Bota mëshirplote dhe piktoreske e të verbërve të mirë ka marrë fund, tani është mbretëria e egër, mizore dhe e pamëshirshme e të verbërve. Sikur të shihje atë që shoh unë, do të dëshiroje të ishe i verbër. Të besoj!
Hoze Saramago, Verbëri
- Pranimi
Pranimi është qetësia e tokës dhe heshtja e menduar e saj, ndërsa shiu zbret e futet nëpër damarët e saj, pa marrë asnjë tundje miratuese koke. Shiu, madje, as nuk e di se kjo është një befasi ngazëllyese për tokën. Krye tyre qëndron vendimi për ngjarjen, pararendja me urtësi dhe pamësi pa vel.
Në prehërin e qullur të tokës, lindin dhe i turren shiut një shumë e frikshme tekësh, më e shpeshtë se vetë shpeshtësia e piklave të ujit; nisin sytë e tyre drejt diellit, me këmbët ngulur mjaftueshëm në tokë, pa kërkuar fajin te ndonjëri pse kjo nuk ndodhi në një çast tjetër, apo pse nuk ngjau tjetërfar.
Dhurata është udhëtari që njeh çdo pëllëmbë të dheut të pranimit. Ndoshta ajo mund të ndjehet e fajshme për gjithë atë keqkuptim të dhuratamarrësve më të mëdhenj, njëherësh mbamendësit më të këqinj të fjalës faleminderit. Por ka të drejtë të bëhet ziliqare për garën e pasinqertë që i bëhet nga të gjitha të tjerat që nuk meritojnë të jenë dhurata. E çfarë mund të presësh tjetërsoj në këto kondita?!
Në udhën që herët shkelte vetëm dhurata, sot mund të shohësh se si ecin me tis, sëmundja, përmbytja, zukatja bezdisëse, etj. Ato gëzojnë nderet e njëjta dhe vendet e po atij rendi. Kështu, pranohen me gëzim.
- Skajet
Skaji është kufiri më i largët, fundi i zgjatjes së sendit apo dukurisë; është vendi ku tiparet tregojnë se lënda apo fryma sapo mbaruan, çasti i mbarimit të shfaqjes së cilësive të deritashme dhe i nisjes së shfaqjes së cilësive të reja. Ai është periferik, prandaj është një përfaqësues shumë i dobët ose i shtrembër i thelbit, sepse përmban gjithnjë e më pak tipare të përbashkëta ose të ngjashme me të.
Në skaj, siguria është aq e paqenë sa mund të konsiderohet e papërshtatshme për t’u besuar. Aty lindin xhelozitë më të dëmshme; ata janë pikat e konfliktit dhe përplasjes, ndarjes dhe shkaktarët më efektivë të urrejtjes. Skajet ruhen, u kushtohet vëmendje e posaçme pasi ato përbëjnë pozitat më delikate të së tërës.
Njeriu që qëndron në skaj, është më i papranueshmi karshi të vërtetës, e cila përbëhet nga një ideale e përshtatur në kushtet më të favorshme të mundshme të mjedisit. Ai gjithashtu është më i gjymtuari dhe më i zhveshuri nga gjithë pasuria e vlerave të mbrujtura nga pozitat e mbrojtura qëndrore. Më konkretisht, banori i polit të veriut ose të jugut, është njeriu më i pandriçuar i globit dhe kaq do të mjaftonte për të përshkruar plotësisht gjendjen e tij.
Të shohësh nga njëri skaj, mes tjerash, do të thotë të mos mund të shquash skajin tjetër, si fundin e udhëtimit të një vështrimi që largohet duke u mjegulluar. Sado e padendur të jetë ndarja në mes, largësia është po aq o më shumë përcaktuese për qartësinë e dallimit, aq më tepër për saktësinë e shikimit. Domosdo, veprat e ngritura mbi këtë pirg letrash të palexuara si duhet, do të jenë një pirg më i madh gabimesh dhe shtrembërimesh.
- Mungesa e Skepticizmit
Të rinjve shqiptarë, në prerje totale, sidomos atyre të qyteteve më të zhvilluara, u mungon dukshëm shpirti kritik, skepticizmi i mbështetur apo i pabazë, aftësia për t’i rezistuar ndryshimit, ose talenti për të vlerësuar mbi bazat e një analize përparësi-shpërparësish, kosto-përfitimesh dhe afatshkurtër-afatgjatë, secilën ose pjesën dërrmuese të fenomeneve dhe ngjarjeve.
Atyre u është ç’aktivizuar dhe shkulur çdo rrjetë, sitë, pritë, peshore apo lakmus, që mund të shërbejë për të gjykuar ose paragjykuar ofertat globaliste. Institucionet e mësipërme të gjykimit e paragjykimit, janë zëvendësuar nga një thjerrë e madhe e shërbyer nga interesa të ngushta përfitimi nga rrethet monopoliste e tregëtare në përgjithësi, që synojnë që ta shndërrojnë shoqërinë në një konsumator të uritur industrial, që ruan radhën, jo pingul si dikur në kohën e tollonit, por paralel në dyert e shumë dyqaneve dhe kafeneve, shtëpive të verës dhe instituteve të modës, shesheve dhe bulevardeve.
Kjo përbërëse, teorikisht shumë përcaktuese e popullsise së Shqipërisë dhe të ardhmes së saj, është spektatori më i dendur dhe besnik i grumbullimeve më tronditëse dhe paralajmëruese për mbështetje dhe ndjekje të panegociueshme, që politikanët me stil modern dhe fytyrë argëtuese, pasanikët me inisiativë nuhatëse dhe individë të aftë për të manipuluar në kushte të tilla afër-optimale, i përdorin si mjete shumë efektive për arritjen e qëllimeve të tyre individuale.
Kush mund të thotë se nuk janë bërë shumë popullore dhe emocionuese për të gjithë shqiptarët, ndaras për të rinjtë, festimet e 16 shtatorit në fshatin Pezë të Tiranës dhe Nata e Bardhë e 29 Nëntorit, që u zbuluan dhe u instaluan kaq shpejt në traditën shoqërore nga një prej politikanëve kryesorë shqiptarë. Ish-Blloku Vasil Shanto ndërroi faqen makabre të strehimit të kupolës komuniste dhe hapi prehrin për një formë të re të ushtrimit të ndikimit, thua mistik, mbi njerëzit. Trotuaret dhe bodrumet e tij, më luksozet në kryeqytet, mbushen me adoleshentë dhe më të rritur, pa cak moshe, nën kumbimin e muzikës së vjershëruar nën rimë foljore, hip-hop dhe avujt e alkoolit. Ajo që e lidh më fort këtë rrëfim me qasjen tonë është standartizimi në të gjitha elementet e sjelljes dhe proceset jetësore që zhvillohen aty.
Së pari, të gjithë janë të një mendjeje se kjo farlloj jetese është arritje pozitive e ditëve tona dhe tregues i përparimit konceptual dhe estetik të shoqërisë. Mendim ndryshe, edhe po të ketë, qëndron i turpëruar ose i dënuar me votë popullore.
Së dyti, aty oferta është e standartizuar, në produkte, argëtim, çmime dhe shpesh edhe në mobilimin e mjediseve.
Së treti, stili i veshjes, terminologjia, tërësia e veprimeve dhe ngjarjeve janë të gjitha të unifikuara, (me ndonjë variacion brenda llojit por që nuk i shton ndonjë notë kriticizmi fenomenit), dominanca e duhanit, alkoolit dhe narkotikëve ligjërisht të ndaluara; të gjitha këto përbëjnë në mënyrë krejt organike një kriter gjithëpërfshirës dhe mjaft përshkrues të banorëve të tij (bllokut) të natës(veçanërisht).
Së katërti, objektivi është, edhe ai i unifikuar; ai është sheshi i zdërhalljes, ku djemtë dhe vajzat mblidhen me dijen krejt të hapur, se këtu vihet për të kërkuar njëri-tjetrin. Uria për raporte ndërgjinore, gjeti kështu, një shtrojë për të shfryrë gjithë avujt e saj.
Një tjetër fenomen dëshmitar për standartizimin, mungesën e syrit skeptik, është interesi i të rinjve të t’u shkolluar në Universitete. Thuajse 95% e tyre fillojnë studimet në një shkollë të lartë. Ndërsa pjesa që mbetet, përmban akoma të dëshpëruar për mosarritjen e këtij synimi. Ministria e Arsimit dhe Shkencës mund të krenohet me këtë raport aspak cilësor, krejt sasior, dhe të padenjë për të folur për interesin për shkollën. Marrja e një diplome sa më formalisht, përfitimet që të jep statusi i studentit, shansi për të ndërtuar një jetë të kryqëzuar me shumë argëtim, kultura e fortzhvilluar e kafesë, shumësia e fytyrave dhe njohjeve ndërgjinore ja kalojnë disa herë pikëve që i jep shkollimit si mundësi për vetërealizim profesional, pjesa dërrmuese e studentëve.
Për gjithkënd që mendon ndryshe nga më sipër, boll të njohë interesin për librin. Askush nuk guxon të botojë me tirazh më të lartë se një mijë kopje dhe askush nuk ka ambicje të arrijë një lexueshmëri më të lartë se rrethi i tij miqësor.
Këto janë do rastë të shkëputura nga pavëmendja e ditënatës së disa qosheve të gjithë ngrehinës së madhe, aq të madhe sa autori I këtyre rreshtave ka thjeshtësi sa të mos marrë përsipër ta shpjegojë të tërën.
- Ji Vetvetja!
Një përmasë përcaktuese për perspektivën e individit duhet të jetë edhe kërkesa konstante e tij për ndryshim. Evolucioni i kërkesave ndaj vetes është vija ndarëse midis njeriut që aspiron dhe realizon objektiva sfidues dhe zë pozitë prijëse në strukturën sociale dhe atë të mendimit, me njeriun që pret “krimbin në fole”, i cili është kryesisht administrues ose realizues i planeve të të parëve.
Ji vetvetja! Ky është apeli që del rrjedhshëm nga goja e shumicës së të rinjve dhe prijësve të opinionit. Por askush prej tyre nuk e ka vënë ujin në zjarr që ta zbërthejë këtë slogan në përmasa të zbatueshme dhe të kuptueshme, që të ketë qartësinë e jetësimit të vetëdijshëm. Ky është themeli dhe kulmi jo vetëm i stanjacionit intelektual dhe emancipues, por edhe i ngërçit shpirtëror të atyre të rinjve që përbëjnë peshë vendimmarrëse, që përfaqësojnë lajmin dhe zërin.
“Ji vetvetja!” nuk është ndonjë mëtim për sinqeritet apo transparencë por është rrëfimi i paaftësisë dhe mungesës së interesit nga ana e tyre për të vënë në një rend logjik dhe të gjallë, gjthë turmën e mendimit dhe sjelljeve mbizotëruese. Ajo është thjesht një vel që justifikon me dehje dhe fshehje, qetësinë e pashembullt. Ky lloj pajtimi është kobzi. Ai është njëri prej zhvillimeve të përhershme të atyre kohëve që kanë paraprirë degradimin dhe rënien përfundimtare të qytetërimeve.
- Mungesa e Vetëdijes Religjoze
Mosinteresimi për artin dhe zvetënimi religjoz përbëjnë së bashku një gangrenë në shtresat e ndërgjegjes së të rinjve. Dihet botërisht se religjoni dhe arti i japin njeriut, përmasa origjinale dhe thellësisht kritike karshi të gjitha fenomeneve që ndodhin në Krijim.
Ndërsa arti mund të jetë shpesh krejt i lindur, tek shumica prej nesh, vetëdija fetare është një dhuratë që ka ardhur vonë, të paktën aq vonë sa të na bëjë të dukshme nevojën e një nisjeje të re. Gjithkush do ta ketë provuar se si rendi i gjërave është përmbysur dhe ka nisur edhe njëherë shqyrtimi rast pas rasti i gjithçkaje. Nuk duhet fajësuar askush pse kjo ka ngjarë karshi një mozaiku të pasur vlerash, traditash dhe fenomenesh pozitive, sepse kjo ka qenë udha thuajse standarte e të gjithëve, që nga njerëzit e parë. Tek e fundit, prapë renditja ka qenë e drejtë dhe e denjë për secilën nga elementët e saj.
Po ashtu, një botëkuptim i plotë religjoz përmban në vetvete edhe një kërkesë të pashtershme, të përhershme për të rivlerësuar sjelljet dhe prirjet e individit. Në fenë myslimane, kjo është detyrë personale e gjithkujt, ndërsa në fetë ungjillore, ajo është një punë e përbashkët, ndarë mes njeriut dhe klerikët. Por gjithsesi, kjo kërkesë ruhet e paprekur nga të gjitha fetë mbizotëruese në Shqipëri.
Individët që nuk kanë shqyrtuar as për të paktën një herë në jetë, gjithë veprimtarinë e tyre të derimëtashme, nuk e kanë bërë zakon as të vlerësojnë apo të vënë në peshojë fenomenin ose sjelljen modë që përhapet mes dhe brenda tyre.
Askush të mos mendojë se kjo është vija ndarëse mes religjozëve dhe joreligjozëve, sepse rehatimin me gjendjen ku ndodhen e përjetojnë më fort, për fat të keq, pjesa më e madhe e të parëve (religjozëve). Ajo që shtrohet si shans këtu, është premisa teorike, mundësia për të gjithë, njësoj e vlefshme, për të qenë skeptikë dhe të kujdesshëm për fatin personal.
- Ndarja mes Brezave
Po, në familjet atomike shqiptare, ku prindërit punojnë gjatë pjesës më të madhe të ditës dhe fëmijët shpesh kanë hapësirën të menaxhojnë edhe financat personale aftgjata, kontakti mes brezave është tepër i zbehtë. Po t’i shtohet kësaj edhe kriza në trajtimin e të moshuarve, doemos situata do të jetë rrënqethëse. Për sa kohë gjyshi dhe gjyshja jetojnë në vetmi ose azil (aq më keq) përcjellja e vlerave nga njëri brez në tjetrin bëhet e pamundur.
Është krejtësisht e palogjikshme që një nënë të përballet me kërkesat për një efektivitet të tillë të lartë sa të përballojë edhe ngjitjen në karrierë apo mbijetesën në vendin e punës krahas përkujdesjes për jetën familjare. Nëse ajo realizon me një përkushtim të admirueshëm detyrat e një amviseje, është pretendim i tepërt që të pritet prej saj që të luajë rolin e natyrshëm të një nëne.
Mënyra më efikase e ruajtjes së vlerave, familjet e zgjeruara i përkasin të shkuarës dhe për të ardhmen, “asgje e re nga fronti i perëndimit”. Në prehrin e gjyshërve rriten gjithmonë fëmijë më të virtytshëm dhe më fisnikë.
Të rinjve sot u mungojnë të gjitha vlerat që mbartnin paraardhësit e tyre, pasi kanë një diferencë hutuese me ta. Kësisoj, hapi i kohës është më i madh dhe më i shpejtë dhe të gjithë e kanë bërë shprehi të thonë: sa ka ecur koha! Kjo është shpejtësia me të cilën dramat e reja përhapen dhe shpejtësia me të cilën pranohen ato.
- Në Fund
Mund të bëhemi edhe vetë të pakujdesshëm, dhe pa drojë, të themi se të rinjtë në Shqipëri janë të papërkushtuar ndaj vetes së tyre; ata janë një komponentë e qëndrueshme e turmës, një prehër i pambrojtur që ngroh çdo cen dhe një rresht uniform ndjekësish pa kushte. Ata bëjnë një jetë sipërfaqësore duke lënë plugun e ditëve të tyre të rrëshkasë mbi faqen e tokës, duke gërvishtur arën dhe duke u genjyer se mund të mbijë ndonjë farë.
Të rinjtë qëndrojnë në skajin më të paakuzueshëm si skaj; në qoshkun e dembelit, që nuk ofron asnjë zgjidhje dhe meqë nuk ndihet harrohet se edhe ai është një rast ekstrem. Ata qëndrojnë larg rrënjëve të familjes, traditës familjare dhe larg brezave.
Axhenda e tyre përditë ndryshon në mënyrë të komanduar dhe pranohet pa u votuar dhe pa u gjykuar. Shpresat që prej tyre të dalin individë të shëndetshëm moralisht dhe intelektualisht bëhen më të vakëta, dhe më ashpër gjymtohen ëndrrat që të shumtët të kthejnë për mirë.
No comments:
Post a Comment