Friday, September 5, 2008

QIELLGËRVISHTËSA

Toka e vogëlth
Si një mbretërizë xhuxhash
Grimcuar nga dhëmbë monarkësh të vegjël

Vëllai im, ai më rebeli,
Qëllonte me gurë fytyrën thatime të saj

Ishte pa qime vëllai,
Dhëmbët e qumështit ende,
Lëkurën e bardheme si bukë e ardhur

“Guri i Madh” thërritej shkëmbi krye rrëpirës
Mbi shtëpinë time
Sa një odë zjarri e kishte hijen më të mirë
Por mund të na binte në shtëpi,
Mu në odën e zjarrit

Çezarë, legjionare, skllevër,
Trëndafilat në fushë,
Padurojnë nën qiellin e thyer mespërmes
Nga një shkrepëtime që parandjell lindje,
Zogj

Toka u mbyt nga lëvozhgat e kaltra të qiellit,
Gjinjtë e plleshëm të reve pi plot etje,
Edhe Gjalica,
Ajo qepallë e madhe e diellit,
Që njerëzit i faleshin për t’ia shkrirë zemëratën,
Mbuluar nga qerpikët ngjyrë kakao të pishave,
Kridhet në barkun e zbërdhulët të reve

Akoma të vegjël, rioshë
Strehëkërkimtarë në pëqinj çatishë
Ngarendim nga një faqe muri në tjetrën,
Pas jehonave të mbretërthve,
Ngasjes mashtrimtare të kuajve të tyre

Mbi shpinën shpërfillëse të tokës,
Rrekemi të zëmë rrënjë,
Dhe të gjethojmë e të ngjyrojmë qerpikët
Petkat e arnuara të Gjalicës

Mbi lëvozhgat e kaltra të qiellit,
Krisur mespërmes nga një vetëtimë
Zogj, harabelë,
Rrahim ajrin me krahë të lagësht

Asnjë pëllëmbë qiell s’është pushtuar
Falë Zotit!

No comments:

Post a Comment