Sunday, March 29, 2009

Emri tjetër

Tërheq zvarrë kufomën time
Si Kain në një sfidë krenarie me shpezët
Trupin tim të blatuar
Për të ushqyer të vegjlit e mi

Ngjallem
Për të rindjerë dhimbjet e gjilpërta
Që vdekja m’i humb në tkurrjen e pluhurt të plazmës
Dhimbjet që më janë shenja jete

Ngjallem nga hiri im
Prej xhelozie të zogjve të mi
I dua të pagabueshëm
Shtegtarët e rinj të qiellit
Mbi retë shtroj dafina – eshtrat e mia
Me vdekjen time të pakëputur
Shtëpinë e lumturisë t’ju dëftej

Fshikulloj lëkurën time të bulëzuar
Nga avuj të pazakontë gënjeshtrash
Zakonesh të mbrapshta grabitqarësh
Që bëjnë ushqim zogjtë e tyre

Tërhiqem gjer në klithmë
Si një flok i padëshiruar
Mes rrënjës së fortë
Dhe duarsh të pashpresa

Dergjem i lumtur mes barishtesh
Në folenë e re të zogjve
Që sot e ndërtojnë vetë
Për të imituar fatin tim

Thursday, March 19, 2009

Turizmi Hyrës Duhet Nxitur

Parashikimi i parë i besueshëm mbi efektet e krizës botërore në Shqipëri është rënia e hyrjeve nga flukset turistike, nisur nga fakti se as të huajt dhe as shqiptarët me banim jashtë vendit, nuk do të kenë përsëri të njëjtat të ardhura në dispozicion. Nevoja për të ngushtuar shpenzimet jo të domosdoshme do të prodhojë padyshim një rrudhje të hyrjeve turistike në vend, dhe për rrjedhojë edhe një ngushtim të prurjeve financiare të këtij sektori në buxhetin e shtetit.
Por duke e konsideruar krizën si një oportunitet, entet politikë-bërëse të këtij sektori janë në kohë të parashikojnë masa zbutëse, për ta kthyer këtë dobësi sektoriale me burim ndërkombëtar në një pikë të fortë të ofertës vendase.

Masa e parë më e rëndësishme është që paketave turistike hyrëse (in-coming), që agjensitë shqiptare do të ofrojnë në treg përmes rrjetit të partnerëve të tyre ndërkombëtarë, t’u hiqet TVSH-ja, duke ulur me të paktën 15% çmimin e startit në ofertën pritëse për të vizituar Shqipërinë.


Kjo qasje do të ketë të paktën tre efekte të menjëhershme:

E para, ajo do të gjenerojë një fluks më të organizuar të vizitorëve të huaj apo emigrantëve shqiptarë, të cilët blerjen turistike do të priren ta bëjnë në mënyrë të organizuar për të përfituar nga oferta e moderuar. Sjellja e klientelës në mënyrë të organizuar do të përqëndrojë më mirë kërkesën turistike, duke rritur në mënyrë thelbësore cilësinë e ofertës turistike dhe duke gjeneruar përmirësime zinxhir deri në nivel rajonal.

E dyta, kjo do të rrisë cilësisht bashkëpunimin e operatorëve turistikë brenda tregut shqiptar, kur dihet se shumica e agjensive turistike kanë në librin e kontakteve 100 hotele turke dhe vetem 3 shqiptare. Ky bashkëpunim do të harmonizojë shumë më shpejt interesat e sektorit dhe të operatorëve të tij, duke ndërtuar një vizion shumë më efektiv mbi parimin e përfitimit të dy-anshëm. Kjo prirje do të dinamizojë së pari ofertën e brendshme, duke faktorizuar ato potenciale deri më sot të shfrytëzuara mbi baza rastësore.

E treta, kjo qasje do të prodhojë një konkurencialitet më të lartë të Shqipërisë në tregun turistik rajonal, duke e bërë vendin më atraktiv në kushtet e mungesës së gatishmërisë së klientelës europiane për të paguar çmime të larta për pushimet e tyre. Kështu, me kosto të përmbajtura promocionale Shqipëria do të arrijë të përthithë më tepër vëmendje falë një oferte më fleksibël, duke e mbështetur këtë promocion mbi tipologjinë e gërshetuar të tureve si ato kulturore, ekzotike-mjedisore, malore- sportive, etj. Në fund të fundit shprehja më e mirë e fleksibilitetit të ofertës është çmimi i saj.

Gjithashtu ruajtja e nivelit të flukseve turistike hyrëse i shërben drejtpërdrejt zgjerimit të shkallës së njohjes së vendit në arenën ndërkombëtare dhe ndërtimit të një imazhi realist dhe empirikisht të besueshëm, çka në kthim përkthehet me më shumë investime të huaja direkte dhe përqëndrim më të mirë të vemendjes ndërkombëtare, duke qenë se vendi ruan një rritje ekonomike të besueshme – edhe në kushtet e recensionit botëror.

Kjo qasje u zbatua me tepër sukses në Kroaci, e cila arriti të katërfishonte flukset turistike të vendit brenda tre vitesh nga momenti i zbatimit të këtij vendimi strategjik. Nga heqja dorë prej TVSH-së për paketat turistike hyrëse, shteti kroat pati një hyrje financiare që e bëri turizmin pa asnjë diskutim sektorin më të rëndësishëm në kornizën e PBB.

Nëse Shqipëria adopton këtë qasje, është e sigurt se ajo do të ruajë rritjen e parashikuar turistike dhe do të ushqejë me të ardhura krejt zinxhirin dytësor të shërbimeve që ndërlidhen me këtë sektor. Nga kjo e ardhur, shteti do të rifitojë shumë më tepër në terma financiare, duke mos humbur asgjë.

Monday, February 9, 2009

A është inflacioni gjithnjë një fenomen negativ?

Ekonomistët përdorin termin “inflacion” për rritjen e vazhdueshme në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të kuotuara në njësi paraje. Magnituda e inflacionit – norma e inflacionit – përdoret zakonisht si përqindja e përvjetësuar e rritjes se disa treguesve të plotë – çmimeve në monedhë. Duke kuotuar në dollarë amerikanë, një kartëmonedhe një dollarëshe blen çdo vit e më pak. Inflacioni, kësisoj, nënkupton një rënie të qëndrueshme në fuqinë e përgjithshme blerëse të njësisë monetare.

 

Matja e inflacionit në Shqipëri realizohet përmes Indeksit të Çmimeve të Konsumatorit (IÇK) nga Instituti i Statistikës. Krahas kësaj metode ekzistojnë edhe metodat e Indeksit të Çmimeve të Prodhuesit (IÇP) dhe Deflatorit të GDP-së. Metoda e IÇK-së është konsideruar si më e drejtë dhe më afër realitetit të konsumatorit.

 

Pasojat e inflacionit mund të jenë shumë lënduese për ekonomitë e vendeve. Madje lëndesa është aq më e madhe, sa më e madhe të jetë diferenca midis normës aktuale të inflacionit me normën e parashikuar të saj. Kur agjentët ekonomikë parashikojnë një rënie më të shpejtë në fuqinë blerëse të parasë (një normë më të lartë inflacioni), kushtet e kontratave që përcaktojnë pagesa në të ardhmen në monedhën kombëtare rregullohen në sipas këtyre parashikimeve. Huamarrësit dhe Huadhënësit që presin norma më të larta inflacioni bien në ujdi për një normë më të lartë nominale të interesit (paratë e paguara mbi ato të marra hua) me qëllim që të ruajnë normën reale të interesit (fuqinë blerëse të ripaguar ndaj fuqisë blerëse të marrë hua) ndërmjet tyre.

 

Nga këndvështrimi i eleminimit të kostove të panevojshme të ekonomizimit në Cash, inflacioni i ulët është pastërtisht më i preferueshëm se inflacioni i lartë. Por sa është norma më e mirë, apo optimale e inflacionit? Një propozim për arritjen e normës “optimale” – në fakt propozimi më i diskutuar në teorinë e pastër politikës monetare – është se norma e inflacionit duhet të jetë mjaftueshëm negative që norma nominale e interesit të jetë zero (për bonot me yero risk mospagimi dhe me maturimin me të shkurtër). Çdo normë më e lartë nominale interesi nënkupton që monedha paguan kthime më të varfra se bonot. Kjo i shtyn njerëzit të ekonomizojnë paranë cash,  një veprim që është optimal nga këndvështrimi individual por i kushtueshëm nga këndvështrimi social.

 

Kur normat e ardhshme të inflacionit janë shumë të pasigurta, saqë risku i fitimeve dhe humbjeve të tilla në kontratat e reja është i lartë, palët anti-risk prapsen nga kontratat të tilla (depozita, hua, bono). Përshkak se inflacioni bëhet më i ndryshueshëm me rritjen e nromës mesatare të inflacionit, ekonomitë me inflacion të lartë kanë shpikur tregjet bankare dhe tregjet e bonove. Kthimet e vërteta nga mbajtja e bonove dhe huave me maturim afatgjatë – për shembull obligacioneve 30-vjeçare të korporatave – janë veçanërisht të ndjeshme ndaj ndryshimit të normave të inflacionit. Kur një ekonomi provon norma të larta dhe më të ndryshueshme inflacioni, kontrata të tilla afatgjata zhduken. Investimet afatgjata shkurajohen nga risku më i lartë i financimit të tyre.

 

Përveç frenimit të tregjeve financiare, “zhurma” e prodhuar nga inflacioni tregon se sistemi i çmimeve nuk komunikon edhe informacionin. Keqinformimi shtrembëron vendimet për investime dhe punësim. Për të gjitha këto arsye, ekonomitë me inflacion të lartë vuajnë një rritje të varfër. Robert Barro (1997) zbuloi në një studim ndërkombëtar se norma inflacioni 10 pikë përqindje më të larta shoqërohen me rritje reale 0.3 – 0.4 pikë përqindje më të ulëta. Javier Andrés dhe Ignacio Hernando (1999), të cilët studiuan vendet e OSBE-së, raportojnë se uljla e inflacionit me 1 pikë përqindje do ta rrisë GDP- për frymë nga 0.5 – 2 përqind.

Por a ka inflacioni ndonjë përfitim? Disa makroekonomistë Kejnesianë dikur besonin se inflacioni më i lartë do të shpërblente me një reduktim të përhershëm të normës së papunësisë, një besim që ishte përbledhur në versionet e hershme të kurbës së Filipsit. Ekonomistët sot janë të njëzëri se nuk ekzistojnë në të vërtetë hapësira të tilla; mbase kjo ishte një mundësi vetëm në vitet 60 kur inflacioni i lartë ishte një surprizë.

Megjithë konsensusin e përhapur kundër inflacionit të lartë, opinionet nëse një inflacion 0% është më i mirë se një inflacion 3% apo -3%. Ka dy raste kryesore në favor të një norme positive inflacioni. George Akerlof, William Dickens, dhe George Perry (1996) argumentojnë se inflacioni zero do të prodhonte inefiçencë për shkak të palëvizshmërisë së çmimeve dhe pagave. Në vështrimin e tyre, pak inflacion e furnizon sistemin ekonomik me “graso”. Guvernatori i Rezervës Federale Ben Bernanke, ndër të tjerë, argumenton se inflacioni pozitiv – duke mbajtur normat e interesit bukur mbi zero – e ruan aftësinë e Fed-it për të ulur normat nëse nevojitet një politikë monetare humbëse. Në favor të normës zero të inflacionit, William Poole (1999) gjen plasaritje në të dy këta argumente. Kundër të parit ai vëren se nëse inflacioni e bën më të thjeshtë jetesën me një normë page të fiksuar, për këtë arsye ai e përjetëson stanjacionin. Kundër të dytit ai shprehet se norma të ulëta interesi nuk e bëjnë inefiçente politikën monetare ekspansioniste. Poole favorizon inflacionin zero si një politikë që e minimizon pasigurinë mbi inflacionin e ardhshëm, duke i lehtësuar kësisoj më së miri kontrata financiare; kjo minimizon shformimet e shoqëruara me taksa të paindeksuara. Në favor të një norme negative të inflacionit është argumenti i “sasisë optimale të parasë” e parashtruar më sipër për të minimizuar koston e mbajtjes së monedhës. Mbi baza të ndryshme, George Selgin (1997) ndërton një rast me çmime rënëse në një ekonomi me përmirësim të vazdhueshëm të produktivitetit. Ai gjen se është me përfitim që çmimet e produkteve të caktuara të lejohen të bien ndërsa kostot e tyre për njësi bien. Në gjykimin e tij, përdorimi i ekspansionit monetary për të rritur çmimet e tjera, me qëllim që të mbahen një nivel i përgjithshëm i inflacionit zero, nuk prodhon asgjë për të rritur efiçencën porn ë vend të kësaj rrit barrën e rregullimit të ngarkuar mbi sistemin e çmimit.

Bibliografi:

 

1.      Aarstol, Michael P. “Inflation, Agency Costs, and Equity Returns.”Journal of Economics and Business 52 (Shtator–Tetor 2000): 387–404.

2.      Akerlof, George A., William T. Dickens, and George L. Perry. “The Macroeconomics of Low Inflation.” Brookings Papers on Economic Activity 1996, no. 1: 1–59.

3.      Andrés, Javier, and Ignacio Hernando. “Does Inflation Harm Economic Growth? Evidence from the OECD.” In Martin Feldstein, ed., The Costs and Benefits of Price Stability. Chicago: University of Chicago Press for NBER, 1999.

4.      Barro, Robert. Determinants of Economic Growth: A Cross-Country Empirical Study. Cambridge: MIT Press, 1997.

5.      Bernholz, Peter. Monetary Regimes and Inflation. Cheltenham, U.K.: Edward Elgar, 2003.

6.      Friedman, Milton. Money Mischief: Episodes in Monetary History. New York: Harcourt Brace Jovanovich, 1992.

7.      McCulloch, J. Huston. Money and Inflation: A Monetarist Approach. 2d ed. New York: Academic Press, 1982.

8.      Poole, William. “Is Inflation Too Low?” Federal Reserve Bank of St. Louis Review (July/August 1999): 3–10.

9.      Selgin, George. Less Than Zero: The Case for a Falling Price Level in a Growing Economy. London: Institute of Economic Affairs, 1997.

10.  White, Lawrence H. The Theory of Monetary Institutions. Oxford: Blackwell, 1999. 

Tuesday, February 3, 2009

MJEGULL

Ra mjegulla burg,
Ajo që më trembte
Asgjë s’është e paprekur më
Rreth meje

Heronjtë duhet të vdesin
Që me duart e tyre
Të mos e ndërrojnë emrin

Askush nuk është i praprekur më
Të bindur si gjethet vjeshtore
Bien pa u ndjerë

Është e padrejtë ajo që heronjtë bien
Ata ngjiten
Gjethet vjeshtore dhe trupat
Janë shtëpitë e tyre të braktisura

Mbetën veç gjymcakë përrreth

Përpëlitem i topitur nga kutërbimi i trupit të shformuar të planetit
Toka, si një shpuzore e drunjtë, digjet tymshëm
Nga shkundjet arrogante të cigareve

Çifte dashnorësh flenë ngjitur
Nën melodinë e erës në gjethet

Gjethet m’i huani të mbështjell
Trupin e pajetë të Tokës

Ra mjegulla det,
Mbi varrin e ri të Botës,
Varen shi-lotë të ëmbël resh
Nga fytyra e vranët e qiellit

Monday, February 2, 2009

DINJITETI NJERËZOR DHE RESPEKTI I NDËRSJELLË

Tim Winter (Abdel Hakim Murad)


Forumi i Parë Katoliko-Musliman, Romë, 5 Nëntor 2008

Shkëlqesia Juaj, miq dhe të ftuar të nderuar!
Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin me ju!

Takimi ynë në këtë vend historik është, dashtë Zoti, një kremtim dhe shenjë shprese. Një kremtim sakohë ne së bashku kremtojmë me fjalët e shpallura të Zotit, të frymëzuar dhe të vendosur për të përcjellë në komunitetet që përfaqësojmë mesazhin e të vërtetës dhe pajtimit. Dhe shpresë, të bindur se mbikqyrja e Zotit mbi kuvendin dhe zemrat tona gjatë këtyre ditëve do të na bëjë të shohim të metat tona, dhe shenja me të cilën shkëmbimet më të mira dhe më të frytshme të dy feve tona në të shkuarën do të mbesë frymëzuese për ne, ndërsa gjejmë udhë të reja dhe të suksesshme për të kapërcyer si keqkuptimet ashtu edhe gabimet e qëllimshme, që në të kaluarën na kanë çuar në konflikte të urryera prej Zotit.

Është e qartë për të gjithë ne se sa e ngushtë është lidhja ndërmjet temës së madhe të diskutimeve të djeshme dhe temës që po trajtojmë sot. Me të vërtetë, është kjo lidhje që qëndron në zemër të asaj troshitjeje të përgjigjes religjoze karshi krizës së modernitetit. Në epokën tonë po bëhen përpjekje madhështore për të vlerësuar njerëzimin përmes kodesh të të drejtave të njeriut dhe konventash ndërkombëtare të shumëllojshme. Sot, filosofia, e cila në klimën e soçme të mbizotëruar nga shekullarizmi kërkon të ofrojë themelet e këtyre përpjekjeve, duket se përjeton një gjendje krize. Iluminizmi, burim i një pjese të mirë të asaj çka është e vyer në kuptimin bashkohor mbi dinjitetin njerëzor, u sulmua në kohën e tij nga mendimtarë fetarë dhe nga disa mendimtarë shekullarë të cilët dyshonin në pretendimet e një etike të pastër shekullare dhe një domosdoje kategorike rrënjëzuar në një shpresim të pakufishëm, në zotësinë morale të një arsyeje dhe shkence të pandihur. Ky pesimizëm pjesërisht është vërtetuar si i arsyeshëm. Europa, djepi i Iluminizmit, është sot shtrati i një relativizmi postmodern i një lloji mjaft të helmët. Shpirtrat e çliruar nga kutia e Pandorës e Lumières dhe Aufklärung, dhe në vendin tim nga Loku dhe Hjumi janë provuar në disa raste si aleatë të engjëjve, por në raste të tjera kryekëput bij të mbretërive skëterrore të shkatërrimit dhe armiqësimit. Europa – dhe unë këtu flas si europian – është në krizë; besimtarët, të cilët prej kaq kohësh, herë me të drejtë e herë nga frika i bënë karshillëk projektit të Iluminizmit, sot janë thërritur të shërojnë dhimbjet e tij të forta. Të krishterët dhe muslimanët, si ndjekës të dy feve më të mëdha të Europës, duhet të punojnë bashkë pa mëdyshje, si kurrë më parë për të gjetur një shërim. Gjithëpoaq, ne duhet të punojmë për të garantuar që sëmundja e zemrës Europiane, e shprehur sot në një shpërfillje të pashoqe ndaj fesë, të mos përhapet në të gjthë botën.

Në fakt, këtu dua ta drejtoj gishtin. Si një qytetar dhe mbrojtës i Bashkimit Europian, unë e shoh veten pjesë të një shoqërie tragjikisht të papërzotshme. Së fundmi një sociolog botoi një libër nën titullin Vdekja e Britanisë së Krishterë dhe kjo më lëndon thellë sepse ajo që po vdes është në fakt ngrehina e bindjeve të njëzotshme dhe e një jete me lutje e ndihmë të ndërkahshme njerëzore, që si muslimanë ne duam ta shohim duke lulëzuar rreth nesh. Unë jam sakaq edhe një besimtar musliman. Kjo ndërthurje e Europianes dhe Islamikes do të ishte më pak e vështirë nëse Europa do të ishte më besnike ndaj përmasës së krishterë të trashëgimisë së saj. Unë parapëlqej të jetoj në një shoqëri të krishterë përkarshi një shoqërie shekullare.

Kjo ndjesi humbjeje i jep gjunjë angazhimit tim të përveçëm në procesin e Fjalës së Përbashkët. Ashtu siç e dini, takimi i këtij Forumi këtu në Romë është rrjedhojë e nismës së lëshuar një vit më parë nga dijetarët muslimanë të cilët, të shqetësuar për gjendjen aktuale në botë, zgjatën dorën përkrahjes dhe vullnetit të mirë drejt krerëve të Krishtërimit. Arsyeja që personalisht firmosa, përveç konsensusit të firmëtarëve të dokumentit se bota ka nevojë për një shërim dhe që muslimanët janë porositur të grishin njerëzimin tek parimet e pavdekshme të dashurisë për Zotin dhe fqinjin, qe brengosja ime e veçantë për boshatisjen e Europës nga feja dhe për zbehjen e dinjitetit njerëzor dhe gëzimit që vjen si rezultat i tyre.

Nëse në shumë rajone brendaqytetëse, dhe gjithnjë e më shumë gjetkë, muslimanët jetojnë si një pjesë e rëndësishme e Europës, atëherë ka një sferë të gjerë për punë të përbashkët kundër këndvështrimit aktual të kontinentit mbi të ardhmen dhe vizionin njerëzor. Është besimi im që ngulmimi aktual i Selisë së Shenjtë për të ringjallur trashëgiminë fetare është kryekrej i drejtë. Është me rëndësi të sjellim ndërmend se Kisha Katolike, si institucioni më i vjetër në botë, ka një kujtesë të gjatë që ngërthen situata të tjera të mëhershme kur e ardhmja dukej e errët. Shën Benedikti i Nursias, pesëmbëdhjetë shekuj më parë, jetoi gjatë pushtimeve Barbare, të cilët kërcënonin Europën me një relativizëm politeist dhe me një etikë çnjerëzore babëzie dhe mbizotërimi. Shërimi, ashtu siç e gjykoi edhe Benedikti ndërsa jetonte aktualitetin e jetës së tij, qe fuqia e pafund e sigurisë së shpallur e mbrojtur dhe e përforcuar nga arsyeja.

Me udhëheqjen aktuale, Selia e Shenjtë është në pozitën e duhur për të vërtetuar pretendimet e saj si një mbështetëse e arsyes së vërtetë. Kjo e vendos atë, ashtu siç muslimanët e shohin çështjen, në një pozitë ideale për bashkëveprim me muslimanët dhe sigurisht me të tjerët, në përbushjen e detyrës së rrëzimit të pesimizmit dhe sundimit të opinionin arbitrar.

Teologjia islame, ne tashmë e dimë, trashëgoi disa nga metodat dhe kategoritë e saj të hershme nga të krishterë si Gjon Filoponusi, të cilin ne e njohim si Jahja en-Nahvi. Njëherazi, në rrethanat kyçe të historisë së saj, Europa e krishterë është përforcur nga mësimet e mendimtarëve muslimanë. Kush mund ta hedhë poshtë ndikimin e Ibn Rushdit, gjykatësin e Sheriatit të Kordobës në kohën e Shën Thoma Akuinit? Apo peshën e Gazaliut, i njohur mes latinëve si Algazel, në hedhjen poshtë të metafizikës së keqvendosur dhe shpeshherë nënpagane të Avicenës? Apo mutekel’limun-ët, teologët muslimanë të njohur si Elokuentët në Perëndim, rreptësia e të cilëve në përdorimin e arsyes i bëri ata bashkëbisedues idealë, përkundër distancës së kërkuar nga kultura e kohës për mendimtarët e krishterë më rigorozë? Ndërsa Europa sot përballet me barbarët e rinj, të cilët janë postmodernistët dhe relativistë të tjerë që, jo nga jashtë, janë produkt i një evolucioni të vetë jetës së saj të brendshme, një konvergjencë e tillë mund të shërbejë si një pasuri jetike. Respekti ynë i ndërsjellë mund të mbështetet mbi praktikën e përballjes së përbashkët me sëmundjen e Europës.

Nevoja për ta mbështetur dialogun tonë mbi idetë tejtheksohet nga obligimi i misionit, kaq i spikatur në të dy traditat. Një bashkëveprim i thjeshtëzuar mbi praktikat do të rrezikonte të mbyste bisedimin teologjik, që është sigurisht më afër thelbit të ndonjë krahasimi të vërtetë të tezave religjoze.

Nga mesi i studiuesve europianë të Islamit në shekullin e kaluar, shumë prej më të mëdhenjve ishin besimtarë katolikë të cilët, duke ndjekur gjurmët e Maritain-it apo interesimit neo-Tomist mbi filozofinë arabe, dhanë kontribute rrënjësore në kuptimin tonë të teologjisë muslimane. Mes tyre ne duhet të përmendim dijetarët e mëdhenj domenikanë Georges Anawati dhe Luiz Gardet, manuali i të cilëve i vitit 1948 për teologjinë islamike dëshmon rëndësinë e arsyes në kulturën islamike dhe vlerën e krahasimeve të hollësishme me Tomizmin. Fokusi i tyre islamik ishte Hanbelizmi dhe Esh’arizmi. Por maturidizmi, shkolla e tretë sunite e teologjisë, u shndërrua në interesimin e veçantë të Jozef Van Ess të Universitetit të Tübingenit. Van Ess na risjell insistimin e Maturidinjve, të pranishëm edhe te Gazaliu dhe shkolla e tij, në racionalitetin e Zotit. Në historinë e tij madhështore prej katër vëllimesh mbi teologjinë e hershme muslimane, Van Ess nënvizon ngulmimin e vazhdueshëm të Islamit në rrënjët hyjnore të arsyes. Ai madje shkruan:

Krishtërimi flet për “misteret” e fesë; Islami nuk ka asgjë të ngjashme. Për Shën Palin, arsyeja i përket mbretërisë së “mishit”, për muslimanët, arsyeja, ‘akl, është kryeaftësia që i është falur qenieve njerëzore nga Zoti.


Van Ess dhe dijetarë katolikë të hershëm i kanë bërë botës një shërbim të pallogaritshëm. Aktivistët shekullarë të një brezi më parë pëlqenin ta shihnin Islamin si një adhurim të Zotit të mosarsyes, një despotizëm legalist larg prej shqetësimit apo ngjasimit njerëzor. Shpesh, Islami përngjasohej me Judaizmin, të cilin një Orientalizëm më i vjetër zgjodhi ta vështronte njësoj ‘semitik’ në kundërshtimin e arsyes helenike apo të ndonjë lloji tjetër. Këtu, për shembull, është Ernest Rénan, kryeracionalisti, që shkruan në 1862:

Në kohën tonë, parakushti thelbësor për të përhapur qytetërimin europian është shkatërrimi i çdo gjëje semite par excellence … shkatërrimi i Islamit … Islami është mohimi më i plotë i Europës: Islami është fanatizëm … Prandaj e ardhmja, zotërinj, i përket Europës dhe vetëm Europës … Kjo është lufta e përjetshme, luftë që do të marrë fund vetëm kur biri i fundit i Ismaelit (Ismailit) të vdesë në mjerim, apo të jetë syrgjynosur me terror në skutat e shkretëtirës.


Rénan, hero i lumières, është i bindur se Islami dhe Judaizmi nuk kanë asgjë për të thënë për idenë e dinjitetit njerëzor. Ne do të shtonim se kuptimi i tij mbi Krishtërimin klasik është, pa dyshim, fort më zemërdhembshur.

Me bekimin e Zotit ne kemi shkuar mjaft përpara dhe myslimanët duhet t’i falenderojnë dijetarët katolikë për braktisjen e kategorizimeve të vjetra dhe efektivisht anti-semite në përkrahje të një kuptimi të Islamit si një fe në të cilën besimi me arsye dhe një Zot i arsyeshëm janë qendrore për një teologji serioze.

Studiues të tillë katolikë na kanë dhënë një imazh të Islamit që vendtakohet në çështje kyçe me kuptimin katolik modern të dinjitetit të përhershëm të qenieve njerëzore. Shejkh El-Buti i është mbështetur shpeshherë shumë treguesve Kuranorë të këtij parimi. ‘Ne i kemi fisnikëruar bijtë e Ademit’ - thotë Kurani (17:70). Ademi është krijesa e vetme, të cilit Zoti urdhëroi t’i përmbysen me ballë në tokë (7:11). Kjo i kushtohet faktit se Zoti ka krijuar në njeriun një shpirt që është prej Tij Vetë (15:29; 32:9; 38:72). Për këtë arsye dijetarët tanë, dhe veçanërisht maturidijtë dhe hanefijtë, këmbëngulin se të drejtat janë të lindura në qeniet njerëzore, më shumë se sa të fituara më vonë në një mënyrë që do t’i bënte ato tërësisht subjekt të zgjedhjes religjoze. Do të doja të citoja, lidhur me këtë, fjalët e Imam Sarakhsi, juristit hanefi që vdiq në 1090:

Që në krjimin e qenieve njerëzore, Zoti Mëshirëshumë u dhuroi atyre inteligjencë dhe aftësinë për të marrë përsipër përgjegjësi dhe të drejta. Kjo i shërbente përgatitjes së tyre për të përmbushur detyrat dhe të drejtat e përcaktuara nga Zoti. Aty Ai u fali njerëzve të drejtën e paprekshmërisë, lirisë dhe pasurisë që t’u bëjë të mundur të vazhdojnë jetën dhe të kryejnë detyrimet që kishin marrë mbi vete. Kësisoj, të drejtat për të marrë përsipër përgjegjësi dhe për të gëzuar liri dhe begati ekzistojnë në qenien njerëzore që kur lind. I papërgjegjshmi/fëmija dhe i përgjegjshmi/i rrituri janë të barabartë në këtë aspekt. Në këtë mënyrë i është falur njeriut individualiteti i duhur që në lindje, me qëllim që të vishet me të drejtat dhe detyrimet që në atë çast. Në këtë kuptim, i papërgjegjshmi/fëmija dhe i përgjegjshmi/i rrituri janë të barabartë.


Ky respekt i lartë për dinjitetin e njeriut prodhoi në mjesjetë shoqëri ku komunitetet jomuslimane lulëzuan për shekuj me radhë. Natyrisht ekzistonte bindja se të drejta të caktuara u përkisnin më plotshëm atyre që kishin pranuar shpalljen e fundit të Zotit në Kuran. Ajo bindje nuk ishte aspak e çuditshme për atë kohë dhe njëmend mund të konsiderohet si normative në një kuptim të besimit tradicional. Sillni ndërmend, shumë më vonë, Papa Leon XIII, autor i enciklikes Libertas, një meditim i shkëlqyer teologjik mbi natyrën e dinjitetit njerëzor. Ky është mësimi i tij:

Prandaj e drejta e ndalon, arsyeja vetë e ndalon Shtetin të bëhet laik, apo të përvetësojë një vijë veprimi që do të shpiente në laicitet – përkatësisht, të trajtojë fetë e ndryshme (siç mund t’i quajnë) njësoj, dhe t’u japin atyre të drejta dhe privilegje shpresimisht të barabarta.


Historikisht, muslimanët do të pajtoheshin me mësimin e tij. Ka që vazhdojnë të jenë të tillë edhe sot. Por ashtu siç duhet të ndryshojnë mesimet papnore, qoftë edhe në një moment kaq solemn, ashtu edhe muslimanët sot, për shkak të kësaj nevoje të shpejtë, duhet të pranojnë dështimin për të qenë më zemërgjerë karshi pjesëtarëve të minoriteteve religjoze. Por, më lejoni të hyj në një tokë më pak të njohur, muslimanët janë gjithashtu përpara thërritjes së të njëjtit mësim madhor të patjetërsueshmërisë së dinjitetit njerëzor për të shtyrë qeveritë të respektojnë të drejtat e muslimanëve gjithëpoaq. Në mjaft vende muslimane të drejtat e muslimanëve për të praktikuar fenë e tyre plotësisht, për të veshur rrobën e porositur nga tradita në hapësirat publike dhe educative, për të ndërtuar xhami dhe shkolla dhe për të folur lirishmi për reformimin e pushteteve që ata i konsiderojnë të korruptuar, janë të kufizuara. Sakaq muslimanët, ashtu siç bëjnë thirrje për rivendosjen kaq të nevojshme të idealit kuranor të dinjitetit dhe nderit të krijesës adamike në vendet ku ata përbëjnë shumicë, qëndrojnë në krah të muslimanëve që jetojnë në pjesë të ndryshme të Europës, ku lindja e një tribalizmi të ri pagan po e bën të patolerueshme jetën e muslimanëve religjozë. Ne e njohim, dhe presim me respekt dhe mirënjohje, angazhimin e klerit dhe besimtarëve katolikë për të kapërcyer gjithë ato pengime që përfaqin besimtarët muslimanë në Europë, më skajshëm në qytetet që kontrollohet nga formacionet politike të së djathtës ekstreme.

Jam kthyer, siç e shihni, në temën time të tragjedisë së Europës. Tashmë dëshmova besimin tim se, si mbështetës të Njerëzve të Librit, neve na pikëllon kriza shpirtërore e Europës dhe urojmë më të mirën për kishat në përpjekjen e tyre për ta shëruar atë. Risjell ndërmend shkrimin e katolikut të ndërgjegjshëm nga Belgjika, Jacques Neirynck. Në romanin e tij Rrethimi i Brukselit (Le siège de Bruxelles) Neirynck përshkruan një të ardhme të ankthshme në të cilin shovinizmi shkakton persekutimin dhe dëbimin e pakicës së urryer muslimane; por ai përfundon duke treguar se si zërat më përfaqësues të Islamit dhe Krishtërimit do të ngadhënjejnë përfundimisht. Besimi im personal është se bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë do të ngjadhënjehjnë mbi barbarizmin pa dyshim.

Tani i kthehem një argumenti të brendshëm të muslimanëve. Duket se disa muslimanë besojnë se kjo bashkëjetesë, ndërveprim moral dhe mbështetje e ndërkahshme në çështjet e interesit shoqëror duhet të veçohen nga vëmendja ndaj teologjisë. Në disa raste mund të dëgjosh edhe mendimin se Krishtërimi, rrënjëzuar në besimin në mëkatshmërinë njerëzore, është mosbesues ndaj intelektit dhe se doktrinat e tij janë bazuar në një kapërcim të dukshëm të besimit. Pastaj kjo i vihet ndesh Islamit i cili, mëtojnë mendimtarë të tillë, është shqueshmërisht feja e arsyes dhe e një Zoti të arsyeshëm. Perceptime të tilla mund të gjenden në polemikat e Reshid Ridasë dhe shkollës së tij të rëndësishme. Ky zë vjen edhe nga mesi i muslimanëve më pak të kultivuar. Por nga çdo studim i doktrinës katolikë është mjaft e kthjellët se arsyeja e natyrshme është e qendërsishme në ndërmarrjen intelektuale katolike. Sigurisht kjo nënkupton se dëshira jonë se bashkëpunimi ynë duhet të jetë pragmatike dhe jo thjesht parimore është kequdhur rëndë. Ka ardhur koha që muslimanët ta mirëpresin bashkëpunimin me katolikët mbështetur në bindjen se Katolicizmi, ashtu si Islami, flet gjuhën universale të arsyes.

Kur kjo të arrihet, do të ketë shumë për të bërë. Së bashku, muslimanët dhe të krishterët katolikë llogariten më shumë se dy miliard e gjysëm frymë: dukshëm më shumë se një e treta e popullsisë së planetit. Dokumenti “Fjala e Përbashkët” thekson, nga këndvështrimi i tij i Shkrimeve, nevojën jo vetëm për të pohuar parimet e përbashkëta të dashurisë për Zotin dhe për fqinjin, por edhe për të shfaqur sinqeritetin e sipërmarrjes sonë në veprimin prijatar. Ç’është e vërteta, dy parimet janë bashkëfrymues.

Ne e dimë se kjo e jona është një epokë sfidash ndaj marrëdhënies sonë. Ka muslimanë, siç ka edhe të krishterë, që do të donin që ky kuvend i yni të mos mblidhej. Fjala e Përbashkët është kundërshtuar nga disa zëra muslimanë; disa të krishterë kanë shprehur mospuqjen me pergjigjet e ngrohta dhe pohimtare të të krishterëve, përgjigje që vijnë nga Jala, Lameth Palace dhe vatra të tjera të vetëdijes së krishterë. Në disa vende marrëdhënia jonë është duke njohur përmirësim; në disa të tjera ajo po vuan nga të meta kokëforta. Urdhëresa për dashuri ndaj Zotit dhe dashuri ndaj fqinjit, që në praktikë është një urdhëresë e vetme, jo gjithmonë është respektuar në veprat dhe zemrat tona. Tek të krishterët ekziston një drojë e mirëqenë ndaj ekstremizmit musliman. Gjithkaq tek muslimanët ekziston një drojë e pakundërshtueshme karshi thirrjes së Hans Küng, në librin e tij mbi Islamin, drejtuar politikës së jashtme imperialiste agresive të Amerikës, që siç mendojnë një pjesë, drejtohet nga nacionalistë të krishterë, kur thotë se ‘aktualisht mendësia e kryqëzatës po ringjallet’. Si ne edhe ju duhet ta pranojmë këtë drojë nga sho-shoqi.

Si muslimanë, duke qenë të urdhëruar për të qenë zemërçelur ndaj themeluesve të tre feve abrahamike, tensione të tilla na kanë shkaktuar dhimbje në mënyrë të përveçme. Nisma ‘Fjala e Përbashkët’ është një shprehje e asaj dhimbjeje. Një mbrojtës i shkëlqyer i kësaj ka qenë Shkëlqesia e Tij Kardilan Taurani në mesazhin e tij për fundin e Ramazanti publikuar gjashtë javë më parë. Ai e titullon letrën e tij: Të krishterët dhe muslimanët: së bashku për dinjitetin e familjes. Aty, kardinali lëvdon solidaritetin e përparmë mes muslimanëve dhe katolikëve në detyrën madhështore të mbrojtjes së këtij institucioni thelbësor të shoqërisë dhe bën thirrje për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.

Unë besoj se Shkëlqesia e Tij ka plotësisht të drejtë dhe se ai ka shenjuar një nga fushat më të rëndësishme në të cilat angazhimi ynë i përbashkët ndaj dinjitetit njerëzor mund të gjejë shprehje praktike. Si muslimanët ashtu edhe katolikët, nën përbuzjen e komentuesve shekullarë, përkrahin guximshëm imazhin e martesës si një kontekst i përsosur për shprehjen e seksualitetit njerëzor. Shenjtëria e Tij Papa Benedikti, në enciklikën e tij Deus Caritas Est, i ka kujtuar botës sërishmi dinjitetin dhe shenjtërinë e dëshirës seksuale të njeriut. Erotikja duhet të jetë pjesë e përshpirtshmërisë sonë dhe jo largim prej saj. Konteksti i duhur për këtë aspekt të veçantë të dinjitetit tonë si qenie të mishëruara është qartësisht jeta martesore. Në këtë aspekt muslimanët dhe katolikët do të donin të ndryshonin nga një tendencë e qartë reduksioniste në kulturën bashkëkohore, për të pranuar se burrat dhe gratë janë të ndryshëm në mënyra që kushtëzohen vetëm nga shoqëritë, më shumë se sa shprehje të ndryshme, por njësoj të vlefshme, të aspekteve të fuqisë së të Vetmit i Cili e ka krijuar njerëzimin në shëmbëllim të Hyjnores.

Le të huazojmë, në mënyrë analogjizuese, një ide nga teologjia trinitare e Hans Urs von Balthasar. Këtu, teologu gjenial zviceran na tërheq vëmendjen ndaj marrëdhënies mes personave të trinitetit. Ai shkruan: "Modalitetet hipostatike të qenies përbëjnë për njëra tjetrën kundërvënien më të madhe që mund të përfytyrojmë [...], pikërisht në mënyrë që ndërfutja më intime që mund të imagjinojmë të bëhet e mundur. Dhe, duke hyjnizuar pikëpamjen e varfëruar moderne mbi gjininë, ai vazhdon dhe e identifikon marrë-dhënien e personave të Trinitetit në terma drejtpërsëdrejti gjinore: parimi mashkullor identifikohet me rolin fekondues, dinamik, ndërsa femërori me marrësin dhe lulëzuesin. Një vleftësim i mënyrave klasike të të kuptuarit të krishterë të ndërsjellshmërisë së gjinive në jetën familjare është qartësisht i përafërt, në rrjedhimet e tija, me bindjet muslimane;ndonëse gjuha trinitariane për jetën e brendshme të Zotit është pamohueshmi larg nga besimi islam. Përfundime të përbashkëta për vlerën e 'seksualiteteve alternative' do vijojnë me siguri.

Një tjetër fushë ku ne tashmë kemi punuar bashkë me sukses të matshëm tregohet në përgjigjet e shkëlqyerdhe të hollësishme të Kryepeshkopit Rouan Uiliam ndaj Fjalës së Përbashkët. Ai vë gishtin në kofliktin Izraelito-Palestinez, si ‘çproblemi më kryesor apo një ndër më kryesorët e listës, që shqetësojnë si të krishterët ashtu edhe muslimanët në të gjithë botën’. Muslimanët janë të bindur se Selia Apostolike, e shqetësuar për komunitetet katolike dhe të tjera në Jerusalem, do të qëndrojë në krah të besimtarëve të krishterë dhe muslimanë të cilët, duke mos pranuar përgjigjet mizore dhe arbitrare terroriste, qëndrojnë guximshëm në të drejtën e tyre për dinjitet në truallin e tyre. Muslimanët janë jashtëzakonisht të prekur nga nga kurajo e shumë të krishterëve, si ish-Presidenti amerikan Xhimi Karter dhe Kryepeshkopi Desmond Tutu i Kejp Taunit, në dënimin e atyre që ata i quajnë politikat Izraelite të aparteidit kundër komuniteteve muslimanë dhe të krishtera në territoret e pushtuara. Me të drejtë është thënë se përkrahja e dinjitetit të popullit palestinez është udha më e sigurtë drejt zemrave të muslimanëve dhe ne kemi besim se Vatikani do ta ketë parasysh këtë ndërsa përpiqet të mbrojë një zgjidhje paqësore si për hebrenjtë, muslimanët dhe të krishterët në Tokën e Shenjtë.

Por ka edhe pëllëmbë të tjera në tokën e Zotit ku dinjiteti njerëzor po shkilet. Nuk është mirë që muslimanët, përfshirë edhe muslimanët arabë, të kërkojnë vëmendje ndaj gjendjes së vështirë të palestinezëve dhe të tregojnë më pak vëmendje ndaj viktimave të mizorive aktuale në Darfur. Ky skandal do shpjeguar dhe zgjidhur urgjentisht. Edhe më afër, tragjedia në Zairenë Lindore na thërret të gjithëve në një veprim të përbashkët. Duhen kujtuar marrëdhëniet e mira që u ruajtën në shumë raste në Ruandën fqinje, qoftë edhe në kulmin e atyre ngjarjeve tmerruese të fillimviteve ‘90.

Këto katastrofa që e shpërfytyrojnë tokën e Zotit janë thirrje për gjykim, janë gjyq. Ne nuk kemi qenë gjithmonë misionarët e paqes së Zotit. Pa dyshim është e parehatshme për ne të mësojmë se njeriu më i famshëm i paqes në shekullin e njëzetë, Gandi, nuk qe as musliman, as i krishterë. Si një europian, qytetar i një kontinenti që është krenar për trashëgiminë e tij monoteistike, unë vazhdoj të jem i helmuar nga kujtesa e luftërave të shekullit të shkuar, të cilat lanë pas në shkallë dhe në mizori luftërat e ndonjë kontinenti tjetër.

Ne thërritemi, është e qartë, të provojmë në sytë e botës se ne jemi forcë e të mirës. Kriza moderne e besimit nxitet tepër shpesh nga një ndjesi se feja prodhon frutin e hidhur të armiqësisë dhe madje konfliktit. Atëherë detyra jonë më e ngutshme, sakohë përpiqemi të rifitojmë rolin tonë si mbrojtës të dinjitetit njerëzor dhe respektit të ndërsjellë, është të shfaqim në praktikë dhe jo vetëm me fjalë se ne mund të punojmë bashkë për të mirën e përbashkët. Fatkeqësitë natyrore, kaq të pranishme në kohët tona ambjentalisht të trazuara, paraqesin një fushë të qartë për punë të përbashkët dhe është kënaqësi të shohësh progresin e bashkëpunimit ndërmjet CAFOD dhe Islamic Relief pas Memorandumit të Mirëkuptimit që u nënshkruan në 2003, në të cilin ata zotohen të mbështesin veprimtaritë e njëri-tjetrit në gjendje emergjence. Islamic Relief dhe Christian Aid gjithashtu, në vendin tim, po dërgojnë ekipe të përbashkëta muslimane-kristiane në zonat e Afrikës jugore, në një skemë pilot që mban premtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe më sistematik. Në ngjarjen e madhe Cut dhe Carbon Rally në Birmingam, më 21 gusht 2007, Christian Aid dhe disa organizata muslimane bamirësie forcën shëruese të një ngjarjeje publike që i thotë botës se vuajtjet mjedisore mund të shërohen nga bashkëveprimi ndërfetar, duke bashkuar energjitë dhe burimet për të ngërthyer një problem që është shumë i madh për agjensitë e një feje vetëm.

Uria globale që duket se po afrohet gjithnjë, e nxitur ndoshta nga rritja e konsumit të naftës, po krijon një konkurrencë vdekjeprurëse për burimet e kufizuara në shumë vende të Botës së Tretë. Raportohen gjithnjë e më shumë të vdekur nga uria dhe po ashtu po vuajnë edhe prodhuesit e vegjël. Në Indi shifrat tregojnë 166,000 fermerë të vetëvrarë që nga 1997. Urtësia jonë e përbashkët lidhur vetëm me shpërndarjen, dhimbsurinë për nevojtarin, e keqja e kamatës dhe një përpjekje politike në emër të të shtypurve pa diskutim duhet të vihet në veprim në një fushatë të përbashkuar ne emër të babait tonë Abrahamit, përkarshi vuajtjeve të tilla.

Kjo duhet të jetë veçanërisht detyra dhe barra jonë. Si Islami ashtu edhe Katolicizmi janë në Europe. Por asnjëri nuk duhet të mëtojë një marrëdhënie të privilegjuar me këtë kontinent që të mos i zbresë të tjerët në një status dytësor. Të dy traditat tona kanë rrënjë substanciale në Azi dhe Afrikë. Në një kuptim, Azia është kontinenti i privilegjuar, kontinenti i shpirtit kur dihet që Qielli e ka bërë atë vendlindjen e të gjitha feve të mëdha. Sot, shumë pjesë të saj lulëzojnë por në pjesë të tjera dinjiteti njerëzor po vuan me trishtim. Sakaq në Afrikë, një kontinent i ndarë ngushtësisht ndërmjet Islamit dhe Krishtërimit, gjithashtu thërritemi për të punuar së bashku për atë që na bashkon. Jezusi dhe Muhamedi nuk ishin vetëm mbrojtësit e të varfërve, por edhe jetuan mes tyre dhe sigurisht do të ringjallen me ta. Ky është një aspekt jetik i vëllazërisë së tyre dhe tonës. Në jetofshim ne në privilegj, duke i mveshur vetes krenimin e pavlerë të titujve dhe stolive tona, por duke dështuar për të punuar me duart dhe zemrat tona për ata, jetesa e të cilëve është në rrezik, atëherë ne do të kemi tradhëtuar parimin abrahamik të dorëzimit vullnetit të Zotit, që do të thotë që ne të jemi gati të sakrifikojmë çka është e dashur për ne, pa asnjë ngurrim, me zemrën plot me hirin e Zotit.

Fjalët e Kuranit janë një thërritje dhe qortim për të gjithë ne:

A e ke parë atë që mohon Ditën e Llogarisë?
Ky është ai që i dëbon ashpër jetimët,
Dhe nuk nxit që t’i jepet ushqim të varfrit.
Mjerë për ata, të cilët kur falen,
Janë të pakujdesshëm për namazet,
Të cilët duan vetëm që të duken,
Dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.



(Sure 107)


Përktheu: Vehap Kola

Saturday, November 15, 2008

MBI GËZIMIN PËR FITOREN E BARAK OBAMËS

Vehap S. Kola

Pas zgjedhjes se Barak Obamës president i SHBA botën e ngërtheu një klimë e ngrohtë bashkëpunimi ashtu siç u shpërnda gëzimi dhe shpresa se që nga ky çast bota do të jetë më mirë. Për mënyrën se si është zhvilluar marrëdhënia mes SHBA dhe pjesës tjetër të botës gjatë presidencës së Xhorxh W. Bush, është krejt e kuptueshme që një ndër reagimet më të spikatura të jetë ai i botës islame. Pastaj mund të renditen qëndrimet e disa armiqve apo miqve të tjerë të Amerikës si Hugo Çavez i Venezuelës e deri te presidenti i Francës Nikolas Sarkozi. Problemi më i madh i shpallur i SHBA sot është Al-Kaeda dhe Irani. Ahmedinexhad e përshendeti zgjedhjen e Obamës president dhe ravijëzoi shpresat se mes dy vendeve do të nisë një erë e re marrëdhëniesh. Sigurisht roli i Al-Kaedës është i kompromentuar plotësisht, pas përhapjes së gjerë të një bindjeje se kjo organizatë është një ndër katalizatorët efektivë të politikës së forcës ndjekur nga administrata Bush. Është kjo arsyeja pse qëndrimet e saj politike duhet të shihen me dyshim dhe nuk duhen konsideruar në formimin e ndonjë qëndrimi serioz dhe të shëndoshë.

Mësimi i parë që duhet të marrë bota nga reagimi edhe i Ahmedinexhad, që ruan pozicionin më ekstrem të botës islame karshi Amerikës, është se myslimanët nuk kanë asnjë konflikt as me Amerikën dhe as me popullin amerikan. E gjithë ajo valë urrjetjeje që prodhohej nga veprimi i administratës Bush dhe shumëfishohej nga mediat në fakt nuk është reale. Nuk mund të identifikohen të gjithë miqësitë personale mes individësh, nuk mund të masësh dashurinë që kanë për Amerikën pjesa dërrmuese e anëtarëve të komunitetit të myslimanëve amerikanë, por mund të prekësh gjithë atë kuadër të gjerë marrëdhëniesh miqësore dhe bashkëpunuese që kanë pothuaj të gjitha vendet myslimane me SHBA. Përkundër abuzimit të udhëheqësve despotikë të këtyre vendeve me qëndrimin vëllazëror të popujve të tyre përkarshi popujve të tjerë, myslimanët kanë mbetur prapëseprapë të palëkundur në parimet e besimit të tyre.

Moralisht dhe aktualisht, cilësitë e marrëdhënies së botës islame me pjesën tjetër të botës janë ngritur mbi parimin kryesor të fesë së tyre: Teuhidi (Uniciteti i Zotit, rrejedhimisht edhe i të vërtetës). Njerëzit janë të gjithë vëllezër sepse ata janë bij të barabartë të Ademit dhe Havasë (Adamit dhe Evës). Aq më e theksuar është kjo vëllazëri mes besimtarëve të tre feve kryesore, kur kihet parasysh se çfarë vendi të zgjedhur u ka rezervuar Zoti të krishterëve dhe hebrenjve në një shoqëri islame. Ajo që i përbashkon myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë është aspirata e përbashkët për një vend pranë Zotit. Duke qenë të vetëdijshëm mbi Pakufishmërinë e Krijuesit, për pasojë për pakufizueshmërinë e Vendit pranë Tij, asnjë xhelozi apo garë me ithtarët e feve të tjera nuk i preokupon myslimanët. Përkundrazi, thërritja në fenë islame është një ndër mërnyrat më të fisme për të fituar atë vend. Premisa kryesore e kësaj thërritjeje është dashuria dhe dhimbsuria për të ndryshmit.

Por edhe mbetja e të ndryshmëve në pozitat e tyre të mëparshme nuk i bën ata më pak të pranueshëm dhe më pak denjë për respektin dhe marrëdhënien e sinqertë njerëzore. Problemi i botës islame me Amerikën e pas vitit 2000 i ka rrënjët tek thyerja e këtij mirëbesimi dhe frymë bashkëjetese nga sulmimi i padrejtë i tyre nga administrata Bush. Në emër të myslimanëve me të cilët kam një bashkëpërjetim të këtyre problematikave, besoj se kjo përplasje ka marrë fund njëherë e mirë me zgjedhjen e Barak Obamës president. Por Amerika ka sërish në dorë t’i japë fund ose të mbajë gjallë armiqësinë, në varësi të politikës së saj ndaj botës islame. Të gjithë janë të bindur se çështja e paqes në botë vërtitet rreth respektit të pjesës më të përjashtuar të popujve, që sot përfaqësohet nga popullsitë myslimane.

Tiranë, 5 Nëntor, 2008

Monday, November 3, 2008

DEFORMA EDUKIMORE

Vehap S. Kola

Detyra qëndrore e edukimit është të mbjellë një vullnet dhe lehtësim për të mësuar; ai duhet jo të formojë individë të mësuar, por individë që mësojnë. Shoqëria e vërtetë njerëzore është një shoqëri që mëson, ku gjyshërit, prindërit dhe fëmijët janë njëkohshëm nxënës.” [Eric Hoffer, The Passionate State of Mind, New York: Harper and Row, 1955]


Akoma, askush nuk e ka njohur pasurinë e simpatisë, mirësisë dhe fisnikërisë së fshehur në shpirtin e një fëmije. Orvatja e çdo edukimi të vërtetë duhet të jetë zbulimi i këtij thesari.” [Emma Goldman]


Disa debate rreth vlefshmërisë së reformave arsimore të qeverisë shqiptare kanë zënë vend dhe ringjallen saherë soset buka për dhëmbët e paetikë të politkanëve vendas. Liberalizimi i universiteteve përkundrejt Kartës së Bolonjës janë argumentat që shërbejnë si topa djegës me të cilët mund të goditet kundërshtari pasi ai e ka konsumuar radhën e tij për të bërë të njejtën gjë. Se çfarë do të thotë liberalizim për qeverinë dhe ministrinë e arsimit në veçanti, kjo tashmë është e kuptueshme nisur nga ajo që ndodhi me pranimin në e maturantëve në këtë vit akademik. Por dyndja e të rinjve në dyert e fakulteteve cënon kriteret e Kartës së Bolonjës ngaqë stafet janë të rrudhura dhe ambjentet janë edhe më kërrnace. Na duhet të pranojmë se qëveria ka bërë një zgjedhje më të dashur për njerëzit, të cilat në afatshkurtër nuk duan ta shohin veten (studentët) apo fëmijët e tyre (prindërit) pa një mundësi të arsyeshme për konkurrencë në tregun e punës. Por a është ky debati që duhet të mundojë kaq fort – nëse vërtet i mundon aq sa duket – politikëbërësit?

Pa shtruar më shumë pyetje të tjera – jam i vetëdijshëm që njerëzit, ashtu si unë, kanë shumë paqartësi në lidhje më këto diskutime – po jap një përgjigje. Jo! Ky nuk është problemi kryesor i sistemit tonë arsimor. Po kaq shpejt, që në krye të herës nuk druaj të them se, e meta e sistemit arsimor është se ai nuk është një sistem edukimor. Faji i tij është se ai është një sistem modern, i orientuar nga tregu, me bazë konkurrencën dhe ambicien ndërpersonale të individëve. As që mund të ndërmendet në këtë model orientimi drejt individit vetëmëvete, drejtësisë shoqërore, kultivimit të vlerave të përsosura morale dhe vëllazërisë e solidaritetit mes njerëzve.


Si mund të mëtohet që ky sistem arsimor të ketë një qëllim kaq fisnik kur ai është themeluar dhe ndërtuar imtësisht si një shtëpi e keqe. Bazat e tij teorike, kurrikulat shkencore, metodat dhe instrumentat kërkimorë e intelektualë janë, të gjitha, në funksion të një sistemi më të madh: rendit global, që është më i zi se kaq, por për të cilin nuk jam munduar të mësoj asnjë titullim dhe as ta emërzoj origjinalisht.

Arsimimi sot nuk është edukim sepse ai ka për qëllim specializimin e njerëzve me aftësi të caktuara të cilat i bëjnë të konkurrues në tregun e punës, në garën e pandalur për pasurim dhe karrierë profesionale. Të arsimohesh sot, do të thotë të krijosh gjithnjë e më shumë dije për një dasi të dijes, e cila sa vjen e hollëtohet dhe mprihet për të kryer operacione gjithnjë e më delikate në lëkurën e sëmurur të globit. Nuk është vendi të gjejmë shkakun e sëmurjes sepse dihet botnisht se vetë rendi i ri global ka bërë të tijën për ta sjellë jetën në Tokë në këtë deregje.

Studentët dhe nxënësit janë vënë në një garë çnjerizuese për të fituar ndenjëset e kufizuara në trenin e suksesit, pasurimit dhe karrierës, shfrytëzimit të burimeve të kufizuara për të ngopur nevojat e tyre të pacak. Atyre u duhet të mësojnë që të marrin notat më të mira në provime, të marrin diplomat dhe titujt më dallues në universitetet më të famshme me qëllim që të përmbushin çfarë parathamë. Auditorët qëndrojnë të hapur për këto aspirantë për një periudhë kohe (semestra) sipas një plani studimi të mirëpërcaktuar në kohë dhe hapësirë dhe ata duhet të shfrytëzojnë këto mundësi të numërueshme për të fituar garën ndërmjet tyre. Është e kuptueshme që një numër i madh prej tyre nuk arrijnë të shkëlqejnë por gjithsesi pajisen me diploma bazuar në një vlerësim të shkallëzuar. Ata i falen tregut të punës në një shpërparësi të dukshme duke shtresëzuar padrejtësitë dhe pabarazitë e rënda sociale. Atëherë kush e prodhon pabarazinë: arsimimi apo tregu? Të dyja, sepse sapo shtjelluam se si arsimi e themelon këtë pabarazi, por edhe tregu sepse çdo shkollë është bërë një biznes sot kur është privatizuar gjithçka.

Arsimi modern garanton një gjymtim të suksesshëm të fëmijëve tanë. Të vegjlit dërgohen në shkollë që më pas atje t’u mësohen dituri që të rriturit mendojnë se ata duhet t’i dinë me qëllim që të specializojnë disa aftësi të caktuara. Askush nuk i ka pyetur se çfarë do të donin të bënin, të mësonin, të kuptonin dhe më në fund të njihnin. Ata nuk kanë të drejtë të shfrytëzojnë gjithë atë thesar potencialesh që kanë realisht por janë të shtërnguar që të ndjekin modele të gatshme të pararendësve të tyre të gjymtuar.

Në sistemet tradicionale të arsimimit, nxënësit merreshin për t’u mësuar nga profesorët e tyre. Qëllimi i kësaj sipërmarrje ishte t’i mësonte ato dhe jo t’u jepte atyre kaq e aq faqe informacion, të zhvillonte kaq orë mësimi në ditë dhe orë të caktuara, dhe në fund të periudhës t’u jepte një vlerësim të merituar dhe të ndershëm arritjes së tyre intelektuale. Periudha (semestri) i arsimit përfundonte në momentin që nxënësi e kishte përvetësuar atë dituri. E shprehur me parametrat moderne, nxënësit nuk mund të kalonin pa marrë notën 10. Disa syrësh e mbyllnin më shpejt semestrin, disa të tjerë më vonë, por të gjithë ia dilnin mbanë të përthithnin me sukses të gjithë njohjen e mbledhur dhe depërtuar për atë disiplinë. Ja pse arsimi i sotçëm nuk është edukim, sepse edukimi synon të përplotësojë portofolet intelektuale të studentëve ndërsa arsimimi synon t’u ofrojë atyre shansin për t’a bërë një gjë të tillë, pa garantuar aspak se të gjithë do të mund të kenë sukses.

Fëmijët tanë mësohen se është e rëndësishme që vetëm të jenë profesionalisht të zotë. Personalitetet e tyre nuk kanë rol në suksesin e tyre individual dhe në rritjen e mirëqenies shoqërore në përgjithësi. Kjo është e kuptueshme për një shoqëri që e ka shpallur të gjallë dhe të vërtetë vetëm atë përmasë të njeriut që mund të matet dhe të studiohet me metodat e shkencës materiale. Duke u mësuar se ata vlerësohen për rezultatet, nuk ka asnjë garanci se ata nuk do të përdorin metoda joetike për të arritur përfundime komercialisht të lëvdueshme. Sikur të rinjtë të kultivoheshin me parimin se ata vlerësohen për atë që bëjnë (dhe jo vetëm për atë që duan, apo për atë që arrijnë) do të ishte shumë ndryshe. Natyrisht, që ky mësim të ishte më i plotë, nuk do të mjaftonte qasja konvencionale sepse ajo është një mish i huaj për këtë këndvështrim. Do të duhej një ripërkufizim i veprimit, që në rastin tonë do të thotë një shqyrtim me baza etike.

Të diskutosh sot për liberalizimin dhe kartën e Bolonjës është njësoj si të mos diskutosh për to. Çfarë ndryshimi do të sjellë në frymën e edukimit të fëmijëve tanë njëra apo tjetra, kur dihet se që të dyja nuk vënë aspak në diskutim filosofinë e arsimimit. Mund të duket e pamundur të diskutohet në këtë rrafsh, jo vetëm për shkak të numrit të kufizuar të mbështetësve të kësaj fryme, por edhe sepse duket një mision i pamundur që një trohë kaq e parëndësishme e sistemit global të verë në pikëpyetje gjithë ngrehinën gjigande të ngritur dhe mirëmbajtur gjermësot. Sidoqoftë, një ditë do të ndodhë ndërrimi i drejtimit. Pse të mos fillojmë ta mendojmë që sot?