Mos u lësho, o mik
Në lotë e dëshpërim
Në dëgjofsh se dhashë frymë
E se unë s’jam në fytyrën time
A se sytë e mi s’po të ndjekin
As në nxitimin e ardhjes
As në ikjet hundëpërpjeta
As në bërrylin
Për të cilin
S’e bëra vendin
Mos u pikëllo
Nga shikimi im i ngrirë
Nuk më ka shtangur
As braktisja jote
As ndërrimi yt i beftë
Si pulitja e trembur
S’më ka lënë pa mend
Përcaktimi yt
Për një tjetër udhë
Për zakone
E fjalë të tjera
Gojëhapur, s’mbeta
Nga harrimi i kobshëm
I emrit vëlla
Nuk jam befasuar
Që ma le mua rëndesën
E frikës së përbashkët
Frikës “pa ty”
Mos më vër në sprovë
Nëse s’të flas dot
Se nuk jam hidhëruar
Që sot, më, s’je i lumtur
Që më gjete
Si në fillim
As se s’jam më
Më i shtrenjti
I miri, i madhi vëlla
Nuk të mbaj inat
Që mbi emrin tim
Rrodhe bojë, lumë
Dhe, më, s’duket
Është fshehur, më
Që me fletën time
Ndeze zjarr
Tjetërfar
Dhe mbi hirin tim
Vure gur vatre
Nuk jam zhgënjyer
Pse mblodhe dorën
Pse mbylle derën
Dhe krrummmm!
E përforcove
Me një shul moskokëçarës
Nëse s’të them dot
Se më mori malli
Për mallin tënd
Ky është veç zakon
I të vdekurit
Në më marrsh në krah
Ndale ngashërimin
Edhe kur ngadalë
Tokës, të më kthesh
Se pas
E gjelbërt, e shpejtë
Të pret jeta
Bota, e rrumbullt
Me forma të rrumbullta
Me fytyrë të lëmuar
Të ka hapur krahët
Dhe prehrin e ka ngrohur
Të të mbështjellë
Ashtu, më lehtë
Harrohet miku
Edhe në rrugicat e njëjta
Kafenetë dhe bisedat
Me po ato përgojime
Mbrëmjeve,
Me po aq dritë-hije
Këngët
Argëtojnë njëlloj
Edhe me zëra të tjerë
Nëse s’të harroj dot
E as këtë s’kam gojë ta them
Është veç zakon I të vdekurit
Wednesday, July 30, 2008
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment