Friday, October 15, 2010

Mallëzim

I kaltër qielli
Po në mua ngjyrë trëndafilash ka derdhur
Si gjak ëndrrash të trishta dashurie

Ja dhe mbrëmë
I çeliktë, qielli qau dhembshur si nënë
Dhe unë me një gur nën krye ëndërrova
Mbytur thellë në përrenj të veckël pritjesh
Si rrënjët e zbuluara të drurëve

Një udhë veç ka dashuria
Shkon saj si lumi
Duke mbledhur lotë të limonjtë
Pasditeve të athëta
Duke vallëzuar me secilin gur
Me secilin peshk

Një shteg ka:
Shtegton prej visesh të akullta tokësore
Mes qiejsh të bakërt mallëzimi
Gjer në pakohësì, në pavendësì

No comments:

Post a Comment