Tuesday, July 29, 2008

Kush do ta zbardhë historinë e diktaturës në Shqipëri?

Nga Vehap S. Kola*

Historia e minjve që vendosën t’i lidhin maces një zile në qafë, për ta dëgjuar afrimin e saj, mbaroi te pyetja se kush do t’ia lidhte maces atë zile. Në Shqipëri, lufta për dekomunistizimin e vendit nuk mund të ndodhë, për sa kohë që politikëbërësit, opinionbërësit dhe krerët e agjencive të zbatimit të ligjit vijnë si pinjollë të maces e jo të minjve.

Mirë apo keq, duhet ta pranojmë se demokracinë në Shqipëri e sollën komunistët. Dhe natyrisht ata e sollën atë ashtu siç dinin: një demokraturë. E thënë thjesht, modeli shqiptar i demokracisë erdhi nën sloganin “Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!”

Kjo demokraturë u shfaq së pari në ruajtjen e padrejtësive të bëra mbi një shtresë të përmbysur, duke mos i dhënë asaj shanse të ri-integrohej në vendimmarrjen apo në fatet e vendit. Ajo duhej të mbetej tejet e zënë, duke u marrë me problemet e saj.

Kështu, ajo u dënua të mos rigjenerojë kurrë më vlerat morale të dinjitetit, pasi në një përqindje të madhe “sjellësit e demokracisë” kishin prova se ajo ishte përfshirë në mekanizmin e Sigurimit të Shtetit, pavarësisht se kjo kishte ndodhur përmes dhunës dhe rrezikut të shfarosjes.

Në këtë kornizë kësaj shtrese nuk do t’i njihej as kontributi historik që pati në kundërshtimin e një ideologjie çnjerëzore si komunizmi.

Po ashtu, asaj nuk ju njoh asnjë e drejtë për të rimarrë pronat e saj, duke iu hequr edhe shansi i vetorganizimit politik mbi bazën e pavarësisë ekonomike.

Është gati ironike që njeriu më i mëshirshëm me ta mbeti Ramiz Alia, i cili, pasi i vrau pabesisht në kufi, ra dakord t’i nxjerrë të mbijetuarit nga burgjet, ndërsa nxiti ngjarjen e ambasadave për t’i përzënë jashtë vendit.

Debati për hapjen e dosjeve në këtë drejtim, më shumë se për të mbajtur nën zap punëtorët operativë të Gramoz Ruçit, që mund të gjenden nga kafeneja e fundit e qytetit deri në parlament, është përdorur për të mbajtur nën shantazh të përndjekurit politikë.

Dështimi i bërjes së një hapi serioz drejt lustracionit politik në vitet 1995-1996 e ka bërë këtë aksion politik një dështim, i cili nuk ka shans të prodhojë efekte reale përveçse në interes të ndonjë lobi politik, që gati 20 vjet pas përmbysjes së regjimit, po përpiqet të ndërtojë me mbeturinat e diktaturës një profil të ri publik.

Rihapja për herë të fundit e këtij debati është vetëm një shaka pa kripë që rrezikon të fusë në cikël depresiv së pari ata, të cilët në diktaturë e humbën dyfish lirinë nga dashuria për jetën dhe tani në liri rrezikojnë të humbin nderin, pa pasur asnjë shans të jetojnë një ditë në paqe.

Ky vend ka ende njerëz të degdisur, që kanë mbetur në fshatrat, ku u internuan, pa pasur të ardhura të rikthehen të paktën atje nga ku i përzunë. Ky vend ka mijëra pronarë që për shkak të politikave elektorale populiste nuk kanë shans të dëmshpërblehen për humbjen kolosale historike të pësuar. Ky vend ka njerëz që kanë vuajtur dënime mizore që nuk shpërblehen dot me pará, sado e madhe të jetë gatishmëria për t’i dëmshpërblyer.

Raportet e politikës me këtë shtresë nuk menaxhohen dot më përmes teorisë së shkopit dhe karotës. As mund të përmirësohen ato përmes politikash thjeshtësisht sociale.

Politika e faktit të kryer në ekonomi e ka bërë këtë çështje një tokë të djegur.

Rivënia në vend me nder e këtij raporti kalon përmes një analize strategjike ekonomike dhe politike, ku shteti, nëse do, mund t’iu japë këtyre njerëzve shumë më tepër sesa lëmosha perspektive ligjore e financiare. Ndërtimi i një ekonomie të re, gjenerimi i programeve të financimit të SME-ve në pronësi të kësaj shtrese, kalimi i pjesshëm apo plotë i disa kompanive të mëdha shtetërore në pronësi të tyre përmes sistemit të bursës, dhënia e një statusi specifik në kreditim (një fond garancie për kreditë tregtare që mund të marrë kjo shtresë) etj., mund të ishin disa nga hapat e mundshëm.

Gjithsesi, i gjithë ky proces kërkon shumë më tepër se retorikë politike. Ai kërkon ekspertizë, kërkon vullnet politik për rehabilitimin e tyre moral, i cili sigurisht nuk kalon nëpër dosjet e Sigurimit, të cilat janë dritaret e fundit nga ku mund të shihet sesi një diktaturë shfytyron viktimat e veta.

* Ekspert pranë AIPR

No comments:

Post a Comment