Friday, October 30, 2009

Këngë

Kush e dëgjon
Rrapëllimën e këmbëve të shiut
Si lagen qerpikët e pyjeve të përgjumur
Frymëmarrjen e tyre të rëndë,
Tek dremisin me kokë të përunjur,
Kush e ndjen?

Kjo erë vjeshtore
Nuk gërrith malin
Veç kacavaret me thonj të argjendtë
Pas flokëve të shprishur të tij
Si një fëmijë i frikur

Është e gënjeshtërt toka
Për ta dëshmuar të vërtetë Qiellin

Me dritë të prejsëlartshme
Po njomim buzët e nxira nga akulli polar
Se këtu, në prehrin e moçëm të tokës
Çatia kallkan rri prej shekujsh

S’ka pa një mallëngjim
Se jemi larg
Me tesha të endura me duart
Që kur shkelëm mbi mantelin
Që ra prej nesh
Siç bie një fëmijë nga duart hollake të një nëne


Kush e ndjen ikjen e lotëve
Teposhtës prej syve tanë dritëshuar
Për të mbushur duart tona të mpakura

S’ka pa një këngë
Për të fshehur gjëmimin...

No comments:

Post a Comment