Monday, November 3, 2008

DEFORMA EDUKIMORE

Vehap S. Kola

Detyra qëndrore e edukimit është të mbjellë një vullnet dhe lehtësim për të mësuar; ai duhet jo të formojë individë të mësuar, por individë që mësojnë. Shoqëria e vërtetë njerëzore është një shoqëri që mëson, ku gjyshërit, prindërit dhe fëmijët janë njëkohshëm nxënës.” [Eric Hoffer, The Passionate State of Mind, New York: Harper and Row, 1955]


Akoma, askush nuk e ka njohur pasurinë e simpatisë, mirësisë dhe fisnikërisë së fshehur në shpirtin e një fëmije. Orvatja e çdo edukimi të vërtetë duhet të jetë zbulimi i këtij thesari.” [Emma Goldman]


Disa debate rreth vlefshmërisë së reformave arsimore të qeverisë shqiptare kanë zënë vend dhe ringjallen saherë soset buka për dhëmbët e paetikë të politkanëve vendas. Liberalizimi i universiteteve përkundrejt Kartës së Bolonjës janë argumentat që shërbejnë si topa djegës me të cilët mund të goditet kundërshtari pasi ai e ka konsumuar radhën e tij për të bërë të njejtën gjë. Se çfarë do të thotë liberalizim për qeverinë dhe ministrinë e arsimit në veçanti, kjo tashmë është e kuptueshme nisur nga ajo që ndodhi me pranimin në e maturantëve në këtë vit akademik. Por dyndja e të rinjve në dyert e fakulteteve cënon kriteret e Kartës së Bolonjës ngaqë stafet janë të rrudhura dhe ambjentet janë edhe më kërrnace. Na duhet të pranojmë se qëveria ka bërë një zgjedhje më të dashur për njerëzit, të cilat në afatshkurtër nuk duan ta shohin veten (studentët) apo fëmijët e tyre (prindërit) pa një mundësi të arsyeshme për konkurrencë në tregun e punës. Por a është ky debati që duhet të mundojë kaq fort – nëse vërtet i mundon aq sa duket – politikëbërësit?

Pa shtruar më shumë pyetje të tjera – jam i vetëdijshëm që njerëzit, ashtu si unë, kanë shumë paqartësi në lidhje më këto diskutime – po jap një përgjigje. Jo! Ky nuk është problemi kryesor i sistemit tonë arsimor. Po kaq shpejt, që në krye të herës nuk druaj të them se, e meta e sistemit arsimor është se ai nuk është një sistem edukimor. Faji i tij është se ai është një sistem modern, i orientuar nga tregu, me bazë konkurrencën dhe ambicien ndërpersonale të individëve. As që mund të ndërmendet në këtë model orientimi drejt individit vetëmëvete, drejtësisë shoqërore, kultivimit të vlerave të përsosura morale dhe vëllazërisë e solidaritetit mes njerëzve.


Si mund të mëtohet që ky sistem arsimor të ketë një qëllim kaq fisnik kur ai është themeluar dhe ndërtuar imtësisht si një shtëpi e keqe. Bazat e tij teorike, kurrikulat shkencore, metodat dhe instrumentat kërkimorë e intelektualë janë, të gjitha, në funksion të një sistemi më të madh: rendit global, që është më i zi se kaq, por për të cilin nuk jam munduar të mësoj asnjë titullim dhe as ta emërzoj origjinalisht.

Arsimimi sot nuk është edukim sepse ai ka për qëllim specializimin e njerëzve me aftësi të caktuara të cilat i bëjnë të konkurrues në tregun e punës, në garën e pandalur për pasurim dhe karrierë profesionale. Të arsimohesh sot, do të thotë të krijosh gjithnjë e më shumë dije për një dasi të dijes, e cila sa vjen e hollëtohet dhe mprihet për të kryer operacione gjithnjë e më delikate në lëkurën e sëmurur të globit. Nuk është vendi të gjejmë shkakun e sëmurjes sepse dihet botnisht se vetë rendi i ri global ka bërë të tijën për ta sjellë jetën në Tokë në këtë deregje.

Studentët dhe nxënësit janë vënë në një garë çnjerizuese për të fituar ndenjëset e kufizuara në trenin e suksesit, pasurimit dhe karrierës, shfrytëzimit të burimeve të kufizuara për të ngopur nevojat e tyre të pacak. Atyre u duhet të mësojnë që të marrin notat më të mira në provime, të marrin diplomat dhe titujt më dallues në universitetet më të famshme me qëllim që të përmbushin çfarë parathamë. Auditorët qëndrojnë të hapur për këto aspirantë për një periudhë kohe (semestra) sipas një plani studimi të mirëpërcaktuar në kohë dhe hapësirë dhe ata duhet të shfrytëzojnë këto mundësi të numërueshme për të fituar garën ndërmjet tyre. Është e kuptueshme që një numër i madh prej tyre nuk arrijnë të shkëlqejnë por gjithsesi pajisen me diploma bazuar në një vlerësim të shkallëzuar. Ata i falen tregut të punës në një shpërparësi të dukshme duke shtresëzuar padrejtësitë dhe pabarazitë e rënda sociale. Atëherë kush e prodhon pabarazinë: arsimimi apo tregu? Të dyja, sepse sapo shtjelluam se si arsimi e themelon këtë pabarazi, por edhe tregu sepse çdo shkollë është bërë një biznes sot kur është privatizuar gjithçka.

Arsimi modern garanton një gjymtim të suksesshëm të fëmijëve tanë. Të vegjlit dërgohen në shkollë që më pas atje t’u mësohen dituri që të rriturit mendojnë se ata duhet t’i dinë me qëllim që të specializojnë disa aftësi të caktuara. Askush nuk i ka pyetur se çfarë do të donin të bënin, të mësonin, të kuptonin dhe më në fund të njihnin. Ata nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë gjithë atë thesar potencialesh që kanë realisht por janë të shtërnguar që të ndjekin modele të gatshme të pararendësve të tyre të gjymtuar.

Në sistemet tradicionale të arsimimit, nxënësit merreshin për t’u mësuar nga profesorët e tyre. Qëllimi i kësaj sipërmarrje ishte t’i mësonte ato dhe jo t’u jepte atyre kaq e aq faqe informacion, të zhvillonte kaq orë mësimi në ditë dhe orë të caktuara, dhe në fund të periudhës t’u jepte një vlerësim të merituar dhe të ndershëm arritjes së tyre intelektuale. Periudha (semestri) i arsimit përfundonte në momentin që nxënësi e kishte përvetësuar atë dituri. E shprehur me parametrat moderne, nxënësit nuk mund të kalonin pa marrë notën 10. Disa syrësh e mbyllnin më shpejt semestrin, disa të tjerë më vonë, por të gjithë ia dilnin mbanë të përthithnin me sukses të gjithë njohjen e mbledhur dhe depërtuar për atë disiplinë. Ja pse arsimi i sotçëm nuk është edukim, sepse edukimi synon të përplotësojë portofolet intelektuale të studentëve ndërsa arsimimi synon t’u ofrojë atyre shansin për t’a bërë një gjë të tillë, pa garantuar aspak se të gjithë do të mund të kenë sukses.

Fëmijët tanë mësohen se është e rëndësishme që vetëm të jenë profesionalisht të zotë. Personalitetet e tyre nuk kanë rol në suksesin e tyre individual dhe në rritjen e mirëqenies shoqërore në përgjithësi. Kjo është e kuptueshme për një shoqëri që e ka shpallur të gjallë dhe të vërtetë vetëm atë përmasë të njeriut që mund të matet dhe të studiohet me metodat e shkencës materiale. Duke u mësuar se ata vlerësohen për rezultatet, nuk ka asnjë garanci se ata nuk do të përdorin metoda joetike për të arritur përfundime komercialisht të lëvdueshme. Sikur të rinjtë të kultivoheshin me parimin se ata vlerësohen për atë që bëjnë (dhe jo vetëm për atë që duan, apo për atë që arrijnë) do të ishte shumë ndryshe. Natyrisht, që ky mësim të ishte më i plotë, nuk do të mjaftonte qasja konvencionale sepse ajo është një mish i huaj për këtë këndvështrim. Do të duhej një ripërkufizim i veprimit, që në rastin tonë do të thotë një shqyrtim me baza etike.

Të diskutosh sot për liberalizimin dhe kartën e Bolonjës është njësoj si të mos diskutosh për to. Çfarë ndryshimi do të sjellë në frymën e edukimit të fëmijëve tanë njëra apo tjetra, kur dihet se që të dyja nuk vënë aspak në diskutim filosofinë e arsimimit. Mund të duket e pamundur të diskutohet në këtë rrafsh, jo vetëm për shkak të numrit të kufizuar të mbështetësve të kësaj fryme, por edhe sepse duket një mision i pamundur që një trohë kaq e parëndësishme e sistemit global të verë në pikëpyetje gjithë ngrehinën gjigande të ngritur dhe mirëmbajtur gjermësot. Sidoqoftë, një ditë do të ndodhë ndërrimi i drejtimit. Pse të mos fillojmë ta mendojmë që sot?

No comments:

Post a Comment