Friday, August 29, 2008

OSMOZIS

Supet

Katandisur si nyja drurësh

Nën prangat e tatuazheve

Ngarkuar me një cigare me gjithnjë e më pak duhan

Supet

Duke imituar dredhimin e pabesë të tymit

Dominimi i tymit në mushkëri

Pastaj mbi kokë

Pirueta e tymit tërheq natën

Si një shami e zezë

Koka njerëzish të varura në lakun e saj

Ngjyra e përhime si një rrenë e lezeçme

Që njerëzit e marrin për të vërtetë

Në prehrin e ftohtë të natës hap vrima

Tejshpon barkun e saj pjellor

Një përbuzje idhnake ndaj frymëve që tërheqim

Pavullnetshëm

Ndaj aromave të mira të luleve, të barit,

Kundërmimit të djegur të thatësirës

Vallëzimi befasues i tymit

Pushtimi rëndérës i mjegullës

Thërrmojnë, pastaj tretin

Projeksionin e rrugëve

Më plotshëm se nata

Fshijnë vijëshquesen mes yjeve

Dhe kurrizeve rebele të dallgës

Shtërngime duarsh

Kredhur në humbimin gropues

Të shtëllungave

Ka shumë pluhur në ajrin tim

Grimca erëkeqe njerëzish

Tymi i cigares

Thërrime buke mbetur nga thyerja

Kundërmim tryezash të sharruara

Pikla plazme nga diej të fikur

Dhé tokash të rrahura

Mëvetja m’i lag këmbët me vesë përvëlese

Toka përtyp hijet nën ritmin e çapitjeve

Në cakfundje,

Horizonti resht së ndari detin me qiellin

Në një regres krijues

I rraskapitur nga përdhesja e dritës

Nga fluturimi paqësor i avujve

Nuk mbyll sy

Rrugët shpinojnë njëra – tjetrën

Në një vallëzim të shtangur

Në sytë, zgurdulluar zhgënjyeshëm

Mbi sipërfaqen e shkrifët të tokës

tokë e bërë qilizëm,

arë, varre,

turravrapen drejt qiellit,

tufa përmallës lastarësh

secila syresh rrënjëzuar në varrin e ri të një ëndrre

No comments:

Post a Comment