Monday, March 11, 2013

Arsimi që tregtojmë


nga Vehap S. Kola

Qytetarë të Athinës, unë ju përshëndes dhe ju çmoj shumë,
por më tepër do t’i përulem Zotit sesa juve,
dhe sa të ketë frymë e forcë në mua,
s’do të ndalem së kërkuari të vërtetën,
e t’ju këshilloj, e t’ju mësoj, dhe kur me dikë prej jush të takohem,
do të flas sipas shprehisë sime:
“Miku im i nderuar, je qytetar i Athinës, shtetit më të respektuar për nga forca dhe urtia,
e a nuk turpërohesh që përkujdesesh se si të grumbullosh më shumë para, famë, respekt,
e për mençuri, vërtetësi e shpirt, për t’u bërë më të mirë,
për këto nuk përkujdesesh dhe nuk çanë kokë fare?
Dhe ju mësoj se virtyti nuk krijohet me para, por virtyti krijon paranë.”
Sokrati

Qëkur dija e zhvendosi interesin e saj nga kërkimi i kuptimit në kërkimin e fitimit, shoqëria njerëzore u bë dëshmitare e shndërrimeve dramatike në të gjitha rrafshet e ekzistencës. Në këtë rrokullisje të dijes drejt inxhinieringut, çdo qasje që synonte të rrokte të vërteta themelore dhe parime të gjithëkohshme u reduktua në rrugë të painterestë dhe u braktis masivisht dhe progresivisht nga njerëzit përgjatë kohës. Ky bar i mbirë në shtegun e moçëm të dijes dendësohet dhe rritet aty për të fshehur çdo gjurmë të kahershme që mund të dëshmojë se herëdokur dija ishte dukshëm tjetërfar nga ajo që sot bota beson dhe ndjek si të tillë. Asketi, filozofi, artisti dhe shkrimtari zunë të përfaqësojnë shembuj të pasuksesshëm dhe me funde tragjike.

Shndërrimi, që nuk reshti së ndryshuari shpirtin, fytyrën dhe drejtimin e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, përfundimisht i dha tregut, industrisë, parasë pushtetin të vendosë se çfarë është dhe si duhet të përmbushet edukimi i njerëzve: dituri të leverdisshme sipas kërkesave të tregut. Prandaj, që nga momenti historik i këtij parakalimi fushat më të dëshiruara të thellimit, nuk janë më filozofia, arti dhe metafizika, por ekonomia, inxhinieria dhe marrëdhënia publike. Filozofët, artistët dhe asketët pushuan së qenuri njerëzit më të rëndësishëm dhe më të njohur, dhe ekonomistë, inxhinierët dhe folësit publikë bëhen modelë të njerëzve të suksesshëm dhe të famshëm.

Kjo shkëputje nga jeta intelektuale dhe shpirtërore dhe përngjitja me aspiratën ekonomike e materiale pothuaj e kanë çrrënjosur vetëdijen e shoqërisë njerëzore mbi pazëvendësueshmërinë e udhërrëfimit intelektual e shpirtëror, mbi nevojën e parimeve udhëheqëse të jetës dhe mbi rolin përcaktues të dijes në natyrën dhe drejtimin e zhvillimit të botës. Përpjekja për të ndërtuar një jetë pa Zotin e çoi njerëzimin drejt korruptimit të misionit të tij moral dhe zvetënimit të pashembullt shpirtëror, duke pamundësuar, këtillësisht, pozitën e dijes si lokomotivë e udhëtimit njerëzor.

Aq çrrënjosës ishte ky proces reduksionist përgjatë historisë sa, herë në emër të laicizmit e herë në emër të ateizmit, shumëkund në emër të shkencës dhe ndokund në emër të progresit dhe shkëputjes nga primitivizmi, misioni i mësuesit si kultivues i karakterit dhe dijeve u tkurr në detyrën e instruktorit të veprimeve praktike dhe konkrete. Edukimi u bë arsimim. Kjo vërehet qartë në etiketimin ‘intelektual’ të profesionistëve me arsim të lartë apo studime profesionale pas-universitare. Statusi i profesionistit rregullohet gjithnjë nga një kod etike, që kujdeset për çdo detaj të veprimtarisë dhe sjelljes së tij, çka krijon mbresën e rrejshme të disiplinës shpirtërore dhe emancipimit intelektual.

Liberalizimi në fushën e arsimit është ripohimi më i fundit i faktit se arsimimi (lexo: ish-edukimi) mund të rregullohet si çdo sektor tjetër i tregut të të mirave dhe shërbimeve. Dora e fshehtë e mekanizmit të tregut, ku publiku kërkues dhe tërësia e ofruesve pikëndeshen për të gjykuar shkëmbimin e vlerave, ka marrë përsipër detyrën e trajnimit dhe zhvillimit profesional të fuqisë punëtore që do t’i shërbejë po këtij tregu. Instrumenti lehtësues i këtij akti shkëmbimi është, si për çdo të mirë e shërbim tjetër, paraja. Sepse ‘ajo është matëse e vlerës’ dhe ‘ruajtëse e saj’. Sepse vlerë është gjithçka që njeriu fiton e zotëron në përpjekjen e tij për mirëqenie. Dhe sakohë mirëqenia matet me një tregues të të ardhurave për frymë, vlera është një derivat i parasë dhe jo i jetës.

Disiplinimi i edukimit nga mekanizmi i tregut e ka shndërruar shoqërinë njerëzore në një armatë gjigande profesionistësh dhe zanatçinjsh, ku zërin kryesor dhe gjithnjë e më të lartë e kanë sindikatat, njësoj si ushtritë e skllevërve. E folmja drithëruese e një libri të shenjtë apo prania hirëplote e një të urti (apo shumë të tillësh) për të gjykuar midis të vërtetës dhe të shtrembrës tingëllon si një shfaqje prapanike dhe asfare demokratike. Mirëpo, tregu vepron në bazë të interesit material për të prodhuar konsumatorë besnikë dhe jo në bazë të nevojës së individëve dhe familjeve për të edukuar njerëz të mençur dhe të virtytshëm.

Po, nga lind interesimi i tregut për arsimimin, apo, që është e njëjta gjë, mospajtimi i tregut me edukimin?

Edukimi ka si mision të ruajë dhe të rrisë natyrën burimore të njeriut; ta nxisë njeriun të mendojë, të kuptojë dhe të rrokë të vërtetën e pranisë së tij në jetë; të pranojë dhe të marrë përsipër misionin pse është. Parimisht, pritet që njeriu i edukuar të jetë i pajisur me një vizion, të gëzojë një gjerdan virtytesh, ku spikat përgjegjshmëria ndaj burimeve natyrore dhe e drejta e brezave ndaj tyre. Ky individ, me prirje konsumi të vetëpërmbajtura, ishte shkaku që rritja mesatare vjetore e prodhimit nga viti 1400 deri në vitin 1900 të ishte vetëm 1% në vit. Së këndejmi, nuk ka pse të jetë befasues qëndrimi jomiqësor i tregut ndaj edukimit.

Ndërkaq arsimimi ka për mision zhvillimin e aftësive profesionale të njeriut. Nevoja për mjeshtëri dhe profesionalizëm ka ekzistuar gjithmonë dhe në botën tradicionale çirakët fitonin aftësitë teknike në mjediset e punës. Por çirakët nuk ngatërroheshin askurrë me të urtët e filozofët, artistët e mistikët. Njerëzit e arsimuar, pra profesionistët, kanë një prirje të vetvetishme për konsum më të lartë dhe një imperativë për standard ‘profesionale’. E tillë është prirja dhe/apo imperativa për paraqitje, sjellje dhe zgjedhje profesionale, si dhe për mallra e shërbime të statusit. Për këtë arsye, arsimi nuk prodhon vetëm asete për tregun, por edhe vetë blerësit e mallrave dhe të mirave që ata ideojnë dhe realizojnë. Ky lloj i individit është shkaku pse rritja mesatare vjetore e prodhimit gjatë shekullit të 20-të qe 5%.

Vendosja e hegjemonisë së tregut mbi arsimin përbën edhe përplotësimin e pushtimit të gjithçkaje në botën bashkëkohore nga paraja. Me këtë larje hesapesh, gjithçka mund të tregëtohet, dhe meqë arsimimi nënkupton pajisjen me një kuadër dijesh teknike dhe praktike, edhe ai mund të tregtohet. Duke e bërë atë të këndshëm dhe dobiprurës, njësoj si shumësia e mallrave dhe shërbimeve të tjera përmes marketingut modern, tregu e ka vënë njeriun bashkëkohor nën diktaturën e konsumit. Megjithë shijen e hidhur që lë ky konstatim, ai mbart edhe një të mirë në brendinë e tij: rikonfirmimin, edhe për njeriun bashkëkohor, se shpirti i njeriut është trualli i vetëm që nuk mund ta pushtojë tregu.

No comments:

Post a Comment