Monday, March 11, 2013

Familja tradicionale, familja islame


nga Vehap S. Kola

Nëse vendosim të flasim për familjen do të kemi gjithnjë ndërmend vetëm dy forma të saj: familjen shekullare dhe familjen muslimane, pasi vetëm këto dy botëkuptime kanë krijuar një model të familjes. Familja shekullare është një lëshim i detyruar i botëkuptimit materialist nga nevoja për të organizuar shoqërisht dhe ekonomikisht jetën e tij. I paaftë për të edukuar individët në laboratorin e madh social, për të menaxhuar ekonominë në nivel individual dhe për të përballur pasojat e papërgjegjshmërisë së jetës jashtëmartesore, botëvështrimi materialist vendos të pranojë një formë të reduktuar të familjes. Nga pikëpamja teorike e materializmit, nuk mund të gjejmë asnjë premisë për ekzistencën dhe funksionimin e familjes si të tillë. Sidoqoftë, familja moderne i ngjan më shumë një sipërmarrjeje të braktisur, një nisme të lënë në mes, sesa një synimi të mirëfilltë të cilit i shërbehet sistematikisht. 

Modeli i dytë është familja islame. Arsyeja pse Islami ka një model për familjen është shumë e thjeshtë: sepse familja është një institucion origjinalisht dhe ekskluzivisht islam. Shtjellimi i këtij argumenti nuk është në qëllimin e kësaj trajtese. Një argumentim i pakundërshtueshëm dhe mahnitës i kësaj teze është kryer nga i ndjeri Alija Izetbegovic në veprën e tij “Islami Ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”. Qëllimi i kësaj eseje është të trajtojë fatin dhe sfidat e familjes muslimane në Shqipëri.

Familja Shqiptare në Diktaturë

Instalimi i diktaturës komuniste në vitin 1945 në Shqipëri ishte guri i themelit të një botëkuptimi të ri, që ngriti ngrehinën e tij të mendimit dhe veprimit zyrtar e të kulturës masive në vend. Me një bazë të fortë ideologjike dhe me një eufori tipike revolucionare, aparatura e re qeverisëse filloi menjëherë me uzurpimin e prerogativave të nënës dhe kompetencave të familjes përmes ideologjizimit të nxënësve dhe ngritjes së miteve të udhëheqësit të dashur e nënës parti.

Nuk ishte aspak e beftësishme që reforma në mendim të niste me pozitën dhe rolin e gruas në shoqërinë e re. Me plotgojë mund të thuhet se pavendosmëria ishte tipari kryesor i qëndrimit komunist ndaj gruas. Duke shfrytëzuar padrejtësitë e vuajtura nga pjesëtaret femra të shoqërisë shqiptare të paraluftës së dytë botëroreNga njëra anë, gruaja duhej të ishte një nënë pjellore që do të lindte djem luftëtarë dhe vajza të bukura (motive tipike folklorike, një shfrytëzim i nacionalizmit për qëllime të ngushta politike), çka thekson, vetvetiu, rolin dhe detyrimin qëndror familjar të gruas. Ndërkohë, ajo duhej të punonte krah-përkrah burrit, me të njëjtat të drejta dhe detyrime, pasi të dy ishin të barabartë dhe njësoj të aftë për të ndërtuar atdheun e ri socialist. Në këtë mënyrë, gruaja ishte ngarkuar me një përgjegjësi të dyfishtë dhe të troshitur. Periudha e paqes pas përfundimit të luftës, favorizoi uljen e vdekshmërisë së fëmijëve dhe rritjen e prodhimit, por shpejt urbanizimi uli lindshmërinë. Përfundimisht, troshitja midis dy roleve të papërputhshme, e çoi gruan shqiptare drejt dështimit në rolin e saj të nënës. Ajo vendosi të heqë dorë nga roli i saj i natyrshëm dhe të pranojë rolin e ri: si e barabarta e burrit në jetën ekonomike, politike dhe sociale.

Familjet e shterrura emocionalisht dhe shpirtërisht u shndërruan në fjetina dhe njësi ekonomike, gjersa prodhuan probleme të pakthyeshme emocionale, mendore dhe sociale të fëmijëve. Trajtimi i foshnjeve në çerdhet shtetërore me programe standarde që nuk përfshinin më shumë se strehimin, ushqimin dhe kujdesin shëndetësor, nuk mund të sillte pasoja të tjera përveç krijimit të qenieve monstruoze dhe egocentrike. Se çfarë mund të shkaktonte ky shformim i individit në jetën shoqërore, do të shihej disa dekada më vonë, kur kërcënimi i ligjit të ashpër të reshtte së ekzistuari.

Një tjetër problem i krijuar nga mendimi i ri zyrtar dhe nga kultura masive ishte zbehja e rolit të babait dhe zëvendësimi gradual me rolin e udhëheqësit të dashur, i cili mendon për të gjithë si për fëmijët e tij. Duke imituar Zotin, ideologjia komuniste i rrëmben prindërve role të rëndësishme në emër të parimeve të reja dhe u jep fëmijëve të drejtë t’i gjykojnë prindërit e tyre sipas paradigmës së re e të relativizojnë figurën e tyre. Kësisoj, këto pikë vlerësimi i transferohen partisë dhe udhëheqësit.

Sipërmarrja më e pamundur diktaturës karshi familjes shqiptare ishte orvatja për të ndërtuar një moral pa Zot. Në mungesë të motivit të vërtetë, të përhershëm dhe të besueshëm, që mund ta bënte të vlefshëm përmasën morale të njeriut, shteti përdor shtrëngimin ligjor dhe terrorin për të shmangur veset dhe veprat penale. Por ndërsa veprat penale me pasoja konkrete ekonomike apo të sigurisë mund të kundërbalancoheshin përmes sanksioneve, degradimi moral dhe zvetënimi i karakterit të individit që nuk përbënin ndonjë vepër penale, nuk mund të kuroheshin pa Zot. Së këndejmi, gjatë asaj periudhe u ruajt një nivel i lartë sigurie dhe korrektese nga pjesa dërrmuese e popullsisë, por u shpërbënë tërësisht fibrat moralë që mbanin të lidhur jetën në familje dhe forconin solidaritetin shoqëror.

Në konkluzion të kësaj analize të gjendjes së familjes gjatë periudhës së diktaturës mund të përmbledhim se ajo çfarë bëri më shumë diktatura ishte ngulitja e themeleve të një skene ku do të luhej tragjedia më e madhe e familjes shqiptare prejsa mbahet mend. Duke ndalur me dhunë thjesht vënien në skenë të kësaj tragjedie, diktatura arrinte të bindte lehtësisht njerëzit se ajo ishte mbrojtësja e vërtetë e vlerave morale dhe pasurisë shpirtërore të kombit. Se çfarë dëmesh të pariparueshme kishte shkaktuar komunizmi në strukturën dhe substancën e familjes, kjo do të kuptohej vetëm pasi ngrehina e amortizuar e terrorit të plandosej në tokë në fillim të viteve 1990.

Familja Shqiptare në Tranzicion

Rrëzimi i diktaturës dhe shpallja e pluralizmit politik në vitin 1990, nxori në pah dëmet e pandreqshme që ajo i kishte shkaktuar familjes shqiptare. Nëse diktatura me tërësinë e mendimit, institucioneve, metodave dhe instrumentave të saj i dha goditjen më të rëndë familjes tradicionale shqiptare, tranzicioni që nisi me ndryshimet politike të viteve 1990-1992 shërbeu si faza e fundit e dizintegrimit dhe shformimit vështirësisht të kthyeshëm të saj.

Në tranzicion, familja shqiptare vijoi të ruajë problematikën e papërcaktueshmërisë së rolit të gruas dhe zvetënimit të fibrit moral të shoqërisë. Ndonëse papunësia e shkaktuar nga shoku ekonomik e detyroi gruan të kthehej në pozitën e shtëpiakes, ajo ishte pothuaj e paaftë për të kuptuar, pranuar dhe aktualizuar rolin e saj si nënë dhe edukatore e fëmijëve. Ajo nuk ka as kultivimin moral, formimin intelektual, as disiplinën shpirtërore të nevojshme për të rrokur kompleksitetin e misionit të edukimit të fëmijëve, përtej plotësimit të nevojave të jetesës dhe sigurimit të mundësive për arsimim e formim profesional.

Gjatë kësaj kohe, familjes shqiptare iu shtuan edhe një listë e gjatë problemesh dhe kërcënimesh.

Një ushtri të divorcuarish dhe të pamartuarish në moshë të pjekur dhe të thyer i kanë dhënë shoqërisë tipare të thella individualiste dhe një ngjyresë të fortë vetmie e anomie. Bindja e përhapur gjerësisht se martesa është një përgjegjësi që duhet menduar gjatë dhe që kërkon kohë për ta pranuar, konditat e shtuara ekonomike dhe sociale për të realizuar një martesë mesatare, si dhe forma të reja të jetës ndërgjinore jashtëmartesore e ndesh institucionit tradicional të martesës i kanë dhënë një dorë të madhe ndihme kësaj dukurie të re.

Ashtu siç është përvijuar më lart, tranzicioni e gjeti familjen shqiptare me një fibër moral tërësisht të shpërbërë. Kësisoj, imuniteti i saj ndaj çdo forme të re të degjenerimit dhe zvetënimit, që burojnë nga sulmi konsumerist dhe nga botëkuptimi (dhe jeta) pa Zot e modernitetit, ishte tërësisht i pamjaftueshëm për të garantuar vazhdimësinë e shëndetshme dhe të vërtetë të saj. Mungesa e fibrit moral reflektohet në një përhapje të gjerë të dukurive të korrupsionit dhe krimit, të mosdhënies së drejtësisë nga sistemi gjyqësor dhe të qeverisjes klienteliste.

Familjet shqiptare të periudhës së tranzicionit nuk janë të afta të shërbejnë si elementë bazë komunitarë dhe nxitëse të frymës së bashkekzistimit dhe bashkëndarjes me fqinjët dhe farefisin. Solidariteti, edhe ashtu i cunguar, i 50-viteve të diktaturës komuniste i ka lënë vendin kaosit shoqëror dhe individualitetit. Pothuaj, nuk mund të gjesh asnjë lagje apo komunitet në Shqipëri që të dëshmojë kujdes dhe vlerësim për pasuritë dhe të drejtat e përbashkëta, që nga infrastruktura, mjedisi apo rendi publik. Sakaq, janë të rralla ato komunitete që kanë ngritur institucione dhe infrastrukturë sociale e shpirtërore të përbashkët. Shumica e objekteve të kultit janë ngritur dhe administrohen me ndihmën e donatorëve të huaj dhe të organizatave të financuara nga jashtë komunitetit përkatës. Mobilizuesit më të mëdhenj dhe kryesorë të komuniteteve janë partitë politike, kurse vullnetarizmi apo vetorganizimi shihen si tabu dhe propozime jo aq të mençura.

Familja Muslimane si Mundësi

Familja muslimane, prej shumë kohësh, shihet si një formë arkaike e organizimit të njerëzve, veçanërisht kur asaj i mvishen tipare rurale, e destinuar për t’iu nënshtruar modernizimit dhe tjetërsimit të natyrës së saj. Po çfarë është familja muslimane? Si është e kompozuar ajo? A është e mundur që ajo të rilindë si një model real i familjes shqiptare?

Familja muslimane është familje e zgjeruar që integron vertikalisht të paktën tre breza dhe horizontalisht tre rrathë të anëtarëve. Gjyshërit, prindërit dhe fëmijët jetojnë nën të njëjtin ‘kulm’ shtëpie, me një udhëheqje të vetme, zakonisht nga mashkulli më i moshuar në familje, me buxhet të përbashkët dhe me veprimtari të unifikuar përgjithësisht. Horizontalisht ajo ka në qëndër bërthamën e sipërpërmendur. Rrethi i dytë përfshin një numër familjarësh shumë të afërt, jetojnë apo jo së bashku, të cilët kanë të drejta të veçanta ndaj njëri-tjetrit, që lëvizin lirisht nëpër shtëpi dhe ndërmjet të cilëve nuk është i nevojshëm hixhabi (mbulesa). Të tillë janë  ungjit dhe emtet, fëmijët e njërit prej prindërve, etj. Në rrethin e tretë bëjnë pjesë vjehrri, vjehrra, kunetërit dhe kunatat, fëmijët e bashkëshortëve, bashkëshortët e fëmijëve dhe njerkët.

Është mjaft me interes të vihet re përputhshmëria thuajse e plotë e familjes tradicionale shqiptare me modelin e familjes islame. Ngjashmëria dhe përputhjet midis dy këtyre familjeve zgjatohen edhe në mënyrën e funksionimit dhe udhëheqjes së familjes, kur dihet se që të dyja janë familje patriarkale, me një rol më të gjerë të gruas brenda shtëpisë dhe me përgjegjësi kryesore të burrit për të siguruar jetesën e anëtarëve të saj. Shpehsherë, familja tradicionale sulmohet dhe gjykohet duke marrë si shembull trajtën e deformuar të saj. Në këto raste, pozita e keqe e gruas dhe natyra maskiliste e familjes i mvishen karakterit të saj patriarkal. Modeli islam i familjes, pra familja e zgjeruar, nuk ka si synim të krijojë një mbretërizë të vogël për çdo burrë të padrejtë, por të garantojë reflektimin e unitetit hyjnor (teuhidit) që në fazën embrionale të shoqërisë njerëzore. Realizimi me sukses i këtij synimi në këtë nivel të organizimit shoqëror është conditia sine qua non i aktualizimit të unitetit në shoqërinë e tërë.

Pikëtakimet e shumta të modelit të familjes islame me atë tradicionale shqiptare, si dhe pranimi i dështimeve të së kaluarës, mund të shërbejnë si një mundësi krejt realiste për familjen bashkëkohore shqiptare. Përqafimi i këtij modeli përfaqëson një shans, me gjasë, të fundit për të shpëtuar familjen shqiptare nga rrënimi dhe shpërbërja dhe shoqërinë nga rrokullisja drejt degradimit të pakthyeshëm, apo, edhe më keq, nga rënia e lirë në një humnerë, që për ne sot nuk është aspak një parabolë.

No comments:

Post a Comment