nga Vehap S. Kola
1.
“A mund të
mbijetojë kapitalizmi? Jo, nuk mendoj se mundet”. Këto fjalë qenë shkruar nga
dora e Joseph Schumpeter në vitin e largët 1942, ndërsa i jepte frymë veprës së
tij profetike Kapitalizmi, Socializmi dhe
Demokracia. Ndaj, për të kuptuar vatrën e tërmetit që po përjeton sot
sistemi ekonomik global tërësisht kapitalist, është e doemostë që niset me
leximin e kësaj vepre. Nuk mund të jemi të sigurtë nëse vetë Schumpeter, po të
jetonte sot, do ta kishte gjykuar me vend të pohonte ‘jua kisha thënë’, pasi
nuk mund të thuhet me gojëplot se kapitalizmi nuk arriti të mbijetojë. Me gjasë,
do të duhet pak kohë që të largohet pluhuri dhe tymi dhe të mund të shihet më
qartësisht se çfarë kishte ndodhur dhe cilat ishin pasojat e tërmetit.
Thuhet që ai, në
vitet e fundit të jetës, të ketë thënë se, si i ri, ai pati tre ambicie: të bëhej
një nga ekonomistët më të mëdhenj të botës, një nga kalorësit më të mirë dhe një
nga dashnorët më të mëdhenj të botës. Ai kishte vijuar të thotë se ishte i
lumtur të vërente se ia kishte dalë në dy prej këtyre ambicieve. Çfarë ai nuk
kishte bërë, është se nuk tregoi cilat prej tyre.
Kapitalizmi qe
efiçent në rritjen e prodhimit dhe kjo nuk ishte një rastësi. Argumenti i
kritikëve të kapitalizmit se suksesi ekonomik i tij në Shtetet e Bashkuara dhe
në Angli ishtë produkt i ndërthurjes së rrethanave rastësore me veprimin
qeveritar për të asgjësuar pasojat negative të tij, hidhet poshtë nga argumenti
i Schumpeter se Amerika që bëri të pasur 200 milionë njerëz përmes
kapitalizmit, nuk i pasuroi dot disa miliona indianë, ndërsa të njëjtat burime
ishin aty. U desh një sistem ekonomik efiçent që të shfrytëzojë mundësitë reale
të atij kontinenti. Në fakt, politikat antikapitaliste të shtetit gjatë viteve
1930 vetëm sa e përkeqësuan normën e papunësisë dhe reduktuan normën e përmirësimit
të mirëqenies ekonomike.
Mirëpo sot
kapitalizmi është vënë nën furtunën e një arsenali të përtërirë kritikash, që
ushqehen në morinë e dështimeve ekonomike globale dhe veçanërisht në idetë e
reja antiglobaliste. Këmbëngulja e tyre në konkurrencën e plotë sipas mësimeve
të Adam Smith dhe sulmi mbi pushtetin e diktaturën e megakorporatave globale, që
ndikojnë mbi qeveritë dhe prekin mekanizmin e tregut të lirë, është gjithaq një
përpjekje për të ruajtur kapitalizmin nga një shformim fatal për vetë atë.
Megjithatë, konkurrenca e plotë është një kërkesë normative dhe ideale. Në treg,
ajo ndoshta kurrë nuk do të realizohet ashtu siç kërkohet. Konkurrenca nuk është
një gjë që duhet krijuar, apo mbrojtur. Ajo qëndron në vetë natyrën e njeriut.
Ndërhyrja e qeverisë mundet vetëm ta reduktojë apo asgjësojë atë, ashtu siç e
prish garën e atletikës pengesa e më të shpejtëve, jo vetëm duke i ndalur apo
ngadalësuar padrejtësisht ato, por edhe duke demotivuar çdo pjesëmarrës të
mundshëm. Gjithë çfarë mund të bëjë qeveria për të ndihmuar konkurrencën, është
ta lërë atë të zhvillohet e lirë, pa penguar më të shpejtët.
Madhësia e një
firme, përparësia ndaj rivalëve, pjesa e rritur e tregut dhe fitimet mbi
mesataren e tregut janë disa indikatorë që përdoren për të bërë objekt të
ligjeve anti-monopol sipërmarrje të suksesshme. Por janë pikërisht këto tregues
që përbëjnë motivin e aktivitetit dhe përpjekjes sipërmarrëse si dhe matësin e
suksesit të një biznesi. Konflikti ndërmjet aspiratës së brendshme të biznesit
dhe kërcënimit ligjor për ndarje dhe dënime të rënda prodhon në çdo rast
pasojat e padëshiruara nga tregu.
2.
Rihapja e
diskutimeve për mundësinë e rikthimit të tatimit progresiv mbi të ardhurat në
Shqipëri ka sjellë edhe njëherë në vëmendje kërcënimet që, si shpata e
Demokleut, qëndrojnë mbi kokën e mekanizmit të tregut të lirë dhe konkurrencës,
që shpërblen ata që janë më të aftë dhe përpiqen më shumë. Ata që fitojnë më
shumë duhet të paguajnë më shumë, ata që fitojnë më pak do të paguajnë më pak. Është
e logjikshme që kjo të demotivojë sipërmarrjen e lirë dhe të rrisë organizmin e
shtetit. Gjithaq është e qartë se kjo është një ndërhyrje në ‘pistën e
vrapimit’. Pritshmëritë mbi miratimin e një pakete fiskale që parashikon
tatimin progresiv si formë e tatimit të të ardhurave, do të detyrojnë bizneset
të rishohin projeksionet e tyre të ardhshme dhe do të bëjë që investimet e
huaja direkte të shtojnë edhe një faktor të disfavorshëm më shumë. S’do mend se
Shqipëria nuk do të jetë më vend aq konkurrues në rajon.
Ashtu siç e
parashikon edhe Schumpeter, një ndër armiqtë kryesorë të kapitalizmit do të jenë
intelektualët. Vetë kapitalizmi stimulon zgjerimin e vazhdueshëm të arsimit të
lartë dhe, që këtej, edhe të radhëve të intelektualëve. Është e çuditshme të
besohet se grupi i biznesmenëve që përbën edhe boshtin e grupit parlamentar të
majtë nxisin apo mbështesin taksimin progresiv të të ardhurave. Kjo ngjall
dyshime mbi mundësinë e klientelizmit dhe trajtimit selektiv të biznesit në
praktikën fiskale, çka nuk është një gjë e panjohur në vend. Por, a thua këta
biznesmenë janë bindur nga, apo kanë rënë nën ndikimin e intelektualëve
ekonomistë falë përllogaritjeve premtuese apo si akt i përgjegjshëm patriotik
ndaj vendit? Vështirë se kjo të besohet nga publiku skeptik i Shqipërisë. Të
gjithë e dimë se taksa më të larta nuk do të thotë aspak më shumë drejtësi
fiskale, por, pa asnjë dilemë, do të thotë zmadhim i administratës publike.
Pra, më shumë njerëz do të punësohen në sektorin publik. Duke qenë se premtimi
për punësim në administratën shtetërore është shpërblimi më i mirë për qytetarët
e zakonshëm, votat e të cilëve janë më të shumta se ato të biznesmenëve, atëherë
ai do të prodhojë edhe më shumë vota për partinë politike propozuese. Ndërsa
Schumpeter sheh punëtorët dhe burokratët shtetërorë si dy grupet më aleate të
intelektualëve në këtë betejë ndaj kapitalizmit, në projeksionin politik të
radhës në Shqipëri ato shkrihen në një grup të vetëm: punëtorë dhe të papunë që
aspirojnë të bëhen burokratë.
Një ndër masat
antikapitaliste që ka cënuar mekanizmin e tregut të lirë është sistemi i pagave
të referencës, që megjithëse u vu në zbatim nga një qeveri e djathtë, është një
zgjedhje plotësisht antitreg, sepse detyron sipërmarrjet e lira dhe të punësuarit
të paguajnë mbi një bazë që nuk merr në konsideratë shpërblimet e diferencuara
në varësi të suksesit të kompanisë. Është e kuptueshme që punonjësit e një
kompanie të suksesshme paguhen më mirë se ato të një kompanie joprosperuese.
Sakaq, mekanizmi i tregut vlerëson dhe shpërblen ofertën e punës në një mënyrë
tërësisht tjetër nga ajo e pagave referenciale: profili profesional dhe
personal i punëkërkuesit. Arsyetimi se kjo masë justifikohej nga niveli i lartë
i evazionit fiskal tingëllon i çuditshëm, kur pranohet gjerësisht se
mikro-ekonomia moderne kapitaliste është tërësisht pozitive dhe asfare normative.
Përjashtimi i fesë dhe edukimit moral si mundësi për të kultivuar individë të
drejtë dhe mosfunksionimi i rendit ligjor nuk mund të drejtpeshohen nga ndërhyrje
në ekuilibrin e tregut.
Një tjetër armik
i madh i kapitalizmit në Shqipëri janë vetë sipërmarrësit e atashuar me krahët
politikë. Mosbesues ndaj mundësisë për të dalë fitimtarë në luftën e tregut dhe
të frikësuar nga konkurrimi me po të njëjtën metodë nga biznese të tjerë, një
listë e gjatë sipërmarrjesh private, që sot zotërojnë pjesë të konsiderueshme të
tregjeve sektorialë dhe ushtrojnë ndikim të dukshëm mbi ekuilibrat e këtyre
tregjeve, janë përfshirë në anësimin partiak. Në shkëmbim të mbështetjes
financiare gjatë fushatave zgjedhore dhe në shumë momente të dobëta të liderëve
politikë, ata presin të fitojnë koncensione për shfrytëzimin e resurseve kombëtare
apo kontrata për kryerjen e punëve publike pa kaluar përmes një procesi të
ndershëm dhe transparent konkurrimi. Së këndejmmi, është shfaqur dukuria botërisht
e përhapur e diktaturës së korporatave ndaj mekanizmit të tregut të lirë. Si çdo
diktaturë, ajo ka pak të fituar në dëm të shumicës së sipërmarrjeve dhe
popullsisë.
Por më shumë se
vetë efiçencën e mekanizmit, këto shformime dhe ndërhyrje kanë cënuar parimet
morale mbi të cilat është ngritur konkurrenca e lirë dhe e ndershme: ekonomia e
lirë e pakompromis dhe shteti në rolin e arbitrit jashtë pistës së garimit.
Pjesa dërrmuese e sipërmarrësve dhe njerëzve të lirë të këtij vendi nuk do ta
kuptojnë ndonjëherë qartësisht mënyrën e funksionimit ekonomik në çfarëdo
sistemi ekonomik, qoftë ai i sipërmarrjes së lirë, qoftë socialist. Masa e gjerë
e njerëzve kanë për ta gjykuar një sistem ekonomik në bazë të përputhshmërisë së
tij me parimet e tyre morale dhe jo sipas tipareve pastërtisht shkencore të
veprimit të tij. Nëse liria ekonomike ia del të mbijetojë në vitet që vijnë,
kjo do t’i kushtohet pranimit të moralitetit themelor të saj nga shumica e njerëzve.
*Botuar në
revistën ‘SHENJA’, numri 13, Maj
2012
No comments:
Post a Comment