Monday, May 18, 2009

Pranverë në qytetin tim

Rruga është mbushur me errësirë

Këpucët derdhi pluhurin e huajtur të qytetit

Përzier me re vocërrake drite të huajtura një makine që vjen nga pas

Rruga është e zënë nga heshtja e këmbëve të kalimtarëve

Nuk ke ku hedh një ftesë, një zë, një dorë të prerë pa shtrëngim

 

Të jesh i dashuruar është e pamundur në qytetin tim

Sepse s’ka trëndafilë që kuqëlojnë si fytyra të ndrojturish

S’ka as zogj, që si gjithëherë, të na mësojnë

S’ka si të ketë

Se nuk ka zogj të braktisur

Si njerëzit e braktisur të qytetit tim

 

Të duhet të vraposh

Pa këpucë të ngarkuara me qytet

Si vaporrë rënkues kreshtave të oqeanit

 

Me duar të lyera me hënë

Si bukë fëmijësh

Të duhet të vraposh

 

S’mbetet tjetër, veç të hedhësh një muzg supeve

Të mblidhesh kruspull në një shpellë të djersitur mendimesh

Të shkruash me gishta të ngjyer në hënë

Letrat e panisura të dashurisë 

IZRAEL, BËHU ISLAM!

Vehap S. Kola

 

Një reflektim mbi librin me të njejtin titull të autorit Piter Stokton, botuar nga Qendra e Studimeve Krahasuese “Erasmus”, Tiranë, Maj 2008

 

Njërën nga foshnjet e kishte rrëmbyer ujku. Dy nënat zunë të grindeshin për prindërinë e foshnjës që shpëtoi. Ashtu duke u ngrënë me sho-shoqen vajtën të Daudi (a.s.) e ia lëçitën çështjen që i kishte troshitur gjermë atë çast. Daudi (a.s.) vendosi t’i njohë më pak të resë të drejtën e mëmësisë mbi fëmijën. Por sherri nuk u ndal as me këtë gjykim dhe të dyja, siç ishin, shkuan te Sulejmani (a.s.) të kërkojnë dhe mendjen e tij. Ai kërkoi një thikë që të ndante të miturin më dysh dhe t’i jepte secilës gjysmën e fëmijës. Më e reja prej tyre s’u mbajt dhe u hodh përpjetë duke i thërritur: “Mos bëj mëkat! Zoti të mëshiroftë për çfarë po bën. I saji është fëmija.” Dhimbsuria e saj tregoi se ajo ishte nëna e vërtetë e fëmijës.

 

  1. Kujt i takon Jeruzalemi?

 

Qyteti është i shenjtë. Për këtë ekziston një konsensus mjaft i gjerë, mbase më i gjeri i mundshëm në kutin fetar të njerëzimit. Muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë garantojnë mbështetjen e më shumë se gjysmës së botës për këtë qëndrim. Por çuditërisht ai është molla e sherrit më të përgjakshëm të epokës sonë. Dhe janë vetë këto tre grupe që hahen kaq urryeshëm për këtë pëllëmbë të trupit planetar. A do të kishte të njejtin rezultat nëse Sulejmani (Solomoni) do të merrte, në vend të foshnjës, Jeruzalemin dhe të kishte ndërmend ta ndante në dy apo tre copa; nganjë copë për secilën palë? Besoj se është njësoj e pamundur që një ndarje e tillë të prodhojë tre vende të shenjta për arsyen e thjeshtë se të tre mëtuesit kërkojnë saktësisht të njëjtin vend.

 

Piter Stokton (Peter Stockton), në librin e tij “Përtej Jerusalemit” (Transcending Jerusalem) të publikuar nga Qendra e Studimeve Krahasimore “Erasmus” në Tiranë, bën një analizë të detajuar të premisave historike dhe premtimeve për zgjidhjen e nyjës në brigjet lindore të Mesdheut, gjithaqsa ofron një zgjidhje të harruar nga palët e përfshira në këtë grindje të dhunshme dhe të padrejtë. Kjo ese është një përpjekje për të bërë një shtypje në pak rreshta të trajtesës së Stotkonit.

 

  1. Burimi i Grindjes

 

Para disa vitesh kisha dëgjuar një deklaratë pompoze të njërit prej drejtuesve politikë të Hamas-it: “Edhe nëse muslimanët do ta kishin pushtuar Palestinën, ne do t’i luftonim njësoj siç luftojmë hebrenjtë”. Sigurisht kjo tingëllonte një argument mjaft i fortë dhe retorikë e përzgjedhur për të shprehur mosdiskutueshmërinë e qëndrimit të lëvizjes që ai drejtonte ndaj çështjes së Palestinës. Megjithatë, sot kjo më ngjan e padrejtë dhe e papranueshme nga këndvështrimi fetar musliman. Nëse është fjala për të drejtat e shkelura dhe pronat e grabitura e të shkërmoqura, kjo vepër mbetet krim pavarur se kush e kryen. Por, po të jetë fjala për kontrollin nacional të qytetit të shenjtë, Jeruzalemit, Zoti nuk ua ka premtuar as palestinezëve dhe as hebrenjve këtë nder. Prandaj qëndrimi i mësipërm është njësoj i padrejtë saç është qëndrimi i vetë hebrenjve të përzier në këtë shfaqje dramatike të padrejtësisë së më të fortit ndaj më të dobëtit.

 

Burimi i grindjes është, në fakt, ndryshimi në qëndrimet që kanë muslimanët dhe hebrenjtë ndaj Zotit Vetë. Hebrenjtë kanë ndërtuar, në kulturë-historinë e tyre, modelin e kryengritësit, të popullit me qafë të fortë dhe të panënshtruar ndaj Zotit. Ndërsa muslimanët, ashtu si vetë emri i tyre, kanë në thelb të botëkuptimit të tyre religjoz paqen me Zotin dhe nënshtrimin ndaj Tij. Tema kryesore e Biblës është njeriu, aqsa dhe Zotit i jepen tipare njerëzore dhe i mvishen të meta tipike prej njeriu. Ai mund të jetë pokaq i mbrapshtë sa heronjtë e Biblës. Sakaq në Kuran qendërsisht mbizotëron tema e Zotit dhe Unitetit të Tij, nevojës për t’Ia dëgjuar Fjalën dhe për t’I’u nënshtruar Vullnetit të Tij. Aty ndërtohet aspirata më e lartë njerëzore: të arriturit e Zotit, të fituarit e Vetive të Tij.

 

Debati se kush prej djemve të Ibrahimit do të sakrifikohej është një mënyrë shumë e mirë për të ndërtuar argumentin. Është pranuar dhe e pranueshme tashmë gjerësisht se Bibla është shkruar nga disa duar, që të krishterët dhe hebrenjtë i quajnë duart e profetëve. Megjithatë ajo që është më e qartë se kurrë, sot është kuptimi se hebrenjtë, si shkruesit e Dhjatës së Vjetër të paktën, kanë shprehur në të qëndrimin e tyre ndaj Zotit. Nuk ka një konsensus të njëzëshëm mes të dijshmëve dhe të urtëve të fesë Islame që djali i bërë mend për t’u sakrifikuar të ketë qenë Ismaili. Megjithatë ky mendim dominon fort qëndrimin e Ymetit. Hebrenjtë dhe të krishterët mbrojnë fort tezën së djaloshi i rrezikuar ishte Isaku, sepse bekimet e Perëndisë do t’i fitonte linja e atij, që veçsa nuk u bë kurban. Më i rëndësishme këtu nuk është identiteti i birit, por mënyrën se si u zhvillua ngjarja.

 

Ne thamë se hebrenjtë kanë një qëndrim rebelues dhe të pabindur ndaj Zotit. Këtë qëndrim ata e kanë shprehur edhe në historinë që kanë shkruar për vete. Isaku u mashtrua nga i ati me qëllim që të mos kundërshtonte të shkonte në vendin ku do blatohej. Ai i shpëtoi këtij mashtrimi dhe gjithmonë e ka mbajtur kokën anash duke dyshuar dhe duke mos u bindur. Historia islame e baltimit është krejt e ndryshme, jo vetëm përnga heronjtë e saj. Ibrahimi (a.s.) i kishte rrëfyër të birit të vërtetën e porosisë nga Qielli. Ismaili i bindet të atit dhe e inkurajon që të çojë në vend vullnetin e Zotit. Ai është i nënshtruar, pra musliman.

 

Më vonë i vogli ndërmjet bijve të Isakut, Jakobi, e gënjeu babain e verbuar nga pleqëria dhe mori bekimin që i takonte Esaut, vëllait të tij më të rritur. Si për t’i vënë vulën qëndrimit të pabindur ndaj Zotit, Jakobi biblik ndeshet me një agjent qiellor (Engjëlli apo Zoti) dhe e mund atë. Aty mori emrin Isra-El që do të thotë “ai që ndeshet me Zotin”. Këtë qëndrim kanë mbajtur hebrenjtë përgjatë gjithë historisë. Edhe kur mes tyre ishte Musai (a.s.) i cili i quajti ‘popull me qafë të fortë’. Kur ai sillte Shpalljen, i gjeti duke adhuruar një idhull të derdhur në flori, ndërsa kur u bëri thirrje të hynin në qytet ata nuk i bindën. Ndryshe ndodh me bashkësinë e Muhamedit (pqmt) në Mekë. Ata pranuan të shkojnë në një vend të panjohur, që sundohej nga një mbret i krishterë me lidhje shumë të forta me përndjekësit e tyre politeistë. Kjo vetëm sa e rishpreh natyrën e tyre prej të bindurish ndaj Zotit.

 

Musai (pqmt) nuk arrin të hyjë në qytet por e themelon bashkësinë e tij në shkretëtirë, në udhëtim. Hebrenjtë tregojnë edhe njëherë se përfaqësojnë kërkuesit e të jetuarit. Qytetërimi, ashtu si besimi, i tyre është ai i lëvizjes. Ai është themelvënë në lëvizje dhe i tillë vazhdon të funksionojë. Përskaj rëndësisë së hixhretit, i cili përkujtohet vetëm në haxh si i vetmi ritual qendror që kërkon ikje dhe lëvizje, të gjitha të tjerat, namazi, agjërimi, zekati, kërkojnë qëndrim, paqe diku në prehrin e plleshëm të tokës. Muhamedi (pqmt) e themelon bashkësinë e tij në Medine, pra në një qytet ku do të jetonin dhe jo në një udhëtim gjatë kërkimit të jetesës.

 

Edhe qendrimi ndaj profetëve është poaq i ndarë. Rrëfimi kuranor për profetët synon të shfaqë në sytë e muslimanëve një model të sukseshëm të njerëzve të bindur dhe të nënshtruar ndaj Zotit. Ata mund të kenë qenë subjekt i gabimeve të parëndësishme por asnjëherë nuk kanë qenë kundërshtarë të Zotit. Përkundrazi Bibla është e tejmbushur me jetëpërshkrimet e profetëve që mëkatojnë siç edhe vetë të qortuarit prej tyre. Kjo dëshiron të thotë se në sytë e hebrenjve personazhi rebel është më i dashuri dhe nga ana tjetër të justifikojë veprimet dhe paudhësitë e tyre ndaj Zotit dhe porosive të tij. Kur një profet nuk mund të jetë i mirë me Perëndinë, ashkush veç tij nuk mund të jetë i mirë. Shembulli më portretizues i këtij botëkuptimi është vetë Davidi biblik. Nga njëra anë ai bën disa paudhësi të dënueshme gjerësisht dhe nga ana tjetër është mbret dhe profet i Izraelit. Kurani e paraqet atë si një njeri të devotshëm që thuajse papreprë qante dhe lëvdonte Zotin, edhe pse ai duket se kishte bërë disa gabime në gjykimet e tij. Duke inkriminuar edhe atletin e tyre, hebrenjtë duan të thonë se gjithkush mund të jetë më i keq se ai, duke qenë njeri i thjeshtë.

 

Në këtë mënyrë arrijmë në përfundimin se Shkrimi i Shenjtë hebre dhe i krishterë ka në qendër të tij njeriun, kur Kurani vë temë qendrore Zotin, Unitetin e Tij dhe domosdoshmërinë e nënshtrimit ndaj Tij dhe dëgjimit të Fjalës së Tij. Burimi i përleshjes së pandalur prej një shekulli, për Jeruzalemin është qëndrimi i përkundërt i palëve ndaj Zotit. Prandaj edhe zgjidhja duhet të vijë nga ndryshimi i qëndrimit ndaj Tij. Propozimet për ndarjen e Qytetit të Shenjtë apo për ndërtimin e dy shteteve janë poaq të pamundshëm sa edhe bashkëjetesa e këtyre botëkuptimeve të kundërta mbi Krijuesin dhe njeriun.

 

  1. Askujt nuk s’i’u bë padrejtësi nga Zoti dhe askush s’është i pandreqshëm

 

Misionet e njëpasnjëshme të Isaias, Jeremias dhe Ezekielit (pqmt), tre profetëve të mëdhenj të Izraelit mbeten një dëshmi e padiskutueshme se ‘popullit të zgjedhur’ i qenë dhënë mundësi të panumërta për të kthyer udhë. Thirrjet e tyre synonin që zemrën e gurtë ta zëvendësoni me një zemër prej mishi dhe gjaku. Kundërvënia ndaj shterjes shpirtërore të popullit hebre nuk qe orakull për ndëshkimin, po edhe nëse qe, kjo nuk e kaloi premtimin për bekime dhe lumturi të përjetshme sikur ata ta pranonin këtë ndryshim të zemrës. Hebrenjtë u sulmuan nga armiqtë e tyre, u plaçkitën dhe zunë robër si komb, por edhe fituan lirinë dhe triumfuan ndaj tyre gjatë kësaj periudhe. Sa herë që ‘qafa e fortë’ ngurtësohej, Zoti i qortonte dhe i fshikullonte. Përfundimisht përgjigja e tyre ndaj profetëve të mëdhej është fabul e përsëritur e sjelljes së tyre ndaj mijëra profetëve të tjerë. Ata u vranë, u persekutuan dhe u përçudnuan në shkrimet e shenjta, apo për pjesën më të madhe prej tyre u zhdukën gjurmët e ekzistencës dhe mesazhit në historinë e shkruar nga duart e izraelitëve.

 

Sigurisht, Jezusi, ardhja dhe mesazhi i tij, përbëjnë kulmin dhe zgjidhjen e fabulës hebraike. Ai u ngrit mes tyre edhe njëherë me ftesën për të zëvendësuar zemrën e ashpër me një zemër tjetër, ku gjallon mishi i butë i jetës dhe gëlon gjaku i nxehtë i përkushtimit. Zoti e ka pritur këtë popull dhe e ka përtërirë ftesën e tij mjaft herë derisa dërgoi Isain (pqmt). Më mirë se ç’e simbolizon këtë historia e djalit plangprishës në Dhjatën e Re nuk mund ta shëmbëllejë asnjë parabolë tjetër. Ai u largua nga shtëpia dhe u shpërudh duke çuar dëm të hollat. Ngushtia që e mbërtheu pasi nuk i kishte mbetur asnjë dyshkë në xhep, e shtrëngoi të kthehej i turpëruar përpara t’et. I ati urdhëroi të festohej për kthimin e djalit duke dhënë shenjat e një gëzimi të papërmbajtur, duke nxitur zemërimin dhe xhelozinë e djalit besnik ndaj familjes. “Bir, – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua dhe gjithçka kam është jotja. Por u desh të gëzohemi e të ngazëllehemi sepse ky, yt vëlla, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet”. Kështu mund të kuptohet edhe qëndrimi i Zotit ndaj popullit të Izraelit, një pritje e gjatë, kurdoherë e vlefshme për t’u kthyer në Shtëpinë e Tij dhe, me siguri, një festë e veçantë i pret gjithëherë. Jezusi (pqmt) i paralajmëroi hapur hebrenjtë se tashmë skeptri do të kalonte në shtëpinë e Ishmaelit dhe një ishmaelit do të ishte princi i mbretërisë së Perëndisë. Përmendja e përshkrimeve dhe parashenjave të ardhura nga goja e tij nuk do të qe e qëlluar për këtë ritregim të shkurtër të librit.

 

  1. Zgjidhja

 

Historia e marrëdhënieve të hebrenjve me profetin Muhamed, (pqmt) mund të përshkruhet si një ngasakeqje e shumëduruar. Ndonëse ai (pqmt) u kishte siguruar atyre një status prej të barabartësh dhe të veçantësh (mund të jetonin me të njëjtat të drejta dhe të besonin e të gjykonin mes veti sipas ligjit të tyre fetar), ata nuk e mbajtën kurrë fjalën për të qenë partnerë dinjitozë dhe të sinqertë. Cilatdoqofshin rezultatet e asaj marrëdhënie, një gjë mund ta themi me bindje dhe pa brejtje ndërgjegjeje. Muhamedi (pqmt) bëri mjaft më shumë se mund ta imagjonojë kushdo për të shmangur përplasjen me hebrenjtë, edhe pse lufta nuk do ta vinte në vështirësi.

 

Zgjidhjet politike për konfliktin nuk janë të qendrueshme sepse nuk janë të vërteta. Mbanash faktit që përplasja ndërmjet palëve ka ngjyresa nacionaliste (në Izrael partitë politike kryesore janë tërësisht ateiste ndërsa në Palestinë njëra lëvizje është vetëm politike ndërsa tjetra, edhe pse fetare, lufton me motive politike), motivi real i përplasjes është fetar. Jo se feja prodhon dhunë, por sepse aty përplasën qëndrimet e kundërta ndaj Zotit.

 

Thika e Sulejmanit nuk do të paraqiste një zgjidhje. Në fakt propozimet e Solomonëve politikë të botës së soçme për ndërtimin e dy shteteve nuk do të kenë kurrë sukses, sepse ndarja e fëmijës në dy pjesë nuk do të kënaqë kurrë mëmën e vërtetë. Çfarë është e ditur sot është fakti se muslimanët kanë zgjedhur të mos e pranojnë këtë thikë që në 1948 edhe pse kjo u ka kushtuar humbjen e foshnjës. Ngjarja e foshnjës mbyllet duke i njohur mëmësinë asaj që vendosi të hiqte dorë për të shpëtuar jetën e fëmijës së saj. Ndoshta nuk është e rastësishme që i takoi që më e reja nga nënat të qe e vërteta.

 

Po çfarë do të ndodhte nëse hebrenjtë me ‘qafë të fortë’ do të vendosnin të ndërronin ‘zemrën e gurtë’ me një ‘zemër të butë’ dhe nga përleshja me Zotin të ktheheshin te nënshtrimi ndaj Tij dhe paqja me Të? A do të kishin pretendime Palestinezët ndaj Jeruzalemit? Ose, a do të kishin të drejtë të kishin pretendime nacionaliste? Apo më tepër, a do të irritoheshin nga vizita e Ariel Sharonit në vitin 2000 në xhaminë Aksa, nëse ai do ta kishtë ndërruar atëherë zemrën? Për të tria pyetjet, jo! Ashtu siç thotë edhe Stoktoni në mbyllje të trajtesës së tij zgjidhja është: Izrael ose Islam! Izrael, bëhu Islam!

 

  1. Dy fjalë mbi përmbajtjen e librit

 

Piter Stokton (Peter Stockton) është një amerikan që e parapa fatin e tij të konvertimit në musliman në një ëndërr mjaft domethënëse, po të kesh parasysh fabulën e tij. Ditët e tij në Izrael dhe Palestinë i kanë ndriçuar një pjesë të madhe të hijeve që në formimin e tij prej të krishteri merren si të mirëqena dhe të patrazuara nga pyetje që lindin nga ndërgjegjia e njeriut të mirë.

 

Hyrjen e librit, autori i hap mjaft mirë çështjet që do të diskutojë në vijim dhe ngjall një kureshtje mbërthyese tek lexuesi (këtë libër e lexova brenda dy ditësh, përskaj kohës tepër të zënë me punë). Në kapitullin e parë, Prej Ndarjes së Rrugëve tek Ndarja e Dallgëve – prej Abrahamit tek Moisiu Stoktoni ka shpjeguar, mjeshtërisht dhe me një forcë kumbuese argumenti, pse-të e qëndrimeve kaq të ballpërballshme të muslimanëve dhe hebrenjve mbi çështjen e kontrollit mbi Qytetin e Shenjtë. Rrënjët e problemit janë te qendrimi i palëve ndaj Zotit: zgjedhja midis nënshtrimit dhe kundërvënies. Aty ai ka arritur të pastrojë edhe disa mbeturina dëmsjellëse në qendrimin e besimtarëve në përgjithësi dhe palestinezëve në veçanti karshi kësaj çështjeje. Në kapitullin e tretë, Epoka e Artë – Davidi dhe Solomoni argumentimi i mësipërm është mbështetur në shembujt më të lëvduar mes izraelitëve. Ndarja e qendrimeve është e dukshme edhe në rastin e modelit rebel hebre të Davidit dhe Solomonit dhe atij të përunjur musliman të Daudit dhe Sulejmanit (pqmt).

 

Izraelitët janë një komb me ‘qafë të fortë’, jo sepse fati i tyre u shkrua i tillë, se po të ishte për këtë, çfarë rëndësie do të kishin profetësitë e Isaisë, Jeremisë dhe Ezekielit, por atyre u është dhënë gjithmonë shansi i zëvendësimit të ‘zemrës së gurtë’ me një ‘zemër të butë’ prej mishi, përmes të cilës rrjedh gjaku i jetës. Pikërisht këtë thotë kapitulli i katërt, Profetët e Mëdhenj të Izraelit – Isaia, Jeremia dhe Ezekieli. Autori nuk le pa renditur edhe profecitë e tyre kryesore lidhur me Mesian dhe një profet tjetër jashtë barkut të Izraelit.

 

Kapitulli i pestë, Një Zemër e Re – Isai (Jezusi) përmbledh misionin e Isait (pqmt) dhe mesazhin e tij përkarshi refuzimit tradicional, fatkeqsisht, të popullit. Injorimi hebraik e detyron krishtërimin paulin të kthejë sytë nga pjesa tjetër e njerëzimit dhe për qëllime politike, të ndryshojë kurs deri edhe në thelbin e besimit. Kthimi mbrapsht i thirrjes së Qiellit ishte fillimi i derdhjes dhe troshitjes së ‘popullit të zgjedhur’ nëpër zgafellat historisë dhe tokës. Pak dekada pas Isait (pqmt) e deri pas luftës së dytë botërore, populli hebre u derdh si një shishe e pambyllur uji nëpër tokë dhe u përndoq si një e keqe e patjetërsueshme nga pushtetet e krishtera kryesisht. Profecitë për ardhjen e një figure vulosëse pas tij, u shpallën me të madhe nga Isai (pqmt).

 

Kapitulli 6, Përtej Jeruzalemit – Muhamedi është një antologji e kapërcimit të zgjedhjes së Zotit nga populli hebre te e gjithë njerëzia. Ndërsa misionet brendakombëtare të profetëve izraelitë kishin përfunduar me Isain (pqmt), ato kishin lënë gjurmë të dukshme në shkrime lidhur me ardhjen e profetit të fundit. Aty përshkruhet edhe marrëdhënia e profetit (pqmt) me komunitetin hebre në veçanti e cila, pas një përplasjeje tërësisht të pandershme nga ana e këtyre të fundit përfundon me marrëveshjet e besatimit dhe sigurimit për komunitetet e tyre në shtetin e ri musliman. Përse Jeruzalemi u takon muslimanëve, kuptohet edhe nga vetë emri i këtij kapitulli. Izraeli nuk kishte pranuar të bëhej Islam.

Sunday, April 12, 2009

Një Lumë me Pyetje për Ministrin Beja dhe një Apel për Vajzat pa Shami

Vehap S. Kola

Vendimi i fundit (i cili është i pari në fakt) i Ministrit të Arsimit për të mos lejuar mbajtjen e simboleve fetare nëpër shkollat 9-vjeçare dhe të mesme ka prekur dhe ka dëshpëruar kryesisht muslimanët dhe atë pjesë të shoqërisë civile dhe politike që mbështesin vizionin e një shoqërie shqiptare të integruar në Bashkimin Europian, të zhvilluar ekonomikisht, të kultivuar dhe emancipuar kulturalisht, por mbi të gjitha të një shoqërie përfshirëse dhe mbrojtëse sidomos të shtresave të dobëta dhe të lëna anash. Në fakt ky vendim prek vetëm muslimanët, sepse për to është marrë; për të ndaluar mbajtjen e shamive në kokë nga vajzat muslimane në shkolla. Qëllimi i këtij vendimi është që të mos lejojë që vajzat muslimane të mbajnë shami në shkolla apo, që në fakt është efekti më i mundshëm i tij, moslejimin e vajzave muslimanë me shami në shkollë. Z.Beja e mori këtë vendim në vijim të një rasti flagrant të përjashtimit nga pjesëmarrja në procesin mësimor të një vajzë muslimanë ne një shkollë të Burrelit.

 

Ekstremizmi i Ministrit Beja

 

Ministri Beja ka shpalosur një tipar ekstremist dhe të dënueshëm shoqërisht (në mos edhe ligjërisht, sepse unë nuk jam jurist, anipse kjo çështje nuk do ndonjë njohje të thellë të së drejtës). Ai ka vendosur të qëndrojë i palëkundur në një pozitë të papërcaktuar laiciteti, ashtu siç është i papërcaktuar (apo i pavërtetë) laiciteti i tij.  Çfarë do të thotë laicitet sipas Ministrit? Laicitet do të thotë të mbash një pozite ekstreme dhe urrryese ndaj një pjese vitale të shoqërisë, (e cila për shkak të lirisë që e karakterizon nuk pranon të shëtisë cullak rrugëve të qyteteve dhe fshatrave) duke i dhënë gjunjë çfarëdo qëndrimi të pambështetur prej tyre dhe duke forcuar alibitë e ekstremistëve. Ky vendim rrezikon të ngarkojë negativisht strukturën e marrëdhënieve ndërfetare në vend sepse godet drejtpërdrejt mënyrën e jetesës dhe aplikimin e bindjeve të fetare të një grupi (që në fakt është më i marxhinalizuar për një numër arsyesh) në mënyrë të pabarabartë me grupet e tjera fetare.

 

Z. Beja është treguar ekstremist kur ka marrë një vendim fanatik dhe aspak të leverdisshëm për emancipimin social të vendit, pasi ai nuk ka pranuar të gjykojë nga pozita të pavarura apo nga pozitat e vetë të prekurve nga vendimi i tij. Pse u dashkan akuzuar për fanatizëm apo ekstremizëm disa njerëz që bëjnë atë që e besojnë dhe e duan dhe disa të tjerë të shpallen me të madhe si progresistë dhe të emancipuar? Fanatiku më i madh në këtë çështje është në fakt Z. Beja pasi ai nuk e ka mbështetur firmën e tij në asnjë përcasktim të gjithëpranuar të laicizmit për të gjykuar, kësisoj pa baza solide, si laik ose antilaik modelin etik të veshjes së një femre muslimane. Ajo që Ministri ka bërë është adaptimi i një modeli tejet përjashtues pa testuar aspak pranimin e tij nga shoqëria. Por një model nuk mund të zgjidhet me një vendim arbitrar. Ai duhet të testohet nga vetë populli, dhe madje nëse është i padrejtë, nuk lejohet të hidhet as në një referendum.

 

Simboli i vërtetë fetar

 

Çfarë simbolizon shamia në të vërtetë? A mund të themi se një shami në kokën e një gruaje synon të tregojë bindjet e saj politike, religjoze, traditën apo arsye personale? Z. Beja ka marrë përsipër një mision të dështuar që në nisje: të gjykojë si simbole fetare shamitë në kokat e femrave. Në fshatin tim të origjinës, vajzat shkojnë akoma në shkollë me shami dhe t’i heqësh shaminë një vajze është e barabitur me marrjen e nderit të saj. Por asnjë ose shumë pak prej tyre mund të kenë për qëllim bindjen ndaj Zotit në një kuptim ideologjik që Ministri orvatet në thotë. Të njejtën gjë bëjnë edhe vajzat më të rritura, gratë, nënat dhe gjyshet. A mundet vendimi i Z. Beja të bëjë dallimin e qëllimeve simbolike fetare në mesin e këtij komuniteti? Sigurisht që jo, dhe prandaj ai ose nuk do të zbatohet dot kurrë, ose do të jetë i padrejtë saherë që të zbatohet.

 

Ky Ministër është treguar profan kur ka ngritur në nivelin e një Vendimi Ministri paragjykimin e tij apo të një pjese të shoqërisë. Ai është treguar i paditur kur e ka konsideruar religjozitetin e shoqërisë si një formë të thyerjes së laicitetit. Në fakt është diskriminimi pozitiv apo negativ i një grupi fetar ndaj një tjetri ai që thyen laicitetin. Nëse shteti është laik, atëherë ai është i paanshëm.  Çfarë do të bëjë Ministri i Arsimit me gjithë ato kryqe që varen në kraharorët e të rinjve nëpër shkolla? A do t’i konsiderojë edhe ato simbole fetare? Sërish do të gabojë sepse pjesa më e madhe prej tyre e vendosin kryqin si prirje të modës së kohëve të fundit.

 

Sa për simbolikën, myslimanët nuk pranojnë dhe nuk lejojnë të përdorin simbolika supersticioze apo përfaqësime pa thelb, siç mund të ishte veshja. Madje kjo përfaqëson një subjekt delikat për të vleftësuar apo zhvleftësuar besimin e tyre. Veshja islame është thelbësisht dhe vetëm funksionale; ajo përdoret për të mbuluar trupin. Askush nuk mund të ketë të drejtë të gjykojë se cilat pjesë të trupit duhet të mbulojë një qytetar i Shqipërisë nëse zgjedhja e tij nuk cënon sigurinë, mirëqenien apo ushtrimin normal të veprimtarive të subjekteve të tjera, qofshin publike apo private. A mund t’i thuhet një vajze se sa dhe si duhet t’i vijë turp nga të tjerët? A mund t’i tregohet asaj se sa mund dhe sa nuk mund të zbulojë nga trupi i saj? A nukdo të ishte tirani nëse vajzën (nuk e di nëse ka) e Z. Beja do ta detyronin të vishte një rrobë më të shkurtër (apo të pamjaftueshme sipas saj) dhe t’ia kushtëzonin përfitimin e të mirave publike për të cilat ajo është legjitime në sajë të bindjes ndaj këtij detyrimi?

 

Vizioni i Ministrit për të ardhmen e vendit dhe sidomos të rinjve

 

Të shtunën Z. Berisha ishte në Korçë për të takuar të rinjtë. Me një hap prej rioshi ai u ngjit në skenë dhe përcolli entuziazëm dhe një vizion mjaft dinamik zhvillimor për të ardhmen intelektuale dhe profesionale të të rinjve. Por pas tij qëndronte hija e shëmtuar e vendimit të padrejtë të Ministrit të tij të Arsimit i cili ka vendosur të mos pranojë në shkolla vajzat që mbajnë shami, sepse kjo përbëka thyerje të laicitetit.

 

Ky vendim i padrejtë nuk është vetëm i tillë por edhe kulturalisht, ekonomikisht dhe shoqërisht kërcënues. Kjo pjesë e të rinjve shqiptarë nuk do të mund të përfitojnë arsimim normal dhe konkurrues me pjesën tjetër të të rinjve. Ata nuk do të mund të fitojnë vende pune me të ardhura të mira apo mesatare. Do të vazhdojnë të kryejnë punë të rëndomta dhe do të pozicionohen në shtresat e marxhinalizuara ekonomikisht, kulturalisht dhe shoqërishmërisht.  Ata do të jenë subjekt i varfërimit të vazhdueshëm, duke sjellë rezultate kundërthënëse me objektivat e çdo qeverie për të zbutur varfërinë dhe për të rritur mirëqenien.

 

Familjet e tyre do të rrisin fëmijë më pak dhe më keq të arsimuar, sepse nuk do të mund të përballojnë studimet në universitetet e shtrenjta, dhe prirja rënëse nën kurbën e Lorencit do të qëndrojë apo thellohet. Sigurisht Ministri nuk ka bërë asnjë vlerësim të ndikimit të vendimit të tij në përmbushjen e objektivave të zbutjes së varfërisë dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë të qeverive. Nëse zgjedhja e vajzave është e paligjshme është një çështje që nuk është marrëveshur mes palësh, ndërsa detyrimi i shtetit për të mbështetur dhe shpëtuar shtresat e varfra nuk lidhet me ligjshmërinë e saj. Nëse familjet e prekura do të dëmtohen shoqërisht dhe ekonomikisht, atëherë është obligim i shtetit për t’i asistuar ato. Jo vetëm padrejtësi shoqërore, por edhe dëm ekonomik për periudhat e ardhshme buxhetore sjell ky vendim i Ministrit. Nëse 800 mijë ndërtime pa leje ishin të paligjshme, qeveria vendosi t’i legjitimojë për të shmangur një katastrofë sociale dhe ekonomike në rastin e shkatërrimit të tyre.

 

Koha për të mos menduar dy herë

 

Në këtë situatë vërtetësisht të keqe për besimtarët muslimanë është koha që vajzat besimtare të mos mendohen dy herë. Para dy ditësh një mike e imja më njoftoi se u ishte bashkangjitur grupit të vajzave me shami. E përgëzoj atë vajzë sepse jo vetëm ka bërë një vepër të duhur (për të cilën gjithmonë është koha e duhur) por sepse ka gjetur një moment mjaft kritik. Në analizat socio-ekonomike, ky moment quhet pika e vdekjes. Ajo është studente në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Tiranës dhe vendimi i saj do të ketë befasuar një pjesë të mirë të kolegëve dhe të njohurve. Por kjo nuk e ka penguar aspak që të mos ketë më asnjë dyshim për domosdoshmërinë dhe vlefshmërinë e këtij vendimi.

 

Përveç pranimit të porosisë së Zotit, që në fakt është shpërfaqje e pranimit të Vetë Atij, sot është një detyrim ndaj atyre vajzave dhe grave që sot ndjehen dhe janë të shtypura, të përjashtuara dhe të pambrojtura vetëm e vetëm pse kanë zgjedhur të pranojnë dhe të vënë në krye të vendit të jetës së tyre Zotin. Është një detyrim ndaj fëmijëve tanë, të cilët përpara se të përballin dyzimin “të vënë Zotin mbi veten, apo veten mbi Zotin”(që është dyzimi i të pavendosurave sot), do ta shohin shaminë të renditur në veprat e paligjshme që një nxënës (mbase dhe një student siç shihet prirja) mund të bëjë në shkollë, përkrah përdorimit të narkotikëve, alkoolit, orgjive seksuale, mbajtjes së armëve dhe mjeteve të tjera të presionit të pandershëm (nëse do të vazhdojnë të jenë akoma të paligjshme). Është koha për të mos u menduar dy herë.

 

 

Sunday, March 29, 2009

Emri tjetër

Tërheq zvarrë kufomën time
Si Kain në një sfidë krenarie me shpezët
Trupin tim të blatuar
Për të ushqyer të vegjlit e mi

Ngjallem
Për të rindjerë dhimbjet e gjilpërta
Që vdekja m’i humb në tkurrjen e pluhurt të plazmës
Dhimbjet që më janë shenja jete

Ngjallem nga hiri im
Prej xhelozie të zogjve të mi
I dua të pagabueshëm
Shtegtarët e rinj të qiellit
Mbi retë shtroj dafina – eshtrat e mia
Me vdekjen time të pakëputur
Shtëpinë e lumturisë t’ju dëftej

Fshikulloj lëkurën time të bulëzuar
Nga avuj të pazakontë gënjeshtrash
Zakonesh të mbrapshta grabitqarësh
Që bëjnë ushqim zogjtë e tyre

Tërhiqem gjer në klithmë
Si një flok i padëshiruar
Mes rrënjës së fortë
Dhe duarsh të pashpresa

Dergjem i lumtur mes barishtesh
Në folenë e re të zogjve
Që sot e ndërtojnë vetë
Për të imituar fatin tim

Thursday, March 19, 2009

Turizmi Hyrës Duhet Nxitur

Parashikimi i parë i besueshëm mbi efektet e krizës botërore në Shqipëri është rënia e hyrjeve nga flukset turistike, nisur nga fakti se as të huajt dhe as shqiptarët me banim jashtë vendit, nuk do të kenë përsëri të njëjtat të ardhura në dispozicion. Nevoja për të ngushtuar shpenzimet jo të domosdoshme do të prodhojë padyshim një rrudhje të hyrjeve turistike në vend, dhe për rrjedhojë edhe një ngushtim të prurjeve financiare të këtij sektori në buxhetin e shtetit.
Por duke e konsideruar krizën si një oportunitet, entet politikë-bërëse të këtij sektori janë në kohë të parashikojnë masa zbutëse, për ta kthyer këtë dobësi sektoriale me burim ndërkombëtar në një pikë të fortë të ofertës vendase.

Masa e parë më e rëndësishme është që paketave turistike hyrëse (in-coming), që agjensitë shqiptare do të ofrojnë në treg përmes rrjetit të partnerëve të tyre ndërkombëtarë, t’u hiqet TVSH-ja, duke ulur me të paktën 15% çmimin e startit në ofertën pritëse për të vizituar Shqipërinë.


Kjo qasje do të ketë të paktën tre efekte të menjëhershme:

E para, ajo do të gjenerojë një fluks më të organizuar të vizitorëve të huaj apo emigrantëve shqiptarë, të cilët blerjen turistike do të priren ta bëjnë në mënyrë të organizuar për të përfituar nga oferta e moderuar. Sjellja e klientelës në mënyrë të organizuar do të përqëndrojë më mirë kërkesën turistike, duke rritur në mënyrë thelbësore cilësinë e ofertës turistike dhe duke gjeneruar përmirësime zinxhir deri në nivel rajonal.

E dyta, kjo do të rrisë cilësisht bashkëpunimin e operatorëve turistikë brenda tregut shqiptar, kur dihet se shumica e agjensive turistike kanë në librin e kontakteve 100 hotele turke dhe vetem 3 shqiptare. Ky bashkëpunim do të harmonizojë shumë më shpejt interesat e sektorit dhe të operatorëve të tij, duke ndërtuar një vizion shumë më efektiv mbi parimin e përfitimit të dy-anshëm. Kjo prirje do të dinamizojë së pari ofertën e brendshme, duke faktorizuar ato potenciale deri më sot të shfrytëzuara mbi baza rastësore.

E treta, kjo qasje do të prodhojë një konkurencialitet më të lartë të Shqipërisë në tregun turistik rajonal, duke e bërë vendin më atraktiv në kushtet e mungesës së gatishmërisë së klientelës europiane për të paguar çmime të larta për pushimet e tyre. Kështu, me kosto të përmbajtura promocionale Shqipëria do të arrijë të përthithë më tepër vëmendje falë një oferte më fleksibël, duke e mbështetur këtë promocion mbi tipologjinë e gërshetuar të tureve si ato kulturore, ekzotike-mjedisore, malore- sportive, etj. Në fund të fundit shprehja më e mirë e fleksibilitetit të ofertës është çmimi i saj.

Gjithashtu ruajtja e nivelit të flukseve turistike hyrëse i shërben drejtpërdrejt zgjerimit të shkallës së njohjes së vendit në arenën ndërkombëtare dhe ndërtimit të një imazhi realist dhe empirikisht të besueshëm, çka në kthim përkthehet me më shumë investime të huaja direkte dhe përqëndrim më të mirë të vemendjes ndërkombëtare, duke qenë se vendi ruan një rritje ekonomike të besueshme – edhe në kushtet e recensionit botëror.

Kjo qasje u zbatua me tepër sukses në Kroaci, e cila arriti të katërfishonte flukset turistike të vendit brenda tre vitesh nga momenti i zbatimit të këtij vendimi strategjik. Nga heqja dorë prej TVSH-së për paketat turistike hyrëse, shteti kroat pati një hyrje financiare që e bëri turizmin pa asnjë diskutim sektorin më të rëndësishëm në kornizën e PBB.

Nëse Shqipëria adopton këtë qasje, është e sigurt se ajo do të ruajë rritjen e parashikuar turistike dhe do të ushqejë me të ardhura krejt zinxhirin dytësor të shërbimeve që ndërlidhen me këtë sektor. Nga kjo e ardhur, shteti do të rifitojë shumë më tepër në terma financiare, duke mos humbur asgjë.

Monday, February 9, 2009

A është inflacioni gjithnjë një fenomen negativ?

Ekonomistët përdorin termin “inflacion” për rritjen e vazhdueshme në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të kuotuara në njësi paraje. Magnituda e inflacionit – norma e inflacionit – përdoret zakonisht si përqindja e përvjetësuar e rritjes se disa treguesve të plotë – çmimeve në monedhë. Duke kuotuar në dollarë amerikanë, një kartëmonedhe një dollarëshe blen çdo vit e më pak. Inflacioni, kësisoj, nënkupton një rënie të qëndrueshme në fuqinë e përgjithshme blerëse të njësisë monetare.

 

Matja e inflacionit në Shqipëri realizohet përmes Indeksit të Çmimeve të Konsumatorit (IÇK) nga Instituti i Statistikës. Krahas kësaj metode ekzistojnë edhe metodat e Indeksit të Çmimeve të Prodhuesit (IÇP) dhe Deflatorit të GDP-së. Metoda e IÇK-së është konsideruar si më e drejtë dhe më afër realitetit të konsumatorit.

 

Pasojat e inflacionit mund të jenë shumë lënduese për ekonomitë e vendeve. Madje lëndesa është aq më e madhe, sa më e madhe të jetë diferenca midis normës aktuale të inflacionit me normën e parashikuar të saj. Kur agjentët ekonomikë parashikojnë një rënie më të shpejtë në fuqinë blerëse të parasë (një normë më të lartë inflacioni), kushtet e kontratave që përcaktojnë pagesa në të ardhmen në monedhën kombëtare rregullohen në sipas këtyre parashikimeve. Huamarrësit dhe Huadhënësit që presin norma më të larta inflacioni bien në ujdi për një normë më të lartë nominale të interesit (paratë e paguara mbi ato të marra hua) me qëllim që të ruajnë normën reale të interesit (fuqinë blerëse të ripaguar ndaj fuqisë blerëse të marrë hua) ndërmjet tyre.

 

Nga këndvështrimi i eleminimit të kostove të panevojshme të ekonomizimit në Cash, inflacioni i ulët është pastërtisht më i preferueshëm se inflacioni i lartë. Por sa është norma më e mirë, apo optimale e inflacionit? Një propozim për arritjen e normës “optimale” – në fakt propozimi më i diskutuar në teorinë e pastër politikës monetare – është se norma e inflacionit duhet të jetë mjaftueshëm negative që norma nominale e interesit të jetë zero (për bonot me yero risk mospagimi dhe me maturimin me të shkurtër). Çdo normë më e lartë nominale interesi nënkupton që monedha paguan kthime më të varfra se bonot. Kjo i shtyn njerëzit të ekonomizojnë paranë cash,  një veprim që është optimal nga këndvështrimi individual por i kushtueshëm nga këndvështrimi social.

 

Kur normat e ardhshme të inflacionit janë shumë të pasigurta, saqë risku i fitimeve dhe humbjeve të tilla në kontratat e reja është i lartë, palët anti-risk prapsen nga kontratat të tilla (depozita, hua, bono). Përshkak se inflacioni bëhet më i ndryshueshëm me rritjen e nromës mesatare të inflacionit, ekonomitë me inflacion të lartë kanë shpikur tregjet bankare dhe tregjet e bonove. Kthimet e vërteta nga mbajtja e bonove dhe huave me maturim afatgjatë – për shembull obligacioneve 30-vjeçare të korporatave – janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimit të normave të inflacionit. Kur një ekonomi provon norma të larta dhe më të ndryshueshme inflacioni, kontrata të tilla afatgjata zhduken. Investimet afatgjata shkurajohen nga risku më i lartë i financimit të tyre.

 

Përveç frenimit të tregjeve financiare, “zhurma” e prodhuar nga inflacioni tregon se sistemi i çmimeve nuk komunikon edhe informacionin. Keqinformimi shtrembëron vendimet për investime dhe punësim. Për të gjitha këto arsye, ekonomitë me inflacion të lartë vuajnë një rritje të varfër. Robert Barro (1997) zbuloi në një studim ndërkombëtar se norma inflacioni 10 pikë përqindje më të larta shoqërohen me rritje reale 0.3 – 0.4 pikë përqindje më të ulëta. Javier Andrés dhe Ignacio Hernando (1999), të cilët studiuan vendet e OSBE-së, raportojnë se uljla e inflacionit me 1 pikë përqindje do ta rrisë GDP- për frymë nga 0.5 – 2 përqind.

Por a ka inflacioni ndonjë përfitim? Disa makroekonomistë Kejnesianë dikur besonin se inflacioni më i lartë do të shpërblente me një reduktim të përhershëm të normës së papunësisë, një besim që ishte përbledhur në versionet e hershme të kurbës së Filipsit. Ekonomistët sot janë të njëzëri se nuk ekzistojnë në të vërtetë hapësira të tilla; mbase kjo ishte një mundësi vetëm në vitet 60 kur inflacioni i lartë ishte një surprizë.

Megjithë konsensusin e përhapur kundër inflacionit të lartë, opinionet nëse një inflacion 0% është më i mirë se një inflacion 3% apo -3%. Ka dy raste kryesore në favor të një norme positive inflacioni. George Akerlof, William Dickens, dhe George Perry (1996) argumentojnë se inflacioni zero do të prodhonte inefiçencë për shkak të palëvizshmërisë së çmimeve dhe pagave. Në vështrimin e tyre, pak inflacion e furnizon sistemin ekonomik me “graso”. Guvernatori i Rezervës Federale Ben Bernanke, ndër të tjerë, argumenton se inflacioni pozitiv – duke mbajtur normat e interesit bukur mbi zero – e ruan aftësinë e Fed-it për të ulur normat nëse nevojitet një politikë monetare humbëse. Në favor të normës zero të inflacionit, William Poole (1999) gjen plasaritje në të dy këta argumente. Kundër të parit ai vëren se nëse inflacioni e bën më të thjeshtë jetesën me një normë page të fiksuar, për këtë arsye ai e përjetëson stanjacionin. Kundër të dytit ai shprehet se norma të ulëta interesi nuk e bëjnë inefiçente politikën monetare ekspansioniste. Poole favorizon inflacionin zero si një politikë që e minimizon pasigurinë mbi inflacionin e ardhshëm, duke i lehtësuar kësisoj më së miri kontrata financiare; kjo minimizon shformimet e shoqëruara me taksa të paindeksuara. Në favor të një norme negative të inflacionit është argumenti i “sasisë optimale të parasë” e parashtruar më sipër për të minimizuar koston e mbajtjes së monedhës. Mbi baza të ndryshme, George Selgin (1997) ndërton një rast me çmime rënëse në një ekonomi me përmirësim të vazdhueshëm të produktivitetit. Ai gjen se është me përfitim që çmimet e produkteve të caktuara të lejohen të bien ndërsa kostot e tyre për njësi bien. Në gjykimin e tij, përdorimi i ekspansionit monetary për të rritur çmimet e tjera, me qëllim që të mbahen një nivel i përgjithshëm i inflacionit zero, nuk prodhon asgjë për të rritur efiçencën porn ë vend të kësaj rrit barrën e rregullimit të ngarkuar mbi sistemin e çmimit.

Bibliografi:

 

1.      Aarstol, Michael P. “Inflation, Agency Costs, and Equity Returns.”Journal of Economics and Business 52 (Shtator–Tetor 2000): 387–404.

2.      Akerlof, George A., William T. Dickens, and George L. Perry. “The Macroeconomics of Low Inflation.” Brookings Papers on Economic Activity 1996, no. 1: 1–59.

3.      Andrés, Javier, and Ignacio Hernando. “Does Inflation Harm Economic Growth? Evidence from the OECD.” In Martin Feldstein, ed., The Costs and Benefits of Price Stability. Chicago: University of Chicago Press for NBER, 1999.

4.      Barro, Robert. Determinants of Economic Growth: A Cross-Country Empirical Study. Cambridge: MIT Press, 1997.

5.      Bernholz, Peter. Monetary Regimes and Inflation. Cheltenham, U.K.: Edward Elgar, 2003.

6.      Friedman, Milton. Money Mischief: Episodes in Monetary History. New York: Harcourt Brace Jovanovich, 1992.

7.      McCulloch, J. Huston. Money and Inflation: A Monetarist Approach. 2d ed. New York: Academic Press, 1982.

8.      Poole, William. “Is Inflation Too Low?” Federal Reserve Bank of St. Louis Review (July/August 1999): 3–10.

9.      Selgin, George. Less Than Zero: The Case for a Falling Price Level in a Growing Economy. London: Institute of Economic Affairs, 1997.

10.  White, Lawrence H. The Theory of Monetary Institutions. Oxford: Blackwell, 1999. 

Tuesday, February 3, 2009

MJEGULL

Ra mjegulla burg,
Ajo që më trembte
Asgjë s’është e paprekur më
Rreth meje

Heronjtë duhet të vdesin
Që me duart e tyre
Të mos e ndërrojnë emrin

Askush nuk është i praprekur më
Të bindur si gjethet vjeshtore
Bien pa u ndjerë

Është e padrejtë ajo që heronjtë bien
Ata ngjiten
Gjethet vjeshtore dhe trupat
Janë shtëpitë e tyre të braktisura

Mbetën veç gjymcakë përrreth

Përpëlitem i topitur nga kutërbimi i trupit të shformuar të planetit
Toka, si një shpuzore e drunjtë, digjet tymshëm
Nga shkundjet arrogante të cigareve

Çifte dashnorësh flenë ngjitur
Nën melodinë e erës në gjethet

Gjethet m’i huani të mbështjell
Trupin e pajetë të Tokës

Ra mjegulla det,
Mbi varrin e ri të Botës,
Varen shi-lotë të ëmbël resh
Nga fytyra e vranët e qiellit