Tuesday, July 29, 2008

Italia, Shqipëria dhe tymi i qymyrit në mes

Nga Vehap S. Kola*

Vizita e kryeministrit italian, Romano Prodi, në Shqipëri ishte vërtet e rëndësishme, sidomos parë në këndin politik, kur Kosova është në prag të vetëpavarësimit, ndërsa Shqipëria përgatitet të marrë ftesën për anëtarësi në NATO dhe të afrohet më tej me Bashkimin Evropian.

Por, në të njëjtin këndvështrim, nevojat kombëtare të shqiptarëve prodhojnë ndaj Italisë ato raporte, kur shtetet kanë shansin të ndërtojnë realpolitikën e tyre. Kështu, pyetja shtrohet: Çfarë duhet të japë Shqipëria, për të marrë atë që dëshiron nga Italia? Çfarë pret ajo realisht?

Sigurisht jo ironinë e profesorit me më shumë peshë në Bruksel sesa në Romë, i cili e përmbylli bisedën e tij me fjalët “në pritje të ndërtimit të impiantit (me qymyr – të cilin e kërkoi “Enel”- shënimi im), ju uroj shi e borë të begatë”.

Qartazi, Prodi kërkoi që kompania me pjesëmarrje shtetërore “Enel” të lejohet të ndërtojë TEC-in me qymyr në Shqipëri, që “Enel” e “Terna” (po me pjesëmarrje shtetërore italiane) të ndërtojnë linjën, e cila do ta sjellë këtë energji (70% të saj) në Evropë dhe që operatorët e tjerë italianë të mund të ndërtojnë depozitat e naftës e të gazit, sipas kërkesave të tyre - tashmë të mirënjohura - në Shqipëri. Prodi foli për një “Politikë të përbashkët energjitike”, ndërsa theksoi se “Shqipëria nuk mund ta ruajë ritmin e rritjes (ekonomike- shën.im), nëse nuk ka një politikë të madhe investimesh energjitike” – duke nënkuptuar Italinë.

Politikë e madhe apo politikë investimesh?

Është e vërtetë se Italia ka qenë shumë aktive, edhe pse disa herë në mënyrë të paqartë, në angazhimet e saj ndërkombëtare lidhur me energjinë. Marrëveshja e fundit që z.Prodi nënshkroi me presidentin rus, Putin, duke mbështetur përfshirjen e grupit “ENI” në një investim të “Gazprom” në Detin e Zi (South-stream), u quajt madje si kërcënim për politikat evropiane të energjisë, ngase ky korridor gazi që anashkalon Turqinë dhe Ukrainën sfidon një prej investimeve më të rëndësishme të BE, “Nabucco”-n dhe e varëson më thellë Evropën nga gazi rus.

Krejt në të kundërt, në janar 2007, Italia nënshkroi me Greqinë një marrëveshje, ku “DEPA” greke dhe “EDISON”-i do të ndërtonin një gazsjellës ballkanik, për të shmangur varësinë e korridoreve evropiane të gazit nga kontrolli rus. Në fakt, çfarë synon realisht Italia?

Krahasuar p.sh., me Gjermaninë, e cila ka arritur natyrshëm të bëhet nyja ku gërshetohen linjat kryesore të energjisë për Evropën, Italia është ende në kërkim të pozicionit të saj. Një gjë është e sigurt: roli i saj në fushën e energjisë nuk është thjesht komercial, as privat. Ai është shtetëror. Politik.

Pas një beteje “blerjesh” dhe “shkrirjesh” që shpalosën distanca nacionaliste dhe shprehje të rënda proteksionizmi në tregun e përbashkët evropian, kompanitë evropiane të energjisë më shumë se kurrë kanë marrë sot karakter nacional dhe përkatësi politike shtetërore. Kjo klimë e shpjegon mirë angazhimin e z.Prodi në këtë përpjekje të kompanive italiane për të zgjeruar terrenin e tyre në Shqipëri. Por ajo nuk shpjegon dot kërkesat e tij.

Çfarë kërkoi Romano Prodi në Tiranë?

Në shkëmbim të mbështetjes institucionale dhe dorës së ngritur pro (askush nuk dëgjoi terminologjinë e vjetër të “avokatit të Shqipërisë” apo shqiptarëve), Prodi kërkoi që “Enel” të ndërtojë në Shqipëri një termocentral me qymyr me fuqi rreth 700 MW, siç e kishte kërkuar Fulvio Konti më herët, në Vlorë. Ai kërkoi që italianët jo vetëm ta prodhojnë energjinë në Shqipëri, por edhe ta përcjellin atë në Evropë dhe vlerësoi se Shqipëria është mundësia më e mirë e Italisë për të diversifikuar burimet e energjisë (me naftë, gaz), etj.

Z. Prodi nuk tha në Tiranë se shumë shpejt ai do të jetë i shtrënguar t’i mbyllë kompanisë “Enel” një termocentral me qymyr në Bridizi, ngase ai impiant tejkalon çdo normë ndotjeje të lejuar nga BE. Protestat e ‘Green Peace’ edhe në det kundër anijeve me qymyr që e furnizojnë TEC-in e “Enel”-it në Brindizi e kanë afruar këtë moment së tepërmi.

Nga ana e saj, qeveria e Shqipërisë, e cila nuk po arrin t’i garantojë kushte komode realizimit të një projekti të kompanisë ‘Petrolifera’ në Vlorë të nisur qysh në vitin 2000, e kishte të vështirë të pranonte botërisht ndërtimin e një TEC-i me qymyr në Vlorë. Debati, nëse koksi italian është më ndotës se qymyri i sjellë nga Indonezia apo Kina, është i kotë. Teknologjitë e reja të termoenergjisë përmes qymyrit duan të paktën edhe 5-7 vjet të tjera, përpara se të certifikohen. Ato të vjetrat kanë dalë jashtë përdorimit.

Atëherë, përse z. Prodi duhej ta merrte mundimin që të kërkonte për llogari të “Enel”-it një ndërhyrje, e cila ndoshta kërkon edhe 7-10 vjet të tjera që të përmbushet? Aq më tepër, kur jetëgjatësia e një kryeministri italian është jo më shumë se 2 vjet? Pastaj, pse për kompaninë “Enel”?

Të dhëna mbi “Enel” sipas “Enel”-it zyrtar

Faqja zyrtare e kompanisë italiane “Enel” (www.enel.it) shkruan se “Enel” është ndërmarrja më e madhe energjitike e Italisë dhe kompania e dytë sipas kuotimit në Evropë për kapacitetet e instaluara të saj.

“Enel” prodhon, shpërndan dhe shet energji dhe gaz në të gjithë Evropën, Amerikën e Veriut dhe Amerikën Latine. Pas blerjes së kompanisë “Endesa”, bashkë me partnerin e saj “Acciona” dhe pas ofertës publike për kompaninë ruse të gjenerimit “OGK-5”, “Enel” është sot i pranishëm në 21 vende të botës me një fuqi rreth 100,000 MW (prej tyre 19,000 MW energji të rinovueshme) dhe shërben rreth 60 milionë klientë me energji elektrike dhe gaz. E listuar në bursën e Milanos dhe Nju -Jorkut, “Enel” ka rreth 2,3 milionë aksionerë me një vlerë të kapitalizuar rreth 50 miliardë Euro.

“Enel” është gjithashtu shpërndarësi i dytë më i madh i gazit natyror në Itali, duke kontrolluar 12% të tregut me rreth 2,3 milionë klientët e tij.

“Enel” është shumë e pranishme në Evropë (Itali, Bullgari, Rumani, Rusi, Sllovaki, Greqi, Francë dhe Spanjë), Amerikë të Veriut (Kanada e SHBA) dhe Amerikë Latine (Guatemalë, Brazil, Kili, Kosta Rika, El Salvador dhe Panama). Përmes “Endesa”-s, “Enel” do të jetë e pranishme edhe në Portugali, Argjentinë, Peru, Kolumbi dhe Marok.

Në Spanjë, “Enel” është e pranishme në prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e energjisë elektrike përmes “Enel Viesgo” (2,200 MG) dhe “Enel Union Fenosa Renovables”, (hidro dhe energji ere).

Më 1 tetor 2007, “Enel” dhe “Acciona” iberike morën respektivisht 67% dhe 25% të aksioneve të “Endesa”-s spanjolle, duke kontrolluar 92% të kapitalit të kompanisë.

“Enel” në kontinentin amerikan kryeson në prodhimin e energjive të rinovueshme me “Enel North America” dhe “Enel Latin America” (1,000 MW fuqi të instaluar).

Në Francë, “Enel” ka blere “Erelis”, një shoqëri, e cila ka licencën për të ndërtuar 500 MW impiante eolike. Po ashtu, ajo ka nisur një proces vlerësimi për të blerë 12,5% të aksioneve nga “Energie de Francë” (EdF) për një projekt bërthamor. “Enel” ka 5% të bursës së energjisë së Francës “Powernext”.

Në Bullgari, “Enel” ka blerë në mars të vitit 2003 termocentralin me qymyr (linjit) ‘Maritza East III’, 840 MW.

Në Sllovaki, në shkurt 2005, “Enel” ka blerë 66% të shoqërisë “Slovenske Elektrarne”, me një kapacitet prodhimi 7,000 MW, i dyti për nga madhësia në Evropën Qendrore- Lindore, ku përfshihet prodhimi bërthamor, termo dhe hidroenergjitik.

Në Rumani, “Enel” ka blere në prill 2005, 51% të shoqërisë shpërndarëse të energjisë (“Electrica Banat ed Electrica Dobrogea”) , e cila mbulon 20% të tregut rumun.

Në Rusi, nga qershori 2004 deri në shtator 2007, në partneritet me grupin privat “ESN Energo”, “Enel” ka manaxhuar centralin NWTPP (‘North-West Thermal Power Plant’) në Shen Petersburg, i cili sot ka një kapacitet 900 MW.

Nga grupi ESN, “Enel” ka blerë edhe 49,5% të “RusEnergoSbyt”, një shoqëri që furnizon ndërmarrjet e mëdha ruse. Më 4 prill 2007, “Severnaya Energia” (një konsorcium ku “Enel” mban 40% dhe “Eni” 60% - me herët i quajtur “Enineftegaz”) bleu disa asete në sektorin e gazit natyror, që përfshin 100% të “OAO Arcticgaz”, 100% të “Urengoil” dhe 100% të “OAO Neftegaztechnologia”.

Po ashtu, “Enel” mban 37,15% të kuotave të kompanisë prodhuese të energjisë “OGK -5” (shoqëria “Genco nr.5”).

E fundit vetëm për nga radha, “Enel” ka shprehur interesin edhe në Kosovë për të ndërtuar termocentralin ‘Kosova C’, i cili duhet të prodhojë energji përmes linjitit më të mirë të Evropës nga miniera e Obiliqit. Vepra parashikohet që të ketë një fuqi të instaluar 2,100 MW dhe të kushtojë rreth 3 miliardë euro.

Kjo pamje është më se e mjaftueshme për të kuptuar se “Enel” nuk ka shumë nevojë për pika të reja gjenerimi të energjisë. Ajo tashmë i ka ato pranë tregjeve kryesore, ku edhe shet.

Asaj i duhen rrugët. Dhe Shqipëria është rruga.

Korridori perfekt i Ballkanit Përëndimor

Romano Prodi në Tiranë u angazhua të veprojë për ndërtimin sa më parë të Korridorit 8, një nismë amerikane e qenësishme, e cila u minua nga një shtet i Bashkimit Evropian për shumë vite, me shpresë se vonesat do ta bënin jo fizibël ndërtimin e tij.

Vetë Italia e zvarriti procesin duke e përdorur për politika të brendshme dhe duke shtuar portin e Barit (dhe atë të Vlorës) si dy porta shtesë të këtij korridori, në përpjekje për të gjallëruar situatën ekonomike të Mezzogiorno-s (jugu i Italisë).

Kriza energjitike e riktheu vizionin amerikan në qendër të vëmendjes së evropianëve, të cilët, të përçarë siç mbetën, zgjodhën rrugë shpesh kundërthënëse të zhvillimit individual.

Shqipëria në sytë e Italisë, brenda konceptit të Korridorit 8, u rivlerësua thjesht si ura e energjisë nga lindja në përëndim. Por nuk ishte vetëm Italia që nuk shihte më tepër në rolin e Shqipërisë.

Në projeksionin e Bankës Botërore për të ardhmen energjitike të Ballkanit, Shqipëria figuron si një vend thjesht konsumator dhe përcjellës i energjisë. Edhe pse vendi ka ende rreth 70% të burimeve ujore të pashfrytëzuara, Strategjia e Bankës Botërore e viteve 2000 nuk e sheh Shqipërinë si vend gjenerimi. I njëjti qëndrim u fiksua edhe në konferencën rajonale të Selanikut, në tetor 2002.

Qasja e kryeministrit Berisha për ta shndërruar Shqipërinë në eksportuese të energjisë ka qenë në këtë rast tejet e rëndësishme, së pari për të përmbysur pa konflikt këtë vizion të gabuar zhvillimor të të huajve ndaj vendit.

Realisht, parë nga përëndimi, ne jemi më pranë Evropës se çdo segment tjetër i Lindjes. Prirja e zhvendosjes së flukseve të energjisë aktualisht është nga lindja në përëndim, çka na favorizon së tepërmi ne, qoftë si korridor transporti ashtu edhe si prodhues të energjisë.

Në këtë drejtim, shfrytëzimi i kapaciteteve tona vetëm për transferim të flukseve të energjisë përgjatë korridorit global na gjymton në përfitueshmërinë kombëtare nga ky aset i jashtëzakonshëm gjeopolitik dhe ekonomik.

Shembulli i Bullgarisë dëshmoi po ashtu se bilanci pozitiv i energjisë i rrit së tepërmi shanset e një vendi për të fituar vendin e tij në familjen politike evropiane.

Ndërtimi i burimeve të gjenerimit të energjisë përfaqëson një kusht për të gjitha ato kompani që kërkojnë të ndërtojnë dhe operojnë linja interkonjeksioni për transmetimin e energjisë në përëndim. Kjo është kërkesa më e arsyeshme që qeveria shqiptare mund dhe duhet të aplikojë mbi çdo kompani që kërkon të hyjë në Shqipëri.

Ndërtimi i këtij partneriteti është kusht sine qua non, i cili hap perspektiva investuese për shoqëritë serioze, pa kufizuar mundësitë e zhvillimit të Shqipërisë në terma afatmesëm dhe afatgjatë.

A iu bë kjo kërkesë “Enel”-it? A iu kërkua italianëve që të respektojnë këtë interes kombëtar të Shqipërisë, përpara se të planifikojnë ndërtimin e centralit të tyre me qymyr, sigurisht, nëse gjejnë një qytet port që i pranon aty?

Parë në këtë prizëm, kjo qasje hedh disi më mirë dritë edhe mbi pyetjen e shtruar më lart: Pse z.Prodi mori përsipër të lëvizë sot për llogari të “Enel”-it, kur investimi gjenerues i kësaj kompanie nuk mund të përmbushet pranueshëm pa kaluar 7-10 vjet?

Kjo sepse interesi i Italisë në Shqipëri në këtë rast është vetëm ndërtimi i linjave të transmetimit të energjisë. Prej kësaj, e thënë pastër, Shqipëria nuk mund të përfitojë energji veçse kundrejt pagesës – njëlloj si pjesa tjetër e tregut evropian - nga një energji, e cila në fakt është prodhuar në një vend tjetër.

Kjo hipotezë ngjan edhe më bindëse, nëse “Enel” merr përsipër të ndërtojë një burim gjenerues me qymyr (linjit) në Kosovë, me fuqi 2,100 MW, apo duke pasur parasysh se “Enel” ka centrale të rëndësishme gjeneruese në Bullgari, por edhe në Rumani.

Le ta pohojmë pa komplekse se Italia thjesht synon të diversifikojë rrugët e transmetimit të energjisë së saj drejt Evropës, duke ulur kostot e transmetimit të energjisë.

Në këtë drejtim, në emër të partneritetit, bashkëpunimit dhe politikës së miqësisë, Shqipëria ka detyrën ta mbështesë Italinë, pa i cënuar megjithatë interesat e saj parësore: prodhimin e energjisë në vend me burimet ekzistuese hidro dhe termo, pa shkatërruar mjedisin dhe pa rrezikuar rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Por kjo rritje nuk sigurohet dot vetëm me “shi e dëborë të mbarë”, as me tym ndohtës nga qymyri, as vetëm me kabllo mbi-e-nën ujore.

Zgjidhja është kërkesa e palëkundshme që çdo kompani që kërkon të ndërtojë linja tregtare interkonjeksioni, pavarësisht se me Kosovën, Maqedoninë, Greqinë apo Italinë, duhet njëkohshëm të kontribuojë pozitivisht në bilancin e prodhimit të energjisë në Shqipëri, duke ndërtuar paralelisht njësi gjenerimi të energjisë.

Çdo shkelje e këtij parimi mund të justifikohet si një raison d’etat, por nuk do të përfaqësojë dot assesi një shërbim ndaj shtetit.

* Vehap S. Kola është analist i ekonomisë pranë Institutit shqiptar të Marrëdhënieve Publike

No comments:

Post a Comment