Friday, October 15, 2010

Premtim

Të kam premtuar
Të jam betuar, zotuar të jam njëmijë herë
Se i yti është qielli
Ta shkosh në flakë, në det ta kredhësh
Muzg e agim

Të jam betuar njëmijë herë
Tokën ta bësh shtrat, është e jotja
Dhe çdo diell-lindje, ta mbledhësh topth
E t’ua falësh yjeve për lojë

Të kam dhënë fjalën
Se të thjeshtë do ta gjesh shtëpinë time
Me pak dhé për t’u unjur
Dhe pak qiell mbi kry

Pa titull

E zbehtë hëna këtë vjeshtë
E plogësht zemra në krah’ror
Rruga e jetës s’qenka e thjeshtë
Të ecësh me thëngjill në dorë

Nga lart Dielli më thërret
Në tokë hijet shtrojnë gosti
Përpara Dera hapur pret
Pas krahësh sterr një hon i zi

E ëmbël hija nuk të zheg
Dhe errësira nga sytë fsheh
Por malli shpirtin po ma djeg
Prapë në Shtëpi zemrën ta preh

Po t’i kthej petalet

Po t’i kthej petalet
Me të cilat, thura kurorën e secilës mbrëmje
Le të mbretërojë mbrëmja
Kurorëzuar me qiell të athët yjesh
Se nuk është e thënë
Që mbretëritë të jenë pranverore
Një vjeshtë i takon çdo dinastie

Po t’i kthej petalet
Me të cilat, çdo muzg e ngjyrova
Dhe gjakut tim i dhashë bojë
Që të shuajë etjen e secilit trëndafil
Etjen për bojë të kuqe gjak


Po t’i kthej petalet
Me të cilat, secilës erë i këndova këngën e saj
Që të mos ma dinë për nder
Se unë këtë munda t’u kthej
Frymëve të saj të shkathta


Po t’i kthej petalet
Sot gurët rëndojnë më lehtë
Se gjithnjë ujë shiu kam pirë
Kam njomur damarët me të
Ashtu, pa ngjyrë, pa aromë, pa fëshfërimë

Po t’i kthej petalet, trëndafil!

Post scriptum

Në shtëpinë time festa është mekur
As kënga, as lodrimi i vocërrakëve
S’janë si më parë
Profetizuese si ylberi

Sekujt i ngjan emri im
Tingëllon si jehona gjurmësh parake
Dhe zemra jote seç i ngjet dhimbjes sime të lindjes
Se nuk ka si dhimbja e lindjes së vetë foshnjes

Ardhja jote e beftë
Si pranverë e hershme
Më thoshte se ikja e beftë ishte fati yt
Se ti s’mund t’i ikësh fatit
Që vetë me duar ngre
Veç në qofsh këngë lavdi
Që fluturon nga Qielli

Në këngën time
Që zbret mbi mua
Si një dorë ngushëllimi mbi sup
Hapat e tu shuhen
Siç shuhen qirinjtë nga puhiza e një nate gushti

Ecjet tona nuk e duan njësoj diellin
Njëra hijen ndjek
Tjetrës hija nuk i ndahet
Siç qan një foshnje pas të ëmës

Migrim

a këtu, në zemër të dhimbjes
Kam zbuluar planetin tim ngjyrë okër
Pa njerëz, pa jetë, pa akull
Stinët i vjel me duart e ngathur nga pritja
Në gjoksin tim ruaj fole të braktisura dallëndyshesh

Këngë plagësh shkruaj mbi lëkurën time
Me bojën e hirtë të muzgut
Të enjtur nga vetmimi
Dhe dëgjoj me ëndje kumbimin mbrëmjesor të tyre

Përhapet në mua pikëllimi
Si një kupë e rrëzuar batice
Më merr ndër krahë si një kokrrizë xixëlluese
Gjer te peshqit e paarsyeshëm
Mureve theror të mos u bëhem
Se nuk dua të jem tempull i heshtur mallëngjimi

Ja atje, në çatinë e ëndrrave migroj
Sa herë jam zog i trembur qytetesh të hekurta
Duke pritur fundin e dimrit

Vetëm

Vetëm...

Asgjë nuk është,
Nuk është askush,

Si një kujtim gjethesh,
Si një ëndërr peshqish
Kozmosi flatërin
Dhe bashkë me të
Të shumta dashuri, gënjime, ndezullime

Vetëm Është
t'I jem – S’ka më Bukurì

Mallëzim

I kaltër qielli
Po në mua ngjyrë trëndafilash ka derdhur
Si gjak ëndrrash të trishta dashurie

Ja dhe mbrëmë
I çeliktë, qielli qau dhembshur si nënë
Dhe unë me një gur nën krye ëndërrova
Mbytur thellë në përrenj të veckël pritjesh
Si rrënjët e zbuluara të drurëve

Një udhë veç ka dashuria
Shkon saj si lumi
Duke mbledhur lotë të limonjtë
Pasditeve të athëta
Duke vallëzuar me secilin gur
Me secilin peshk

Një shteg ka:
Shtegton prej visesh të akullta tokësore
Mes qiejsh të bakërt mallëzimi
Gjer në pakohësì, në pavendësì