Pluhurin e rrugës
Që përditë lëshohet pa zë
Mbi lëkurën time
Dhe tani jam ndryshe
Më ka ndërruar fytyra
Urrej…
Thonjtë e mi
Me të cilët gërvisht fytyrën
Dhe jam shëmtuar
Kam humbur qumështin
Që nëna më mëkoi
Urrej…
Këmbët
Që i ndoqa në baltë
Dhe ashtu u përfunda
U përbalta
S’jam më ai
I papërlyeri
Urrej…
Shtrojën time thërritëse
Aty fle gjatë
Dhe nuk ndjej gjëmimin
E botës që digjet
Dhe zemra e hershme
S’është më ajo
Që të pikojë gjak
Urrej…
Shterrjen e burimit
Ku shuaja etjen
Me zjarrin tim e kam tharë
Në prushin tim po pjek veten
Me tymin tim rrekem të bëj hije
Por është e kotë
Urrej…
Errësirën, që më ra si qiell
Dhe sytë m’i mbuloi
S’e di; jam verbuar përgjithnjë,
Apo do të shoh prapë dritë?
No comments:
Post a Comment