Monday, September 15, 2008

MBI TË FSHEHTAT E AGJËRIMIT DHE KUSHTET E TIJ TË BRENDSHME*

Ebu Hamid el-Gazali

Duke ditur se agjërimi ndahet në tri grada si, agjërimi i shtresës së përgjithshme, agjërimi i pakicës së përzgjedhur dhe agjërimi i ajkës nga pakica e përzgjedhur (saum kusus el-kusus).



Agjërimi i shtresës së përgjithshme përfshin shuarjen e orekseve të stomakut dhe dëshirave seksuale, siç u diskutua dhe më sipër.

Agjërimi i pakicës së përzgjedhur ka të bëjë me ruajtjen e gjuhës, veshëve, syve, duarve dhe këmbëve nga çdo lloj mëkati.

Ndërsa agjërimi i ajkës së pakicës së përzgjedhur, është agjërimi i zemrës nga mendimet dhe ndjenjat e këqija, nga shqetësimet e kësaj bote dhe nga përkushtimi në çdo gjë tjetër veç Zotit. Një agjërim i tillë prishet duke menduar diçka tjetër përveç Zotit dhe Ditës së Fundit si dhe me të dhënët pas kësaj bote, përveç atyre rasteve që kanë të bëjnë me fenë e cila i përket botës tjetër. Sëkëndejmi, poseduesit e zemrave të pastra kanë thënë: “Ai që e kalon ditën duke u shqetësuar se nuk do të ketë me çfarë ta çelë iftarin, mëkaton.” Kjo për shkak se mbështetet fort pak në begatitë e pafundme të Zotit, dhe ka pak besim në faktin se risku që i është caktuar do ti jepet. Pjesë e kësaj ajke, janë profetët, të devotshmit dhe të afërmit e Zotit. Ne nuk do të merremi shumë me përshkrimin literal të këtij lloj agjërimi, por do ta përkufizojmë atë nëpërmjet një veprimi aktiv. Ai është, ta kërkosh Allahun me gjithë forcën e shpritit dhe t’i largohesh gjithçkaje veç Tij. Me pak fjalë, është të mishërosh fjalët e Zotit, kur tha: “Thuaj: Zoti dhe leri ata në tekat e tyre të shkuara.” (42)

Agjërimi i pakicës së përzgjedhur, i cili është agjërimi i njerëzve të virtytshëm, i mbron shqisat nga çdo lloj mëkati, gjë që arrihet duke kontrolluar gjashtë gjëra: të ulesh shikimin nga çdo gjë e turpshme dhe e palejuar apo nga çdo gjë që të largon nga përkujtimi i Zotit. Profeti a.s ka thënë: “Shikimi lakmitar është shigjetë prej shigjetave të helmatisura të shejtanit. Ai, që nga frika ndaj Zotit e mbron veten prej tij, Zoti do t’i japë besim dhe ëmbëlsi me të cilën do t’ia mbushë zemrën.”

Xhabiri(44) ka transmetuar nga Ariasi se i dërguari i Allahut ka thënë: “Pesë gjëra e prishin agjërimin: gënjeshtra, përgojimi, spiunllëku, betimi i rreme, hedhja e shikimeve epsharake dhe lakmitare.”(45)

E dyta është ta mbrosh gjuhën nga shpifjet, gënjeshtra, përgojimi, spiunllëku, fëlliqësitë, fjalët abuzive, sherret dhe hipokrizia, dhe t’i vësh kapak asaj. Për më tepër, ajo (gjuha) duhet të angazhohet me përkujtimin dhe madhërimin e Zotit, si dhe me leximin e Kuranit. I tillë është agjërimi i gjuhës. Na është transmetuar nga Bishr ibn Harithi se Sufjan Theuri tha një herë:

“Përgojimi e bën agjërimin të pavlefshëm.” Dhe Muxhahid Lejth(46) po për këtë ka thënë: “Dy gjëra e bëjnë agjërimin të pavlefshëm: përgojimi dhe gënjeshtra.” I dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Vërtet agjërimi i ngjan një mburoje; prandaj kushdo që agjëron, të mos flasë fjalë të pahijshme dhe të mos bëjë vepra të shëmtuara.”(47) Në një transmetim tjetër na është treguar rasti i dy grave të kohës së profetit a.s. Një ditë tek po agjëronin, nga djegia e etjes dhe brejtja e urisë, për pak sa s’u thyen. Për këtë shkuan tek profeti a.s për t’i kërkuar leje që ta prishnin agjërimin. Në përgjigje të kësaj, profeti a.s u solli një enë duke u thënë: “Villeni në këtë enë atë që keni ngrënë.” Për çudi të të gjithë të pranishmëve njëra e mbushi gjysmën e enës me gjak dhe copa mishi të kalbur, më pas tjetra mbushi gjysmën tjetër me po të njëjtën gjë. Atëherë profeti a.s tha: “Këto dy gra kanë agjëruar me atë që Zoti ua ka lejuar, dhe e kanë prishur agjërimin me atë që Ai ua ka ndaluar. Ato uleshin dhe merreshin vetëm me përgojime. Mishi dhe gjaku që nxorën, është mishi dhe gjaku i njerëzve që kanë marrë nëpër gojë.”(48)

E treta është t’i mbyllësh veshët ndaj çdo gjëje të qortueshme, sepse çdo gjë që është e ndaluar të thuhet, është e ndaluar dhe të dëgjohet. Për këtë arsye, Zoti i konsideroi njësoj dëgjuesit dhe peshkaqenët e tregtisë së paligjshme kur tha: “Dëgjues të së kotës, peshkaqenë të tregtisë së paligjshme.” (49) Dhe sërish: “Nëse të devotshmit nuk do të kishin ndaluar fjalët e liga dhe tregtinë e paligjshme, vërtet të prishura do të kishin qenë veprat e tyre.” (50) Prandaj heshtja në raste përgojimi është e ndaluar. Zoti ka thënë: “Atëherë ju jeni si ata.” (51) Profeti a.s ka thënë: “Përgojuesi dhe ai që e dëgjon, janë bashkëpjesëmarrës në mëkat.”(52)

E katërta është të frenuarit e pjesës tjetër të shqisave nga mëkati, si ruajtja e dorës nga e liga dhe e këmbës nga e keqja, si dhe shmangia e ushqimeve të dyshimta kur çel iftar. Përndryshe, nëse agjërimi do të ishte thjesht frenim nga gjërat e lejuara, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Robi me të tillë agjërim, është si ai që ndërton një kabinë dhe prish një kryeqytet.(53) Sepse ushqimi i lejuar nuk është i dëmshëm për shkak të cilësisë, por të sasisë dhe qëllimi i agjërimit është kultivimi i së mesmes. Apo ngjashëm me atë lloj budallai, që nga frika e dozës së tepërt mjekësore, zgjedh që të marrë një dozë helm. E paligjshmja është helm vdekjeprurës për fenë, ndërsa e ligjshmja është si ilaçi që kur merret në masën e duhur sjell dobi, e kur teprohet ka efekt të kundërt. Qëllimi i agjërimit është e mesmja. I dërguari i Allahut, ka thënë: “Shumë njerëz prej agjërimit nuk fitojnë asgjë veç urisë dhe etjes.”(54) Disa e kanë komentuar se i dërguari a.s kishte për qëllim atë që e prish agjërimin me gjëra të paligjshme. Ndërsa të tjerë kanë thënë se kishte për qëllim atë që druhet nga gjërat e ligjshme dhe e prish agjërimin me mishin e njerëzve që i ka përgojuar, gjë që është rreptësisht e ndaluar. Të tjerë akoma më tej thanë se profeti a.s kishte për qëllim ata njerëz që nuk i ndalojnë shqisat nga mëkatet.

E pesta është se kur ta çelë agjërimin, robi nuk duhet ta teprojë dhe me ushqimin e lejuar, prej të cilit stomaku sa s’pëlcet. Se nuk ka enë më të urryer tek Zoti, sasa stomaku i mbushur me ushqim të lejuar, por që mezi merr frymë. Si mund të shpresojë njeriu të mposhtë armikun e Zotit dhe nënshtrojë dëshirat nëpërmjet agjërimit, i cili kur e çel agjërimin e plotëson normën duke ngrënë dhe atë që kish lënë mangut gjatë ditës, madje shton dhe ca më tepër me pije dhe ushqime të llojeve të ndryshme. Prandaj disa e kanë bërë të udhës të grumbullojnë sa më shumë ushqim për muajin e Ramazanit, ku bollëku ushqimor ia kalon kushedi sa muajve rresht. Ndërkohë që dihet fare mirë se qëllimi i agjërimit është uria dhe ndrydhja e epshit në mënyrë që shpirti të arrijë piedestalet më të larta në devotshmëri. Nëse stomakut i ndalohet ushqimi nga mëngjesi deri në mbrëmje për t’i hapur oreksin dhe për t’ia shtuar dëshirat, e nesë më pas do të ngopej mirë e mirë deri në nginje, kënaqësia do të shtohej dhe gjallëria do të dyfishohej, duke u dhënë kështu rrugë pasioneve, të cilët në të kundërt do të ishin në gjendje të fjetur. Shpirti dhe e fshehta e agjërimit qëndron në tretjen e së mishtës dhe dhjamosjes, që janë armë të shejtanit për ta drejtuar njeriun kah e mbrapshta. Por, ligështimi i tyre nuk mund të arrihet kurrë, nëse njeriu nuk e pakëson ushqimin e tij gjer në sasinë që konsumon mbrëmjeve të zakonshme, pra ditëve kur nuk ka agjëruar. E nëse ha sa për ditën e natën bashkë, prej agjërimit të tij nuk do të shihte asnjë lloj mirësie. Tjetër kërkesë nga kërkesat e agjërimit, është se robi nuk duhet të flejë gjatë ditës në mënyrë që të provojë gërryerjen e urisë dhe zjarrmin e etjes, duke e kuptuar dhe përjetuar dobësimin e së mishtës, dhe duke ndjerë pastrimin dhe ndriçimin e zemrës.

Vazhdimësia e kësaj ndjenje dobësie duhet ta shoqërojë dhe gjatë Natës së Kadrit (Fuqisë), në mënyrë që për të ajo natë të jetë adhurim, që ta ketë më të lehtë adhurimin dhe leximin. Me këtë shpresohet që shejtani të largohet nga orbita që ka krijuar rreth zemrave tona, dhe që ne të kemi mundësi ta hedhim shikimin drejt Mretërisë Qiellore. Në këto rrethana, Nata e Kadrit (Fuqisë) përfaqëson natën në të cilën njeriut i shfaqet një rreze nga bota e padukshme.
Eshtë poashtu nata që Zoti e ka cekur në Kuran: “Vërtet ne e zbritëm atë Natën e Fuqisë (Kadrit).” (55)

Ai që e zhyt kryet në një trajse ushqimi, s’ka se si shpreson të shohë botën e padukshme, madje dhe nëse stomakun e ka të boshatisur, nuk do të mundë të largojë perden dhe të shohë të padukshmen, nëse mendja nuk i boshatiset nga çdo gjë përveç Zotit. Këtu qëndron e gjithë çështja, në thelb të së cilës qëndron pakësimi i ushqimit që konsumojmë. Kjo temë do të diskutohet më gjerë në librin që flet për një sërë ushqimesh.

E gjashta është se zemrën duhet ta kaplojë një gjendje angështie e makthi mes frikës dhe shpresës, duke qenë se ai nuk e di nëse i është apo nuk i është pranuar agjërimi, nëse do të jetë prej atë afërmvë apo prej të larguarve të Zotit, prej atyre që kanë nxitur zemërimin hyjnor. Kjo gjendje ankthi duhet ta shoqërojë robin pas çdo vepre adhurimi.

Është transmetuar se Hasan ibn Ebi Hasani, kaloi një herë pranë një grupi që qeshnin e zbaviteshin, të cilëve iu drejtua me këto fjalë: “Nuk ka dyshim se Zoti Ramazanin e ka bërë muaj për të garuar në adhurim drejt Tij. Disa e fituan garën, ndërsa disa ngelën pas dhe dështuan. Vërtet që çuditemi dhe befasohemi tek gjejmë burra që e vrasin kohën me plogështi dhe gjëra boshe, ditën që fisnikët e mbyllin me ngadhënjim ndërsa të papunët me dështim e fatkeqësi. Pasha Zotin, po të hiqej perdja, do t’i shihnit të lartët të përkushtuar me veprën e tyre të mirë, ndërsa keqbërësit me të ligën që gatuan.” Me fjalë të tjera kënaqësia e atij që i pranohet agjërimi, do ta mbushë atë dhe do ta mbajë larg kotësive, ndërsa agonia dhe keqardhja e atij që nuk i pranohet, do t’ia rrëmbejnë gjithë gëzimin e zemrës dhe do t’ia ngrijnë buzëqeshjen.

Është transmetuar nga Ahnaf ibn Kajs se i thanë një herë: “Ju jeni një burrë i plakur dhe i moshuar e agjërimi do t’ju dobësonte më tej.” Pas kësaj ai u përgjigj: “Ky agjërim është furnizimi im për një udhëtim të gjatë. Të durosh barrën e shërbimit të Zotit, është vërtet shumë më e lehtë se të durosh barrën e dënimit të Tij.” Këto fjalë mbartin kuptimin e brendshëm të agjërimit.

E nëse ju pyesni: “Si munden vallë juristët (fakihët) të aprovojnë agjërimin që frenon oreksin e stomakut dhe ndrydh nxitjet seksuale, por që në të njëjtën kohë, nuk i marin parasysh aspektet e brendshme të agjërimit; si munden vallë ta quajnë të vlefshëm atë lloj agjërimi?” Dijeni atëherë se juristët e ligjit të jashtëm mbështesin kërkesat formale nëpërmjet argumentash shumë herë më të dobët nga ato me të cilat ne parashtruam kushtet e brendshme, në veçanti të atyre që lidhen me përgojimin dhe të tjera të ngjashme. Megjithatë, prej juristëve të ligjit të jashtëm, nuk shpresohet të merren me të tjera gjëra përveç atyre që kanë të bëjnë me njerëzit e thjeshtë, me çështje të kësaj bote. Në anën tjetër, njerëzit e pajisur me dije për botën tjetër, me vlefshmëri nënkuptojnë pranimin dhe me pranim arritjen e qëllimit që robi i vë vetes. Me arritjen e qëllimit ata nënkuptojnë fitimin e njërës prej cilësive të Zotit, që është qëndrueshmëria (samadijab), si dhe ndjekjen e shembujve të engjëjve nëpërmjet vetpërmbajtjes sa më shumë të jetë e mundur, nga epshet trupore, dhe në sajë të aftësisë për të mposhtur epshin me dritën e arsyes, e cila e ngre njeriun mbi kafshët (të cilat nuk e posedojnë një dritë të tillë). Në anën tjetër, duke qenë se njeriu është nën presionin e këtyre epsheve dhe dëshirave, dhe duke qenë se gjykohet me masën se sa i lufton tundimet, sa më shumë t’u shkojë pas këtyre qejfeve aq më poshtë do të bjerë e aq më pranë kafshëve do të afrohet. E sa më shumë t’i ndrydhë ato, aq më lart do të ngrihet dhe aq më pranë engjëjve do të jetë. Engjëjt janë shumë afër Zotit, dhe kushdo që ndjek hapat e tyre dhe konkuron për tek shembulli i tyre, do të jetë gjithmonë e më pranë Zotit. Por kjo afërsi nuk matet me vendndodhje por me cilësi e virtyte.

Nëse për njerëzit që mendojnë thellë dhe për mjekët e zemrave, është kjo e fshehta e agjërimit, atëherë ç’gjë të mirë do të sillte të vonuarit e ushqimit dhe këmbimi i orareve të tij me lindjen dhe perëndimin e diellit, duke mos braktisur asnjë lloj kënaqësie gjatë ditës? E nëse në një sjellje të tillë do të kishte ndonjë dobi, atëherë ç’kuptim do të kishin fjalët e profetit a.s kur tha: “Shumë njerëz nuk fitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë dhe etjes.”(56) Për këtë shkak Ebu Darda ka thënë njëherë: “Sa i këndshëm është gjumi i të urtit dhe sa i hijshëm të ngrënët e tij; shihni se sa poshtëruese është kjo për pagjumësinë dhe agjërimin e mendjelehtëve.” Me të vërtetë që vepra sa pesha e një atomi e besimtarit të sinqertë e të devotshëm, është më e mirë se vepra sa një mal e një njeriu të shpërudhur. “Shumë agjërues nuk agjërojnë, e ka shumë nga ata që dhe pse hanë dhe pijnë, janë shumë larg mëkateve; agjërues që nuk agjëron është ai që dhe pse rri i etur e i uritur, ia heq frerët vetes në gjurmim të çdo mëkati. Por kushdo që e kupton drejt agjërimin dhe të fshehtat e tij, e di fort mirë se ai që ia ndalon vetes të ngrënët, të pirët dhe marëdhëniet seksuale, por s’u ndahet mëkateve, është si ai që mer abdest vetëm duke kaluar dorën e lagur mbi gjymtyrë nga tri herë, duke plotësuar rregullat e jashtme persa u përket gjymtyrëve, por duke lënë mënjanë thelbin, larjen me ujë. Si pasojë, për shkak të injorancës, namazi nuk do t’i pranohej. Në anën tjetër, ai që e prish agjërimin me të ngrënë por largohet nga çdo lloj mëkati, i ngjan atij që merr abdes, që e lan çdo gjymtyrë vetëm nga një herë. Në dashtë Allahu, namazet e tij do të pranohen, sepse ai përbushi parimin kryesor të abdesit, dhe pse detajet i kaluan. Mirëpo, ai që i bën të dyja, merr abdes duke larë çdo gjymtyrë nga tri herë e duke përmbushur parimin bazë si dhe detajet, ai ec drejt përsosmërisë. Profeti a.s ka thënë: “Me të vërtetë agjërimi është amanet; pra secili le të tregojë kujdes për atë që i besohet.” Sërish kur këndoi: “Vërtet Zoti ju urdhëron t’ua ktheni amanetet poseduesve të tyre”(58), ngriti duart, preku veshët dhe sytë dhe tha: “(Dhurata) e dëgjimit dhe (dhurata) e shikimit janë secila amanet.” Ngjashmërisht, dhe të folurit është amanet, sepse nëse nuk do të ishte kështu, i dërguari i Allahut a.s nuk do të kishte thënë: “Nëse dikë nga ju e shan apo e ofendon dikush, le të thotë, Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm.”(59) Apo thënë ndryshe: “Mua më është besuar gjuha për të mësuar si ta frenoj, dhe jo për t’i dhënë liri veprimi e për të t’u përgjigjur ty.”

Eshtë e qartë tashmë se çdo vepër adhurimi ka formën e saj të brendshme dhe të jashme, një lëvozhgë dhe një bërthamë. Lëvozhgat janë të gradave të ndryshme dhe të ndryshme i kanë dhe shtresat. Ju takon juve të zgjidhni, nëse do të kënaqeni thjesht me lëvozhgën apo do t’u bashkoheni të urtëve dhe të diturve.

*Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Ihja Ulum ud-Din” të Ebu Hamid el-Gazalit

FUSNOTA

42. Sure vi: 91.
43. I papërcaktuar.
44. Ndoshta Xhabir ibn-Abdullah el-Ansari.
45. I papërcaktuar.
46. Ibn abi-Sulejm, vdiq ndërmjet viteve A.H., 136 dhe 143/A.D. 754 dhe 760. Cf.
Ibn- Sad, Vol. Vl, pp.243-44; ibn-Qutaybah, p.241; Shadharat al Dhahab, Vol. t, f..207-212.
47. Buhariu, Agjërimi: 2.
48. I papërcaktuar.
49. Sure v: 46.
50. Sure v: 68.
51. Sure iv: 139.
52. I papërcaktuar.
53. Fjalëpërfjalë ndërto një kështjellë dhe shkatërro një zonë të tërë. 54. lbn-Maxhe, Siyam: 21.
55. Sure acvii:1.
56. Ibn-Maxhe, Siyam:21.
57. I papërcaktuar.
58. Sure iv: 61.
59. Cf. Bukhariu, Agjërimi, 2.

1 comment:

  1. Per mua ku shkrim mbetet pershkrimi me i mire qe i behet agjerimit.
    Na mbetet ne te zgjedhim, te kenaqemi thjeshte me levozhgen apo duke i dhene rendesi berthames tju bashkohemi te urteve te diturve..
    Allahu e meshirofte Imam ebu Hamid el Gazalin

    ReplyDelete