Saturday, November 15, 2008

MBI GËZIMIN PËR FITOREN E BARAK OBAMËS

Vehap S. Kola

Pas zgjedhjes se Barak Obamës president i SHBA botën e ngërtheu një klimë e ngrohtë bashkëpunimi ashtu siç u shpërnda gëzimi dhe shpresa se që nga ky çast bota do të jetë më mirë. Për mënyrën se si është zhvilluar marrëdhënia mes SHBA dhe pjesës tjetër të botës gjatë presidencës së Xhorxh W. Bush, është krejt e kuptueshme që një ndër reagimet më të spikatura të jetë ai i botës islame. Pastaj mund të renditen qëndrimet e disa armiqve apo miqve të tjerë të Amerikës si Hugo Çavez i Venezuelës e deri te presidenti i Francës Nikolas Sarkozi. Problemi më i madh i shpallur i SHBA sot është Al-Kaeda dhe Irani. Ahmedinexhad e përshendeti zgjedhjen e Obamës president dhe ravijëzoi shpresat se mes dy vendeve do të nisë një erë e re marrëdhëniesh. Sigurisht roli i Al-Kaedës është i kompromentuar plotësisht, pas përhapjes së gjerë të një bindjeje se kjo organizatë është një ndër katalizatorët efektivë të politikës së forcës ndjekur nga administrata Bush. Është kjo arsyeja pse qëndrimet e saj politike duhet të shihen me dyshim dhe nuk duhen konsideruar në formimin e ndonjë qëndrimi serioz dhe të shëndoshë.

Mësimi i parë që duhet të marrë bota nga reagimi edhe i Ahmedinexhad, që ruan pozicionin më ekstrem të botës islame karshi Amerikës, është se myslimanët nuk kanë asnjë konflikt as me Amerikën dhe as me popullin amerikan. E gjithë ajo valë urrjetjeje që prodhohej nga veprimi i administratës Bush dhe shumëfishohej nga mediat në fakt nuk është reale. Nuk mund të identifikohen të gjithë miqësitë personale mes individësh, nuk mund të masësh dashurinë që kanë për Amerikën pjesa dërrmuese e anëtarëve të komunitetit të myslimanëve amerikanë, por mund të prekësh gjithë atë kuadër të gjerë marrëdhëniesh miqësore dhe bashkëpunuese që kanë pothuaj të gjitha vendet myslimane me SHBA. Përkundër abuzimit të udhëheqësve despotikë të këtyre vendeve me qëndrimin vëllazëror të popujve të tyre përkarshi popujve të tjerë, myslimanët kanë mbetur prapëseprapë të palëkundur në parimet e besimit të tyre.

Moralisht dhe aktualisht, cilësitë e marrëdhënies së botës islame me pjesën tjetër të botës janë ngritur mbi parimin kryesor të fesë së tyre: Teuhidi (Uniciteti i Zotit, rrejedhimisht edhe i të vërtetës). Njerëzit janë të gjithë vëllezër sepse ata janë bij të barabartë të Ademit dhe Havasë (Adamit dhe Evës). Aq më e theksuar është kjo vëllazëri mes besimtarëve të tre feve kryesore, kur kihet parasysh se çfarë vendi të zgjedhur u ka rezervuar Zoti të krishterëve dhe hebrenjve në një shoqëri islame. Ajo që i përbashkon myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë është aspirata e përbashkët për një vend pranë Zotit. Duke qenë të vetëdijshëm mbi Pakufishmërinë e Krijuesit, për pasojë për pakufizueshmërinë e Vendit pranë Tij, asnjë xhelozi apo garë me ithtarët e feve të tjera nuk i preokupon myslimanët. Përkundrazi, thërritja në fenë islame është një ndër mërnyrat më të fisme për të fituar atë vend. Premisa kryesore e kësaj thërritjeje është dashuria dhe dhimbsuria për të ndryshmit.

Por edhe mbetja e të ndryshmëve në pozitat e tyre të mëparshme nuk i bën ata më pak të pranueshëm dhe më pak denjë për respektin dhe marrëdhënien e sinqertë njerëzore. Problemi i botës islame me Amerikën e pas vitit 2000 i ka rrënjët tek thyerja e këtij mirëbesimi dhe frymë bashkëjetese nga sulmimi i padrejtë i tyre nga administrata Bush. Në emër të myslimanëve me të cilët kam një bashkëpërjetim të këtyre problematikave, besoj se kjo përplasje ka marrë fund njëherë e mirë me zgjedhjen e Barak Obamës president. Por Amerika ka sërish në dorë t’i japë fund ose të mbajë gjallë armiqësinë, në varësi të politikës së saj ndaj botës islame. Të gjithë janë të bindur se çështja e paqes në botë vërtitet rreth respektit të pjesës më të përjashtuar të popujve, që sot përfaqësohet nga popullsitë myslimane.

Tiranë, 5 Nëntor, 2008

No comments:

Post a Comment