Monday, March 11, 2013

Me Shami të Bardhë


nga Vehap S. Kola

Nëna ime është gruaja që jeton më shumë me mua; është gruaja me të cilën unë jetoj më shumë dhe e vetmja grua me të cilën unë s’dua të ndahem asnjëherë. Me këtë dashuri e kremtoj çdo mëngjes përjetësinë, kur dal nga shtëpia për të siguruar jetesën e përditshme të familjes sime dhe ajo më përcjell me bekime e druajtje dhe, në një gjest gati ritual, zgidh e lidh shaminë e saj të bardhë dëborë. Po ju betohem me gjithë shpirt, nga të gjitha gratë që mbajnë një shami mbi kokë, nëna ime e lidh shaminë në një mënyrë krejt të ndryshme. Nëse ndodh që ajo të largohet nga kjo jetë dhe të më lerë mua në krahët e saj, unë do ta kujtoj gjithmonë këtë ritual të pandërgjegjshëm të mengjesit. 

Saherë që hapet debat mbi statusin social e juridik të grave që mbajnë shami mbi kokë, mendoj për nënën time. Dhe pyes: po sikur nëna ime të ishte 45 vjeçe (ju garantoj se do të mbante shami gjithsesi, duke e njohur ndjesinë e saj të turpit nga zbulimi i kokës), të ishte shkolluar në Institutin e Lartë të Shkodrës (kështu quhej Universiteti i Shkodrës, ku shkolloheshin studentët nga veriu i vendit), dhe të aplikonte për një vend pune në shkollën ku unë u shkollova, a do të refuzohej ajo vetëm se mban shami mbi kokë dhe mantel të gjatë deri në fund të këmbëve? Nuk dua të hap diskutime mbi ndikimin e feve monoteiste në formimin e identitetit të individit shqiptar, por guri që hidhet në liqenin e qetë të fesë islame, saherë përgojohet pamja e grave tona, turbullon gjer në fund përcaktimin tonë shoqëror si një komunitet njerëzish të lirë dhe të barabartë përballë të drejtave dhe përgjegjësive qytetare.

Botëkuptimi prej nga lindin edhe nismat ligjore për të ‘zhveshur’ shkollimin laik nga ‘ndikimet fetare’, në fakt injoron kulturën e popullit shqiptar dhe pozicionohet në anën e antikulturës dhe antivlerave, duke mos merituar as edhe më të voglën tundje të kokës në shenjë miratimi për zgjedhjet e tij. Gratë e shqiptare në të gjitha qytetet dhe fshatrat e banuara prej shqiptarëve në Ballkan, pa dalluar se cilës fe i përkisnin, historikisht e mbulonin kokën. Nëse zyrtarët shtetërore përveshin duart për t’i hyrë punës të bëjnë dallimin midis mënyrës tradicionale të mbajtjes së shamisë dhe asaj misionare të shfaqjes së simboleve fetare në institucione publike, atëherë unë (dhe mendoj se nuk jam aspak vetëm në këtë ndjesi) ndjej neveri për banalitetin e kauzës së tyre. Për çfarë i kemi zgjedhur ne këta njerëz? A është ky njëri prej shqetësimeve dhe pyetjeve për të cilat njerëzit në Shqipëri (apo edhe Kosovë) presin përgjigje? Njëmend pyes, i është ankuar kush ndokujt prej tyre për ‘nevojën e ngutshme’ të përmirësimit të mirëqenies së popullit dhe ‘emancipimit të sistemit arsimor’ përmes ‘zhveshjes’ nga simbolet fetare? A është sfidë e administratës shtetërore prania e grave ‘misionare’ me shami, të cilat jo vetëm nuk përkushtohen ndaj detyrës së tyre ligjore të shërbimit civil, por e kanë shndërruar administratën shtetërore dhe institucionet arsimore në tribuna të propagandës fetare? A ka ngecur rrota e karrocës së Ministrisë së Arsimit që endet për reformën e pandalshme në arsim, në zgjidhjen e këtij ‘ngërçi’? Ka aq shumë pyetje për të drejtuar, të cilave Ministria e Arsimit nuk u ka dhënë asnjë përgjigje, ose i ka keqadresuar, saqë ajo s’do të kishte aspak kohë të lirë të mendonte për të kështuquajturat ‘sfida të arsimit laik’.

Është hera e dytë që nëna ime shtrëngohet dhe vihet përpara përgjegjësisë për shkak se mbi kokën e saj, ajo mban një shami (të bardhë). Për herë të parë, në vitin 1967, komunistët sollën në vnedlindjen time, një orientim sipas të cilit gratë duhet të hidhnin në tokë shamitë dhe të shkurtonin fustanet, për të shpëtuar nga mendësitë primitive dhe prapambetjet me origjinë fetare, e t’i bashkoheshin revolucionit kulturor. Atëherë një poet dhe intelektual nga vendlindja ime u ngrit dhe e kundërshtoi këtë nismë dhe pas një kalvari 20 vjeçar në Spaç e Burrel, përfundoi në litar në vitin 1988. Kjo është hera e dytë. Por nëna ime nuk pranoi asnjëherë të hidhte përdhe shaminë që mban mbi kokë. Ajo sot më ngjan me Gjalicën, që është një mal i lartë ku çdo ditë perëndonte dielli im i fëmijërisë dhe që mbante gjatë gjithë vitit një kapele të bardhë dëbore. Gjalica nuk ka pranuar asnjëherë të përbaltë dëborën e saj dhe nëna ime, ashtu si Gjalica, nuk do të pranojë asnjëherë të përbaltë shaminë e saj të bardhë, edhe pse flokët e saj dallojnë pak nga ngjyra e bardhë e shamisë.  Në fakt, ajo që nuk merret parasysh, fatkeqsisht, kur mendohet ndaj mënyrës së veshjes së gruas muslimane, është prania e pandërprerë e kësaj tradite në vetë kulturën shqiptare dhe në thelbin e identitetit të gruas shqiptare edhe gjatë viteve të vështira të diktaturës komuniste.


No comments:

Post a Comment