Sunday, October 26, 2008

Rithemelimi i Kapitalizmit

Parashtrim

Kriza globale financiare ka pushtuar me një shpejtësi, tipike për epokën e informacionit, çdo qoshe të banuar të planetit duke mbjellur panik mes komuniteteve dhe familjeve. Njerëzit kanë disa pyetje mjaft fundamentale dhe ekspertët e tregjeve financiare nuk kanë përgjigje të qarta dhe të sigurta për to. Në një kuptim, e ardhmja e ekonomive familjare është kërcënuar më shumë se ndonjëherë tjetër në histori. Diskutimet midis specialistëve kanë vënë në dyshim edhe themelet filosofike të sistemit kapitalist. A është ekonomia e lirë e tregut përgjigja afatgjatë dhe e përhershme e kërkesës së njerëzimit për mirëqenie dhe përparim ekonomik dhe shoqëror? A ka propozime alternative për këtë aspiratë tokësore? A ka kontribute ekzistuese në filosofinë e ekonomisë politike të cilat nuk janë konsideruar? A është modeli i tregjeve, institucioneve dhe instrumentave financiare kapitaliste i vetmi model i suksesshëm apo ndonjë model tjetër ofron një rrugë më të sigurtë?

Diskursi është përqendruar në alternativën e sukseshme që kanë shpërfaqur disa institucione financiare të ashtuquajtura islamike, banka islamike, shoqëri sigurimesh islamike, instrumenta financiare islamike, dhe së fundi edhe tregje financiare islamike. Disa zëra mes opinionbërësve perëndimorë e kanë shprehur tashmë admirimin për këtë histori suksesi dhe ngulin këmbë fort që të nisë një terapi shoku për të dalë nga situata. Në bregun tjetër ka nisur festa. Ideologët muslimanë nuk pritën gjatë por u ngjitën menjëherë në foltoret e sallave të mbushura plot, u shfaqën në ekranet e televizioneve dhe mbushën faqet e gazetave me kujtesat e triumfit dhe profetizimet apokaliptike të rikthimit në udhën e drejtë të njerëzve të rëndësishëm dhe të pushtetshëm. Masat e evangjelizuara dhe rrymat evangjelizuese mes nesh janë shumë entuziastë sepse e shohin këtë debat si shenja e kohës për ngadhënjimin e së vërtetës. Ne do ta përqëndrojmë përpjekjen tonë në vlefshmërinë dhe shkallën e vërtetësisë së kësaj klime.

1. Shkaqet e Krizës Financiare Globale

1.1. Babëzia – Rrënja e Krizës

Mendoj se të gjithë shkaqet e krizës financiare globale mund të përmblidhen me një fjalë të vetme – BABËZI. Prej vitesh u jepnin hua për shtëpi njerëzve që nuk ishin në gjendje t’i përballonin pagesat e larta të kësteve. Por këtë gjë e bënë sepse nuk humbnin asgjë. Huadhënësit ishin në gjendje të ngrinin normat e interesit dhe të fitojnë gjithnjë e më shumë nga hipotekat. Ndërkohë që njerëzit nuk mund të përballnin këto interesa të larta, i nxorën shtëpitë e tyre në treg.

E gjithë historia është një skemë e madhe. Çdo gjë po shkonte mirë ndërsa shtëpitë po shiteshin si byrekët në treg dhe vlera e tyre rritej përmuaj. Huachënësit i lehtësuan proçedurat e huadhënies ndërkohë që kërkesa e lartë për to rriti vlerën e shtëpive. Por vlera e rritur e shtëpive nënkuptonte se bankat mund të jepnin gjithnjë e më shumë hua hipotekare. E gjithë kjo sillte më shumë ujë në jazin e bankave dhe shoqërive të sigurimit.

Fatkeqsisht shumë njerëz nuk arritën të paguajnë këstet e huasë dhe kjo, sipas sistemit amerikan të financimeve me hipotekë, solli konfiskimin e pronave nga ana e bankave. Më shumë shtëpi seç mund të shiteshin u konfiskuan dhe kjo solli një situatë negative likuiditetesh (paraje). Letrat me vlerë të mbështetura nga hipotekat u bënë më të pasigurta dhe më të pavlefshme duke i bërë kompanitë e investimit të vuajnë për fonde dhe të falimentojnë. Pak a shumë, në të njëjtën mënyrë pësuan disfatë edhe kompanitë e sigurimeve.

1.2. Kriza e Besimit – Leva e Krizës

Simptomi më rrënues që po vuajnë tregjet financiare ndërkombëtare është kriza e besimit. Besimi i investitorëve është goditur rëndë. Ata janë të frikësuar nga zhvillimet e ardhme dhe kanë pritshmëri shumë ogurzeza. Dje, Wall-Street provoi një rënie prej 10% dhe tregues të krahasueshëm karakterizuan edhe bursat kryesore europiane, përkatësisht, Amsterdami 5.7%, Parisi, 5.19%, Frankfurti 6.1%, Londra 4.1% dhe Madridi 4.74%.

Ndërhyrjet e qeverive për t’u ofruar bankave likuiditete janë konsideruar të pashpresa dhe të padrejta. Qeveritë do të blejnë aksione të preferuara nga bankat me paratë e taksapaguesve. Opinionistët dhe analistët janë të mendimit se kjo jo vetëm nuk do të mjaftojë, por është edhe një keqpërdorim i hapur i fondeve publike për interesa private të një kategorie njerëzish, siç janë bankierët. Kostot e kësaj krize duhet t’i paguajnë ata, ashtu siç ishin ata përfituesit e vetëm nga spekulimet dhe manipulimet që paraprinë rënien. Prandaj, është e pritshme që megjithë ndërhyrjen e pashembullt të qeverive, kriza e besimit do ta rrisë shpejtësinë e rënies së ekonomive.

2. Parimet dhe Tiparet e Sistemit Ekonomik islam

2.1. Ekonomia e Teuhidit.

Operacionet e papërfunduara e përkeqësojnë gjendjen shëndetësore ose sjellin vdekjen e të sëmurit. Prej dekadash ekonomistët muslimanë i kanë drejtuar orvatjet e tyre shkencore përnga mikroproblemi i kamatës (riba), duke dështuar të prodhojnë zgjidhje për problemin madhor të hendekut të pasurisë. Po. Ngarkimi i huave me interes është një faktor kontributiv, por jo më i rëndësishmi. Të ashtuquajturat banka islamike u themeluan dhe i kanë rritur pasuritë e tyre deri në qindra miliarda dollarë duke i detyruar besimtarët që të investojnë paratë e tyre në këto institucione si një kërkesë e fesë së tyre. Në fakt këto banka dhe veçanërisht degët islamike të gjigandëve trans-nacionale, janë të rrejshme si mjete të nxitjes së drejtësisë ekonomike sakohë ato i janë bashkëngjitur lirshmërisht sistemit bankar global me gjithë defektet e tij institucionale, me qëllim që të përshtaten në të.

Në Islam, çdo gjë është e ndërlidhur sipas kryeparadigmës së teuhidit. Kjo koherencë e unitetit në diversitet, që reflekton Njëtimin e Krijuesit, është shfaqur në formën e atyre që juristët e mëdhenj të Islamit i kanë quajtur parimet universale të drejtësisë. Në terminologjinë juridike islame ato njihen me termin mekasid el sheri’ah.

Kundërtia më e madhe e kësaj ideologjie moderne muslimane ashtu si edhe e mendimit shekullar perëndimor është hakk el mal (e drejta e pronës). Kuptimi thelbësor i këtij parimit të drejtësisë ekonomike është respekti për shenjtërinë e pronës private të faktorëve të prodhimit dhe për të drejtën universale të çdo personi mbi pronësinë e kapitalit. Ky diskutim ka lindur sepse në mendimin shekullar asgjë nuk është e shenjtë. Çdo skaj i Krijimit është i tregëtueshëm, sepse nuk ekziston koncepti i teuhidit për të dhënë një tjetër kuptim.

Ashtu siç kanë vepruar më parë dinastitë despotike të vendeve të Lindjes së Mesme, kur bashkërenduan pushtetin e tyre ushtarak me pushtetin psikologjik të klerikëve të korruptuar, për të përjetësuar mbretëritë e tyre, ashtu po veprojnë edhe institucionet financiare të ashtuquajtura islamike. Ky është modeli perëndimor i prodhimit të pushtetit: kasta ekonomike dhe kasta politike (në mos qofshin e njëjta), bashkërendojnë potencialet e tyre për të garantuar komoditetin e tyre material dhe politik.

2.2. Dy Parimet e Drejtësisë Ekonomike (Adaleh)

Ekonomiksi islam mbështetet në paradigmën që ka si objektiv kryesor drejtësinë (adaleh) ekonomike dhe shoqërore. Ky objektiv zë fill në besimin se qeniet njerëzore janë mëkëmbës të Zotit në tokë, janë vëllezër dhe burimet e dhuruara janë një mirëbesim prej Tij për të krijuar mirëqenien e njerëzimit. Koncepti islamik i drejtësisë ekonomike ngrihet mbi dy parime. I pari është sovraniteti i padiskutueshëm i Allahut mbi gjithë krijimin. Kjo nënkupton se askush nuk është pronari përfundimtar dhe i padiskutueshëm i mjeteve të prodhimit. Pronësia mbi kapitalin, tokën dhe punën jep të drejtën e gëzimit të përfitimeve por edhe përgjegjësinë e për t’i përdorur me ndershmëri dhe drejtësi dhe për të përmbushur përgjegjësinë sociale ndaj shtresave të mënjanuara.

Ky element social në pronësinë private mbështetet në vlerën islame të njohur si infak – të japësh dhe jo vetëm të marrësh. Paçka se kjo është një vlerë e dhuruar brenda çdo personi, ajo duhet edukuar kulturalisht për të përmbajtur natyrën egoiste të gjithësekujt, nefs el emmara ose “uni urdhërues dhe kërkues”. Kështu mund të kuptohet pse një prej pesë shtyllave të Islamit është bamirësia. Bamërësia përfshin dhëniën vullnetare (sadaka) dhe tatimin e detyruar (zekat) që llogaritet mbi intensitetin kapital të mjeteve të prodhimit me norma zbritëse në raport me rritjen e kontributit njerëzor në to përmes punës apo kapitalit. Fitimi nga puna tatohet me 2% (jo e ardhura), por fitimi nga toka e punuar tatohet me 10% ndërsa fitimi nga toka e papunuar, minierat, guroret, etj tatohet me 20%, pasi toka është krijuar nga Zoti. Kjo qasje krijon nxitësa për të zhvilluar teknologjinë dhe për të shtuar ndërhyrjen njerëzore me qëllim përmirësimin e saj.

Parimi i dytë themelor i ekonomisë Islame është se pushteti ekonomik dhe pushteti politik janë të ndërvarur. Drejtësia ekonomikë nuk është thjesht një aspekt i drejtësisë politike por garanton themelin e saj. Ajo është gjithëpoaq e pamundur pa të. Kjo është pjesë e konceptit islam të teuhidit, ndërvarësisë së gjithçkaje në kozmos. Troshitja e diturisë në pjesë të palidhura është shkaku parësor i kaosit. Zgjidhja e vetme është rivendosja e kozmosit.

Produkti më i rëndësishëm i këtij parimi të dytë të mendimit ekonomik islam dhe aspekti më i rëndësishëm i hakk el mal është njohja se pronësia mbi mjetet e prodhimit është një e drejtë njerëzore universale. Ajo nuk mund të uzurpohet nga qeveria, as nuk mund të jetë monopol i kastave ekonomike gjë që ka krijuar barriera midis vendeve dhe shtresave shoqërore duke thelluar një hendek galopant në shpërndarjen e pasurisë.

2.3. Dy Filtra Balancues

Mund të duket se përdorimi i filtrit moral në përdarjen dhe shpërndarjen e burimeve përjashton rolin e rëndësishëm që luajnë tregu dhe çmimet. Në fakt filtrimi moral e përmirëson funksionimin e mekanizmit të tregut në mënyrë që të realizojë më plotësisht objektivin e drejtësisë sociale dhe ekonomike. Ai nuk e zëvendëson lojën e forcave të tregut por e harmonizon atë. Kjo rrjetë synon të zgjidhë problemin e nevojave të pakufizuara dhe pretendimeve të pakufizuara ndaj burimeve në rrënjët më të thella – në ndërgjegjen e individëve – duke orientuar preferencat e tyre brenda kërkesave të objektivave normativë.

Filtri moral është i nevojshëm sepse nuk ekziston një harmoni e vërtetë midis interesave vetjake dhe sociale. Ai synon të realizojë një harmoni të tillë duke ndryshuar preferencat në përputhje me përparësitë shoqërore dhe duke zhdukur apo zbutur përdorimin e burimeve për qëllime që nuk ndihmojnë realizimin e objektivave normativë. Pasi ka kaluar këtë sitë, kërkesa për burime që përshkon filtrin e çmimeve të tregut arrin të jetë më efektive në krijimin e një ekuilibri tregu të përputhshëm me objektivat normativë. Një efekt i drejtëpërdrejtë që shkakton kjo rrjetë e dyfishtë është reduktimi substancial i ndikimit të pushtetit dhe pasurisë në përndarjen dhe shpërndarjen e burimeve.

Lind problemi i motivimit. Çfarë do t’i shtynte të pasurit dhe njerëzit e pushtetshëm që të kanalizonin aktivitetin e tyre përmes ketij mekanizmi nëse ai cenon interesat e tyre vetjake? Do të ishte e paarsyeshme të pritet që një njeri i mençur të vepronte me plotmendje kundër interesit të tij. Si e zgjidh ekonomiksi islam këtë problem? Zgjidhja ka dy plane: plani shpirtëror dhe plani ekonomik. Islami i tejzgjat aspiratat e individit përtej kufinjve të lëndtë të kësobotshëm dhe babëzisë individualiste. Nga ana tjetër shkalla e ndërhyrjes fiskale është e lidhur në mënyrë të zhdrejtë me shkallën e ndërhyrjes së individit në faktorët e prodhimit.

Sigurisht ekonomia politike islame parashikon krijimin e një ndërtese të integruar sociale, politike dhe ekonomike që optimizon arritjen e objektivave të saj normativë. Të falurit në xhami, agjërimi, bamirësia dhe pelegrinazhi nuk janë i tërë programi për të ngritur një ndërtesë të tille. Edukimi i publikut me të jetuarit e thjeshtë dhe reduktimin e shpërdorimeve, shton kursimet, investimet, punësimin dhe rritjen ekonomike. Natyrisht kjo nuk mund të kuptohet në kushtet e një sistemi tjetër mendimi, siç është ai laizess faire sepse premisat janë krejt të ndryshme.

2.4. Roli i Shteti

Një ristrukturim socio-ekonomik kaq i thellë, i destinuar për të aktualizuar objektivat e pritura dhe për të pakësuar shpërpjesëtimet dhe padrejtësitë e soçme nuk mund të vihet në jetë pa një rol aktiv të shtetit në ekonomi. Jo vetëm që mund të ketë individë të pabindur ndaj vlerave juridike dhe morale të shoqërisë por edhe burimet mund të jenë ngushtësisht të kufizuara dhe në kondita të tilla filtri i dyfishtë i propozuar më lart nuk do të mjaftonte.

Shteti duhet të luajë rolet që përgjithësisht njihen: siguria e brendshme dhe mbrojtja, drejtësia dhe shmangia e papërsosmërive e dështimit të tregut, krijimi i një mjedisi të favorshëm për realizimin e objektivave sociale, përcaktimi dhe promovimi i prioriteteve mbarëshoqërore, edukimi i publikut dhe mbështetja e sektorit privat për të garantuar suksesin e objektivave të pranuara.

Roli i veçantë i shtetit islam në ekonomi, më shumë se sa një ndërhyrje apo kolektivizim, është të ndihmojë qëndrimin e mekanizmit të tregut në shinat e marrëveshura dhe parandalimin e copëzimit nga interesat e të fuqishmëve dhe të pasurve. Sa më i madh të jetë motivimi i njerëzve për të jetësuar vlera islame, sa më efektivë të jenë instituciont sociale, ekonomike dhe politike në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për ruajtjen e ekuilibrit midis burimeve dhe kërkesave, aq më i vogël do të jetë roli i shtetit në ekonomi.

3. Ndryshimet Filosofike Midis Sistemit Ekonomik Kapitalist dhe Sistemit Ekonomik Islam

Ndërsa rrënjët fetare të ekonomiksit islam janë të dukshme, rezultatet nuk janë plotësisht të tilla. Praktika e ekonomiksit islamik është parathënë si vullnet i Allahut, dhe kësisoj ofron shumë pak alternative për shtetin islam. Kapitalizmi lindi nga mendjet e vdekatarëve perëndimorë. Pozita e Zotit në ekonomiksin kapitalist është irrelevante dhe trajtohet mjaft rrallë nga ekonomistët kapitalistë. Kapitalizmi e orienton veten përnga dëshirat e njerëzve, dhe jo të Zotit. Ky sistem është ndërtesë e njeriut, dhe si e tillë pasqyron krisjet e tij, papërsosmëritë dhe vetëmjaftueshmërinë. Origjina johyjnore e kapitalizmit e ka bërë atë të papranuar mes fetarëve. Zbatimi besnik i ekonomiksit islam i kushtohet kuptimit të myslimanëve rreth konceptit të bindjes ndaj Allahut. Për ta, shmangia nga sistemi ekonomik i shpalljes nuk përbën një opsion.

Kapitalizmi lindi nga parime të shumta ekonomike, prej të cilëve një ndër më të rëndësishmit është pamjaftueshmëria e burimeve. Ashtu siç u shpall nga Tomas Maltus në 1798, kufizueshmëria e burimeve i referohet faktit se ekziston një sasi e fundme burimesh materiale në Tokë dhe dëshira e nevoja të pafundme nga njerëzit. Vlerat e burimeve planetare lidhen direkt me kufizueshmërinë e tyre relative.

Ekonomistët myslimanë e mohojnë teorinë e kufizueshmërisë së burimeve, sepse ajo nënkupton papërsosmërinë e natyrës dhe planit të Allahut. Kurani rrëfen se Allahu ka siguruar me bollëk çdo send që i nevojitet qenies njerëzore për të jetuar. Nisur që këtu, studiuesit e ekonomiksit islam pretendojnë se nuk ekziston ndonjë pamjaftueshmëri në natyrë. Në fakt, kufizimet e kapaciteteve prodhuese të njerëzimit janë ato që shkaktojnë pamjaftueshmëri dhe, për pasojë, vlerë. Produkt i atij që u quajt “problemi ekonomik” është i njëjti shikuar nga këndvështrimi kapitalist apo islamik, përderisa ato arrijnë në të njejtin cak duke përdorur argumenta të ndryshëm.

Sadoqë kapitalizmi dhe islamnomiksi përputhen disi rreth kufizueshmërisë, ata ndajnë pikëpamje të ndryshme për temën e interesit, ose riba-së, siç e etiketon Kurani. Riba-ja është e ndaluar rreptësisht nga Sheriati dhe si e tillë e ndaluar edhe në sistemin ekonomik islam. Rrënja arabe e fjalës riba është “me rritë”. Në kuptimin ekonomik, riba është rritja e vlerës së një aseti përkarshi të njëjtës kategori asetesh.

Sipas ekonomiksit islam, e vetmja mënyrë e ndershme e tregtimit të mallrave të ngjashëm është ndërrimi i tyre për kokë. Ribaja shfaqet në dy forma: riba-ul-fadl dhe riba-un-nasijjeh. Riba-ul-fadl është akti i shkëmbimit të një malli (vlere) me mall të ngjashëm në një sasi më të madhe. Ari duhet të shkëmbehet me ar në të njëjtën sasi dhe mielli do shitur për po aq miell. Cilësia e mallit është irrelevante, prandaj mielli më cilësi më të dobët nuk mund të shkëmbehet me një sasi më të vogël mielli me cilësi më të mirë.

Riba-un-nasijeh është huadhënia i një produkti për një periudhë kohe, në fund të të cilës huadhënësi merr një sasi më të madhe nga i njëjti produkt. Për nga efekti, kjo është e njëjta gjë me interesin e llogaritur mbi principalin nga institucionet financiare kapitaliste. Kur pranon të japë një hua, banka pret që në maturim huamarrësi të kthejë borxhin plus interesin. Ky sistem interesi dhe kreditimi, që është kaq thelbësor për ekonomiksin kapitalist, përsakohë është themeli i huadhënies për individët dhe kompanitë, është i ndaluar në sistemin ekonomik islam.

Natyra e ndaluar e interesit në ekonomiksin islam dhe nevoja për interesin në kapitalizëm është dallimi më i madh ndërmjet dy sistemeve ekonomike. Dallimet e mëtejshmë ndërmjet tyre mund t’i atribuohen qëndrimeve të ndryshme që kanë palët përkarshi interesit apo riba-së.

Një rrjedhojë direkte e qëndrimeve të ndryshme ndaj interesit janë sistemet monetare. Në shumicën e ekonomive kapitaliste, paraja krijohet përmes huadhënies. Kur një depozitues vendos paratë e tij në një bankë, kjo e fundit do t’ia japë hua një pale të tretë një pjesë të mirë të kësaj depozite, duke pritur që për këtë të marrë interesa. Depozituesi vazhdon të ruajë pronësinë mbi shumën e parave që ka depozituar dhe huamarrësi është kredituar me po të njejtën pasuri, që nënkupton se tashmë paraja është e tij. Mekanizmi i krijimit të parasë lëviz gjithë sistemin ekonomik kapitalist dhe siguron mbështetje monetare për një rritje të vazhdueshme të Produktit të Brendshëm Bruto (GDP).

Për shkak të kësaj metode të krijimit të parasë që përfshin huadhënien me interes, sistemet ekonomike islame nuk mund ta lejojnë atë. Ekonomiksi islam kërkon vetëm një bankë qëndrore të ngarkuar me funksionin e ofertës monetare dhe prerjen e parasë. Për më tepër, është e nevojshme mbështetja mbi një standard ari dhe argjendi. Në një shtet të pastër islam, e gjithë oferta monetare duhet të garantohet nga një sasi ari dhe argjendi, ose duhet të prodhohet duke përdorur njërën prej këtyre dy metaleve të shtrenjta. Kjo bëhet për të siguruar qëndrueshmëri të monedhës dhe për të shmangur zbatimin e riba-së në shkëmbimet e përditshme të mallrave dhe shërbimeve.

Grumbullimi i kapitalit është një tjetër aspekt i ekonomiksit ku dallojnë dy sistemet si rrjedhojë e këndvështrimeve të ndryshme ndaj interesit. Kapitali është ajo që zotërohet dhe që mund të prodhojë më shumë pasuri. Akumulimi i kapitalit është skajshmërisht i rëndësishëm për suksesin e shoqërisë kapitaliste, sepse pasuria, në formën e produktit apo interesit, mund të përftohet nga kapitali.

Ekonomiksi islam e konsideron akumulimin e kapitalit si shprehje e babëzisë. 57 hadithe trajtojnë pronësinë e tokës bujqësore, përbërësja më themelore e kapitalit në shoqërinë agrare. Këto hadithe shpërfaqin pakënaqësinë e Profetit (s) ndaj ndarjes së prodhimit dhe vjeljes së qerasë (në formën e prodhimit bujqësor) për tokën bujqësore. Në vend të kësaj, toka duhet të kultivohet nga pronari dhe ajo që nuk shfrytëzohet dot duhet t’u jepet falas muslimanëve të tjerë apo t’u jepet me qera për një vlerë ari ose argjendi. Akumulimi i kapitalit ndërkohë që të tjerët vuajnë mungesën e burimeve është kundër idealeve islame. Renta në prodhim nga pasuria e tepruar dhe rezervimi i kapitalit janë në kundërshtim me premisat e edaleh dhe ummeh.

Me pothuaj të njejtën ngjyresë të dallimit mbi grumbullimin e kapitalit, dallojnë edhe qëndrimet e sistemeve ndaj konsumatorit. Konsumatori kapitalist udhëhiqet nga fuksioni i dobisë, i cili dikton parimin “më shumë, më mirë”. Kjo sjellje njihet si “maksimizimi i dobisë” dhe shihet me përçmim nga ekonomiksi islam. Në vend të kësaj, konsumatori islam mësohet të marrë vendime për të maksimizuar kënaqësinë e Allahut. Islami e dënon rreptë koprracinë dhe shpërdorimin. Të gjithë konsumatorët muslimanë janë të detyruar të bëjnë blerje të moderuara, edhe pse vlerësimi i nivelit të konsumit të moderuar është objekt debati ndërmjet shkollave të ndryshme të mendimit ekonomik islam. Ky qëndrim përmbajtës ndaj blerjeve teorikisht zhduk nevojat për artikuj luksi dhe reklame, të cilat ekzistojnë në përgjigje të konsumerizmit.

Në përfundim, ekzistojnë shumë dallime midis kapitalizmit dhe ekonomiksit islam. Pagimi i interesave dhe ndalimi i riba-së janë dallimi më i madh ndërmjet dy sistemeve ekonomike. Për më tepër, islamonomiksi nuk është jetësuar plotësisht në ndonjë vend. Në vend të kësaj, shtetet myslimane orvaten të mbajnë sisteme ekonomike që janë islame aq sa mund të jenë, ndërsa përmbushin nevojat e industrive dhe tregjeve të tyre.

4. Tregje, institucione dhe instrumenta financiare islamike

4.1. Bankingu Islamik Modern

Historia e bankingut islamik ka përshkruar dy faza qartësisht të dallueshme prej njëra-tjetrës. Faza e parë qe faza e përpunimit të idesë dhe promovimit të saj ndërsa faza e dytë qe prurja në realitet e idesë përmes nismave private në disa vende apo me ligj në disa të tjera. Misioni i tyre ishte ofrimi i shërbimeve bankare për klientët e besimit musliman pa normë interesi. Banka e parë që u formua në këtë drejtim ishte Banka Islamike e Dubait në vitin 1975. Ajo u themelua nga një grup bisnesmenësh nga vende të ndryshme. Që atëherë, bankat islamike e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre dhe e kanë pasuruar listën e produkteve dhe shërbimeve, duke krijuar një alternativë mjaft konkurruese për bankingun konvencional, të bazuar mbi normën e interesit. Më tej do të shqyrtojmë disa nga produktet dhe shërbimet që ofrojnë ato.

4.1.1. Llogaritë e depozitave

Të gjitha bankat islamike ofrojnë tre lloj llogarish depozitimi: llogari të rrjedhshme, kursimi dhe investimi.

4.1.1.1. Llogaritë e rrjedhshme

Llogaritë rrjedhëse janë të të njejtës formë dhe funksionojnë njësoj me llogaritë rrjedhëse në bankat konvencionale. Depozitat janë të garantuara.

4.1.1.2. Llogaritë e kursimit

Llogaritë e depozitave të kursimit funksionojnë në mënyra të ndryshme. Në disa banka depozituesit i lejojnë bankat që të përdorin paratë e tyre në këmbim të një garancie që ata do të marrin shumën e plotë të kursimit. Bankat kanë përshtatur metoda të ndryshme për të joshur klientët por pa premtuar fitim. Në disa raste të tjera, llogaritë e kursimit trajtohen si llogari investimi por gjithnjë duke u investuar në projekte afatshkurtra me risk relativisht të ulët.

4.1.1.3. Llogaritë e Investimit

Depozitat për investime pranohen për një periudhë të fiksuar ose të pakufizuar kohe dhe investitorët bien dakord paraprakisht për të ndarë fitimin (ose humbjen) në një raport të caktuar me bankën. Kapitali nuk garantohet.

4.1.2. Mënyrat e financimit

Bankat kanë përshtatur disa lloj mënyrash për të siguruar fonde dhe për të financuar projektet. Por ato mund të klasifikohen globalisht në tre kategori: financimi i investimit, financimi tregtar dhe hua.

4.1.2.1. Financimi i Investimit

Kjo bëhet përmes tre mënyrave kryesore: a) Musharaka, ku banka i bashkohet një enti tjetër për të krijuar një joint-venture, secila prej palëve merr pjesë në aspekte të caktuara të projektit në shkallë të ndryshme. Fitimi dhe humbja ndahen në një mënyrë të parathënë. Ky koncept është shumë afër joint-venture. Biznesi i financuar është një entitet më vete dhe banka tërhiqet gradualisht pas një periudhe fillestare. b) Mudarabha, ku banka kontribuon finaciarisht dhe klienti ofron ekspertizën, menaxhimin dhe punën. Fitimet ndahen nga vetë palët në një raport të përcaktuar paraprakisht, por nëse rezulton humbje, ajo mbulohet nga banka. c) Financimi mbi bazën e një norme të vlerësuar kthimi. Nën këtë skemë, banka vlerëson një normë të pritur kthimi të projektit specifik për të cilin kërkohet financimi dhe ofron financimin për të marrë të paktën këtë normë. Fitimi mbi normën e pritur shkon për klientin ndërsa banka pranon edhe një fitim real më të ulët se kjo normë. Në rast të një rezultati negativ, klienti dhe banka ndajnë humbjen.

4.1.2.2. Financimi tregtar

Edhe kjo mënyrë financimi shfaqet në forma të ndryshme. Më kryesoret janë: a) Mark-up, ku banka bie dakord të blejë asetin për llogari të klientit dhe klienti pranon të paguajë çmimin bashkë me një normë fitimi të përcaktuar paraprakisht për bankën në një periudhë të mëvonshme. b) Lizingu (Leasing) ku banka blen asetin për llogari të klientit dhe ai i shlyen detyrimin bankës me këste, shuma e të cilave është më e lartë se çmimi fillestar i asetit. c) Shit dhe blej përsëri ku klienti i shet bankës një prej pasurive të tij dhe e blen atë për një çmim të rënë dakord në fund të një periudhe të përcaktuar kohe. d) Letra e kreditit ku banka garanton importet e klientit me fondet e saj dhe ndan fitimin nga shitja e importeve sipas modelit mark-up.

4.1.2.3. Huaja

Format kryesore të huasë janë: a) Huatë me një tarifë shërbimi përmes së cilës banka jep hua fondet pa normë interesi por e ngarkon atë me një tarifë shërbimi. Niveli tavan i kësaj tarife mund të përcaktohet nga autoritetet. b) Huatë pa kosto ku secila bankë parashikon një pjesë të fondeve për të ofruar hua pa kosto për personat në nevojë si p.sh. fermerët e vegjël, sipërmarrësit, prodhuesit, etj, dhe për konsumatorët në nevojë. c) Overdrafti që ofrohet deri në një nivel tavan, pa kosto.

4.1.3. Shërbimet

Shërbimet e transferimit, mbledhjes së faturave, tregëtimit në valuta të huaja, ku nuk angazhohen fondet e vetë bankës, janë subjekt i një komisioni apo një tarife.

4.1.4. Financimi

Bankat islamike përfshihen edhe ne veprime me vëllime të larta monetare siç janë, projektet afat-gjata, shpenzimet kapitale dhe financimi i nevojave për kapital punues, si dhe huatë për qeveritë. Praktika e këtyre operacioneve bankare është e bazuar në parimin e ndarjes së humbjes dhe fitimit nga projekti.

4.2. Industria Islamike e Sigurimeve (Tekaful)

Tekafuli është një koncept islam i sigurimeve bazuar në transaksionet bankare islamike dhe që respekton rregullat e sheriatit islam. Ky koncept i ka rrënjët në fjalën arabe kefaleh, që ka kuptimin “të garantojmë njëri-tjetrin” apo “bashkë-garantim”. Në parim, tekaful-i është i bazuar në bashkëveprimin reciprok, përgjegjësinë, sigurinë, mbrojtjen dhe ndihmën ndërmjet grupeve pjesëmarrëse.

Parimet e Tekafuli-t janë:

§ Policëmbajtësit bashkëpunojnë mes tyre për të mirën e përbashkët

§ Secili nga kontribuesit paguan kuotën e anëtarësisë për të ndihmuar ata që përballen me rreziqet.

§ Humbjet ndahen dhe detyrimet përndahen sipas sistemit të bashkëpjesëmarrjes komunitare

§ Pasiguria shmanget përmes anëtarësimit dhe kompensimit

§ Nuk rrjedhin avantazhe nga fatkeqësitë e të tjerëve

Modelet kryesore të Tekafuli-t janë:

1. Mudarebeh

2. Wekaleh

3. Kombinimi i të dyjave

4.2.1. Mudarebeh

Sipas këtij modeli policëmbajtësit furnizojnë kompaninë e sigurimeve me fonde duke blerë policat e sigurimit ndërsa në fund të vitit fitimet (nëse ka të tilla) u rikthehen po atyre. Ky model është i ndryshëm nga ai konvencional ku aksionerët dhe jo të siguruarit përfitojnë nga dividendët që shpërndahen në fund të vitit.

Edhe modelet e tjera të industrisë së sigurimeve islame ndjekin pothuajse të njejtat parime.

4.3. Tregu Islam i Kapitaleve

Sistemi financiar modern përmban të paktën dy lloje tregjesh të kapitalit, përkatësisht, Bursa dhe Tregu i të Letrave me Vlerë.

4.3.1. Objektivat e Tregut Islam të Kapitaleve

Në parim, objektivat e tregut islam të kapitaleve burojnë nga sheriati islam, që në thelb duhet të konsiderohen si një instrument i rëndësishëm dhe i nevojshëm për të transferuar fondet nga njësitë me tepricë në njësitë me mungesë fondesh. Kjo ndodh me qëllim që të sigurojnë përndarjen e barabartë të kapitalit në sektorë që mund të garantojnë norma më të larta kthimi për investitorët, duke kontribuar në këtë drejtpërdrejt rritjes dhe zgjerimit ekonomik të përgjithshëm.

Është po ashtu objektiv i tregut islam të kapitaleve që të sigurojë se ekzistojnë mjete për të tërhequr fondet e tepërta drejt investimeve të frytshme në përputhje me parapëlqimin e zotëruesve për të marrë përsipër shkallë të caktuara risku, duke patur parasysh normën e kthimit dhe periudhën e investimit.

Pa tregjet e kapitalit, zotëruesit e fondeve nuk do të mund të gjenin mundësi të mjaftueshme për të investuar në afatshkurtër. Pjesa më e madhe e investimeve kanë maturim të vonuar dhe janë afatgjata. Nevoja emergjente mund të lindin nga koha në kohë dhe nuk mund të përmbushen lehtë. Është gjithashtu joislame të grumbullosh pasurinë. Për pasojë është e nevojshme që zotëruesit e pasurisë të investojnë fondet e tyre në mënyrë që të mos lejojnë që këto fonde të zvogëlohen në mënyrë të panevojshme nga detyrimi i zekatit.

4.3.2. Natyra e tregut islam të kapitalit

Tregu islam i kapitalit karakterizohet idealisht nga mungesa e transaksioneve me bazë interesin, transaksionet e dyshimta dhe aksionet e kompanive që zhvillojnë aktivitete apo produkte të palejuara. Ai gjithashtu duhet të jetë i pastër nga ndonjë formë e transaksioneve joetike apo imorale, siç janë manipulimet e tregut, tregtia e pandershme, shitjet shkurt, apo ekspozimi i tepruar i pozicionit financiar të një agjenti ekonomik, pozicion që nuk mund të mbështetet nga fonde të mjaftueshme.

Për të përcaktuar nëse një titull pronësie është i lejuar apo jo, duhet të shqyrtohet nëse aktiviteti kryesor i kompanisë është i tillë. Nëse aktiviteti kryesor i kompanisë nuk përfshin biznes apo produkte/shërbime të palejueshëm, atëherë është e lejueshme edhe nëse financimi i saj përfshin interesin. Ky pohim qëndron për dy arsye. Së pari, financimi i nevojave të shumicës së kompanive nuk mund të arrihet nga instrumentet islame të disponueshme të financimit, Së dyti, financimi i biznesit nuk është aktiviteti kryesor i kompanisë.

Kriteri i dytë më i rëndësishëm është statusi i personalizuar i kompanisë mëmë dhe degëve të saj. Nëse kompania mëmë konsiderohet e lejuar bazuar në kriterin e parë të mësipërm ndërsa dega jo, atëherë të dyja konsiderohen të palejuara. Nga ana tjetër, nëse kompania mëmë është e ndaluar ndërsa dega është e lejuar, atëherë lejohet të blihen aksione nga e dyta dhe jo nga e para.

4.3.3. Leverdisshmëria e një Tregu Islam të Kapitalit

Ka diskutime nëse tregu islam i kapitaleve është i leverdisshëm ekonomikisht apo jo? Përgjigja që Dr. Syed Othman Alhabshi, i Institutit Islamik të Mendimit në Indonezi jep është si vijon:

Së pari, është dukshëm e leverdisshme të investosh në kapital të lejueshëm, të cilët nuk përfshijnë lojërat e fatit, kompanitë konvencionale të sigurimit, institucionet konvencionale financiare, hotelet, etj. Ka një gamë të gjerë titujsh për të zgjedhur që janë të disponueshëm në treg edhe në tregjet konvencionale të kapitalit.

Së dyti, të gjithë titujt e pronësisë në sektorin financiar mund të konvertohen në institucione që nuk zbatojnë norma interesi, të cilët janë të ligjshëm sakohë operojnë në përputhje me parimet e sheriatit.

Së treti, praktikat joetike janë kryesisht të ndaluara edhe në Bursën konvencionale, dhe myslimanët nuk mund ta konsiderojnë si alternative investimin në tituj, institucione dhe tregje që janë të ndaluar.

5. Konkluzione

5.1. Rrënja e krizës financiare globale është babëzia e bankave dhe institucioneve të tjera financiare për të fituar jashtë prirjeve tradicionale. Loja nisi me sukses dhe u siguroi bankave të ardhura të majme, por kthimi prej saj duket mjaft i errët. Zgjidhjet e propozuara nga qeveritë për të nxjerrë nga kriza e likuiditeteve bankat janë konsideruar të pamjaftueshme dhe të padrejta. Prandaj kriza e besimit do ta shpejtojë rënien e ekonomive të mëdha në planet.

5.2. Shumica e muslimanëve dhe më gjerë ngatërrojnë ekonominë me financat. Studimet ekonomike e përfshijnë edhe financën por janë vetëmëvete një fushë mjaft më e gjerë e kërkimit dhe trajtimit intelektual. Ky moskuptim u ka dhënë disa institucioneve financiare statusin e sistemit ekonomik islam.

5.3. Ekonomiksi islam, si shkencë e kultivuar nga mendimi shkencor tradicional dhe modern ka disa tipare që e bëjnë një alternative autentike dhe origjinale përkarshi teorive ekonomike që qëndrojnë në themel të sistemit ekonomik kapitalist. Kyeparadigma e sistemit ekonomik islam është Teuhid-i.

5.4. Sistemi ekonomik islam dhe ai kapitalist kanë pikëpamje të kundërta për një sërë problemesh ekonomike, duke formuar këndvështrime mjaft të ndryshme në thelb. Disa ngjashmëri të jashtme nuk janë të mjaftueshme për të supozuar përafrime mes tyre. Premisat, praktikat dhe vizionet e tyre janë krejt të ndryshme.

5.5. Ekziston një sipërfaqësi dramatike në trajtimin e problemit të riba-së nga tregjet, institucionet dhe instrumentat financiare të ashtuquajtura islame. Zgjidhjet që janë ofruar me praktikat aktuale synojnë të shmangin titullimin e fjalëpërfjalshëm si riba të praktikave të tyre të mbledhjes së fondeve, financimit dhe transferimit të tyre. Në thelb dhe realisht ata kanë të njejtat efekte që ka interesi në sistemin kapitalist.

5.6. Entuziazmi që mbërtheu opinionin musliman për shkak të krizës financiare globale është i pabazë, pasi ndryshimet midis modelit financiar kapitalist dhe atij të ashtuquajtur islamik nuk janë filosofike por praktike. Tregjet, Institucionet dhe Instrumentat financiare të ashtuquajtura islamike kryejnë në vendet muslimane po të njejtat funksione që kryejnë në të gjithë pjesën tjetër të botës tregjet, institucionet dhe instrumentat financiare konvencionale. Hendeku më i thelluar në shpërndarjen e pasurisë në vendet muslimane dëshmon për shkallën më të lartë të ashpërsisë me të cilën sillen në treg institucionet financiare të vetëquajtura islamike.

Bibliografi:

  1. WHAT IS ISLAMIC ECONOMICS, PhD. Muhammad Umar Chapra, IDB Prize Winners’ Lecture Series No. 9, 2001
  2. Friedman, Milton. Essays in Positive Economics. Chicago: University of Chicago Press, 1953.
  3. Smith, Adam. An Inquiry into the Nature and Causes of the Wealth of Nations. New York: Modern Library, 1937.
  4. A Critical History of Economics, John Mills, UK, Antony Rowe Ltd, Chippenham, and Eastbourne, 2002
  5. The Principles of Islamic Economic System, Yousuf Kamal Muhammad, Dar Al-Nashr for Universities, Cairo, 1996
  6. DEVELOPMENT OF CAPITAL MARKET UNDER ISLAMIC PRINCIPLES, Dr. Syed Othman Alhabshi, Institute of Islamic Understanding Malaysia (IKIM), Paper presented at the 1994 Conference on Managing & Implementing Interest-Free Banking/Islamic Financial System, organised by Centre for Management Technology, supported by Bank Islam Malaysia Berhad, Concorde Hotel, Kuala Lumpur, January 25 - 26, 1994.
  7. The Economic System of Islam, Taqiuddin an-Nabhani, Al-Khilafah Publications, London, 1997
  1. Mohd Fadzli Yusof, An Overview of the Takaful Industry, New Horizon, No. 107, March 2001, pg. 9-11, Malaysia
  1. Islamic Insurance: Trends, Opportunities and the Future of Takaful, Sohail Jaffer, Euromoney Books, 2007
  2. Insurance, A modern approach towards Islamic banking, Aly Khorshid, Routledge, 2004

Wednesday, October 22, 2008

E Përhënura Baticë

Vdekje e trishtuar

Kur s’ke kujt ia lësh as rrobat

Një mijë biseda,

Një mijë vuajtje,

Një mijë milje udhëtime,

Të mos mjaftojnë të gjesh një strehë


Mizore të zgjohesh një frymë para vdekjes

As ëndrrën s’mund ta rrëfesh


Pezmi s’është qaramanì,

Por buka që shtrohet me plotmendje,

Në shtëpinë e re të epokës


Mund të bisedosh me një kalë,

Kalorës i skamur,

Qenit t’i besosh


Ç’sekret mund t’i thuash një makine,

Telefoni


Të qash kohën,

S’është qaramanì

Wednesday, October 8, 2008

KALLIRI

Çfarë kam
Dhe imja është
S’është e vërtetë

Çfarë kam
Dhe është e vërtetë
S’është imja

Borxhli ndaj diellit
Borxhli ndaj tokës
As dritë, as dhê
Nuk zotëroj

Ballin si dielli
Me bojë të huajtur
Dhe zemrën si toka
Bukë dhe ujë të falur

Këngën e erës belbëzoj

T’i përzë zogjtë
Nga kallzat e mia
S’kam të drejtë

Udhës sime
Nga toka te dielli
S’jam hiç i sigurtë
Ku do ndalem

Sofër s’shtroj as s’ngre
Unë, bukë për të pangrënin
Më duhet të jem

Çfarë kam
Dhe imja është
Mos e besoni

Çfarë kam
Dhe është e vërtetë
S’është imja

Tuesday, September 23, 2008

NATA

Muzgu fjeti mbi guva

Me ninullën e vesës

Treti në ëndërritje rrafshinën pas shtëpisë

Koten heshtat e maleve

Gërma të renditura hyjnisht

Derdhen shi në sytë

Prej andej mbushin zgafellat e vjetra të gjokseve

Dëgjohet kumbimi i këngës së lashtë

Nga portat e qiellit

Tufa shtegtare engjëjsh po dalin heshtur

Jehojnë rrapëllima gjunjësh, duarsh

Pastaj lëshimi vetëzhdukës i ballit

Në dyshemetë e tempujve

Në kraharorët e çarë nga ngashërimi

Buçisin thërritje përdëllyese

Shkrepin sy të zjarrtë dashnorësh të qiellit

Pëshpëritje xheloze kalojnë lehtë

Pragun e ngushtë të buzëve

Pëlhura e yjëzuar

Është ngjitur pas kubesë së tempullit

Yjet po zbresin pandjeshëm

Duar pendestarësh vjelin të tjerë yje

Nga degët e përkulura të pemës së kaltërt

Natë e bardheme

Pudrosur me pluhurin e hënës së thyer

Shiu i mëshirshëm

Planetin tim të rënduar tërheq

Litarë të ujshëm përshkojnë pandalur

Damarët e fortësuar të tokës

Thurin për së gjalli

Eshtrat hollake të një shporte

Me dorzë prej ylberi

Kapicë me fytyra të qershinjta njerëzish

Dielli lindi i përgjumur

Mbi kthinat e qëmotshme

Lëshoi vellon e bardhë të aurorës

Ajrin e ftohtë të agimit e rrahin

Disapak zogj

Dhe kënga grishëse e gjelave

Monday, September 15, 2008

Lutja e Zejnu'l-‘Abidinit në kërkim bekimesh mbi ndjekësit dhe dëshmuesit e të dërguarve

O Zot,
sa për ndjekësit e të dërguarve
dhe ata banorë të tokës
që dëshmuan për të padukshmen
(e kryeneçët iu kundërvunë me gënjeshtra britëse) -
ata u përmallën për të dërguarit përmes realiteteve të besimit,
në çdo epokë dhe kohë, në të cilën nise lajmëtar
e u ngrite njerëzve një drejtues
që prej kohës së Ademit deri te Muhammedi
(Zoti e bekoftë atë dhe Familjen e tij)
nga mesi i Imamëve të udhërrëfimit
dhe prijësve të frikënderimit
(paqe pastë mbi ta të gjithë) -
kujtoji me falje dhe kënaqësi të mirë!
O Zot,
e sa për sahabët e Muhammedit në veçanti,
ata që ia çuan mbarë në shoqërinë e tij,
që e kaluan provën e mirë në të ndihmuarit atij,
iu përgjigjën
kur i bëri të dëgjojnë argumentet e mesazheve të tij,
u ndanë nga bashkëshorte e fëmijë
për shpalosjen e fjalës së tij,
luftuan etër e bij
në fuqizim të profetësisë së tij,
dhe korrën fitore përmes tij;
ata që qenë mbështjellë në dhembshuri për ‘të,
{duke shpresuar një ujdi
që nuk zhduket} në dashuri për ‘të;
ata që u braktisën nga fiset e tyre
kur i shtrënguan dorën atij
dhe u mohuan nga të afërmit
kur pushuan në hijen e afrisë së tij;
mos e harro, o Zot,
ç’braktisën për Ty dhe në Ty,
e bëji të kënaqur me kënaqësinë Tënde të mirë
për hir të krijesave që drejtuan kah Ti
kur ishin me të Dërguarin Tënd,
thërritës tek Ti për Ty.
Tregoju mirënjohje pse i lanë vendet e njerëzve të tyre për Ty
e dolën nga bollëku në ngushti,
si dhe atyre që iu nënshtruan zullumit
e që Ti i shumëfishove në lartësimin e fesë Tënde.
O Zot,
jepu atyre
që ia çuan mbarë në ndjekjen e sahabëve,
të cilët thonë: {Zot ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë
që shkuan para nesh në besim},
shpërblimin Tënd më të mirë;
atyre që shkuan drejt e tek rruga e sahabëve,
synuan udhën e tyre,
dhe vazhduan në mënyrën e tyre.
Ata s’i shmangu asnjë dyshim për mprehtësinë e tyre
e as i lëkundi ndonjë mëdyshje
nga të pasuarit shtigjeve të tyre
dhe të drejtuarit nga udhëzimi i dritës së tyre.
Si ndihmës dhe mbështetës të tyre,
e deklaruan fenë e tyre,
u udhëzuan nga udhëzimi i tyre,
ranë në pajtim me ta,
dhe s’i akuzuan kurrë për ç’u përcollën.
O Zot,
bekoji tabi’inët,
nga kjo ditë e jona deri në Ditën e Kijametit,
gratë e tyre,
fëmijët e tyre,
dhe ata që Të binden Ty mes tyre,
me një bekim përmes të cilit
do t’i ruash nga mosbindja ndaj Teje,
do u bësh vend në ngastrat e Kopshtit Tënd,
do i mbrosh nga dredhia e Shejtanit,
do t’i ndihmosh në devotshmërinë për të cilën Të lypin ndihmë,
do i ruash nga ngjarjet e papritura që ndodhin natën a ditën
- përveç ngjarjeve që vijnë me hajr -
dhe nxiti që
ta lidhin fort nyjën e shpresës së mirë tek Ti,
dhe asaj që është me Ty,
e të përmbahen nga mendimet e këqija [ndaj Teje]
për shkak të asaj që u mbajnë duart shërbëtorëve të Tu.
Kështu mund
t’i rikthesh në të përgjëruarit dhe të frikësuarit Ty,
t’i nxitësh të heqin dorë nga bollëku i së menjëhershmes,
t’i bësh të duan
të punojnë për hir të së shtyrës
dhe të pregatiten për ç’vjen pas vdekjes,
t’ua lehtësosh çdo pikëllim që u vjen
ditën kur shpirtrat dalin nga trupat,
t’i çlirosh nga
ajo që sjell rreziqet e tundimit,
të hedhurit poshtë në zjarr
dhe qëndrimit aty përgjithmonë,
dhe t’i çosh në të sigurtën,
vendprehje të të përzotshmëve.

MBI TË FSHEHTAT E AGJËRIMIT DHE KUSHTET E TIJ TË BRENDSHME*

Ebu Hamid el-Gazali

Duke ditur se agjërimi ndahet në tri grada si, agjërimi i shtresës së përgjithshme, agjërimi i pakicës së përzgjedhur dhe agjërimi i ajkës nga pakica e përzgjedhur (saum kusus el-kusus).



Agjërimi i shtresës së përgjithshme përfshin shuarjen e orekseve të stomakut dhe dëshirave seksuale, siç u diskutua dhe më sipër.

Agjërimi i pakicës së përzgjedhur ka të bëjë me ruajtjen e gjuhës, veshëve, syve, duarve dhe këmbëve nga çdo lloj mëkati.

Ndërsa agjërimi i ajkës së pakicës së përzgjedhur, është agjërimi i zemrës nga mendimet dhe ndjenjat e këqija, nga shqetësimet e kësaj bote dhe nga përkushtimi në çdo gjë tjetër veç Zotit. Një agjërim i tillë prishet duke menduar diçka tjetër përveç Zotit dhe Ditës së Fundit si dhe me të dhënët pas kësaj bote, përveç atyre rasteve që kanë të bëjnë me fenë e cila i përket botës tjetër. Sëkëndejmi, poseduesit e zemrave të pastra kanë thënë: “Ai që e kalon ditën duke u shqetësuar se nuk do të ketë me çfarë ta çelë iftarin, mëkaton.” Kjo për shkak se mbështetet fort pak në begatitë e pafundme të Zotit, dhe ka pak besim në faktin se risku që i është caktuar do ti jepet. Pjesë e kësaj ajke, janë profetët, të devotshmit dhe të afërmit e Zotit. Ne nuk do të merremi shumë me përshkrimin literal të këtij lloj agjërimi, por do ta përkufizojmë atë nëpërmjet një veprimi aktiv. Ai është, ta kërkosh Allahun me gjithë forcën e shpritit dhe t’i largohesh gjithçkaje veç Tij. Me pak fjalë, është të mishërosh fjalët e Zotit, kur tha: “Thuaj: Zoti dhe leri ata në tekat e tyre të shkuara.” (42)

Agjërimi i pakicës së përzgjedhur, i cili është agjërimi i njerëzve të virtytshëm, i mbron shqisat nga çdo lloj mëkati, gjë që arrihet duke kontrolluar gjashtë gjëra: të ulesh shikimin nga çdo gjë e turpshme dhe e palejuar apo nga çdo gjë që të largon nga përkujtimi i Zotit. Profeti a.s ka thënë: “Shikimi lakmitar është shigjetë prej shigjetave të helmatisura të shejtanit. Ai, që nga frika ndaj Zotit e mbron veten prej tij, Zoti do t’i japë besim dhe ëmbëlsi me të cilën do t’ia mbushë zemrën.”

Xhabiri(44) ka transmetuar nga Ariasi se i dërguari i Allahut ka thënë: “Pesë gjëra e prishin agjërimin: gënjeshtra, përgojimi, spiunllëku, betimi i rreme, hedhja e shikimeve epsharake dhe lakmitare.”(45)

E dyta është ta mbrosh gjuhën nga shpifjet, gënjeshtra, përgojimi, spiunllëku, fëlliqësitë, fjalët abuzive, sherret dhe hipokrizia, dhe t’i vësh kapak asaj. Për më tepër, ajo (gjuha) duhet të angazhohet me përkujtimin dhe madhërimin e Zotit, si dhe me leximin e Kuranit. I tillë është agjërimi i gjuhës. Na është transmetuar nga Bishr ibn Harithi se Sufjan Theuri tha një herë:

“Përgojimi e bën agjërimin të pavlefshëm.” Dhe Muxhahid Lejth(46) po për këtë ka thënë: “Dy gjëra e bëjnë agjërimin të pavlefshëm: përgojimi dhe gënjeshtra.” I dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Vërtet agjërimi i ngjan një mburoje; prandaj kushdo që agjëron, të mos flasë fjalë të pahijshme dhe të mos bëjë vepra të shëmtuara.”(47) Në një transmetim tjetër na është treguar rasti i dy grave të kohës së profetit a.s. Një ditë tek po agjëronin, nga djegia e etjes dhe brejtja e urisë, për pak sa s’u thyen. Për këtë shkuan tek profeti a.s për t’i kërkuar leje që ta prishnin agjërimin. Në përgjigje të kësaj, profeti a.s u solli një enë duke u thënë: “Villeni në këtë enë atë që keni ngrënë.” Për çudi të të gjithë të pranishmëve njëra e mbushi gjysmën e enës me gjak dhe copa mishi të kalbur, më pas tjetra mbushi gjysmën tjetër me po të njëjtën gjë. Atëherë profeti a.s tha: “Këto dy gra kanë agjëruar me atë që Zoti ua ka lejuar, dhe e kanë prishur agjërimin me atë që Ai ua ka ndaluar. Ato uleshin dhe merreshin vetëm me përgojime. Mishi dhe gjaku që nxorën, është mishi dhe gjaku i njerëzve që kanë marrë nëpër gojë.”(48)

E treta është t’i mbyllësh veshët ndaj çdo gjëje të qortueshme, sepse çdo gjë që është e ndaluar të thuhet, është e ndaluar dhe të dëgjohet. Për këtë arsye, Zoti i konsideroi njësoj dëgjuesit dhe peshkaqenët e tregtisë së paligjshme kur tha: “Dëgjues të së kotës, peshkaqenë të tregtisë së paligjshme.” (49) Dhe sërish: “Nëse të devotshmit nuk do të kishin ndaluar fjalët e liga dhe tregtinë e paligjshme, vërtet të prishura do të kishin qenë veprat e tyre.” (50) Prandaj heshtja në raste përgojimi është e ndaluar. Zoti ka thënë: “Atëherë ju jeni si ata.” (51) Profeti a.s ka thënë: “Përgojuesi dhe ai që e dëgjon, janë bashkëpjesëmarrës në mëkat.”(52)

E katërta është të frenuarit e pjesës tjetër të shqisave nga mëkati, si ruajtja e dorës nga e liga dhe e këmbës nga e keqja, si dhe shmangia e ushqimeve të dyshimta kur çel iftar. Përndryshe, nëse agjërimi do të ishte thjesht frenim nga gjërat e lejuara, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Robi me të tillë agjërim, është si ai që ndërton një kabinë dhe prish një kryeqytet.(53) Sepse ushqimi i lejuar nuk është i dëmshëm për shkak të cilësisë, por të sasisë dhe qëllimi i agjërimit është kultivimi i së mesmes. Apo ngjashëm me atë lloj budallai, që nga frika e dozës së tepërt mjekësore, zgjedh që të marrë një dozë helm. E paligjshmja është helm vdekjeprurës për fenë, ndërsa e ligjshmja është si ilaçi që kur merret në masën e duhur sjell dobi, e kur teprohet ka efekt të kundërt. Qëllimi i agjërimit është e mesmja. I dërguari i Allahut, ka thënë: “Shumë njerëz prej agjërimit nuk fitojnë asgjë veç urisë dhe etjes.”(54) Disa e kanë komentuar se i dërguari a.s kishte për qëllim atë që e prish agjërimin me gjëra të paligjshme. Ndërsa të tjerë kanë thënë se kishte për qëllim atë që druhet nga gjërat e ligjshme dhe e prish agjërimin me mishin e njerëzve që i ka përgojuar, gjë që është rreptësisht e ndaluar. Të tjerë akoma më tej thanë se profeti a.s kishte për qëllim ata njerëz që nuk i ndalojnë shqisat nga mëkatet.

E pesta është se kur ta çelë agjërimin, robi nuk duhet ta teprojë dhe me ushqimin e lejuar, prej të cilit stomaku sa s’pëlcet. Se nuk ka enë më të urryer tek Zoti, sasa stomaku i mbushur me ushqim të lejuar, por që mezi merr frymë. Si mund të shpresojë njeriu të mposhtë armikun e Zotit dhe nënshtrojë dëshirat nëpërmjet agjërimit, i cili kur e çel agjërimin e plotëson normën duke ngrënë dhe atë që kish lënë mangut gjatë ditës, madje shton dhe ca më tepër me pije dhe ushqime të llojeve të ndryshme. Prandaj disa e kanë bërë të udhës të grumbullojnë sa më shumë ushqim për muajin e Ramazanit, ku bollëku ushqimor ia kalon kushedi sa muajve rresht. Ndërkohë që dihet fare mirë se qëllimi i agjërimit është uria dhe ndrydhja e epshit në mënyrë që shpirti të arrijë piedestalet më të larta në devotshmëri. Nëse stomakut i ndalohet ushqimi nga mëngjesi deri në mbrëmje për t’i hapur oreksin dhe për t’ia shtuar dëshirat, e nesë më pas do të ngopej mirë e mirë deri në nginje, kënaqësia do të shtohej dhe gjallëria do të dyfishohej, duke u dhënë kështu rrugë pasioneve, të cilët në të kundërt do të ishin në gjendje të fjetur. Shpirti dhe e fshehta e agjërimit qëndron në tretjen e së mishtës dhe dhjamosjes, që janë armë të shejtanit për ta drejtuar njeriun kah e mbrapshta. Por, ligështimi i tyre nuk mund të arrihet kurrë, nëse njeriu nuk e pakëson ushqimin e tij gjer në sasinë që konsumon mbrëmjeve të zakonshme, pra ditëve kur nuk ka agjëruar. E nëse ha sa për ditën e natën bashkë, prej agjërimit të tij nuk do të shihte asnjë lloj mirësie. Tjetër kërkesë nga kërkesat e agjërimit, është se robi nuk duhet të flejë gjatë ditës në mënyrë që të provojë gërryerjen e urisë dhe zjarrmin e etjes, duke e kuptuar dhe përjetuar dobësimin e së mishtës, dhe duke ndjerë pastrimin dhe ndriçimin e zemrës.

Vazhdimësia e kësaj ndjenje dobësie duhet ta shoqërojë dhe gjatë Natës së Kadrit (Fuqisë), në mënyrë që për të ajo natë të jetë adhurim, që ta ketë më të lehtë adhurimin dhe leximin. Me këtë shpresohet që shejtani të largohet nga orbita që ka krijuar rreth zemrave tona, dhe që ne të kemi mundësi ta hedhim shikimin drejt Mretërisë Qiellore. Në këto rrethana, Nata e Kadrit (Fuqisë) përfaqëson natën në të cilën njeriut i shfaqet një rreze nga bota e padukshme.
Eshtë poashtu nata që Zoti e ka cekur në Kuran: “Vërtet ne e zbritëm atë Natën e Fuqisë (Kadrit).” (55)

Ai që e zhyt kryet në një trajse ushqimi, s’ka se si shpreson të shohë botën e padukshme, madje dhe nëse stomakun e ka të boshatisur, nuk do të mundë të largojë perden dhe të shohë të padukshmen, nëse mendja nuk i boshatiset nga çdo gjë përveç Zotit. Këtu qëndron e gjithë çështja, në thelb të së cilës qëndron pakësimi i ushqimit që konsumojmë. Kjo temë do të diskutohet më gjerë në librin që flet për një sërë ushqimesh.

E gjashta është se zemrën duhet ta kaplojë një gjendje angështie e makthi mes frikës dhe shpresës, duke qenë se ai nuk e di nëse i është apo nuk i është pranuar agjërimi, nëse do të jetë prej atë afërmvë apo prej të larguarve të Zotit, prej atyre që kanë nxitur zemërimin hyjnor. Kjo gjendje ankthi duhet ta shoqërojë robin pas çdo vepre adhurimi.

Është transmetuar se Hasan ibn Ebi Hasani, kaloi një herë pranë një grupi që qeshnin e zbaviteshin, të cilëve iu drejtua me këto fjalë: “Nuk ka dyshim se Zoti Ramazanin e ka bërë muaj për të garuar në adhurim drejt Tij. Disa e fituan garën, ndërsa disa ngelën pas dhe dështuan. Vërtet që çuditemi dhe befasohemi tek gjejmë burra që e vrasin kohën me plogështi dhe gjëra boshe, ditën që fisnikët e mbyllin me ngadhënjim ndërsa të papunët me dështim e fatkeqësi. Pasha Zotin, po të hiqej perdja, do t’i shihnit të lartët të përkushtuar me veprën e tyre të mirë, ndërsa keqbërësit me të ligën që gatuan.” Me fjalë të tjera kënaqësia e atij që i pranohet agjërimi, do ta mbushë atë dhe do ta mbajë larg kotësive, ndërsa agonia dhe keqardhja e atij që nuk i pranohet, do t’ia rrëmbejnë gjithë gëzimin e zemrës dhe do t’ia ngrijnë buzëqeshjen.

Është transmetuar nga Ahnaf ibn Kajs se i thanë një herë: “Ju jeni një burrë i plakur dhe i moshuar e agjërimi do t’ju dobësonte më tej.” Pas kësaj ai u përgjigj: “Ky agjërim është furnizimi im për një udhëtim të gjatë. Të durosh barrën e shërbimit të Zotit, është vërtet shumë më e lehtë se të durosh barrën e dënimit të Tij.” Këto fjalë mbartin kuptimin e brendshëm të agjërimit.

E nëse ju pyesni: “Si munden vallë juristët (fakihët) të aprovojnë agjërimin që frenon oreksin e stomakut dhe ndrydh nxitjet seksuale, por që në të njëjtën kohë, nuk i marin parasysh aspektet e brendshme të agjërimit; si munden vallë ta quajnë të vlefshëm atë lloj agjërimi?” Dijeni atëherë se juristët e ligjit të jashtëm mbështesin kërkesat formale nëpërmjet argumentash shumë herë më të dobët nga ato me të cilat ne parashtruam kushtet e brendshme, në veçanti të atyre që lidhen me përgojimin dhe të tjera të ngjashme. Megjithatë, prej juristëve të ligjit të jashtëm, nuk shpresohet të merren me të tjera gjëra përveç atyre që kanë të bëjnë me njerëzit e thjeshtë, me çështje të kësaj bote. Në anën tjetër, njerëzit e pajisur me dije për botën tjetër, me vlefshmëri nënkuptojnë pranimin dhe me pranim arritjen e qëllimit që robi i vë vetes. Me arritjen e qëllimit ata nënkuptojnë fitimin e njërës prej cilësive të Zotit, që është qëndrueshmëria (samadijab), si dhe ndjekjen e shembujve të engjëjve nëpërmjet vetpërmbajtjes sa më shumë të jetë e mundur, nga epshet trupore, dhe në sajë të aftësisë për të mposhtur epshin me dritën e arsyes, e cila e ngre njeriun mbi kafshët (të cilat nuk e posedojnë një dritë të tillë). Në anën tjetër, duke qenë se njeriu është nën presionin e këtyre epsheve dhe dëshirave, dhe duke qenë se gjykohet me masën se sa i lufton tundimet, sa më shumë t’u shkojë pas këtyre qejfeve aq më poshtë do të bjerë e aq më pranë kafshëve do të afrohet. E sa më shumë t’i ndrydhë ato, aq më lart do të ngrihet dhe aq më pranë engjëjve do të jetë. Engjëjt janë shumë afër Zotit, dhe kushdo që ndjek hapat e tyre dhe konkuron për tek shembulli i tyre, do të jetë gjithmonë e më pranë Zotit. Por kjo afërsi nuk matet me vendndodhje por me cilësi e virtyte.

Nëse për njerëzit që mendojnë thellë dhe për mjekët e zemrave, është kjo e fshehta e agjërimit, atëherë ç’gjë të mirë do të sillte të vonuarit e ushqimit dhe këmbimi i orareve të tij me lindjen dhe perëndimin e diellit, duke mos braktisur asnjë lloj kënaqësie gjatë ditës? E nëse në një sjellje të tillë do të kishte ndonjë dobi, atëherë ç’kuptim do të kishin fjalët e profetit a.s kur tha: “Shumë njerëz nuk fitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë dhe etjes.”(56) Për këtë shkak Ebu Darda ka thënë njëherë: “Sa i këndshëm është gjumi i të urtit dhe sa i hijshëm të ngrënët e tij; shihni se sa poshtëruese është kjo për pagjumësinë dhe agjërimin e mendjelehtëve.” Me të vërtetë që vepra sa pesha e një atomi e besimtarit të sinqertë e të devotshëm, është më e mirë se vepra sa një mal e një njeriu të shpërudhur. “Shumë agjërues nuk agjërojnë, e ka shumë nga ata që dhe pse hanë dhe pijnë, janë shumë larg mëkateve; agjërues që nuk agjëron është ai që dhe pse rri i etur e i uritur, ia heq frerët vetes në gjurmim të çdo mëkati. Por kushdo që e kupton drejt agjërimin dhe të fshehtat e tij, e di fort mirë se ai që ia ndalon vetes të ngrënët, të pirët dhe marëdhëniet seksuale, por s’u ndahet mëkateve, është si ai që mer abdest vetëm duke kaluar dorën e lagur mbi gjymtyrë nga tri herë, duke plotësuar rregullat e jashtme persa u përket gjymtyrëve, por duke lënë mënjanë thelbin, larjen me ujë. Si pasojë, për shkak të injorancës, namazi nuk do t’i pranohej. Në anën tjetër, ai që e prish agjërimin me të ngrënë por largohet nga çdo lloj mëkati, i ngjan atij që merr abdes, që e lan çdo gjymtyrë vetëm nga një herë. Në dashtë Allahu, namazet e tij do të pranohen, sepse ai përbushi parimin kryesor të abdesit, dhe pse detajet i kaluan. Mirëpo, ai që i bën të dyja, merr abdes duke larë çdo gjymtyrë nga tri herë e duke përmbushur parimin bazë si dhe detajet, ai ec drejt përsosmërisë. Profeti a.s ka thënë: “Me të vërtetë agjërimi është amanet; pra secili le të tregojë kujdes për atë që i besohet.” Sërish kur këndoi: “Vërtet Zoti ju urdhëron t’ua ktheni amanetet poseduesve të tyre”(58), ngriti duart, preku veshët dhe sytë dhe tha: “(Dhurata) e dëgjimit dhe (dhurata) e shikimit janë secila amanet.” Ngjashmërisht, dhe të folurit është amanet, sepse nëse nuk do të ishte kështu, i dërguari i Allahut a.s nuk do të kishte thënë: “Nëse dikë nga ju e shan apo e ofendon dikush, le të thotë, Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm.”(59) Apo thënë ndryshe: “Mua më është besuar gjuha për të mësuar si ta frenoj, dhe jo për t’i dhënë liri veprimi e për të t’u përgjigjur ty.”

Eshtë e qartë tashmë se çdo vepër adhurimi ka formën e saj të brendshme dhe të jashme, një lëvozhgë dhe një bërthamë. Lëvozhgat janë të gradave të ndryshme dhe të ndryshme i kanë dhe shtresat. Ju takon juve të zgjidhni, nëse do të kënaqeni thjesht me lëvozhgën apo do t’u bashkoheni të urtëve dhe të diturve.

*Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Ihja Ulum ud-Din” të Ebu Hamid el-Gazalit

FUSNOTA

42. Sure vi: 91.
43. I papërcaktuar.
44. Ndoshta Xhabir ibn-Abdullah el-Ansari.
45. I papërcaktuar.
46. Ibn abi-Sulejm, vdiq ndërmjet viteve A.H., 136 dhe 143/A.D. 754 dhe 760. Cf.
Ibn- Sad, Vol. Vl, pp.243-44; ibn-Qutaybah, p.241; Shadharat al Dhahab, Vol. t, f..207-212.
47. Buhariu, Agjërimi: 2.
48. I papërcaktuar.
49. Sure v: 46.
50. Sure v: 68.
51. Sure iv: 139.
52. I papërcaktuar.
53. Fjalëpërfjalë ndërto një kështjellë dhe shkatërro një zonë të tërë. 54. lbn-Maxhe, Siyam: 21.
55. Sure acvii:1.
56. Ibn-Maxhe, Siyam:21.
57. I papërcaktuar.
58. Sure iv: 61.
59. Cf. Bukhariu, Agjërimi, 2.