Tuesday, July 29, 2008

PO TË VDISJE

Po të vdisje

Do qëndroja te koka jote

Dhe s’do të qaja

Do t’të përmendja

Fjalën e Mbrame

Do të prisja

Do të mbahesha

Gjersa të jepje frymë

Atëherë do të lëshohesha

Në luginën e lotëve

Në stuhinë e dënesës

Do të vërvitesha

Në honin e pikëllimit

Po të vdisje

Tani, papritur

Do të vija pranë trupit tënd

Të pija helmin e vetmimit

Dhe të ndjeja si rrëshqet

Nëpër damarët e ditëve të ardhme

Hidhësia e tij

Dhe do të ruhesha

Të mos digjeshe

Nga ndonjë lot i përflakur

Po të vdisje

Dhe të më thërrisnin

Do të vishja rrobat më të zeza

Jo për zakon,

Por që t’a dinë njerëzit

Dy duar dhê do t’i hidhja

Pa dilemë, pa dro, pa dhimbje

Dhe do të prisja

I fundit të mbesja

Pranë varrit tënd

Me ty të flisja

Pa pritur të ma kthesh

Të të sillja

Këngët, fjalët, gjestet

Besatimet që dhamë sho-shoqit

I bindur se s’do të qash

As s’do të mekesh

Pa pritur të më japësh zemër

As ngushëllim

Do t’i lutesha Zotit

Me fjalë që sot s’i di

Rrugëve do t’u kthesha

T’u kërkoja vështrimin tënd

Qeshjet dhe lotët t’i mblidhja

Në një shportë

Dhe pritjet

Si rrobën e falur

Ti vishja

Erën do ta nxija për krahu,

Zërin tënd

Do t’ia lypja

Të ma kthente

Si borxhin e jetës

Në pëlhurën e errët të natës

Endrrat do të gjeja

Në tokën e çarë

Të kraharorit tim

Do t’i mbillja

Të prisja mbrëmjeve

Si flutur të pushoje

Mbi fletët e tyre

Po të vdisje

Dhe krahët t’i kthenim

Njëri-tjetrit

Pa dëshirë

Do vinte një ditë

Mbase do martohesha

Dhe do të kisha fëmijë

Si ta ketë thënë Zoti

Fëmijës së parë

Emrin tënd do t’i vija

Gjatë do t’i rrëfeja

Pse e thirra kështu

Filizin tim të agimit

Po të vdisje

Dhe mbrëmjeve të vona

Fillikat të mbetesha

Të strukesha në një qoshe

Me natën dhe heshtjen pranë

Pleqërinë do të prisja

Me zërin e ngjirur

Do këndoja këngën e ironisë

Po të vdisja

Pas teje

S’do të vdisja në krahët e tu

E ç’rëndësi ka

Në krahët e tjetërkujt

A në shtratin e tokës

A mbi dy drunj

Vendosur nën shpatulla

Do jepja shpirt?

Në krahët e tu s’do vdisja

Paj, një ditë do vdesim

Të gjithë

Do bashkohemi me të shumtët

Mbase do më prisje

Në pragun e përtejm

Rrethuar nga zërat e fëmijëve

Fëmijëve që s’i lindëm

Veshur me fustanin e bardhë

Që s’e veshe kurrë

Në dasmën tonë

Që mbeti duke u fshehur ëndrrave

Në kopshtin e shtëpisë

Që s’e ngritëm dot

Mbushur me trëndafilat

Që asnjëherë s’i mbollëm

Përcjellë nga të dashurit

Të grishur a të harruar

Në shtratin që s’na priti dot

Do të kthehemi

Në vendin prej nga u nisëm

Sërish bashkë të jemi

No comments:

Post a Comment