Saturday, October 17, 2009
Ekonomiksi Islam: Çfarë është dhe si u zhvillua?
Sunday, August 16, 2009
Rërë
Si rërë klesidre rrëshket në ëndërr
Në gjak je derdhur limfë
Po, kjo ishte një natë dashurie;
Gjumë i thërrmuar rërë
Duar të lyera me aromën tënde
Me emrin tënd në gojë, si bukën e urisë
Me zërin tënd përqafohem
Këndoj, me gojën plot germa të emrit tënd
Të dua përjetësisht!
Monday, May 18, 2009
Pranverë në qytetin tim
Rruga është mbushur me errësirë
Këpucët derdhi pluhurin e huajtur të qytetit
Përzier me re vocërrake drite të huajtura një makine që vjen nga pas
Rruga është e zënë nga heshtja e këmbëve të kalimtarëve
Nuk ke ku hedh një ftesë, një zë, një dorë të prerë pa shtrëngim
Të jesh i dashuruar është e pamundur në qytetin tim
Sepse s’ka trëndafilë që kuqëlojnë si fytyra të ndrojturish
S’ka as zogj, që si gjithëherë, të na mësojnë
S’ka si të ketë
Se nuk ka zogj të braktisur
Si njerëzit e braktisur të qytetit tim
Të duhet të vraposh
Pa këpucë të ngarkuara me qytet
Si vaporrë rënkues kreshtave të oqeanit
Me duar të lyera me hënë
Si bukë fëmijësh
Të duhet të vraposh
S’mbetet tjetër, veç të hedhësh një muzg supeve
Të mblidhesh kruspull në një shpellë të djersitur mendimesh
Të shkruash me gishta të ngjyer në hënë
Letrat e panisura të dashurisë
IZRAEL, BËHU ISLAM!
Vehap S. Kola
Një reflektim mbi librin me të njejtin titull të autorit Piter Stokton, botuar nga Qendra e Studimeve Krahasuese “Erasmus”, Tiranë, Maj 2008
Njërën nga foshnjet e kishte rrëmbyer ujku. Dy nënat zunë të grindeshin për prindërinë e foshnjës që shpëtoi. Ashtu duke u ngrënë me sho-shoqen vajtën të Daudi (a.s.) e ia lëçitën çështjen që i kishte troshitur gjermë atë çast. Daudi (a.s.) vendosi t’i njohë më pak të resë të drejtën e mëmësisë mbi fëmijën. Por sherri nuk u ndal as me këtë gjykim dhe të dyja, siç ishin, shkuan te Sulejmani (a.s.) të kërkojnë dhe mendjen e tij. Ai kërkoi një thikë që të ndante të miturin më dysh dhe t’i jepte secilës gjysmën e fëmijës. Më e reja prej tyre s’u mbajt dhe u hodh përpjetë duke i thërritur: “Mos bëj mëkat! Zoti të mëshiroftë për çfarë po bën. I saji është fëmija.” Dhimbsuria e saj tregoi se ajo ishte nëna e vërtetë e fëmijës.
- Kujt i takon Jeruzalemi?
Qyteti është i shenjtë. Për këtë ekziston një konsensus mjaft i gjerë, mbase më i gjeri i mundshëm në kutin fetar të njerëzimit. Muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë garantojnë mbështetjen e më shumë se gjysmës së botës për këtë qëndrim. Por çuditërisht ai është molla e sherrit më të përgjakshëm të epokës sonë. Dhe janë vetë këto tre grupe që hahen kaq urryeshëm për këtë pëllëmbë të trupit planetar. A do të kishte të njejtin rezultat nëse Sulejmani (Solomoni) do të merrte, në vend të foshnjës, Jeruzalemin dhe të kishte ndërmend ta ndante në dy apo tre copa; nganjë copë për secilën palë? Besoj se është njësoj e pamundur që një ndarje e tillë të prodhojë tre vende të shenjta për arsyen e thjeshtë se të tre mëtuesit kërkojnë saktësisht të njëjtin vend.
Piter Stokton (Peter Stockton), në librin e tij “Përtej Jerusalemit” (Transcending Jerusalem) të publikuar nga Qendra e Studimeve Krahasimore “Erasmus” në Tiranë, bën një analizë të detajuar të premisave historike dhe premtimeve për zgjidhjen e nyjës në brigjet lindore të Mesdheut, gjithaqsa ofron një zgjidhje të harruar nga palët e përfshira në këtë grindje të dhunshme dhe të padrejtë. Kjo ese është një përpjekje për të bërë një shtypje në pak rreshta të trajtesës së Stotkonit.
- Burimi i Grindjes
Para disa vitesh kisha dëgjuar një deklaratë pompoze të njërit prej drejtuesve politikë të Hamas-it: “Edhe nëse muslimanët do ta kishin pushtuar Palestinën, ne do t’i luftonim njësoj siç luftojmë hebrenjtë”. Sigurisht kjo tingëllonte një argument mjaft i fortë dhe retorikë e përzgjedhur për të shprehur mosdiskutueshmërinë e qëndrimit të lëvizjes që ai drejtonte ndaj çështjes së Palestinës. Megjithatë, sot kjo më ngjan e padrejtë dhe e papranueshme nga këndvështrimi fetar musliman. Nëse është fjala për të drejtat e shkelura dhe pronat e grabitura e të shkërmoqura, kjo vepër mbetet krim pavarur se kush e kryen. Por, po të jetë fjala për kontrollin nacional të qytetit të shenjtë, Jeruzalemit, Zoti nuk ua ka premtuar as palestinezëve dhe as hebrenjve këtë nder. Prandaj qëndrimi i mësipërm është njësoj i padrejtë saç është qëndrimi i vetë hebrenjve të përzier në këtë shfaqje dramatike të padrejtësisë së më të fortit ndaj më të dobëtit.
Burimi i grindjes është, në fakt, ndryshimi në qëndrimet që kanë muslimanët dhe hebrenjtë ndaj Zotit Vetë. Hebrenjtë kanë ndërtuar, në kulturë-historinë e tyre, modelin e kryengritësit, të popullit me qafë të fortë dhe të panënshtruar ndaj Zotit. Ndërsa muslimanët, ashtu si vetë emri i tyre, kanë në thelb të botëkuptimit të tyre religjoz paqen me Zotin dhe nënshtrimin ndaj Tij. Tema kryesore e Biblës është njeriu, aqsa dhe Zotit i jepen tipare njerëzore dhe i mvishen të meta tipike prej njeriu. Ai mund të jetë pokaq i mbrapshtë sa heronjtë e Biblës. Sakaq në Kuran qendërsisht mbizotëron tema e Zotit dhe Unitetit të Tij, nevojës për t’Ia dëgjuar Fjalën dhe për t’I’u nënshtruar Vullnetit të Tij. Aty ndërtohet aspirata më e lartë njerëzore: të arriturit e Zotit, të fituarit e Vetive të Tij.
Debati se kush prej djemve të Ibrahimit do të sakrifikohej është një mënyrë shumë e mirë për të ndërtuar argumentin. Është pranuar dhe e pranueshme tashmë gjerësisht se Bibla është shkruar nga disa duar, që të krishterët dhe hebrenjtë i quajnë duart e profetëve. Megjithatë ajo që është më e qartë se kurrë, sot është kuptimi se hebrenjtë, si shkruesit e Dhjatës së Vjetër të paktën, kanë shprehur në të qëndrimin e tyre ndaj Zotit. Nuk ka një konsensus të njëzëshëm mes të dijshmëve dhe të urtëve të fesë Islame që djali i bërë mend për t’u sakrifikuar të ketë qenë Ismaili. Megjithatë ky mendim dominon fort qëndrimin e Ymetit. Hebrenjtë dhe të krishterët mbrojnë fort tezën së djaloshi i rrezikuar ishte Isaku, sepse bekimet e Perëndisë do t’i fitonte linja e atij, që veçsa nuk u bë kurban. Më i rëndësishme këtu nuk është identiteti i birit, por mënyrën se si u zhvillua ngjarja.
Ne thamë se hebrenjtë kanë një qëndrim rebelues dhe të pabindur ndaj Zotit. Këtë qëndrim ata e kanë shprehur edhe në historinë që kanë shkruar për vete. Isaku u mashtrua nga i ati me qëllim që të mos kundërshtonte të shkonte në vendin ku do blatohej. Ai i shpëtoi këtij mashtrimi dhe gjithmonë e ka mbajtur kokën anash duke dyshuar dhe duke mos u bindur. Historia islame e baltimit është krejt e ndryshme, jo vetëm përnga heronjtë e saj. Ibrahimi (a.s.) i kishte rrëfyër të birit të vërtetën e porosisë nga Qielli. Ismaili i bindet të atit dhe e inkurajon që të çojë në vend vullnetin e Zotit. Ai është i nënshtruar, pra musliman.
Më vonë i vogli ndërmjet bijve të Isakut, Jakobi, e gënjeu babain e verbuar nga pleqëria dhe mori bekimin që i takonte Esaut, vëllait të tij më të rritur. Si për t’i vënë vulën qëndrimit të pabindur ndaj Zotit, Jakobi biblik ndeshet me një agjent qiellor (Engjëlli apo Zoti) dhe e mund atë. Aty mori emrin Isra-El që do të thotë “ai që ndeshet me Zotin”. Këtë qëndrim kanë mbajtur hebrenjtë përgjatë gjithë historisë. Edhe kur mes tyre ishte Musai (a.s.) i cili i quajti ‘popull me qafë të fortë’. Kur ai sillte Shpalljen, i gjeti duke adhuruar një idhull të derdhur në flori, ndërsa kur u bëri thirrje të hynin në qytet ata nuk i bindën. Ndryshe ndodh me bashkësinë e Muhamedit (pqmt) në Mekë. Ata pranuan të shkojnë në një vend të panjohur, që sundohej nga një mbret i krishterë me lidhje shumë të forta me përndjekësit e tyre politeistë. Kjo vetëm sa e rishpreh natyrën e tyre prej të bindurish ndaj Zotit.
Musai (pqmt) nuk arrin të hyjë në qytet por e themelon bashkësinë e tij në shkretëtirë, në udhëtim. Hebrenjtë tregojnë edhe njëherë se përfaqësojnë kërkuesit e të jetuarit. Qytetërimi, ashtu si besimi, i tyre është ai i lëvizjes. Ai është themelvënë në lëvizje dhe i tillë vazhdon të funksionojë. Përskaj rëndësisë së hixhretit, i cili përkujtohet vetëm në haxh si i vetmi ritual qendror që kërkon ikje dhe lëvizje, të gjitha të tjerat, namazi, agjërimi, zekati, kërkojnë qëndrim, paqe diku në prehrin e plleshëm të tokës. Muhamedi (pqmt) e themelon bashkësinë e tij në Medine, pra në një qytet ku do të jetonin dhe jo në një udhëtim gjatë kërkimit të jetesës.
Edhe qendrimi ndaj profetëve është poaq i ndarë. Rrëfimi kuranor për profetët synon të shfaqë në sytë e muslimanëve një model të sukseshëm të njerëzve të bindur dhe të nënshtruar ndaj Zotit. Ata mund të kenë qenë subjekt i gabimeve të parëndësishme por asnjëherë nuk kanë qenë kundërshtarë të Zotit. Përkundrazi Bibla është e tejmbushur me jetëpërshkrimet e profetëve që mëkatojnë siç edhe vetë të qortuarit prej tyre. Kjo dëshiron të thotë se në sytë e hebrenjve personazhi rebel është më i dashuri dhe nga ana tjetër të justifikojë veprimet dhe paudhësitë e tyre ndaj Zotit dhe porosive të tij. Kur një profet nuk mund të jetë i mirë me Perëndinë, ashkush veç tij nuk mund të jetë i mirë. Shembulli më portretizues i këtij botëkuptimi është vetë Davidi biblik. Nga njëra anë ai bën disa paudhësi të dënueshme gjerësisht dhe nga ana tjetër është mbret dhe profet i Izraelit. Kurani e paraqet atë si një njeri të devotshëm që thuajse papreprë qante dhe lëvdonte Zotin, edhe pse ai duket se kishte bërë disa gabime në gjykimet e tij. Duke inkriminuar edhe atletin e tyre, hebrenjtë duan të thonë se gjithkush mund të jetë më i keq se ai, duke qenë njeri i thjeshtë.
Në këtë mënyrë arrijmë në përfundimin se Shkrimi i Shenjtë hebre dhe i krishterë ka në qendër të tij njeriun, kur Kurani vë temë qendrore Zotin, Unitetin e Tij dhe domosdoshmërinë e nënshtrimit ndaj Tij dhe dëgjimit të Fjalës së Tij. Burimi i përleshjes së pandalur prej një shekulli, për Jeruzalemin është qëndrimi i përkundërt i palëve ndaj Zotit. Prandaj edhe zgjidhja duhet të vijë nga ndryshimi i qëndrimit ndaj Tij. Propozimet për ndarjen e Qytetit të Shenjtë apo për ndërtimin e dy shteteve janë poaq të pamundshëm sa edhe bashkëjetesa e këtyre botëkuptimeve të kundërta mbi Krijuesin dhe njeriun.
- Askujt nuk s’i’u bë padrejtësi nga Zoti dhe askush s’është i pandreqshëm
Misionet e njëpasnjëshme të Isaias, Jeremias dhe Ezekielit (pqmt), tre profetëve të mëdhenj të Izraelit mbeten një dëshmi e padiskutueshme se ‘popullit të zgjedhur’ i qenë dhënë mundësi të panumërta për të kthyer udhë. Thirrjet e tyre synonin që zemrën e gurtë ta zëvendësoni me një zemër prej mishi dhe gjaku. Kundërvënia ndaj shterjes shpirtërore të popullit hebre nuk qe orakull për ndëshkimin, po edhe nëse qe, kjo nuk e kaloi premtimin për bekime dhe lumturi të përjetshme sikur ata ta pranonin këtë ndryshim të zemrës. Hebrenjtë u sulmuan nga armiqtë e tyre, u plaçkitën dhe zunë robër si komb, por edhe fituan lirinë dhe triumfuan ndaj tyre gjatë kësaj periudhe. Sa herë që ‘qafa e fortë’ ngurtësohej, Zoti i qortonte dhe i fshikullonte. Përfundimisht përgjigja e tyre ndaj profetëve të mëdhej është fabul e përsëritur e sjelljes së tyre ndaj mijëra profetëve të tjerë. Ata u vranë, u persekutuan dhe u përçudnuan në shkrimet e shenjta, apo për pjesën më të madhe prej tyre u zhdukën gjurmët e ekzistencës dhe mesazhit në historinë e shkruar nga duart e izraelitëve.
Sigurisht, Jezusi, ardhja dhe mesazhi i tij, përbëjnë kulmin dhe zgjidhjen e fabulës hebraike. Ai u ngrit mes tyre edhe njëherë me ftesën për të zëvendësuar zemrën e ashpër me një zemër tjetër, ku gjallon mishi i butë i jetës dhe gëlon gjaku i nxehtë i përkushtimit. Zoti e ka pritur këtë popull dhe e ka përtërirë ftesën e tij mjaft herë derisa dërgoi Isain (pqmt). Më mirë se ç’e simbolizon këtë historia e djalit plangprishës në Dhjatën e Re nuk mund ta shëmbëllejë asnjë parabolë tjetër. Ai u largua nga shtëpia dhe u shpërudh duke çuar dëm të hollat. Ngushtia që e mbërtheu pasi nuk i kishte mbetur asnjë dyshkë në xhep, e shtrëngoi të kthehej i turpëruar përpara t’et. I ati urdhëroi të festohej për kthimin e djalit duke dhënë shenjat e një gëzimi të papërmbajtur, duke nxitur zemërimin dhe xhelozinë e djalit besnik ndaj familjes. “Bir, – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua dhe gjithçka kam është jotja. Por u desh të gëzohemi e të ngazëllehemi sepse ky, yt vëlla, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet”. Kështu mund të kuptohet edhe qëndrimi i Zotit ndaj popullit të Izraelit, një pritje e gjatë, kurdoherë e vlefshme për t’u kthyer në Shtëpinë e Tij dhe, me siguri, një festë e veçantë i pret gjithëherë. Jezusi (pqmt) i paralajmëroi hapur hebrenjtë se tashmë skeptri do të kalonte në shtëpinë e Ishmaelit dhe një ishmaelit do të ishte princi i mbretërisë së Perëndisë. Përmendja e përshkrimeve dhe parashenjave të ardhura nga goja e tij nuk do të qe e qëlluar për këtë ritregim të shkurtër të librit.
- Zgjidhja
Historia e marrëdhënieve të hebrenjve me profetin Muhamed, (pqmt) mund të përshkruhet si një ngasakeqje e shumëduruar. Ndonëse ai (pqmt) u kishte siguruar atyre një status prej të barabartësh dhe të veçantësh (mund të jetonin me të njëjtat të drejta dhe të besonin e të gjykonin mes veti sipas ligjit të tyre fetar), ata nuk e mbajtën kurrë fjalën për të qenë partnerë dinjitozë dhe të sinqertë. Cilatdoqofshin rezultatet e asaj marrëdhënie, një gjë mund ta themi me bindje dhe pa brejtje ndërgjegjeje. Muhamedi (pqmt) bëri mjaft më shumë se mund ta imagjonojë kushdo për të shmangur përplasjen me hebrenjtë, edhe pse lufta nuk do ta vinte në vështirësi.
Zgjidhjet politike për konfliktin nuk janë të qendrueshme sepse nuk janë të vërteta. Mbanash faktit që përplasja ndërmjet palëve ka ngjyresa nacionaliste (në Izrael partitë politike kryesore janë tërësisht ateiste ndërsa në Palestinë njëra lëvizje është vetëm politike ndërsa tjetra, edhe pse fetare, lufton me motive politike), motivi real i përplasjes është fetar. Jo se feja prodhon dhunë, por sepse aty përplasën qëndrimet e kundërta ndaj Zotit.
Thika e Sulejmanit nuk do të paraqiste një zgjidhje. Në fakt propozimet e Solomonëve politikë të botës së soçme për ndërtimin e dy shteteve nuk do të kenë kurrë sukses, sepse ndarja e fëmijës në dy pjesë nuk do të kënaqë kurrë mëmën e vërtetë. Çfarë është e ditur sot është fakti se muslimanët kanë zgjedhur të mos e pranojnë këtë thikë që në 1948 edhe pse kjo u ka kushtuar humbjen e foshnjës. Ngjarja e foshnjës mbyllet duke i njohur mëmësinë asaj që vendosi të hiqte dorë për të shpëtuar jetën e fëmijës së saj. Ndoshta nuk është e rastësishme që i takoi që më e reja nga nënat të qe e vërteta.
Po çfarë do të ndodhte nëse hebrenjtë me ‘qafë të fortë’ do të vendosnin të ndërronin ‘zemrën e gurtë’ me një ‘zemër të butë’ dhe nga përleshja me Zotin të ktheheshin te nënshtrimi ndaj Tij dhe paqja me Të? A do të kishin pretendime Palestinezët ndaj Jeruzalemit? Ose, a do të kishin të drejtë të kishin pretendime nacionaliste? Apo më tepër, a do të irritoheshin nga vizita e Ariel Sharonit në vitin 2000 në xhaminë Aksa, nëse ai do ta kishtë ndërruar atëherë zemrën? Për të tria pyetjet, jo! Ashtu siç thotë edhe Stoktoni në mbyllje të trajtesës së tij zgjidhja është: Izrael ose Islam! Izrael, bëhu Islam!
- Dy fjalë mbi përmbajtjen e librit
Piter Stokton (Peter Stockton) është një amerikan që e parapa fatin e tij të konvertimit në musliman në një ëndërr mjaft domethënëse, po të kesh parasysh fabulën e tij. Ditët e tij në Izrael dhe Palestinë i kanë ndriçuar një pjesë të madhe të hijeve që në formimin e tij prej të krishteri merren si të mirëqena dhe të patrazuara nga pyetje që lindin nga ndërgjegjia e njeriut të mirë.
Në Hyrjen e librit, autori i hap mjaft mirë çështjet që do të diskutojë në vijim dhe ngjall një kureshtje mbërthyese tek lexuesi (këtë libër e lexova brenda dy ditësh, përskaj kohës tepër të zënë me punë). Në kapitullin e parë, Prej Ndarjes së Rrugëve tek Ndarja e Dallgëve – prej Abrahamit tek Moisiu Stoktoni ka shpjeguar, mjeshtërisht dhe me një forcë kumbuese argumenti, pse-të e qëndrimeve kaq të ballpërballshme të muslimanëve dhe hebrenjve mbi çështjen e kontrollit mbi Qytetin e Shenjtë. Rrënjët e problemit janë te qendrimi i palëve ndaj Zotit: zgjedhja midis nënshtrimit dhe kundërvënies. Aty ai ka arritur të pastrojë edhe disa mbeturina dëmsjellëse në qendrimin e besimtarëve në përgjithësi dhe palestinezëve në veçanti karshi kësaj çështjeje. Në kapitullin e tretë, Epoka e Artë – Davidi dhe Solomoni argumentimi i mësipërm është mbështetur në shembujt më të lëvduar mes izraelitëve. Ndarja e qendrimeve është e dukshme edhe në rastin e modelit rebel hebre të Davidit dhe Solomonit dhe atij të përunjur musliman të Daudit dhe Sulejmanit (pqmt).
Izraelitët janë një komb me ‘qafë të fortë’, jo sepse fati i tyre u shkrua i tillë, se po të ishte për këtë, çfarë rëndësie do të kishin profetësitë e Isaisë, Jeremisë dhe Ezekielit, por atyre u është dhënë gjithmonë shansi i zëvendësimit të ‘zemrës së gurtë’ me një ‘zemër të butë’ prej mishi, përmes të cilës rrjedh gjaku i jetës. Pikërisht këtë thotë kapitulli i katërt, Profetët e Mëdhenj të Izraelit – Isaia, Jeremia dhe Ezekieli. Autori nuk le pa renditur edhe profecitë e tyre kryesore lidhur me Mesian dhe një profet tjetër jashtë barkut të Izraelit.
Kapitulli i pestë, Një Zemër e Re – Isai (Jezusi) përmbledh misionin e Isait (pqmt) dhe mesazhin e tij përkarshi refuzimit tradicional, fatkeqsisht, të popullit. Injorimi hebraik e detyron krishtërimin paulin të kthejë sytë nga pjesa tjetër e njerëzimit dhe për qëllime politike, të ndryshojë kurs deri edhe në thelbin e besimit. Kthimi mbrapsht i thirrjes së Qiellit ishte fillimi i derdhjes dhe troshitjes së ‘popullit të zgjedhur’ nëpër zgafellat historisë dhe tokës. Pak dekada pas Isait (pqmt) e deri pas luftës së dytë botërore, populli hebre u derdh si një shishe e pambyllur uji nëpër tokë dhe u përndoq si një e keqe e patjetërsueshme nga pushtetet e krishtera kryesisht. Profecitë për ardhjen e një figure vulosëse pas tij, u shpallën me të madhe nga Isai (pqmt).
Sunday, April 12, 2009
Një Lumë me Pyetje për Ministrin Beja dhe një Apel për Vajzat pa Shami
Vehap S. Kola
Ekstremizmi i Ministrit Beja
Ministri Beja ka shpalosur një tipar ekstremist dhe të dënueshëm shoqërisht (në mos edhe ligjërisht, sepse unë nuk jam jurist, anipse kjo çështje nuk do ndonjë njohje të thellë të së drejtës). Ai ka vendosur të qëndrojë i palëkundur në një pozitë të papërcaktuar laiciteti, ashtu siç është i papërcaktuar (apo i pavërtetë) laiciteti i tij. Çfarë do të thotë laicitet sipas Ministrit? Laicitet do të thotë të mbash një pozite ekstreme dhe urrryese ndaj një pjese vitale të shoqërisë, (e cila për shkak të lirisë që e karakterizon nuk pranon të shëtisë cullak rrugëve të qyteteve dhe fshatrave) duke i dhënë gjunjë çfarëdo qëndrimi të pambështetur prej tyre dhe duke forcuar alibitë e ekstremistëve. Ky vendim rrezikon të ngarkojë negativisht strukturën e marrëdhënieve ndërfetare në vend sepse godet drejtpërdrejt mënyrën e jetesës dhe aplikimin e bindjeve të fetare të një grupi (që në fakt është më i marxhinalizuar për një numër arsyesh) në mënyrë të pabarabartë me grupet e tjera fetare.
Z. Beja është treguar ekstremist kur ka marrë një vendim fanatik dhe aspak të leverdisshëm për emancipimin social të vendit, pasi ai nuk ka pranuar të gjykojë nga pozita të pavarura apo nga pozitat e vetë të prekurve nga vendimi i tij. Pse u dashkan akuzuar për fanatizëm apo ekstremizëm disa njerëz që bëjnë atë që e besojnë dhe e duan dhe disa të tjerë të shpallen me të madhe si progresistë dhe të emancipuar? Fanatiku më i madh në këtë çështje është në fakt Z. Beja pasi ai nuk e ka mbështetur firmën e tij në asnjë përcasktim të gjithëpranuar të laicizmit për të gjykuar, kësisoj pa baza solide, si laik ose antilaik modelin etik të veshjes së një femre muslimane. Ajo që Ministri ka bërë është adaptimi i një modeli tejet përjashtues pa testuar aspak pranimin e tij nga shoqëria. Por një model nuk mund të zgjidhet me një vendim arbitrar. Ai duhet të testohet nga vetë populli, dhe madje nëse është i padrejtë, nuk lejohet të hidhet as në një referendum.
Simboli i vërtetë fetar
Çfarë simbolizon shamia në të vërtetë? A mund të themi se një shami në kokën e një gruaje synon të tregojë bindjet e saj politike, religjoze, traditën apo arsye personale? Z. Beja ka marrë përsipër një mision të dështuar që në nisje: të gjykojë si simbole fetare shamitë në kokat e femrave. Në fshatin tim të origjinës, vajzat shkojnë akoma në shkollë me shami dhe t’i heqësh shaminë një vajze është e barabitur me marrjen e nderit të saj. Por asnjë ose shumë pak prej tyre mund të kenë për qëllim bindjen ndaj Zotit në një kuptim ideologjik që Ministri orvatet në thotë. Të njejtën gjë bëjnë edhe vajzat më të rritura, gratë, nënat dhe gjyshet. A mundet vendimi i Z. Beja të bëjë dallimin e qëllimeve simbolike fetare në mesin e këtij komuniteti? Sigurisht që jo, dhe prandaj ai ose nuk do të zbatohet dot kurrë, ose do të jetë i padrejtë saherë që të zbatohet.
Ky Ministër është treguar profan kur ka ngritur në nivelin e një Vendimi Ministri paragjykimin e tij apo të një pjese të shoqërisë. Ai është treguar i paditur kur e ka konsideruar religjozitetin e shoqërisë si një formë të thyerjes së laicitetit. Në fakt është diskriminimi pozitiv apo negativ i një grupi fetar ndaj një tjetri ai që thyen laicitetin. Nëse shteti është laik, atëherë ai është i paanshëm. Çfarë do të bëjë Ministri i Arsimit me gjithë ato kryqe që varen në kraharorët e të rinjve nëpër shkolla? A do t’i konsiderojë edhe ato simbole fetare? Sërish do të gabojë sepse pjesa më e madhe prej tyre e vendosin kryqin si prirje të modës së kohëve të fundit.
Sa për simbolikën, myslimanët nuk pranojnë dhe nuk lejojnë të përdorin simbolika supersticioze apo përfaqësime pa thelb, siç mund të ishte veshja. Madje kjo përfaqëson një subjekt delikat për të vleftësuar apo zhvleftësuar besimin e tyre. Veshja islame është thelbësisht dhe vetëm funksionale; ajo përdoret për të mbuluar trupin. Askush nuk mund të ketë të drejtë të gjykojë se cilat pjesë të trupit duhet të mbulojë një qytetar i Shqipërisë nëse zgjedhja e tij nuk cënon sigurinë, mirëqenien apo ushtrimin normal të veprimtarive të subjekteve të tjera, qofshin publike apo private. A mund t’i thuhet një vajze se sa dhe si duhet t’i vijë turp nga të tjerët? A mund t’i tregohet asaj se sa mund dhe sa nuk mund të zbulojë nga trupi i saj? A nukdo të ishte tirani nëse vajzën (nuk e di nëse ka) e Z. Beja do ta detyronin të vishte një rrobë më të shkurtër (apo të pamjaftueshme sipas saj) dhe t’ia kushtëzonin përfitimin e të mirave publike për të cilat ajo është legjitime në sajë të bindjes ndaj këtij detyrimi?
Vizioni i Ministrit për të ardhmen e vendit dhe sidomos të rinjve
Të shtunën Z. Berisha ishte në Korçë për të takuar të rinjtë. Me një hap prej rioshi ai u ngjit në skenë dhe përcolli entuziazëm dhe një vizion mjaft dinamik zhvillimor për të ardhmen intelektuale dhe profesionale të të rinjve. Por pas tij qëndronte hija e shëmtuar e vendimit të padrejtë të Ministrit të tij të Arsimit i cili ka vendosur të mos pranojë në shkolla vajzat që mbajnë shami, sepse kjo përbëka thyerje të laicitetit.
Ky vendim i padrejtë nuk është vetëm i tillë por edhe kulturalisht, ekonomikisht dhe shoqërisht kërcënues. Kjo pjesë e të rinjve shqiptarë nuk do të mund të përfitojnë arsimim normal dhe konkurrues me pjesën tjetër të të rinjve. Ata nuk do të mund të fitojnë vende pune me të ardhura të mira apo mesatare. Do të vazhdojnë të kryejnë punë të rëndomta dhe do të pozicionohen në shtresat e marxhinalizuara ekonomikisht, kulturalisht dhe shoqërishmërisht. Ata do të jenë subjekt i varfërimit të vazhdueshëm, duke sjellë rezultate kundërthënëse me objektivat e çdo qeverie për të zbutur varfërinë dhe për të rritur mirëqenien.
Familjet e tyre do të rrisin fëmijë më pak dhe më keq të arsimuar, sepse nuk do të mund të përballojnë studimet në universitetet e shtrenjta, dhe prirja rënëse nën kurbën e Lorencit do të qëndrojë apo thellohet. Sigurisht Ministri nuk ka bërë asnjë vlerësim të ndikimit të vendimit të tij në përmbushjen e objektivave të zbutjes së varfërisë dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë të qeverive. Nëse zgjedhja e vajzave është e paligjshme është një çështje që nuk është marrëveshur mes palësh, ndërsa detyrimi i shtetit për të mbështetur dhe shpëtuar shtresat e varfra nuk lidhet me ligjshmërinë e saj. Nëse familjet e prekura do të dëmtohen shoqërisht dhe ekonomikisht, atëherë është obligim i shtetit për t’i asistuar ato. Jo vetëm padrejtësi shoqërore, por edhe dëm ekonomik për periudhat e ardhshme buxhetore sjell ky vendim i Ministrit. Nëse 800 mijë ndërtime pa leje ishin të paligjshme, qeveria vendosi t’i legjitimojë për të shmangur një katastrofë sociale dhe ekonomike në rastin e shkatërrimit të tyre.
Koha për të mos menduar dy herë
Në këtë situatë vërtetësisht të keqe për besimtarët muslimanë është koha që vajzat besimtare të mos mendohen dy herë. Para dy ditësh një mike e imja më njoftoi se u ishte bashkangjitur grupit të vajzave me shami. E përgëzoj atë vajzë sepse jo vetëm ka bërë një vepër të duhur (për të cilën gjithmonë është koha e duhur) por sepse ka gjetur një moment mjaft kritik. Në analizat socio-ekonomike, ky moment quhet pika e vdekjes. Ajo është studente në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe vendimi i saj do të ketë befasuar një pjesë të mirë të kolegëve dhe të njohurve. Por kjo nuk e ka penguar aspak që të mos ketë më asnjë dyshim për domosdoshmërinë dhe vlefshmërinë e këtij vendimi.
Përveç pranimit të porosisë së Zotit, që në fakt është shpërfaqje e pranimit të Vetë Atij, sot është një detyrim ndaj atyre vajzave dhe grave që sot ndjehen dhe janë të shtypura, të përjashtuara dhe të pambrojtura vetëm e vetëm pse kanë zgjedhur të pranojnë dhe të vënë në krye të vendit të jetës së tyre Zotin. Është një detyrim ndaj fëmijëve tanë, të cilët përpara se të përballin dyzimin “të vënë Zotin mbi veten, apo veten mbi Zotin”(që është dyzimi i të pavendosurave sot), do ta shohin shaminë të renditur në veprat e paligjshme që një nxënës (mbase dhe një student siç shihet prirja) mund të bëjë në shkollë, përkrah përdorimit të narkotikëve, alkoolit, orgjive seksuale, mbajtjes së armëve dhe mjeteve të tjera të presionit të pandershëm (nëse do të vazhdojnë të jenë akoma të paligjshme). Është koha për të mos u menduar dy herë.
Sunday, March 29, 2009
Emri tjetër
Si Kain në një sfidë krenarie me shpezët
Trupin tim të blatuar
Për të ushqyer të vegjlit e mi
Ngjallem
Për të rindjerë dhimbjet e gjilpërta
Që vdekja m’i humb në tkurrjen e pluhurt të plazmës
Dhimbjet që më janë shenja jete
Ngjallem nga hiri im
Prej xhelozie të zogjve të mi
I dua të pagabueshëm
Shtegtarët e rinj të qiellit
Mbi retë shtroj dafina – eshtrat e mia
Me vdekjen time të pakëputur
Shtëpinë e lumturisë t’ju dëftej
Fshikulloj lëkurën time të bulëzuar
Nga avuj të pazakontë gënjeshtrash
Zakonesh të mbrapshta grabitqarësh
Që bëjnë ushqim zogjtë e tyre
Tërhiqem gjer në klithmë
Si një flok i padëshiruar
Mes rrënjës së fortë
Dhe duarsh të pashpresa
Dergjem i lumtur mes barishtesh
Në folenë e re të zogjve
Që sot e ndërtojnë vetë
Për të imituar fatin tim
Thursday, March 19, 2009
Turizmi Hyrës Duhet Nxitur
Por duke e konsideruar krizën si një oportunitet, entet politikë-bërëse të këtij sektori janë në kohë të parashikojnë masa zbutëse, për ta kthyer këtë dobësi sektoriale me burim ndërkombëtar në një pikë të fortë të ofertës vendase.
Masa e parë më e rëndësishme është që paketave turistike hyrëse (in-coming), që agjensitë shqiptare do të ofrojnë në treg përmes rrjetit të partnerëve të tyre ndërkombëtarë, t’u hiqet TVSH-ja, duke ulur me të paktën 15% çmimin e startit në ofertën pritëse për të vizituar Shqipërinë.
Kjo qasje do të ketë të paktën tre efekte të menjëhershme:
E para, ajo do të gjenerojë një fluks më të organizuar të vizitorëve të huaj apo emigrantëve shqiptarë, të cilët blerjen turistike do të priren ta bëjnë në mënyrë të organizuar për të përfituar nga oferta e moderuar. Sjellja e klientelës në mënyrë të organizuar do të përqëndrojë më mirë kërkesën turistike, duke rritur në mënyrë thelbësore cilësinë e ofertës turistike dhe duke gjeneruar përmirësime zinxhir deri në nivel rajonal.
E dyta, kjo do të rrisë cilësisht bashkëpunimin e operatorëve turistikë brenda tregut shqiptar, kur dihet se shumica e agjensive turistike kanë në librin e kontakteve 100 hotele turke dhe vetem 3 shqiptare. Ky bashkëpunim do të harmonizojë shumë më shpejt interesat e sektorit dhe të operatorëve të tij, duke ndërtuar një vizion shumë më efektiv mbi parimin e përfitimit të dy-anshëm. Kjo prirje do të dinamizojë së pari ofertën e brendshme, duke faktorizuar ato potenciale deri më sot të shfrytëzuara mbi baza rastësore.
E treta, kjo qasje do të prodhojë një konkurencialitet më të lartë të Shqipërisë në tregun turistik rajonal, duke e bërë vendin më atraktiv në kushtet e mungesës së gatishmërisë së klientelës europiane për të paguar çmime të larta për pushimet e tyre. Kështu, me kosto të përmbajtura promocionale Shqipëria do të arrijë të përthithë më tepër vëmendje falë një oferte më fleksibël, duke e mbështetur këtë promocion mbi tipologjinë e gërshetuar të tureve si ato kulturore, ekzotike-mjedisore, malore- sportive, etj. Në fund të fundit shprehja më e mirë e fleksibilitetit të ofertës është çmimi i saj.
Gjithashtu ruajtja e nivelit të flukseve turistike hyrëse i shërben drejtpërdrejt zgjerimit të shkallës së njohjes së vendit në arenën ndërkombëtare dhe ndërtimit të një imazhi realist dhe empirikisht të besueshëm, çka në kthim përkthehet me më shumë investime të huaja direkte dhe përqëndrim më të mirë të vemendjes ndërkombëtare, duke qenë se vendi ruan një rritje ekonomike të besueshme – edhe në kushtet e recensionit botëror.
Kjo qasje u zbatua me tepër sukses në Kroaci, e cila arriti të katërfishonte flukset turistike të vendit brenda tre vitesh nga momenti i zbatimit të këtij vendimi strategjik. Nga heqja dorë prej TVSH-së për paketat turistike hyrëse, shteti kroat pati një hyrje financiare që e bëri turizmin pa asnjë diskutim sektorin më të rëndësishëm në kornizën e PBB.
Nëse Shqipëria adopton këtë qasje, është e sigurt se ajo do të ruajë rritjen e parashikuar turistike dhe do të ushqejë me të ardhura krejt zinxhirin dytësor të shërbimeve që ndërlidhen me këtë sektor. Nga kjo e ardhur, shteti do të rifitojë shumë më tepër në terma financiare, duke mos humbur asgjë.
