Monday, September 15, 2008

Lutja e Zejnu'l-‘Abidinit në kërkim bekimesh mbi ndjekësit dhe dëshmuesit e të dërguarve

O Zot,
sa për ndjekësit e të dërguarve
dhe ata banorë të tokës
që dëshmuan për të padukshmen
(e kryeneçët iu kundërvunë me gënjeshtra britëse) -
ata u përmallën për të dërguarit përmes realiteteve të besimit,
në çdo epokë dhe kohë, në të cilën nise lajmëtar
e u ngrite njerëzve një drejtues
që prej kohës së Ademit deri te Muhammedi
(Zoti e bekoftë atë dhe Familjen e tij)
nga mesi i Imamëve të udhërrëfimit
dhe prijësve të frikënderimit
(paqe pastë mbi ta të gjithë) -
kujtoji me falje dhe kënaqësi të mirë!
O Zot,
e sa për sahabët e Muhammedit në veçanti,
ata që ia çuan mbarë në shoqërinë e tij,
që e kaluan provën e mirë në të ndihmuarit atij,
iu përgjigjën
kur i bëri të dëgjojnë argumentet e mesazheve të tij,
u ndanë nga bashkëshorte e fëmijë
për shpalosjen e fjalës së tij,
luftuan etër e bij
në fuqizim të profetësisë së tij,
dhe korrën fitore përmes tij;
ata që qenë mbështjellë në dhembshuri për ‘të,
{duke shpresuar një ujdi
që nuk zhduket} në dashuri për ‘të;
ata që u braktisën nga fiset e tyre
kur i shtrënguan dorën atij
dhe u mohuan nga të afërmit
kur pushuan në hijen e afrisë së tij;
mos e harro, o Zot,
ç’braktisën për Ty dhe në Ty,
e bëji të kënaqur me kënaqësinë Tënde të mirë
për hir të krijesave që drejtuan kah Ti
kur ishin me të Dërguarin Tënd,
thërritës tek Ti për Ty.
Tregoju mirënjohje pse i lanë vendet e njerëzve të tyre për Ty
e dolën nga bollëku në ngushti,
si dhe atyre që iu nënshtruan zullumit
e që Ti i shumëfishove në lartësimin e fesë Tënde.
O Zot,
jepu atyre
që ia çuan mbarë në ndjekjen e sahabëve,
të cilët thonë: {Zot ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë
që shkuan para nesh në besim},
shpërblimin Tënd më të mirë;
atyre që shkuan drejt e tek rruga e sahabëve,
synuan udhën e tyre,
dhe vazhduan në mënyrën e tyre.
Ata s’i shmangu asnjë dyshim për mprehtësinë e tyre
e as i lëkundi ndonjë mëdyshje
nga të pasuarit shtigjeve të tyre
dhe të drejtuarit nga udhëzimi i dritës së tyre.
Si ndihmës dhe mbështetës të tyre,
e deklaruan fenë e tyre,
u udhëzuan nga udhëzimi i tyre,
ranë në pajtim me ta,
dhe s’i akuzuan kurrë për ç’u përcollën.
O Zot,
bekoji tabi’inët,
nga kjo ditë e jona deri në Ditën e Kijametit,
gratë e tyre,
fëmijët e tyre,
dhe ata që Të binden Ty mes tyre,
me një bekim përmes të cilit
do t’i ruash nga mosbindja ndaj Teje,
do u bësh vend në ngastrat e Kopshtit Tënd,
do i mbrosh nga dredhia e Shejtanit,
do t’i ndihmosh në devotshmërinë për të cilën Të lypin ndihmë,
do i ruash nga ngjarjet e papritura që ndodhin natën a ditën
- përveç ngjarjeve që vijnë me hajr -
dhe nxiti që
ta lidhin fort nyjën e shpresës së mirë tek Ti,
dhe asaj që është me Ty,
e të përmbahen nga mendimet e këqija [ndaj Teje]
për shkak të asaj që u mbajnë duart shërbëtorëve të Tu.
Kështu mund
t’i rikthesh në të përgjëruarit dhe të frikësuarit Ty,
t’i nxitësh të heqin dorë nga bollëku i së menjëhershmes,
t’i bësh të duan
të punojnë për hir të së shtyrës
dhe të pregatiten për ç’vjen pas vdekjes,
t’ua lehtësosh çdo pikëllim që u vjen
ditën kur shpirtrat dalin nga trupat,
t’i çlirosh nga
ajo që sjell rreziqet e tundimit,
të hedhurit poshtë në zjarr
dhe qëndrimit aty përgjithmonë,
dhe t’i çosh në të sigurtën,
vendprehje të të përzotshmëve.

No comments:

Post a Comment