Wednesday, July 30, 2008

Çka në sy rinia ose pranimi

Bota mëshirplote dhe piktoreske e të verbërve të mirë ka marrë fund, tani është mbretëria e egër, mizore dhe e pamëshirshme e të verbërve. Sikur të shihje atë që shoh unë, do të dëshiroje të ishe i verbër. Të besoj!

Hoze Saramago, Verbëri


  1. Pranimi

Pranimi është qetësia e tokës dhe heshtja e menduar e saj, ndërsa shiu zbret e futet nëpër damarët e saj, pa marrë asnjë tundje miratuese koke. Shiu, madje, as nuk e di se kjo është një befasi ngazëllyese për tokën. Krye tyre qëndron vendimi për ngjarjen, pararendja me urtësi dhe pamësi pa vel.

Në prehërin e qullur të tokës, lindin dhe i turren shiut një shumë e frikshme tekësh, më e shpeshtë se vetë shpeshtësia e piklave të ujit; nisin sytë e tyre drejt diellit, me këmbët ngulur mjaftueshëm në tokë, pa kërkuar fajin te ndonjëri pse kjo nuk ndodhi në një çast tjetër, apo pse nuk ngjau tjetërfar.

Dhurata është udhëtari që njeh çdo pëllëmbë të dheut të pranimit. Ndoshta ajo mund të ndjehet e fajshme për gjithë atë keqkuptim të dhuratamarrësve më të mëdhenj, njëherësh mbamendësit më të këqinj të fjalës faleminderit. Por ka të drejtë të bëhet ziliqare për garën e pasinqertë që i bëhet nga të gjitha të tjerat që nuk meritojnë të jenë dhurata. E çfarë mund të presësh tjetërsoj në këto kondita?!

Në udhën që herët shkelte vetëm dhurata, sot mund të shohësh se si ecin me tis, sëmundja, përmbytja, zukatja bezdisëse, etj. Ato gëzojnë nderet e njëjta dhe vendet e po atij rendi. Kështu, pranohen me gëzim.

  1. Skajet

Skaji është kufiri më i largët, fundi i zgjatjes së sendit apo dukurisë; është vendi ku tiparet tregojnë se lënda apo fryma sapo mbaruan, çasti i mbarimit të shfaqjes së cilësive të deritashme dhe i nisjes së shfaqjes së cilësive të reja. Ai është periferik, prandaj është një përfaqësues shumë i dobët ose i shtrembër i thelbit, sepse përmban gjithnjë e më pak tipare të përbashkëta ose të ngjashme me të.

Në skaj, siguria është aq e paqenë sa mund të konsiderohet e papërshtatshme për t’u besuar. Aty lindin xhelozitë më të dëmshme; ata janë pikat e konfliktit dhe përplasjes, ndarjes dhe shkaktarët më efektivë të urrejtjes. Skajet ruhen, u kushtohet vëmendje e posaçme pasi ato përbëjnë pozitat më delikate të së tërës.

Njeriu që qëndron në skaj, është më i papranueshmi karshi të vërtetës, e cila përbëhet nga një ideale e përshtatur në kushtet më të favorshme të mundshme të mjedisit. Ai gjithashtu është më i gjymtuari dhe më i zhveshuri nga gjithë pasuria e vlerave të mbrujtura nga pozitat e mbrojtura qëndrore. Më konkretisht, banori i polit të veriut ose të jugut, është njeriu më i pandriçuar i globit dhe kaq do të mjaftonte për të përshkruar plotësisht gjendjen e tij.

Të shohësh nga njëri skaj, mes tjerash, do të thotë të mos mund të shquash skajin tjetër, si fundin e udhëtimit të një vështrimi që largohet duke u mjegulluar. Sado e padendur të jetë ndarja në mes, largësia është po aq o më shumë përcaktuese për qartësinë e dallimit, aq më tepër për saktësinë e shikimit. Domosdo, veprat e ngritura mbi këtë pirg letrash të palexuara si duhet, do të jenë një pirg më i madh gabimesh dhe shtrembërimesh.

  1. Mungesa e Skepticizmit

Të rinjve shqiptarë, në prerje totale, sidomos atyre të qyteteve më të zhvilluara, u mungon dukshëm shpirti kritik, skepticizmi i mbështetur apo i pabazë, aftësia për t’i rezistuar ndryshimit, ose talenti për të vlerësuar mbi bazat e një analize përparësi-shpërparësish, kosto-përfitimesh dhe afatshkurtër-afatgjatë, secilën ose pjesën dërrmuese të fenomeneve dhe ngjarjeve.

Atyre u është ç’aktivizuar dhe shkulur çdo rrjetë, sitë, pritë, peshore apo lakmus, që mund të shërbejë për të gjykuar ose paragjykuar ofertat globaliste. Institucionet e mësipërme të gjykimit e paragjykimit, janë zëvendësuar nga një thjerrë e madhe e shërbyer nga interesa të ngushta përfitimi nga rrethet monopoliste e tregëtare në përgjithësi, që synojnë që ta shndërrojnë shoqërinë në një konsumator të uritur industrial, që ruan radhën, jo pingul si dikur në kohën e tollonit, por paralel në dyert e shumë dyqaneve dhe kafeneve, shtëpive të verës dhe instituteve të modës, shesheve dhe bulevardeve.

Kjo përbërëse, teorikisht shumë përcaktuese e popullsise së Shqipërisë dhe të ardhmes së saj, është spektatori më i dendur dhe besnik i grumbullimeve më tronditëse dhe paralajmëruese për mbështetje dhe ndjekje të panegociueshme, që politikanët me stil modern dhe fytyrë argëtuese, pasanikët me inisiativë nuhatëse dhe individë të aftë për të manipuluar në kushte të tilla afër-optimale, i përdorin si mjete shumë efektive për arritjen e qëllimeve të tyre individuale.

Kush mund të thotë se nuk janë bërë shumë popullore dhe emocionuese për të gjithë shqiptarët, ndaras për të rinjtë, festimet e 16 shtatorit në fshatin Pezë të Tiranës dhe Nata e Bardhë e 29 Nëntorit, që u zbuluan dhe u instaluan kaq shpejt në traditën shoqërore nga një prej politikanëve kryesorë shqiptarë. Ish-Blloku Vasil Shanto ndërroi faqen makabre të strehimit të kupolës komuniste dhe hapi prehrin për një formë të re të ushtrimit të ndikimit, thua mistik, mbi njerëzit. Trotuaret dhe bodrumet e tij, më luksozet në kryeqytet, mbushen me adoleshentë dhe më të rritur, pa cak moshe, nën kumbimin e muzikës së vjershëruar nën rimë foljore, hip-hop dhe avujt e alkoolit. Ajo që e lidh më fort këtë rrëfim me qasjen tonë është standartizimi në të gjitha elementet e sjelljes dhe proceset jetësore që zhvillohen aty.

Së pari, të gjithë janë të një mendjeje se kjo farlloj jetese është arritje pozitive e ditëve tona dhe tregues i përparimit konceptual dhe estetik të shoqërisë. Mendim ndryshe, edhe po të ketë, qëndron i turpëruar ose i dënuar me votë popullore.

Së dyti, aty oferta është e standartizuar, në produkte, argëtim, çmime dhe shpesh edhe në mobilimin e mjediseve.

Së treti, stili i veshjes, terminologjia, tërësia e veprimeve dhe ngjarjeve janë të gjitha të unifikuara, (me ndonjë variacion brenda llojit por që nuk i shton ndonjë notë kriticizmi fenomenit), dominanca e duhanit, alkoolit dhe narkotikëve ligjërisht të ndaluara; të gjitha këto përbëjnë në mënyrë krejt organike një kriter gjithëpërfshirës dhe mjaft përshkrues të banorëve të tij (bllokut) të natës(veçanërisht).

Së katërti, objektivi është, edhe ai i unifikuar; ai është sheshi i zdërhalljes, ku djemtë dhe vajzat mblidhen me dijen krejt të hapur, se këtu vihet për të kërkuar njëri-tjetrin. Uria për raporte ndërgjinore, gjeti kështu, një shtrojë për të shfryrë gjithë avujt e saj.

Një tjetër fenomen dëshmitar për standartizimin, mungesën e syrit skeptik, është interesi i të rinjve të t’u shkolluar në Universitete. Thuajse 95% e tyre fillojnë studimet në një shkollë të lartë. Ndërsa pjesa që mbetet, përmban akoma të dëshpëruar për mosarritjen e këtij synimi. Ministria e Arsimit dhe Shkencës mund të krenohet me këtë raport aspak cilësor, krejt sasior, dhe të padenjë për të folur për interesin për shkollën. Marrja e një diplome sa më formalisht, përfitimet që të jep statusi i studentit, shansi për të ndërtuar një jetë të kryqëzuar me shumë argëtim, kultura e fortzhvilluar e kafesë, shumësia e fytyrave dhe njohjeve ndërgjinore ja kalojnë disa herë pikëve që i jep shkollimit si mundësi për vetërealizim profesional, pjesa dërrmuese e studentëve.

Për gjithkënd që mendon ndryshe nga më sipër, boll të njohë interesin për librin. Askush nuk guxon të botojë me tirazh më të lartë se një mijë kopje dhe askush nuk ka ambicje të arrijë një lexueshmëri më të lartë se rrethi i tij miqësor.

Këto janë do rastë të shkëputura nga pavëmendja e ditënatës së disa qosheve të gjithë ngrehinës së madhe, aq të madhe sa autori I këtyre rreshtave ka thjeshtësi sa të mos marrë përsipër ta shpjegojë të tërën.

  1. Ji Vetvetja!

Një përmasë përcaktuese për perspektivën e individit duhet të jetë edhe kërkesa konstante e tij për ndryshim. Evolucioni i kërkesave ndaj vetes është vija ndarëse midis njeriut që aspiron dhe realizon objektiva sfidues dhe zë pozitë prijëse në strukturën sociale dhe atë të mendimit, me njeriun që pret “krimbin në fole”, i cili është kryesisht administrues ose realizues i planeve të të parëve.

Ji vetvetja! Ky është apeli që del rrjedhshëm nga goja e shumicës së të rinjve dhe prijësve të opinionit. Por askush prej tyre nuk e ka vënë ujin në zjarr që ta zbërthejë këtë slogan në përmasa të zbatueshme dhe të kuptueshme, që të ketë qartësinë e jetësimit të vetëdijshëm. Ky është themeli dhe kulmi jo vetëm i stanjacionit intelektual dhe emancipues, por edhe i ngërçit shpirtëror të atyre të rinjve që përbëjnë peshë vendimmarrëse, që përfaqësojnë lajmin dhe zërin.

“Ji vetvetja!” nuk është ndonjë mëtim për sinqeritet apo transparencë por është rrëfimi i paaftësisë dhe mungesës së interesit nga ana e tyre për të vënë në një rend logjik dhe të gjallë, gjthë turmën e mendimit dhe sjelljeve mbizotëruese. Ajo është thjesht një vel që justifikon me dehje dhe fshehje, qetësinë e pashembullt. Ky lloj pajtimi është kobzi. Ai është njëri prej zhvillimeve të përhershme të atyre kohëve që kanë paraprirë degradimin dhe rënien përfundimtare të qytetërimeve.

  1. Mungesa e Vetëdijes Religjoze

Mosinteresimi për artin dhe zvetënimi religjoz përbëjnë së bashku një gangrenë në shtresat e ndërgjegjes së të rinjve. Dihet botërisht se religjoni dhe arti i japin njeriut, përmasa origjinale dhe thellësisht kritike karshi të gjitha fenomeneve që ndodhin në Krijim.

Ndërsa arti mund të jetë shpesh krejt i lindur, tek shumica prej nesh, vetëdija fetare është një dhuratë që ka ardhur vonë, të paktën aq vonë sa të na bëjë të dukshme nevojën e një nisjeje të re. Gjithkush do ta ketë provuar se si rendi i gjërave është përmbysur dhe ka nisur edhe njëherë shqyrtimi rast pas rasti i gjithçkaje. Nuk duhet fajësuar askush pse kjo ka ngjarë karshi një mozaiku të pasur vlerash, traditash dhe fenomenesh pozitive, sepse kjo ka qenë udha thuajse standarte e të gjithëve, që nga njerëzit e parë. Tek e fundit, prapë renditja ka qenë e drejtë dhe e denjë për secilën nga elementët e saj.

Po ashtu, një botëkuptim i plotë religjoz përmban në vetvete edhe një kërkesë të pashtershme, të përhershme për të rivlerësuar sjelljet dhe prirjet e individit. Në fenë myslimane, kjo është detyrë personale e gjithkujt, ndërsa në fetë ungjillore, ajo është një punë e përbashkët, ndarë mes njeriut dhe klerikët. Por gjithsesi, kjo kërkesë ruhet e paprekur nga të gjitha fetë mbizotëruese në Shqipëri.

Individët që nuk kanë shqyrtuar as për të paktën një herë në jetë, gjithë veprimtarinë e tyre të derimëtashme, nuk e kanë bërë zakon as të vlerësojnë apo të vënë në peshojë fenomenin ose sjelljen modë që përhapet mes dhe brenda tyre.

Askush të mos mendojë se kjo është vija ndarëse mes religjozëve dhe joreligjozëve, sepse rehatimin me gjendjen ku ndodhen e përjetojnë më fort, për fat të keq, pjesa më e madhe e të parëve (religjozëve). Ajo që shtrohet si shans këtu, është premisa teorike, mundësia për të gjithë, njësoj e vlefshme, për të qenë skeptikë dhe të kujdesshëm për fatin personal.

  1. Ndarja mes Brezave

Po, në familjet atomike shqiptare, ku prindërit punojnë gjatë pjesës më të madhe të ditës dhe fëmijët shpesh kanë hapësirën të menaxhojnë edhe financat personale aftgjata, kontakti mes brezave është tepër i zbehtë. Po t’i shtohet kësaj edhe kriza në trajtimin e të moshuarve, doemos situata do të jetë rrënqethëse. Për sa kohë gjyshi dhe gjyshja jetojnë në vetmi ose azil (aq më keq) përcjellja e vlerave nga njëri brez në tjetrin bëhet e pamundur.

Është krejtësisht e palogjikshme që një nënë të përballet me kërkesat për një efektivitet të tillë të lartë sa të përballojë edhe ngjitjen në karrierë apo mbijetesën në vendin e punës krahas përkujdesjes për jetën familjare. Nëse ajo realizon me një përkushtim të admirueshëm detyrat e një amviseje, është pretendim i tepërt që të pritet prej saj që të luajë rolin e natyrshëm të një nëne.

Mënyra më efikase e ruajtjes së vlerave, familjet e zgjeruara i përkasin të shkuarës dhe për të ardhmen, “asgje e re nga fronti i perëndimit”. Në prehrin e gjyshërve rriten gjithmonë fëmijë më të virtytshëm dhe më fisnikë.

Të rinjve sot u mungojnë të gjitha vlerat që mbartnin paraardhësit e tyre, pasi kanë një diferencë hutuese me ta. Kësisoj, hapi i kohës është më i madh dhe më i shpejtë dhe të gjithë e kanë bërë shprehi të thonë: sa ka ecur koha! Kjo është shpejtësia me të cilën dramat e reja përhapen dhe shpejtësia me të cilën pranohen ato.

  1. Në Fund

Mund të bëhemi edhe vetë të pakujdesshëm, dhe pa drojë, të themi se të rinjtë në Shqipëri janë të papërkushtuar ndaj vetes së tyre; ata janë një komponentë e qëndrueshme e turmës, një prehër i pambrojtur që ngroh çdo cen dhe një rresht uniform ndjekësish pa kushte. Ata bëjnë një jetë sipërfaqësore duke lënë plugun e ditëve të tyre të rrëshkasë mbi faqen e tokës, duke gërvishtur arën dhe duke u genjyer se mund të mbijë ndonjë farë.

Të rinjtë qëndrojnë në skajin më të paakuzueshëm si skaj; në qoshkun e dembelit, që nuk ofron asnjë zgjidhje dhe meqë nuk ndihet harrohet se edhe ai është një rast ekstrem. Ata qëndrojnë larg rrënjëve të familjes, traditës familjare dhe larg brezave.

Axhenda e tyre përditë ndryshon në mënyrë të komanduar dhe pranohet pa u votuar dhe pa u gjykuar. Shpresat që prej tyre të dalin individë të shëndetshëm moralisht dhe intelektualisht bëhen më të vakëta, dhe më ashpër gjymtohen ëndrrat që të shumtët të kthejnë për mirë.

Tuesday, July 29, 2008

PO TË VDISJE

Po të vdisje

Do qëndroja te koka jote

Dhe s’do të qaja

Do t’të përmendja

Fjalën e Mbrame

Do të prisja

Do të mbahesha

Gjersa të jepje frymë

Atëherë do të lëshohesha

Në luginën e lotëve

Në stuhinë e dënesës

Do të vërvitesha

Në honin e pikëllimit

Po të vdisje

Tani, papritur

Do të vija pranë trupit tënd

Të pija helmin e vetmimit

Dhe të ndjeja si rrëshqet

Nëpër damarët e ditëve të ardhme

Hidhësia e tij

Dhe do të ruhesha

Të mos digjeshe

Nga ndonjë lot i përflakur

Po të vdisje

Dhe të më thërrisnin

Do të vishja rrobat më të zeza

Jo për zakon,

Por që t’a dinë njerëzit

Dy duar dhê do t’i hidhja

Pa dilemë, pa dro, pa dhimbje

Dhe do të prisja

I fundit të mbesja

Pranë varrit tënd

Me ty të flisja

Pa pritur të ma kthesh

Të të sillja

Këngët, fjalët, gjestet

Besatimet që dhamë sho-shoqit

I bindur se s’do të qash

As s’do të mekesh

Pa pritur të më japësh zemër

As ngushëllim

Do t’i lutesha Zotit

Me fjalë që sot s’i di

Rrugëve do t’u kthesha

T’u kërkoja vështrimin tënd

Qeshjet dhe lotët t’i mblidhja

Në një shportë

Dhe pritjet

Si rrobën e falur

Ti vishja

Erën do ta nxija për krahu,

Zërin tënd

Do t’ia lypja

Të ma kthente

Si borxhin e jetës

Në pëlhurën e errët të natës

Endrrat do të gjeja

Në tokën e çarë

Të kraharorit tim

Do t’i mbillja

Të prisja mbrëmjeve

Si flutur të pushoje

Mbi fletët e tyre

Po të vdisje

Dhe krahët t’i kthenim

Njëri-tjetrit

Pa dëshirë

Do vinte një ditë

Mbase do martohesha

Dhe do të kisha fëmijë

Si ta ketë thënë Zoti

Fëmijës së parë

Emrin tënd do t’i vija

Gjatë do t’i rrëfeja

Pse e thirra kështu

Filizin tim të agimit

Po të vdisje

Dhe mbrëmjeve të vona

Fillikat të mbetesha

Të strukesha në një qoshe

Me natën dhe heshtjen pranë

Pleqërinë do të prisja

Me zërin e ngjirur

Do këndoja këngën e ironisë

Po të vdisja

Pas teje

S’do të vdisja në krahët e tu

E ç’rëndësi ka

Në krahët e tjetërkujt

A në shtratin e tokës

A mbi dy drunj

Vendosur nën shpatulla

Do jepja shpirt?

Në krahët e tu s’do vdisja

Paj, një ditë do vdesim

Të gjithë

Do bashkohemi me të shumtët

Mbase do më prisje

Në pragun e përtejm

Rrethuar nga zërat e fëmijëve

Fëmijëve që s’i lindëm

Veshur me fustanin e bardhë

Që s’e veshe kurrë

Në dasmën tonë

Që mbeti duke u fshehur ëndrrave

Në kopshtin e shtëpisë

Që s’e ngritëm dot

Mbushur me trëndafilat

Që asnjëherë s’i mbollëm

Përcjellë nga të dashurit

Të grishur a të harruar

Në shtratin që s’na priti dot

Do të kthehemi

Në vendin prej nga u nisëm

Sërish bashkë të jemi

QITABI I GJYSHIT TIM

Shtëpia ime, ajo e vjetra; shtëpia e fshatit, ka një dritare të vogël nga lindja. Atëbotë, nuk e kuptoja pse e kishin lënë atë dritare të pavend dhe të ngushtë për të sjellë dritë mjaftueshëm. “Është për të parë diellin, bir!” – më pati shuar kureshtjen gjyshi, ndërsa u dha vetullave, si për të shkundur peshën e përtesës për t’iu përgjigjur pyetjeve të mia lumë.

“Kur agjërojmë, sa herë vëmë në gojë një kafshatë tjetër, i mbajmë sytë nga kjo dritare” – dhe u kollit për t’i dhënë kohë vetes dhe për të prerë pyetjen time që priste (dmth s’priste).

“Kur qielli zë e zbardhet në shtegun nga del dielli, atëherë e lëmë bukën dhe e ngremë sofrën. Që nga ai çast e deri në muzgun e mbrëmjes, mbahet” (agjërohet).

“Jo, bir! Pas syfyrit nuk flihet! Falim sabahun dhe këndojmë qitab!” – se kështu i thonin Kuranit të moçmit tanë. Dhe ashtu siç është i përhumbur, me zërin e tij të lëvyrët nga kollitjet që s’kanë të numëruar, me theksimet turqishte e persishte të tingujve, këndon “All-llahu Nurus-semavati vel erd...” deri në fund. I ngjan një kënge dhe fundi i saj është kaq i shtrirë dhe i pahetueshëm.

* * *

Në dritaren e vogël të shtëpisë sime, asaj të vjetrës; shtëpisë së fshatit, drita nis të lëshojë lastarë të bardhë, të dëbortë gjer në verbim, që ndërfuten nëpër zgafellat e errësirës duke lënë anash hijet; hijet janë bijtë e fjetur të dritës. Fytyra e gjyshit, si qiell i rrudhosur nga vranësirat, zë e përndritet dhe kënga e tij nis të përndahet gjer në boshet më të largëta të dhomës; kërkon njëri pas tjetrit damarët e tij dhe e përfshin kryekrej.

Drita bëhet më e shpeshtë, më e dendur, dhe hijet theksojnë si me laps ngjyrën e errët, kushedi, për të dëshmuar forcën e saj. Sakaq ngjyrosen me të kuq, mollëzat e gjyshit, duke folur për gjallimin e tij, për të treguar gjakun që rrjedh gjithnjë e më shpejt ndër to. Prania e këngës ndjehet në jehimin e grykave të orvatjes së tij, gjer në perëndim të diellit.

Gjyshi im ndez ndaj agimesh flakën e jetesës në diellzimin e këngës së tij. Ashtu niset nëpër kreshtat e ditës së vet, me bukën e drekës me vete dhe hapin e njëjtë si herën e parë, kur nisi të dilte në punë me burrat. Me sytë si dy përshkëndija zjarri, rrëmen në qiell dritën e hedhur mrekullisht mirë, dhe “s’gjen asnjë çallë”. I kthehet tokës për të kundruar gjurmëzimin e jetës, jetës së vet, a thua sot po zë fill.

* * *

Nga qitabi i gjyshit tim, dalin tufat e dritës që përhidhen skutë më skutë gjer në pafundje. Në mendjet tona vocërrake marrin trajtë imazhe lloje-lloje dhe në veshët tanë kumbon tingulli i këngës, ashtu si në sytë tanë shpërfaqet jeta – mrekulli.

Nga qitabi i gjyshit tim dalin si shkulma drite të një agimi shpërthimtar, të qarat e para të fëmijëve tanë, si këngë shpresuese, si klithmë shqiponje që tremb çdo tmerr të mëvonë, si çelja e vrullshme e luleve pa pasur dro nga vesa. Lastarët tanë mësojnë të ecin hop-hop në gjurmë të prera fort në shekuj të shekujve, pa ndërdyshje, nga kalimtarët e mëhershëm. Toka e udhës sonë është e fjetur, nga djersimet e mundit, nga rëndimi i këmbëve të gjakosura të udhëtarëve. Ja pse mbetet ashtu, e paprekur, edhe pas vërshimesh të egra nënjerëzore.

Letra e vjetëruar e qitabit nga shfletimet e feksjeve te ditës dhe lëkura e rrudhme e gjyshit të moçëm më shfaqen një. Mes brazdave të letrës, kashtisur me grimca gërmash, nëpërduket vegimi i Mësonjësit, që flet ose hesht, por s’resht së shpjeguari fjalët e Librit; flet apo hesht, hapat e tij bien Librin kaq pranë.

* * *

Në thellinat e shpirtit tim, atij të vjetrit, që Zoti ma fali që Ditën e Parë, qeton një vaj i kulluar, gati të ndriçojë pa e prekur flaka; vaj prej një peme të bekuar, në enën e bërë nga Duart e të Shumëlartit; vaj i paqtuar nga lapërdhitë djallëzore, i ruajtur nga rropullitë turbulluese të mishrave të hazdisur; vaj, për një kandil që shkëndijëzon në pritje të një shkrepje flakëruese.

Në odën e vogël, ku fle gjyshi im, mbi kryet e krevatit të drunjtë, të moçëm sa vetë ai, hapen fletët e vjetëruara të Librit. Filloj të përpij me sy të uritur fjalët që përndezin shpirtin gjer në rrëmbim. Shfletimi lëshon zë ledhatar dhe kandili nis të ngrohet nga avujt e largët. Nga shkrepëtima e fjalëve, u ndez. Aty për aty ndriçon honin e cakfundëm të qënies sime. Dritë mbi Dritë. Zoti është Dritë e qiejve dhe e tokës dhe flaka e saj ndez një pas një kandilët.

Udha është ndriçuar dhe unë gjakoj me Librin në dorën time të djathtë, si kandil për të parë dhe bukë për të jetuar, njëherësh.

Vehap S. Kola,

Tiranë më, 28 Dhjetor, 2007

“Si mund të visheni me rroba kaq të përdala? A nuk keni pak dinjitet?”

Gjithmonë më ka munduar padija mbi hijen e rëndë që lëshonte shamia në kokën e nënës sime. Në fakt ajo ishte një formë krejt e personalizuar e mbulojës dhe aspak një respekt i mykur në mendësitë e panjohura tashmë, të atyre që e kishin bërë zakon mbulimin e kokës me një shami.

Gjithseqysh kjo shqyrtesë mbetet në pragjet e përshtypjes personale dhe thellësisht personale. Ajo është e vlefshme pikërisht pse është e tillë sepse mendoj se kjo është gjëja e re që mund të thuhet; ajo që unë e kam dhe të tjerët mund ta njohin, pothuaj, vetëm përmes meje. Pejgamberi Muhamed (pqmt) ka thënë se ka aq rrugë që të shpien te Zoti saç ka bij të Ademit. Prandaj reflektimet e hedhura në këto rreshta mund të lënë përshtypjen e të papërsosurës dhe të pangjitshmes te shumëkush.

Ajo që dua të shpreh fund e krye këtu, është mbresa ime se ka një dinjitet solid në imazhin e një gruaje (apo vajze) me kokën e mbuluar. E nisa me portretin e nënës sime pasi ajo është gruaja që kam njohur më mirë deri sot. Si sot më kujtohen të gjithë çastet që më mbetën të pashpjeguara; çaste që më kanë bërë të mendoj dhe të krijoj bindjen e palëkundur se nëna ime kishte një rëndim drithërues dhe frikësues në sytë e njerëzve.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar se si një grua me rroba të tërhequra deri lart mbi gju, me dërrasën e kraharorit të shfaqur dhe me një varg perla hedhur qafës, pasi ka harxhuar shumë energji dhe mjeshtëritë e grimierëve, mund të përfaqësojë një vend në rolin e ministres së jashtme. Dua të pyes, kush është roli i një fustani të shkurtër në paraqitjen dinjitoze të një gruaje? Ose më mirë, a ka ndonjë kontribut në rritjen e krenarisë së një gruaje, një rrobë që nuk arrin ta mbulojë atë?

Është e kuptueshme se kjo do ta bënte një grua ngushtësisht me të miqësueshme por aspak më të respektuar. Xhentilesa që britet me të madhe nga turma burrash lapërdharë është vetëm një zgjatim i shëmtuar i gjithë asaj orvatjeje shekullore për të zënë kryet e vendit në rradhët e turpshme të vlerësimit mishtor. Në fakt xhentilesa është virtyt por ajo nuk mund të jetë kurrsesi një e mirë publike që ofrohet pa kriter. Nga ana tjetër edhe gruaja e meriton këtë xhentilesë nga një qasje tërësisht e individualizuar. Implementimi i parimeve të ekonomisë së lirë të tregut në këtë raport, vetëme përfund gruan në një turrë apo grumbull të konkurrueshëm. Një burrë mund të jetë i konkurrueshëm, por një grua jo dhe jo.

Gjithnjë rreth burrave është drejtuar pyetja “sa?”, dmth sa ushtarë, sa të fortë, sa të zgjuar dhe sa budallenj, sa para, etj. Ndërkohë për gruan në të njëjtën kohë dhe vetëm pak më tutje ndoshta, shtrohej pyetja “a?” Pyetja e rrezikshme rreth gruas e vë atë përpara dy mundësive; është ose nuk është. Tamam kështu, është apo nuk është dinjitoze një grua?

Asgjë lozonjare nuk ka në imazhin e nënës sime. Ajo është shumë e kujdesshme që rrobat e saj të jenë të gjata (paraqitja e saj të jetë dinjitoze) aq sa të mos e pengojnë të bëjë punët e shtëpisë, të gatuajë, të pastrojë, të zbukurojë dhe të jetë mikpritëse. Njëkohësisht rrobat e saj nuk e pengojnë të vizitojë të afërmit, të marrë pjesë në festat dhe hidhërimet e tyre.

Në shtëpitë tona, në institucione, mjedise akademike, trotuare e gjer në ambjente argëtimi mund të vihet re ndryshimi katërcipëror. Është plotësisht e kuptueshme pse Zoti shpalli se ruajtja e pamjes së gruas e pozicionon atë veç nga të pandershmet, të parespektuarat. Kur është në shqyrtim një grua që i është bashkangjitur porosisë për të zbukuruar pamjen me një rrobë të tërësishme ndërron në një mënyrë po kaq tërësore qëndrimi i njerëzve. Për të qenë më të qartë, qëndrimi i tyre është një lloj i shprehjes së respektit dhe njohjes së pacënueshmërisë së figurës së saj.

Një mbresë enigmatike përzier me një profil të paaksesueshëm që krijohet gati automatikisht në vetëdijen e bashkëqytetarëve dhe farefisit të një gruaje me kokë të mbuluar, janë të pangjashme me pakujdesinë e të gjithëve për të mos i bërë “një” krejt ato gra që nuk bëjnë pjesë në grupin e mësipërm. Ai segment besimtaresh, grash tradicionale me virtyte që nuk janë të motivuara në mënyrë flagrante nga besimi fetar, rrezikojnë të keqkuptohen dhe të përfshihen në të njëjtin grupim social me ato që veshjen e tyre e kanë reflektim të ndërmendjeve të tyre të zdërhallura, vetëm për shkak të këtij dekori jo të fismë.

Me të vërtetë, pse u dashka që gra besimtare, gra të virtytshme, edhe pse jo fetare, ta marrin si përfundimtar modelin e ofruar nga proçeset shthurëse të shekullit të XX dhe të mos jenë të vëmendshme ndaj përbashkimit të urryer me atë fytyrë që vetë ato e shohin me neveri?

Dinjiteti, sipas përkufizimit të Cambridge Advanced Learners Dictionary, është sjellja e kontrolluar, serioze dhe e qetë, që i bën njerëzit të të respektojnë; mendimi që ju mund të keni mbi standartin e rëndësisë dhe vlerës suaj personale.

Është e çuditshme që për kuptimin e dytë të fjalës dinjitet, fjalori jep një shembull shpjegues si ky, “Si mund të visheni me rroba kaq të përdala? A nuk keni pak dinjitet?”(1)

Zoti ka shpallur në Kuran, “O bijtë e Ademit! Njëmend Ne hodhëm përsipër jush petk për t’ju mbuluar dhe për t’ju zbukuruar, por petku i devotshmërisë është petku më i hijshëm...” [A’rafë:26]

Petku i devotshmërisë është prej drite, pikërisht si pektu i Ademit dhe Havasë në xhenet. Por, po të ndjekim gjurmën e dramës së tyre qiellore, vijmë në rreshtat e trishtueshëm të zbulimit përmes zhveshjes së petkut të dritës, petkut të devoshtmërisë. Kjo ngjau vetëm atëherë kur njeriu e shkeli porosinë e Zotit dhe u gënjye të presë favore prej shejtanit dhe veprës së tij të ulët.

Botëkuptimi i disave se të qënit e njeriut (gruas në këtë rast) i (e) devotshëm (me) është mjaft për të shpalosur një karakter dinjitoz, bie poshtë, përse kahu i veprimit është i kundërt. Fabula nuk nis te devotshmëria, por te vepra e cila lëshon ngjyrën e saj mbi fortësinë e lidhjes së njeriut me Zotin. Pra, zbatimi rigoroz i porosisë së Zotit për të mbuluar kokën me shami është një ndër endësit më të mirë të rrobës së devotshmërisë së një gruaje. Sakaq dinjiteti është fëmija i saj i parë.

Çuditem me qëndrimin e shumë grave që e lidhin shumë dobët dinjitetin me ruajtjen e intimitetit të tyre. Si mund të përbëjë dinjitet shfaqja në publik e asaj që është private? Sigurisht mund të ngrihen debate dhe diskutime të gjata rreth kufinjve që shquajnë privaten nga publikja. Përkufizimi që Cambridge Advanced Learners Dictionary jep për fjalën privaci (privacy) është, “e drejta e çdokujt për të mbajtur të fshehta çështjet dhe marrëdhëniet personale”, ose “gjendja e të qenit vetëm”(2) dhe ç’është më befasuese pjesët e turpshme të trupit të njeriut konsiderohen “pjesë private”(3) (privat parts).

Mua më duket se, më shumë se një e drejtë, privacia duhet të jetë një përgjegjësi, sidomos kur gjykohet nga këndvështrimi religjoz, ashtu siç konsiderohen përgjegjësi (amanet) të gjitha të drejtat dhe lirshmëritë e tjera të njeriut. Liria dhe e drejta e tij për t’iu bindur apo për ta kundërshtuar Zotin e Shumëlartë, janë pikërisht përgjegjësia e tij themelore. Është për këtë arsye që njeriu është një qenie morale. Edhe privacia, ruajtja dhe paprekshmëria e nderit, idealizmi karshi oportunizmit, janë karta e lëshuar në dorën e njeriut; “...qoftë mirënjohës apo bukëshkalë” [Insanë:3). Besa që gruaja duhet të mbajë karshi Zotit, në këtë rast, është ruajtja e dinjitetit të saj.

Shkroi: Vehap S. KOLA

17 Janar, 2008

Reforma Ligjore, Pak Përparim Ekonomi

Nga Vehap Kola – Albanian Institute of Public Relations

Duke qenë se e drejton vetë këtë vend, natyrshëm z.Berisha është njeriu i parë që u gëzohet lajmeve të mira në Shqipëri. Por njëkohësisht ai mbetet edhe njeriu, që duhet t’i ketë më mirë se kushdo tjetër “këmbët në tokë”, sidomos tani, në kohë bilancesh vjetore.

Duke qenë se e drejton vetë këtë vend, natyrshëm z.Berisha është njeriu i parë që u gëzohet lajmeve të mira në Shqipëri. Por njëkohësisht ai mbetet edhe njeriu, që duhet t’i ketë më mirë se kushdo tjetër “këmbët në tokë”, sidomos tani, në kohë bilancesh vjetore.

Unë e pranoj nevojën e një kryeministri për të qenë i lumtur një ditë në vit. Por kjo nuk ju mjafton të gjithëve.

Duke ju referuar një pritje të dhënë për anëtarët e kabinetit, gazeta e partisë demokratike RD shkruan se “Duke falenderuar të pranishmit (ministra dhe zv.ministra – shen.im) për bashkëpunimin e frytshëm dhe përkushtimin që dëshmuan gjatë vitit që po lëmë pas, kreu i ekzekutivit vlerësoi se 2007 ishte viti më i mirë që vendi ka patur ndonjëherë në aspektin e lirisë dhe sigurisë së qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik”.

Një sy i pastërvitur do të mendonte se kjo do të thotë se ministria e brendshme dhe ministria e ekonomisë, tregëtisë dhe energjitikës kanë qenë dikasteret kryesuese në arritjet e qeverisë për këtë vit. Në fakt unë mendoj se z.Berisha me këtë deklaratë ka nënvizuar dy kahjet kryesore ku rreh damari i shqetësimit popullor: siguria dhe situata ekonomike. Dhe duke theksuar një të vërtetë – rritjen e nivelit të sigurisë në përgjithësi – ai ka maskuar në fakt edhe një të pavërtetë: stanjacionin e thellë ekonomik që po kalon vendi. Teknika e komunikimit, e përdorur në këtë rast, është e njohur. Në qoftë se në një listë suksesesh përfshin edhe dështimin, perceptimi mbi dështimin zbutet nga shkëlqimi i sukseseve që bëjnë pjesë në këtë enumeracion. Këtë teknikë e favorizon formati gojor i komunikimit. Por në të shkruar gjërat ndahen shumë më qartë dhe kjo qasje rrezikon të kthehet në boomerang.

E para, është e pamundur që në kushtet e stanjacionit ekonomik botëror për shkak të rritjes së çmimit të energjisë dhe në përgjithësi të burimeve të saj natyrore, një ekonomi mikroskopike, tërësisht e ndërvarur, jo prodhuese dhe pa burime kapitale të rëndësishme si Shqipëria, të shënojë suksese. Në një trup që rrudhet nga mungesa e likideve, një qelizë nuk mund të zgjerohet – veç në rastet kur është tumorale dhe pëson mutacione patologjike thelbësore.

Unë pyes: Në kushtet e rritjes objektive të kostos së çdo produkti për shkak të çmimit më të lartë të energjisë dhe në situatën e mungesës elementare të furnizimit me energji elektrike, me rritjen objektive të kostos së transportit falë rritjes globale të çmimit të hidrokarbureve, në një periudhë kur edhe çmimi i grurit u disafishua për shkak të thatësirës, ju lutem më shpjegoni si ja ka dalë qeveria të shënojë zhvillimin ekonomik më të mirë ndër vite? Ka vetëm një shpjegim: ata që i shkruajnë fjalimet kryeministrit, nuk kanë pikën e mëshirës për të.

Shqipëria ka njohur përparime dhe këto i pranojnë të gjithë ata që mendojnë pozitivisht, nga pozita atdhedashëse. Shqipëria ka njohur një reformë të rëndësishme ligjore, një gjysmë reformë administrative dhe është në pikën që duhet të nisë një reformë ekonomike thelbësore.

Me ndryshimin politik të vitit 2005 dhe zgjidhjen pa trauma të krizës së presidentit këtë vit, Shqipëria ofroi një imazh të ri dhe të përmirësuar për mjedisin ndërkombëtar, i cili është sot në një pikë të lartë të presionit për investime. Indeksi i korrupsionit që zbuloi Transparency International rrezikon ta lëkundë këtë besim, nëse nuk forcohet lufta ndaj korrupsionit dhe nuk përmbushet reforma administrative.

Një qasje tërësisht reformatore duhet të përfshijë sektorët që manaxhojnë burimet natyrore të vendit, në kornizën e reformës së thellë ekonomike, që deri tani ka njohur vetëm një seri ndërhyrjesh fiskale. Por këto ndërhyrje që nisin prej këtij viti të implementohen, nuk janë të qarta as për publikun që do t’u nënshtrohet, as për qeverinë – në lidhje me pasojat që ato do të prodhojnë në tregun e brendshëm. E thënë thjesht, eksperimenti fiskal – tek i cili unë kam besim, sepse besoj ekspertizën e zv.ministrit Florian Mima, duhet të përndiqet me reforma ekonomike zhvillimore.

Eshtë për këtë arsye, që shpresoj shumë që viti 2008 të jetë realisht një vit ndryshe, edhe pse qysh tani e di që do të jetë një vit pa energji, me çmime që rrahin të rriten dhe me një trend ekonomik të stepur.

Nuk më shqetëson papunësia, por mungesa e dëshirës për punë dhe niveli ende shumë i lartë i informalitetit, i cili nuk luftohet me Polici të Punës, por me antikorrupsion brenda kësaj policie.

Madje mua nuk më shqetëson as varfëria, por tendenca për të mos prodhuar instrumenta që të nxjerrin prej saj. Dhe këto instrumenta fillojnë me incentivat për investime të brendshme, duke favorizuar bashkëpunimin e investitorëve të huaj me sipërmarrësit shqiptarë. Këto gjetje arrihen me analiza mbi produktivitetin e mundshëm të çdo njësie vendore, me bashkëveprim ndër-institucional dhe politik, të ngritur mbi një vizion për zhvillimin e ballancuar rajonal.

Kemi lënë pas një vit të vështirë. Kjo është e vërteta. Të tjerat janë punë, që nuk i kemi bërë ende.

Italia, Shqipëria dhe tymi i qymyrit në mes

Nga Vehap S. Kola*

Vizita e kryeministrit italian, Romano Prodi, në Shqipëri ishte vërtet e rëndësishme, sidomos parë në këndin politik, kur Kosova është në prag të vetëpavarësimit, ndërsa Shqipëria përgatitet të marrë ftesën për anëtarësi në NATO dhe të afrohet më tej me Bashkimin Evropian.

Por, në të njëjtin këndvështrim, nevojat kombëtare të shqiptarëve prodhojnë ndaj Italisë ato raporte, kur shtetet kanë shansin të ndërtojnë realpolitikën e tyre. Kështu, pyetja shtrohet: Çfarë duhet të japë Shqipëria, për të marrë atë që dëshiron nga Italia? Çfarë pret ajo realisht?

Sigurisht jo ironinë e profesorit me më shumë peshë në Bruksel sesa në Romë, i cili e përmbylli bisedën e tij me fjalët “në pritje të ndërtimit të impiantit (me qymyr – të cilin e kërkoi “Enel”- shënimi im), ju uroj shi e borë të begatë”.

Qartazi, Prodi kërkoi që kompania me pjesëmarrje shtetërore “Enel” të lejohet të ndërtojë TEC-in me qymyr në Shqipëri, që “Enel” e “Terna” (po me pjesëmarrje shtetërore italiane) të ndërtojnë linjën, e cila do ta sjellë këtë energji (70% të saj) në Evropë dhe që operatorët e tjerë italianë të mund të ndërtojnë depozitat e naftës e të gazit, sipas kërkesave të tyre - tashmë të mirënjohura - në Shqipëri. Prodi foli për një “Politikë të përbashkët energjitike”, ndërsa theksoi se “Shqipëria nuk mund ta ruajë ritmin e rritjes (ekonomike- shën.im), nëse nuk ka një politikë të madhe investimesh energjitike” – duke nënkuptuar Italinë.

Politikë e madhe apo politikë investimesh?

Është e vërtetë se Italia ka qenë shumë aktive, edhe pse disa herë në mënyrë të paqartë, në angazhimet e saj ndërkombëtare lidhur me energjinë. Marrëveshja e fundit që z.Prodi nënshkroi me presidentin rus, Putin, duke mbështetur përfshirjen e grupit “ENI” në një investim të “Gazprom” në Detin e Zi (South-stream), u quajt madje si kërcënim për politikat evropiane të energjisë, ngase ky korridor gazi që anashkalon Turqinë dhe Ukrainën sfidon një prej investimeve më të rëndësishme të BE, “Nabucco”-n dhe e varëson më thellë Evropën nga gazi rus.

Krejt në të kundërt, në janar 2007, Italia nënshkroi me Greqinë një marrëveshje, ku “DEPA” greke dhe “EDISON”-i do të ndërtonin një gazsjellës ballkanik, për të shmangur varësinë e korridoreve evropiane të gazit nga kontrolli rus. Në fakt, çfarë synon realisht Italia?

Krahasuar p.sh., me Gjermaninë, e cila ka arritur natyrshëm të bëhet nyja ku gërshetohen linjat kryesore të energjisë për Evropën, Italia është ende në kërkim të pozicionit të saj. Një gjë është e sigurt: roli i saj në fushën e energjisë nuk është thjesht komercial, as privat. Ai është shtetëror. Politik.

Pas një beteje “blerjesh” dhe “shkrirjesh” që shpalosën distanca nacionaliste dhe shprehje të rënda proteksionizmi në tregun e përbashkët evropian, kompanitë evropiane të energjisë më shumë se kurrë kanë marrë sot karakter nacional dhe përkatësi politike shtetërore. Kjo klimë e shpjegon mirë angazhimin e z.Prodi në këtë përpjekje të kompanive italiane për të zgjeruar terrenin e tyre në Shqipëri. Por ajo nuk shpjegon dot kërkesat e tij.

Çfarë kërkoi Romano Prodi në Tiranë?

Në shkëmbim të mbështetjes institucionale dhe dorës së ngritur pro (askush nuk dëgjoi terminologjinë e vjetër të “avokatit të Shqipërisë” apo shqiptarëve), Prodi kërkoi që “Enel” të ndërtojë në Shqipëri një termocentral me qymyr me fuqi rreth 700 MW, siç e kishte kërkuar Fulvio Konti më herët, në Vlorë. Ai kërkoi që italianët jo vetëm ta prodhojnë energjinë në Shqipëri, por edhe ta përcjellin atë në Evropë dhe vlerësoi se Shqipëria është mundësia më e mirë e Italisë për të diversifikuar burimet e energjisë (me naftë, gaz), etj.

Z. Prodi nuk tha në Tiranë se shumë shpejt ai do të jetë i shtrënguar t’i mbyllë kompanisë “Enel” një termocentral me qymyr në Bridizi, ngase ai impiant tejkalon çdo normë ndotjeje të lejuar nga BE. Protestat e ‘Green Peace’ edhe në det kundër anijeve me qymyr që e furnizojnë TEC-in e “Enel”-it në Brindizi e kanë afruar këtë moment së tepërmi.

Nga ana e saj, qeveria e Shqipërisë, e cila nuk po arrin t’i garantojë kushte komode realizimit të një projekti të kompanisë ‘Petrolifera’ në Vlorë të nisur qysh në vitin 2000, e kishte të vështirë të pranonte botërisht ndërtimin e një TEC-i me qymyr në Vlorë. Debati, nëse koksi italian është më ndotës se qymyri i sjellë nga Indonezia apo Kina, është i kotë. Teknologjitë e reja të termoenergjisë përmes qymyrit duan të paktën edhe 5-7 vjet të tjera, përpara se të certifikohen. Ato të vjetrat kanë dalë jashtë përdorimit.

Atëherë, përse z. Prodi duhej ta merrte mundimin që të kërkonte për llogari të “Enel”-it një ndërhyrje, e cila ndoshta kërkon edhe 7-10 vjet të tjera që të përmbushet? Aq më tepër, kur jetëgjatësia e një kryeministri italian është jo më shumë se 2 vjet? Pastaj, pse për kompaninë “Enel”?

Të dhëna mbi “Enel” sipas “Enel”-it zyrtar

Faqja zyrtare e kompanisë italiane “Enel” (www.enel.it) shkruan se “Enel” është ndërmarrja më e madhe energjitike e Italisë dhe kompania e dytë sipas kuotimit në Evropë për kapacitetet e instaluara të saj.

“Enel” prodhon, shpërndan dhe shet energji dhe gaz në të gjithë Evropën, Amerikën e Veriut dhe Amerikën Latine. Pas blerjes së kompanisë “Endesa”, bashkë me partnerin e saj “Acciona” dhe pas ofertës publike për kompaninë ruse të gjenerimit “OGK-5”, “Enel” është sot i pranishëm në 21 vende të botës me një fuqi rreth 100,000 MW (prej tyre 19,000 MW energji të rinovueshme) dhe shërben rreth 60 milionë klientë me energji elektrike dhe gaz. E listuar në bursën e Milanos dhe Nju -Jorkut, “Enel” ka rreth 2,3 milionë aksionerë me një vlerë të kapitalizuar rreth 50 miliardë Euro.

“Enel” është gjithashtu shpërndarësi i dytë më i madh i gazit natyror në Itali, duke kontrolluar 12% të tregut me rreth 2,3 milionë klientët e tij.

“Enel” është shumë e pranishme në Evropë (Itali, Bullgari, Rumani, Rusi, Sllovaki, Greqi, Francë dhe Spanjë), Amerikë të Veriut (Kanada e SHBA) dhe Amerikë Latine (Guatemalë, Brazil, Kili, Kosta Rika, El Salvador dhe Panama). Përmes “Endesa”-s, “Enel” do të jetë e pranishme edhe në Portugali, Argjentinë, Peru, Kolumbi dhe Marok.

Në Spanjë, “Enel” është e pranishme në prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e energjisë elektrike përmes “Enel Viesgo” (2,200 MG) dhe “Enel Union Fenosa Renovables”, (hidro dhe energji ere).

Më 1 tetor 2007, “Enel” dhe “Acciona” iberike morën respektivisht 67% dhe 25% të aksioneve të “Endesa”-s spanjolle, duke kontrolluar 92% të kapitalit të kompanisë.

“Enel” në kontinentin amerikan kryeson në prodhimin e energjive të rinovueshme me “Enel North America” dhe “Enel Latin America” (1,000 MW fuqi të instaluar).

Në Francë, “Enel” ka blere “Erelis”, një shoqëri, e cila ka licencën për të ndërtuar 500 MW impiante eolike. Po ashtu, ajo ka nisur një proces vlerësimi për të blerë 12,5% të aksioneve nga “Energie de Francë” (EdF) për një projekt bërthamor. “Enel” ka 5% të bursës së energjisë së Francës “Powernext”.

Në Bullgari, “Enel” ka blerë në mars të vitit 2003 termocentralin me qymyr (linjit) ‘Maritza East III’, 840 MW.

Në Sllovaki, në shkurt 2005, “Enel” ka blerë 66% të shoqërisë “Slovenske Elektrarne”, me një kapacitet prodhimi 7,000 MW, i dyti për nga madhësia në Evropën Qendrore- Lindore, ku përfshihet prodhimi bërthamor, termo dhe hidroenergjitik.

Në Rumani, “Enel” ka blere në prill 2005, 51% të shoqërisë shpërndarëse të energjisë (“Electrica Banat ed Electrica Dobrogea”) , e cila mbulon 20% të tregut rumun.

Në Rusi, nga qershori 2004 deri në shtator 2007, në partneritet me grupin privat “ESN Energo”, “Enel” ka manaxhuar centralin NWTPP (‘North-West Thermal Power Plant’) në Shen Petersburg, i cili sot ka një kapacitet 900 MW.

Nga grupi ESN, “Enel” ka blerë edhe 49,5% të “RusEnergoSbyt”, një shoqëri që furnizon ndërmarrjet e mëdha ruse. Më 4 prill 2007, “Severnaya Energia” (një konsorcium ku “Enel” mban 40% dhe “Eni” 60% - me herët i quajtur “Enineftegaz”) bleu disa asete në sektorin e gazit natyror, që përfshin 100% të “OAO Arcticgaz”, 100% të “Urengoil” dhe 100% të “OAO Neftegaztechnologia”.

Po ashtu, “Enel” mban 37,15% të kuotave të kompanisë prodhuese të energjisë “OGK -5” (shoqëria “Genco nr.5”).

E fundit vetëm për nga radha, “Enel” ka shprehur interesin edhe në Kosovë për të ndërtuar termocentralin ‘Kosova C’, i cili duhet të prodhojë energji përmes linjitit më të mirë të Evropës nga miniera e Obiliqit. Vepra parashikohet që të ketë një fuqi të instaluar 2,100 MW dhe të kushtojë rreth 3 miliardë euro.

Kjo pamje është më se e mjaftueshme për të kuptuar se “Enel” nuk ka shumë nevojë për pika të reja gjenerimi të energjisë. Ajo tashmë i ka ato pranë tregjeve kryesore, ku edhe shet.

Asaj i duhen rrugët. Dhe Shqipëria është rruga.

Korridori perfekt i Ballkanit Përëndimor

Romano Prodi në Tiranë u angazhua të veprojë për ndërtimin sa më parë të Korridorit 8, një nismë amerikane e qenësishme, e cila u minua nga një shtet i Bashkimit Evropian për shumë vite, me shpresë se vonesat do ta bënin jo fizibël ndërtimin e tij.

Vetë Italia e zvarriti procesin duke e përdorur për politika të brendshme dhe duke shtuar portin e Barit (dhe atë të Vlorës) si dy porta shtesë të këtij korridori, në përpjekje për të gjallëruar situatën ekonomike të Mezzogiorno-s (jugu i Italisë).

Kriza energjitike e riktheu vizionin amerikan në qendër të vëmendjes së evropianëve, të cilët, të përçarë siç mbetën, zgjodhën rrugë shpesh kundërthënëse të zhvillimit individual.

Shqipëria në sytë e Italisë, brenda konceptit të Korridorit 8, u rivlerësua thjesht si ura e energjisë nga lindja në përëndim. Por nuk ishte vetëm Italia që nuk shihte më tepër në rolin e Shqipërisë.

Në projeksionin e Bankës Botërore për të ardhmen energjitike të Ballkanit, Shqipëria figuron si një vend thjesht konsumator dhe përcjellës i energjisë. Edhe pse vendi ka ende rreth 70% të burimeve ujore të pashfrytëzuara, Strategjia e Bankës Botërore e viteve 2000 nuk e sheh Shqipërinë si vend gjenerimi. I njëjti qëndrim u fiksua edhe në konferencën rajonale të Selanikut, në tetor 2002.

Qasja e kryeministrit Berisha për ta shndërruar Shqipërinë në eksportuese të energjisë ka qenë në këtë rast tejet e rëndësishme, së pari për të përmbysur pa konflikt këtë vizion të gabuar zhvillimor të të huajve ndaj vendit.

Realisht, parë nga përëndimi, ne jemi më pranë Evropës se çdo segment tjetër i Lindjes. Prirja e zhvendosjes së flukseve të energjisë aktualisht është nga lindja në përëndim, çka na favorizon së tepërmi ne, qoftë si korridor transporti ashtu edhe si prodhues të energjisë.

Në këtë drejtim, shfrytëzimi i kapaciteteve tona vetëm për transferim të flukseve të energjisë përgjatë korridorit global na gjymton në përfitueshmërinë kombëtare nga ky aset i jashtëzakonshëm gjeopolitik dhe ekonomik.

Shembulli i Bullgarisë dëshmoi po ashtu se bilanci pozitiv i energjisë i rrit së tepërmi shanset e një vendi për të fituar vendin e tij në familjen politike evropiane.

Ndërtimi i burimeve të gjenerimit të energjisë përfaqëson një kusht për të gjitha ato kompani që kërkojnë të ndërtojnë dhe operojnë linja interkonjeksioni për transmetimin e energjisë në përëndim. Kjo është kërkesa më e arsyeshme që qeveria shqiptare mund dhe duhet të aplikojë mbi çdo kompani që kërkon të hyjë në Shqipëri.

Ndërtimi i këtij partneriteti është kusht sine qua non, i cili hap perspektiva investuese për shoqëritë serioze, pa kufizuar mundësitë e zhvillimit të Shqipërisë në terma afatmesëm dhe afatgjatë.

A iu bë kjo kërkesë “Enel”-it? A iu kërkua italianëve që të respektojnë këtë interes kombëtar të Shqipërisë, përpara se të planifikojnë ndërtimin e centralit të tyre me qymyr, sigurisht, nëse gjejnë një qytet port që i pranon aty?

Parë në këtë prizëm, kjo qasje hedh disi më mirë dritë edhe mbi pyetjen e shtruar më lart: Pse z.Prodi mori përsipër të lëvizë sot për llogari të “Enel”-it, kur investimi gjenerues i kësaj kompanie nuk mund të përmbushet pranueshëm pa kaluar 7-10 vjet?

Kjo sepse interesi i Italisë në Shqipëri në këtë rast është vetëm ndërtimi i linjave të transmetimit të energjisë. Prej kësaj, e thënë pastër, Shqipëria nuk mund të përfitojë energji veçse kundrejt pagesës – njëlloj si pjesa tjetër e tregut evropian - nga një energji, e cila në fakt është prodhuar në një vend tjetër.

Kjo hipotezë ngjan edhe më bindëse, nëse “Enel” merr përsipër të ndërtojë një burim gjenerues me qymyr (linjit) në Kosovë, me fuqi 2,100 MW, apo duke pasur parasysh se “Enel” ka centrale të rëndësishme gjeneruese në Bullgari, por edhe në Rumani.

Le ta pohojmë pa komplekse se Italia thjesht synon të diversifikojë rrugët e transmetimit të energjisë së saj drejt Evropës, duke ulur kostot e transmetimit të energjisë.

Në këtë drejtim, në emër të partneritetit, bashkëpunimit dhe politikës së miqësisë, Shqipëria ka detyrën ta mbështesë Italinë, pa i cënuar megjithatë interesat e saj parësore: prodhimin e energjisë në vend me burimet ekzistuese hidro dhe termo, pa shkatërruar mjedisin dhe pa rrezikuar rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Por kjo rritje nuk sigurohet dot vetëm me “shi e dëborë të mbarë”, as me tym ndohtës nga qymyri, as vetëm me kabllo mbi-e-nën ujore.

Zgjidhja është kërkesa e palëkundshme që çdo kompani që kërkon të ndërtojë linja tregtare interkonjeksioni, pavarësisht se me Kosovën, Maqedoninë, Greqinë apo Italinë, duhet njëkohshëm të kontribuojë pozitivisht në bilancin e prodhimit të energjisë në Shqipëri, duke ndërtuar paralelisht njësi gjenerimi të energjisë.

Çdo shkelje e këtij parimi mund të justifikohet si një raison d’etat, por nuk do të përfaqësojë dot assesi një shërbim ndaj shtetit.

* Vehap S. Kola është analist i ekonomisë pranë Institutit shqiptar të Marrëdhënieve Publike

Kush do ta zbardhë historinë e diktaturës në Shqipëri?

Nga Vehap S. Kola*

Historia e minjve që vendosën t’i lidhin maces një zile në qafë, për ta dëgjuar afrimin e saj, mbaroi te pyetja se kush do t’ia lidhte maces atë zile. Në Shqipëri, lufta për dekomunistizimin e vendit nuk mund të ndodhë, për sa kohë që politikëbërësit, opinionbërësit dhe krerët e agjencive të zbatimit të ligjit vijnë si pinjollë të maces e jo të minjve.

Mirë apo keq, duhet ta pranojmë se demokracinë në Shqipëri e sollën komunistët. Dhe natyrisht ata e sollën atë ashtu siç dinin: një demokraturë. E thënë thjesht, modeli shqiptar i demokracisë erdhi nën sloganin “Poshtë komunizmi! Rrofshin komunistët!”

Kjo demokraturë u shfaq së pari në ruajtjen e padrejtësive të bëra mbi një shtresë të përmbysur, duke mos i dhënë asaj shanse të ri-integrohej në vendimmarrjen apo në fatet e vendit. Ajo duhej të mbetej tejet e zënë, duke u marrë me problemet e saj.

Kështu, ajo u dënua të mos rigjenerojë kurrë më vlerat morale të dinjitetit, pasi në një përqindje të madhe “sjellësit e demokracisë” kishin prova se ajo ishte përfshirë në mekanizmin e Sigurimit të Shtetit, pavarësisht se kjo kishte ndodhur përmes dhunës dhe rrezikut të shfarosjes.

Në këtë kornizë kësaj shtrese nuk do t’i njihej as kontributi historik që pati në kundërshtimin e një ideologjie çnjerëzore si komunizmi.

Po ashtu, asaj nuk ju njoh asnjë e drejtë për të rimarrë pronat e saj, duke iu hequr edhe shansi i vetorganizimit politik mbi bazën e pavarësisë ekonomike.

Është gati ironike që njeriu më i mëshirshëm me ta mbeti Ramiz Alia, i cili, pasi i vrau pabesisht në kufi, ra dakord t’i nxjerrë të mbijetuarit nga burgjet, ndërsa nxiti ngjarjen e ambasadave për t’i përzënë jashtë vendit.

Debati për hapjen e dosjeve në këtë drejtim, më shumë se për të mbajtur nën zap punëtorët operativë të Gramoz Ruçit, që mund të gjenden nga kafeneja e fundit e qytetit deri në parlament, është përdorur për të mbajtur nën shantazh të përndjekurit politikë.

Dështimi i bërjes së një hapi serioz drejt lustracionit politik në vitet 1995-1996 e ka bërë këtë aksion politik një dështim, i cili nuk ka shans të prodhojë efekte reale përveçse në interes të ndonjë lobi politik, që gati 20 vjet pas përmbysjes së regjimit, po përpiqet të ndërtojë me mbeturinat e diktaturës një profil të ri publik.

Rihapja për herë të fundit e këtij debati është vetëm një shaka pa kripë që rrezikon të fusë në cikël depresiv së pari ata, të cilët në diktaturë e humbën dyfish lirinë nga dashuria për jetën dhe tani në liri rrezikojnë të humbin nderin, pa pasur asnjë shans të jetojnë një ditë në paqe.

Ky vend ka ende njerëz të degdisur, që kanë mbetur në fshatrat, ku u internuan, pa pasur të ardhura të rikthehen të paktën atje nga ku i përzunë. Ky vend ka mijëra pronarë që për shkak të politikave elektorale populiste nuk kanë shans të dëmshpërblehen për humbjen kolosale historike të pësuar. Ky vend ka njerëz që kanë vuajtur dënime mizore që nuk shpërblehen dot me pará, sado e madhe të jetë gatishmëria për t’i dëmshpërblyer.

Raportet e politikës me këtë shtresë nuk menaxhohen dot më përmes teorisë së shkopit dhe karotës. As mund të përmirësohen ato përmes politikash thjeshtësisht sociale.

Politika e faktit të kryer në ekonomi e ka bërë këtë çështje një tokë të djegur.

Rivënia në vend me nder e këtij raporti kalon përmes një analize strategjike ekonomike dhe politike, ku shteti, nëse do, mund t’iu japë këtyre njerëzve shumë më tepër sesa lëmosha perspektive ligjore e financiare. Ndërtimi i një ekonomie të re, gjenerimi i programeve të financimit të SME-ve në pronësi të kësaj shtrese, kalimi i pjesshëm apo plotë i disa kompanive të mëdha shtetërore në pronësi të tyre përmes sistemit të bursës, dhënia e një statusi specifik në kreditim (një fond garancie për kreditë tregtare që mund të marrë kjo shtresë) etj., mund të ishin disa nga hapat e mundshëm.

Gjithsesi, i gjithë ky proces kërkon shumë më tepër se retorikë politike. Ai kërkon ekspertizë, kërkon vullnet politik për rehabilitimin e tyre moral, i cili sigurisht nuk kalon nëpër dosjet e Sigurimit, të cilat janë dritaret e fundit nga ku mund të shihet sesi një diktaturë shfytyron viktimat e veta.

* Ekspert pranë AIPR