Thursday, August 7, 2008

Qendërsia dhe Gjithpërshirësia e Islamit

Jam i pakënaqur, madje mund të them, i papajtuar me mësimet e përhapura mbi tiparet kryesore të Islamit. Ndër këto tipare kam veçuar el-Wasatijjeh, që për shkak se nuk gjeta një term të vetëm për të rrokur kuptimin e saj zgjodha si më të përafërt dy terma: qendërsinë dhe gjithpërfshirësinë. Ky është një tipar origjinal dhe autentik i Islamit, sakohë jemi të bindur se Islami është e vetmja fe e pranuar te Zoti[1] dhe si e tillë e Vërteta e shpallur është një ekskluzivitet i saj.

Në shpjegimet më të dëgjuara mbi qendërsinë dhe gjithpërfshirësinë e Islamit, mbizotëron terminologjia shekullariste dhe akoma më keq, kuptimi shekullarist i kësaj metodologjie. Nuk kam ndërmend të citoj ndonjë nga këto shpjegime, pasi qëllimi i kësaj rrekjeje nuk është evidentimi i “librave të verdhë”, madje kjo është e pamundur për nivelin tonë studiues dhe njohës.

Islami paraqitet si një flamur që ngërthen një shumëngjyrësi të pashembullt; flamuri që ka po aq ngjyra saç ekzistojnë. Duke vlerësuar, gjykuar dhe ofruar zgjidhje për çdo përmasë dhe detaj të jetës, feja islame është denjësisht feja më e pasur dhe më e gjerë dhe realisht, fe e plotë. Por plotëshmëria e tij nuk mund të shpjegohet me shkencën bashkëkohore ngaqë asaj i mungon aftësia për të njohur të vërtetën e plotë.

Ne të gjithë e dimë se shkenca bashkëkohore synon të zbulojë informacionin, dijen mbi botën e sendeve dhe nuk ka aspak për qëllim të qokë në rolin e tyre, në të tërën. Kjo metodologji ka prodhuar një varg disiplinash të cungëta, shkenca laboratorike dhe eksperimentale, roli i të cilave stërngushtet në matje dhe evidentime; shkenca krejt të pazonja për të njohur Realitetin Absolut të ekzistencës. Shkencat humane si sociologjia, historia, kritika e letërsisë, ekonomia, e drejta, etj, shkencat natyrore si fizika, kimia, biologjia, astronomia dhe plot të tjera disiplina janë të orientuara drejt sendit dhe jo drejt qëllimit të sendit. Edhe nëse kërkojnë qëllimin e sendit, atë e kërkojnë brenda botës së sendeve dhe askurrëndonjëherë jashtë saj.

Rrjedhimisht këto shkenca kanë krijuar edhe kuptimet e tyre origjinale, brenda metodologjisë së tyre. Është krejt normale që për të marrë një kuptim të saktë të qëllimit të këtyre shkencave në tërësi dhe në përveçshmëri është e nevojshme njohja e mirë e asaj metodologjie mbi të cilën ato mbështesin zhvillimin dhe vlefshmërinë e tyre. Ashtu siç është e nevojshme të njohësh gramatikën dhe sintaksën e një gjuhe, me qëllim që të mund ta kuptosh. Prandaj edhe terminologjia qe karakterizon këto disiplina mbart në vete kuptimin e gjymtë të vetë disiplinës prej nga është lindur. Ngjitja e tyre në orvatjet për të shpjeguar fenë tonë rrezikon të sjellë infektime në trupin e saj. Gjymtia që ata trashëgojnë është shkak për mospuqjen e trupave të huaj me gojëzat e qenies së Islamit.

Islami është një unitet i pashkëputshëm dhe një shndërrim i përparuar i thelbeve. Duke qenë një shndërrim, madje një kërcim cilësor në substancë, ai është i pakthyeshëm drejt secilit prej substancave nismuese. Dështimi për ta kthyer atë në nivelin e poshtëm është njësoj i mundshëm me dështimin për të kthyer brumin e ardhur në miell, ujë, kripë apo maja. Përparimi i tij është i cakfundëm dhe orvatjet e ngadokahshme janë të paracaktuara të sjellin një asgjë prej së Vërtetës. Guximi për të shpjeguar tiparet e Islamit me kuptimet dhe terminologjinë e shkencave pozitive bashkëkohore është skajmëskaj i përputhshëm me emërtimin e brumit të ardhur nisur nga elementët fillestarë që janë përdorur për të sjellë substancën përfundimtare.

Nëse do të vazhdonim me të njejtën metaforë, atë të flamurit shumëngjyrësh, do të thonim se Islami është një flamur njëngjyrësh, ngjyra e të cilit është formuar pas ngjyrosjes njëra mbi tjetrën të të gjitha ngjyrave të spektrit të dritës. Ai nuk i përngjet asnjë ngjyre paraprake dhe njëkohësisht përmban në substancën e tij elementët dhe tiparet e të gjithave.

Duke i vënë ngjyrat në një segment me skaje të bardhën dhe të zezën, vendi i Islamit simbolizohet nga ngjyra që ndodhet në qendër të këtij segmenti, e cila përmban të gjitha tiparet e ngjyrave që ndodhen në të dy krahët e saj. Si e tillë, ajo është përfaqësuese e substancës së të gjithave dhe ekskluzivisht e asnjërës. Sepse cilësia e saj është gjithëpërfshirëse dhe pozita e saj është e qendërt.



[1] Kurani [2:19]

1 comment: