë të realizimit të plotë të sistemit të lirisë ekonomike. Në asnjë rast rruga e mesme nuk duhet të ngatërrohet me rrugën e ekonomisë së përzier, që si një mesatare aritmetike synon të kënaqë qëndrimet e një mase sa më të gjerë votuesish.
Pika më e fortë e sistemit të lirisë ekonomike nuk është suksesi marramendës që ai ka arritur në rritjen e mirëqenies së njerëzve dhe shoqërisë njerëzore, as në eficencën e mekanizmit të tregut të lirë në nxitjen e rritjes ekonomike. Pika më e fortë e tij është përputhja e plotë me themele të caktuara morale të vetë jetës. Çdo individ është tërësisht përgjegjës për atë që i ndodh, për shpëtimin e tij këtu dhe në botën tjetër. Kësisoj, dështimi apo suksesi i një individi në jetën ekonomike është përgjegjësia e vetë atij/asaj.
Dështimi i ekonomive të disa vendeve kryesore të botës i dedikohet pikërisht dështimit të lirisë ekonomike, ngjashmërisht siç dështimi i disa diktaturave i kushtohet mungesës së lirive politike. Në vende në zhvillim dhe demokraci të papjekura si Shqipëria, Maqedonia apo Kosova, indeksi i lirisë ekonomike (publikuar në raportin vjetor Doing Business të Bankës Botërore) shënon nivele të brishta dhe herë-herë përkeqësime nga viti në vit. Është mjaft e interestë të vërehet se pothuaj në çdo rast të krizave ekonomike shkaqet gjenden në ndërhyrjen e politikës në lirinë e individëve dhe mekanizmin e tregut. Pothuaj në të gjitha vendet, ndërhyrja e politikës në ekonominë e vendit bëhet për dy arsye krejtësisht të pandershme: (1) për të fituar votat e publikut të gënjyer me instrumente sociale dhe (2) për të fituar mbështetjen e korporatave, të cilave u garantohet një pozitë monopoli në sektorë të caktuar të ekonomive kombëtare.
Në Shqipëri tashmë është mjaft e dukshme pozita monopol apo oligopol e disa korporatave, të cilat kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore të shërbimeve dhe të mirave publike, të konsumit të gjerë dhe të nevojës së parë. Ndonëse pritej që privatizimi të përmirësonte menaxhimin e këtyre kompanive dhe furnizimin e shërbimeve dhe produkteve për qytetarët, në menaxhim është shfaqur dukuria e korrupsionit tipik për administratën publike të politizuar dhe pakënaqësia e qytetarëve është rritur. Sadoqë janë bërë përpjekje formale për liberalizimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë përmes legjislacionit dhe veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës, cilësia e shërbimeve dhe produkteve për publikun nuk është përmirësuar, sepse as tregjet nuk janë liberalizuar njëmendësisht dhe ka garë ndërmjet operatorëve për të fituar klientelën.
Publiku i vendeve tona duhet të vetëdijesohet se shteti duhet të ndalojë çdokënd që provon të ndrydhë lirinë ekonomike të të tjerëve përmes çdo akti. Për aq kohë sa shteti në secilin nga vendet tona të mos e përmbushë këtë rol dhe, nga ana tjetër, të tejkalojë rolin e arbitrit që garanton respektimin e rregullave të lojës në treg, liria ekonomike do të vijojë të mbetet një fushë e djegur. Dhe askush prej nesh të mos presë që vendet tona të zhvillohen, që mirëqenia e gjithësecilit të rritet dhe që perspektiva e sipërmarrjeve tona të bëhet më e sigurt, atëherë kur përpjekja për të arritur këto rezultate s’ka një udhë plotësisht të lirë dhe të ndershme. Me këto kondita, ekonomia do të vijojë të jetë e planifikuar, pavarësisht nëse ky planifikim realizohet nga shteti, nga ofruesi i vetëm i tregut apo nga ofruesi më i favorizuar nga politika.