Thursday, July 31, 2008

Kontributi Shterues i Ateistëve në Cënimin e Tolerancës Fetare në Shqipëri

  1. Toleranca fetare si vlerë e përbrendësuar e shumicës së shqiptarëve

Është për të të ardhur keq që një nga virtytet që e shquajnë gjithë rrjetën e marrëdhënieve shoqërore në Shqipëri është shpërdorur kaq fort nga ata që kanë ruajtur kryet e vendit në kultivimin e kulturës por edhe në proçeset e vendimmarrjes publike kombëtare. Ajo ka shërbyer si aset në dorën e të papërgjegjshmëve, të cilët e kanë konkurruar dhe mundur moralin mbizotërues të komunitetit, duke përdorur pandërshmërinë dhe dinakërinë, përkarshi përpjekjes vijëdrejtë që ky komunitet është mësuar të ndjekë.

Dinjitarët dhe të vetëkrenuarit, që lëvdohen para syve të mëdhenj botës me teshat e tolerancës fetare, nuk kanë asnjë meritë në themelisjen, lartimin dhe ruajtjen e kësaj ngrehine. Përkundrazi, ata po rreken papushim t’i veshin mureve të saj lavjerrësit e turpshëm të hipokrizisë dhe syfaqësisë, që për nga tatëpjeta njerëzore, nuk ka ves t’ua kalojë. Dhe dua të pyes, a mendojmë ne se, këta njerëz që na quajnë neve hipokritë në sytë e Zotit, gënjeshtarë të të Shumëlartit, po na konsiderojnë si qenie të respektueshme? Nuk dua të përgjigjem, por përskaj përgjigjes që vetëkuptohet, them se jemi të një mendjeje, se është i njëjti argument që i përforc ata të shkelin mbi besatimet e gjithësahershme që ky popull ju ka dhënë. Bindja e tyre se po edukojnë, mjekojnë, punësojnë, mbajnë më bukë, i japin të pijë, të veshë, bëjnë strehë, etj, një populli hipokrit është në thelb të zdërhalljes së tyre vetëpushtëtëruese dhe shpërdoruese.

Tolerimi fetar që u përhap dhe u mbrujt në ndërgjegjet dhe nën/ndërgjegjet e shqiptarëve mund të jetë i lidhur me një sërë papërsosshmërishë, por krejt të paqëllimshme dhe aspak nuk mund të jetë pjellë e një karakteri kombëtar veskeq - hipokrizisë. Nëse një pjesë e fëmijëve kanë shkuar në kishë dhe një pjesë në xhami, kjo ka qenë për shkak të padijes së thellë që kishte ngërthyer pjesën dërrmuese të popullit tonë, por është turp i madh të thuhet se kjo qe pasojë e një qasjeje kurvëruese me pushtetet më të fuqishme politike të epokës.

Po, kam edhe një pyetje për të shtruar: a ka një autor; një lider autor; një formacion autor; një komunitet autor të kësaj vlere, që nuk mund të vetëkultivohet aq lehtë saç mund të shembet? Nuk ma do mendja se ishte për shkak të tolerimit që të krishterët i bënë fesë së re, që ajo u shtri kaq shumë. S’dua të hyj në debatet e faktorëve që ndikuan në përhapjen e Islamit, por për një gjë biem të gjithë në një mendje, se krishtërimi nuk e ka parë aspak me sy të mirë ngushtimin e vet. Nëse në një shtëpi gjysma e fëmijëve shkonin në kishë dhe gjysma në xhami, kjo ka qenë një shtëpi myslimanësh, ku gruaja e krishterë është lejuar që t’u mësojë fenë e saj njërës pjesë të familjes. Një gjë e ngjashme nuk ka ndodhur në një familje të krishterë. Jo vetëm për këtë, por shumica myslimane është autore e vërtetë e kësaj tolerance.

Nuk dua të jem i padrejtë duke mos e konsideruar rolin e klerit të krishterë në rritjen e këtij virtyti qiellor, por më poshtë do t’a përvijojmë, edhe më, këtë rol shumë domethënës.

  1. Kontributi i ateistëve në cënimin e tolerancës fetare në Shqipëri dhe në trojet shqiptare

Ateistët shqiptarë, që në radhët e tyre kanë dijetarët më të mëdhenj të shkencave pozitive, një pjesë të madhe të drejtuesve politikë, e sidomos hartuesit e strategjive dhe politikave qeverisëse, kanë një paaftësi krejtësisht shkencore për të vlerësuar fenomenin e përhapjes së fesë islame ndër shqiptarët, prandaj edhe japin një ndihmesë të pagarueshme në lëkundjen dhe shëmbjen e tolerancës fetare, si një vlerë e përbrendësuar e popullit shqiptar. Paaftësia e tyre lidhet plotësisht me kufizimet paradigmatike në gjykimin e fenomeneve shpirtërore dhe përvojën e tyre të sipërfaqshme me njeriun. Si shembull, një politikan mund të ketë provuar të qeverisë pa dëshirën e popullit, të marrë pushtetin me dhunë, t’u mbushë mendjen njerëzve të ndërrojnë parti në shkëmbim të premtimeve për një komoditet më të lartë, gjer edhe personal, por kjo s’ka të bëjë aspak me përvojën shpirtërore të ndokujt. Edhe një historian mund të stivosë në një tavolinë fakte të numërta mbi rastet e nënshtrimit politik, ushtarak dhe ekonomik të disa popujve nga disa të tjerë, ose marrëveshje politike e ekonomike që ndryshojnë qëndrimet pragmatike të komuniteteve të caktuara, por nuk mundet assesi të kuptojë dukurinë e ndërrimit të fesë përsakohë ai e vë besimin në një peshore me politikën dhe nuk e kupton se kjo është një marrëdhënie dashurie mes njeriut dhe Zotit. Por jam i keqardhur kur dëgjoj edhe poetë dhe shkrimtarë që besojnë dhe thërrasin me të madh se këto njerëz ndërruan një dashuri me një dashuri tjetër, nën hijen e hurit dhe të litarit.

Në fakt këtë e ka shpërfaqur shumë mirë kleri i krishterë, sepse ata mund ta kuptojnë se besimi nuk mund të pranohet me shtrëngim, duke qenë një lidhje shumë cilësore, larg ndikimeve të shtyrjeve të përjashtme. Prandaj është koha të themi se fetarët e krishterë kanë kontributin e tyre shumë domethënës dhe të dukshëm në kultivimin e tolerancës fetare. Sepse ata e dinë se nëse dikush tradhëton besëlidhjen me Zotin, atëherë kërkujt nuk i dhimbset efekti fiskal, shoqëror apo mjedisor i veprës së tij.

Është kjo arsyeja pse kërkoj të rivlerësoj përmasën e ndërhyrjes së ateistëve në marrëdhënien e lëvdueshme ndërfetare ndër shqiptarët. Dikush para disa ditësh i gjykoi ata si të padrejtë, duke i mveshur vetes, pa e merituar, autoritetin e palës mbi palët, që gjykon pa pritur të gjykohet, madje pa lejuar lirinë të gjykohet. Jo vetëm ka të drejtë. Ai është treguar tolerant, ashtu si shumica e shqiptarëve. Mendimi im është se ateizmi shqiptar është duke bërë keq, në kuptimin religjoz dhe politik të së keqes; është duke kontribuar në armiqësimin e besimtarëve të feve kryesore në Shqipëri.

Ka edhe një kontribut shumë më domethënës që ky grup njerëzish është duke dhënë. Është forcimi i tezave konfliktuale dhe përjashtimore në filozofitë e secilës prej religjoneve në Shqipëri dhe i krahut që mbështet këto teza. Të gjithë e dimë, edhe pse nuk na pëlqen t’i faktorizojmë duke i përmendur, se mes nesh gjenden edhe të gjysëm-mësuar që e shohin fqinjin e fesë tjetër si të papranueshem dhe të inkriminuar moralisht. Projeksionet afatgjata të këtyre kontributeve mund të parashikohen përafërsisht. Prandaj dhe jemi në gjendje të masim përgjegjësinë e revanshit të ateistëve në rrekjen e tyre për të faktuar përhapjen e Islamit ndër shqiptarët.

No comments:

Post a Comment