Wednesday, August 13, 2008

Muadh ibën Xhebel


Muadh ibn Xhebel ishte një djalosh që jetonte në Jethrib ndërsa në gadishullin arabik po përhapej drita e Islamit. Ai ishte një djalë i pashëm, me një personalitet të spikatur që i linte mbresa menjëherë, kujtdo që e takonte. Djaloshi njihej për diturinë e tij të gjerë.


Muadhi e mori Islamin nga ambasadori i Profetit p.q.m.t., dërguar në Jethrib, Mus’ab ibn Umejr. Ai ishte një nga 72 Jethribasit që shkuan në Mekë një vit para Hixhretit për të takuar Profetin p.q.m.t. Ata u takuan sërish ne Mina për të lidhur besëlidhjen e dytë të Akabesë. Aty, disa jethribas që kishin pranuar fenë së fundi i shprehën mbështetjen Profetit p.q.m.t. Muadhi ishte njëri prej atyre që e shprehën këtë mbështetje me shumë entuziazëm.


Pasi u kthye nga Meka, bashkë më disa moshatarë të tij, ai formoi një grup për të hequr të gjithë idhujt nga shtëpitë e mosbesimtarëve në Jethrib. Një nga udhëheqësit e qytetit pranoi Islamin pasi filloi kjo fushatë.
Muadhi qëndroi në shoqërinë e Profetit p.q.m.t., mësoi Kuranin dhe Islamin gjersa u bë një nga më të diturit e sahabëve.

Ai ishte nxënësi më i mirë i mësuesit më të mirë. Dija e tij mban vulën e autenticitetit. çertifikata më e mirë që mund të merrej prej të Dërguarit p.q.m.t.ishte kur ai thoshte:


"Më i dituri i popullit tim në çështjet e virtytit dhe te veseve( moralit) është Muadh ibn Xhebel".


Një nga kontributet më të vyera të Muadhit për pasuesit e Muhamedit p.q.m.t. është të qenurit njëri nga gjashtë koleksionuesit të Kuranit që në kohën e tij p.q.m.t. Kur një grup sahabësh mblidheshin në prani të Muadhit, e shikonin me frikë dhe respekt. Profeti p.q.m.t. dhe dy halifet pas tij e përdorën këtë dhuratë unikale dhe këtë forcë të madhe në shërbim të Islamit.


Pas çlirimit të Mekës, kurejshët e pranuan Islamin. Profetip.q.m.t. e vuri re menjëherë nevojën e këtyre besimtarëve të rinj për mësues që tu mësonin bazat e fesë. Ai p.q.mt.t. caktoi Atab ibn Usej si përfaqësuesin e tij në Mekë dhe i kërkoi Muadhit që ta shoqëronte, që tu mësonte popullit Kuranin dhe ti orientonte ata.

Jo shumë kohë pasi Porofeti p.q.m.t. u kthye në Medine arritën të dërguarit e mbretërve të Jemenit për ta njoftuar se ata dhe populli i tyre kishin përqafuar Islamin. Ata i kërkuan një mësues që t’i mësontë për gjithçka rreth fesë. I Dërguari zgjodhi një grup misionarësh të aftë dhe vendosi Muadhin si udhëheqës të tyre. Në këtë moment, ai p.q.m.t., e pyeti djaloshin në këtë mënyrë:


Me çfarë do të gjykosh?”
Me librin e Allahut - u përgjigj.

Po nëse nuk gjen përgjigje në të?
Me Sunetin e profetit të Zotit.
Po nëse nuk gjen zgjidhje në të?
Atëherë do të mbështetem në gjykimin tim.


Profeti u kënaq nga kjo përgjigje dhe tha:


“Lëvduar qoftë Allahu që e drejtoi të dërguarin e Profetit drejt asaj që e kënaq të Dërguarin e Tij”


Në atë copë rrugë lamtumirëse, i Dërguari p.q.m.t. zgjodhi t’i tërhiqte devenë Muadhit duke thënë:


“O Muadh, ndoshta nuk do të më shohësh më pas kësaj here. Ndoshta, kur ti të kthehesh, do të gjesh vetëm xhaminë dhe varrin tim.”


Muadhi dhe ata që qenë më të nisën të qajnë. Një ndjenjë dëshpërimi dhe vetmie i pushtoi atë ndërsa largoheshin nga Profeti i tyre i dashur.


Ajo ndjesi e profetit p.q.mt.,ishte e saktë. Muadhi nuk e pa më fytyrën e tij të ndritur p.q.m.t. Ai vdiq para se misionari i tij të kthehet nga Jemeni. Nuk ka dyshinm që Muadhi qau me ngashërim kur u kthye dhe e gjeti Medinën pa të dërguarin e Zotit p.q.m.t.


Në kalifatin e Omerit, Muadhi u caktua që të administronte taksat e Benu Kilab dhe t'u shpërndante zekatin të varfërve të atij vendi. Kur e përfundoi misionin e tij, ai u kthye në shtëpinë e tij duarbosh. Gruaja e tij e pyeti: Ku janë shpërblimet që marrin administratorët për familjet e tyre?
“Kisha Një Mbikqyrës që më vëzhgonte nga lart”- i'u përgjigj. “Ti je njeri i besuar i të Dërguarit dhe Ebu Bekrit. Si guxoi Omeri të dërgonte një mbikqyrës për ty?”- u hakërrye me Omerin ajo. Ia tregoi këtë gjë edhe gruas së shërbëtorit të Omerit. Fjala i ra në vesh shpejt Omerit, kështu që ai e thirri Muadhin dhe i tha:
“A të kam vënë vëzhgues për të të kontrolluar?”
“Jo”-i tha- “o udhëheqës i besimtarëve, por kjo ishte i vetmi justifikim që mund ti jepja asaj”. Omeri qeshi dhe i bëri një dhuratë duke i thënë:
“Shpresoj se kjo do të të kënaqë.”

Gjithashtu, gjatë kalifatit të Omerit, guvernatori i Sirisë, Jezid Ibn Ebi Sufjan dërgoi një mesazh ku thoshte:
“O udhëheqës i besimtarëve! Sirianët janë shumë dhe kanë nevojë për njerëz që u mësojnë Kuranin dhe fenë.”
Sapo e mori mesazhin Omeri përzgjodhi pesë njerëz që e kishin mësuar Kurani përmendësh gjatë kohës së Profetit p.q.m.t. Ata ishin Muadh ibn Xhebel, Ubadeh ibn es Samit, Ebu Ejub el Ensari, Ubej ibn Kab dhe Ebu Derda. Ai u tha:


“Vëllezërit tuaj në Siri më kanë kërkuar ndihmë, për tu mësuar Kuranin dhe fenë. Ju lutem zgjidhni tre prej jush për këtë detyrë, Zoti ju bekoftë! Unë mund të zgjedh tre prej jush nëse ju nuk doni ta hidhni çështjen në votë.”
“Pse duhet ta hedhim në votë?” kundërshtuan ata. “Ebu Ejubi është shumë i vjetër ndërsa Ubej është i sëmurë. Kështu që mbetemi tre.”


“Së pari, që të tre duhet të shkoni ne Hums. Nëse kënaqeni me gjendjen e popullit, njëri prej jush duhet të rrijë atje, një tjetër duhet të shkojë në Damask dhe tjetri në Palestinë.
Kështu, Ubejdeh ibn es-Samit qëndroi në Hums, Ebu Derda shkoi në Damask dhe Muadhi shkoi në Palestinë. Gjatë qëndrimit në atë vend ai u sëmur nga një sëmundje ngjitëse. Në shtratin e vdekjes, ai u kthye nga Qabja dhe përsëriti këto fjalë:


“Mirëseerdhe o vdekje, mirëseerdhe! Një mysafir po vjen pas një mungese të gjatë...”
Dhe më sytë drejtuar nga qielli, tha:
“O Zot! Ti e di që unë nuk e kam dashur këtë botë dhe qëndrimin e gjatë në të. O Zot! Pranoje shpirtin tim më mirësinë me të cilën pranon shpirtin e një të nënshtruari!
Ai vdiq, larg familjes dhe miqve, misionar në shërbim të Zotit të tij dhe mërgimtar në Udhën e Tij.

Përktheu: Vehap Kola

No comments:

Post a Comment