Tuesday, September 23, 2008

NATA

Muzgu fjeti mbi guva

Me ninullën e vesës

Treti në ëndërritje rrafshinën pas shtëpisë

Koten heshtat e maleve

Gërma të renditura hyjnisht

Derdhen shi në sytë

Prej andej mbushin zgafellat e vjetra të gjokseve

Dëgjohet kumbimi i këngës së lashtë

Nga portat e qiellit

Tufa shtegtare engjëjsh po dalin heshtur

Jehojnë rrapëllima gjunjësh, duarsh

Pastaj lëshimi vetëzhdukës i ballit

Në dyshemetë e tempujve

Në kraharorët e çarë nga ngashërimi

Buçisin thërritje përdëllyese

Shkrepin sy të zjarrtë dashnorësh të qiellit

Pëshpëritje xheloze kalojnë lehtë

Pragun e ngushtë të buzëve

Pëlhura e yjëzuar

Është ngjitur pas kubesë së tempullit

Yjet po zbresin pandjeshëm

Duar pendestarësh vjelin të tjerë yje

Nga degët e përkulura të pemës së kaltërt

Natë e bardheme

Pudrosur me pluhurin e hënës së thyer

Shiu i mëshirshëm

Planetin tim të rënduar tërheq

Litarë të ujshëm përshkojnë pandalur

Damarët e fortësuar të tokës

Thurin për së gjalli

Eshtrat hollake të një shporte

Me dorzë prej ylberi

Kapicë me fytyra të qershinjta njerëzish

Dielli lindi i përgjumur

Mbi kthinat e qëmotshme

Lëshoi vellon e bardhë të aurorës

Ajrin e ftohtë të agimit e rrahin

Disapak zogj

Dhe kënga grishëse e gjelave

Monday, September 15, 2008

Lutja e Zejnu'l-‘Abidinit në kërkim bekimesh mbi ndjekësit dhe dëshmuesit e të dërguarve

O Zot,
sa për ndjekësit e të dërguarve
dhe ata banorë të tokës
që dëshmuan për të padukshmen
(e kryeneçët iu kundërvunë me gënjeshtra britëse) -
ata u përmallën për të dërguarit përmes realiteteve të besimit,
në çdo epokë dhe kohë, në të cilën nise lajmëtar
e u ngrite njerëzve një drejtues
që prej kohës së Ademit deri te Muhammedi
(Zoti e bekoftë atë dhe Familjen e tij)
nga mesi i Imamëve të udhërrëfimit
dhe prijësve të frikënderimit
(paqe pastë mbi ta të gjithë) -
kujtoji me falje dhe kënaqësi të mirë!
O Zot,
e sa për sahabët e Muhammedit në veçanti,
ata që ia çuan mbarë në shoqërinë e tij,
që e kaluan provën e mirë në të ndihmuarit atij,
iu përgjigjën
kur i bëri të dëgjojnë argumentet e mesazheve të tij,
u ndanë nga bashkëshorte e fëmijë
për shpalosjen e fjalës së tij,
luftuan etër e bij
në fuqizim të profetësisë së tij,
dhe korrën fitore përmes tij;
ata që qenë mbështjellë në dhembshuri për ‘të,
{duke shpresuar një ujdi
që nuk zhduket} në dashuri për ‘të;
ata që u braktisën nga fiset e tyre
kur i shtrënguan dorën atij
dhe u mohuan nga të afërmit
kur pushuan në hijen e afrisë së tij;
mos e harro, o Zot,
ç’braktisën për Ty dhe në Ty,
e bëji të kënaqur me kënaqësinë Tënde të mirë
për hir të krijesave që drejtuan kah Ti
kur ishin me të Dërguarin Tënd,
thërritës tek Ti për Ty.
Tregoju mirënjohje pse i lanë vendet e njerëzve të tyre për Ty
e dolën nga bollëku në ngushti,
si dhe atyre që iu nënshtruan zullumit
e që Ti i shumëfishove në lartësimin e fesë Tënde.
O Zot,
jepu atyre
që ia çuan mbarë në ndjekjen e sahabëve,
të cilët thonë: {Zot ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë
që shkuan para nesh në besim},
shpërblimin Tënd më të mirë;
atyre që shkuan drejt e tek rruga e sahabëve,
synuan udhën e tyre,
dhe vazhduan në mënyrën e tyre.
Ata s’i shmangu asnjë dyshim për mprehtësinë e tyre
e as i lëkundi ndonjë mëdyshje
nga të pasuarit shtigjeve të tyre
dhe të drejtuarit nga udhëzimi i dritës së tyre.
Si ndihmës dhe mbështetës të tyre,
e deklaruan fenë e tyre,
u udhëzuan nga udhëzimi i tyre,
ranë në pajtim me ta,
dhe s’i akuzuan kurrë për ç’u përcollën.
O Zot,
bekoji tabi’inët,
nga kjo ditë e jona deri në Ditën e Kijametit,
gratë e tyre,
fëmijët e tyre,
dhe ata që Të binden Ty mes tyre,
me një bekim përmes të cilit
do t’i ruash nga mosbindja ndaj Teje,
do u bësh vend në ngastrat e Kopshtit Tënd,
do i mbrosh nga dredhia e Shejtanit,
do t’i ndihmosh në devotshmërinë për të cilën Të lypin ndihmë,
do i ruash nga ngjarjet e papritura që ndodhin natën a ditën
- përveç ngjarjeve që vijnë me hajr -
dhe nxiti që
ta lidhin fort nyjën e shpresës së mirë tek Ti,
dhe asaj që është me Ty,
e të përmbahen nga mendimet e këqija [ndaj Teje]
për shkak të asaj që u mbajnë duart shërbëtorëve të Tu.
Kështu mund
t’i rikthesh në të përgjëruarit dhe të frikësuarit Ty,
t’i nxitësh të heqin dorë nga bollëku i së menjëhershmes,
t’i bësh të duan
të punojnë për hir të së shtyrës
dhe të pregatiten për ç’vjen pas vdekjes,
t’ua lehtësosh çdo pikëllim që u vjen
ditën kur shpirtrat dalin nga trupat,
t’i çlirosh nga
ajo që sjell rreziqet e tundimit,
të hedhurit poshtë në zjarr
dhe qëndrimit aty përgjithmonë,
dhe t’i çosh në të sigurtën,
vendprehje të të përzotshmëve.

MBI TË FSHEHTAT E AGJËRIMIT DHE KUSHTET E TIJ TË BRENDSHME*

Ebu Hamid el-Gazali

Duke ditur se agjërimi ndahet në tri grada si, agjërimi i shtresës së përgjithshme, agjërimi i pakicës së përzgjedhur dhe agjërimi i ajkës nga pakica e përzgjedhur (saum kusus el-kusus).



Agjërimi i shtresës së përgjithshme përfshin shuarjen e orekseve të stomakut dhe dëshirave seksuale, siç u diskutua dhe më sipër.

Agjërimi i pakicës së përzgjedhur ka të bëjë me ruajtjen e gjuhës, veshëve, syve, duarve dhe këmbëve nga çdo lloj mëkati.

Ndërsa agjërimi i ajkës së pakicës së përzgjedhur, është agjërimi i zemrës nga mendimet dhe ndjenjat e këqija, nga shqetësimet e kësaj bote dhe nga përkushtimi në çdo gjë tjetër veç Zotit. Një agjërim i tillë prishet duke menduar diçka tjetër përveç Zotit dhe Ditës së Fundit si dhe me të dhënët pas kësaj bote, përveç atyre rasteve që kanë të bëjnë me fenë e cila i përket botës tjetër. Sëkëndejmi, poseduesit e zemrave të pastra kanë thënë: “Ai që e kalon ditën duke u shqetësuar se nuk do të ketë me çfarë ta çelë iftarin, mëkaton.” Kjo për shkak se mbështetet fort pak në begatitë e pafundme të Zotit, dhe ka pak besim në faktin se risku që i është caktuar do ti jepet. Pjesë e kësaj ajke, janë profetët, të devotshmit dhe të afërmit e Zotit. Ne nuk do të merremi shumë me përshkrimin literal të këtij lloj agjërimi, por do ta përkufizojmë atë nëpërmjet një veprimi aktiv. Ai është, ta kërkosh Allahun me gjithë forcën e shpritit dhe t’i largohesh gjithçkaje veç Tij. Me pak fjalë, është të mishërosh fjalët e Zotit, kur tha: “Thuaj: Zoti dhe leri ata në tekat e tyre të shkuara.” (42)

Agjërimi i pakicës së përzgjedhur, i cili është agjërimi i njerëzve të virtytshëm, i mbron shqisat nga çdo lloj mëkati, gjë që arrihet duke kontrolluar gjashtë gjëra: të ulesh shikimin nga çdo gjë e turpshme dhe e palejuar apo nga çdo gjë që të largon nga përkujtimi i Zotit. Profeti a.s ka thënë: “Shikimi lakmitar është shigjetë prej shigjetave të helmatisura të shejtanit. Ai, që nga frika ndaj Zotit e mbron veten prej tij, Zoti do t’i japë besim dhe ëmbëlsi me të cilën do t’ia mbushë zemrën.”

Xhabiri(44) ka transmetuar nga Ariasi se i dërguari i Allahut ka thënë: “Pesë gjëra e prishin agjërimin: gënjeshtra, përgojimi, spiunllëku, betimi i rreme, hedhja e shikimeve epsharake dhe lakmitare.”(45)

E dyta është ta mbrosh gjuhën nga shpifjet, gënjeshtra, përgojimi, spiunllëku, fëlliqësitë, fjalët abuzive, sherret dhe hipokrizia, dhe t’i vësh kapak asaj. Për më tepër, ajo (gjuha) duhet të angazhohet me përkujtimin dhe madhërimin e Zotit, si dhe me leximin e Kuranit. I tillë është agjërimi i gjuhës. Na është transmetuar nga Bishr ibn Harithi se Sufjan Theuri tha një herë:

“Përgojimi e bën agjërimin të pavlefshëm.” Dhe Muxhahid Lejth(46) po për këtë ka thënë: “Dy gjëra e bëjnë agjërimin të pavlefshëm: përgojimi dhe gënjeshtra.” I dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Vërtet agjërimi i ngjan një mburoje; prandaj kushdo që agjëron, të mos flasë fjalë të pahijshme dhe të mos bëjë vepra të shëmtuara.”(47) Në një transmetim tjetër na është treguar rasti i dy grave të kohës së profetit a.s. Një ditë tek po agjëronin, nga djegia e etjes dhe brejtja e urisë, për pak sa s’u thyen. Për këtë shkuan tek profeti a.s për t’i kërkuar leje që ta prishnin agjërimin. Në përgjigje të kësaj, profeti a.s u solli një enë duke u thënë: “Villeni në këtë enë atë që keni ngrënë.” Për çudi të të gjithë të pranishmëve njëra e mbushi gjysmën e enës me gjak dhe copa mishi të kalbur, më pas tjetra mbushi gjysmën tjetër me po të njëjtën gjë. Atëherë profeti a.s tha: “Këto dy gra kanë agjëruar me atë që Zoti ua ka lejuar, dhe e kanë prishur agjërimin me atë që Ai ua ka ndaluar. Ato uleshin dhe merreshin vetëm me përgojime. Mishi dhe gjaku që nxorën, është mishi dhe gjaku i njerëzve që kanë marrë nëpër gojë.”(48)

E treta është t’i mbyllësh veshët ndaj çdo gjëje të qortueshme, sepse çdo gjë që është e ndaluar të thuhet, është e ndaluar dhe të dëgjohet. Për këtë arsye, Zoti i konsideroi njësoj dëgjuesit dhe peshkaqenët e tregtisë së paligjshme kur tha: “Dëgjues të së kotës, peshkaqenë të tregtisë së paligjshme.” (49) Dhe sërish: “Nëse të devotshmit nuk do të kishin ndaluar fjalët e liga dhe tregtinë e paligjshme, vërtet të prishura do të kishin qenë veprat e tyre.” (50) Prandaj heshtja në raste përgojimi është e ndaluar. Zoti ka thënë: “Atëherë ju jeni si ata.” (51) Profeti a.s ka thënë: “Përgojuesi dhe ai që e dëgjon, janë bashkëpjesëmarrës në mëkat.”(52)

E katërta është të frenuarit e pjesës tjetër të shqisave nga mëkati, si ruajtja e dorës nga e liga dhe e këmbës nga e keqja, si dhe shmangia e ushqimeve të dyshimta kur çel iftar. Përndryshe, nëse agjërimi do të ishte thjesht frenim nga gjërat e lejuara, nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Robi me të tillë agjërim, është si ai që ndërton një kabinë dhe prish një kryeqytet.(53) Sepse ushqimi i lejuar nuk është i dëmshëm për shkak të cilësisë, por të sasisë dhe qëllimi i agjërimit është kultivimi i së mesmes. Apo ngjashëm me atë lloj budallai, që nga frika e dozës së tepërt mjekësore, zgjedh që të marrë një dozë helm. E paligjshmja është helm vdekjeprurës për fenë, ndërsa e ligjshmja është si ilaçi që kur merret në masën e duhur sjell dobi, e kur teprohet ka efekt të kundërt. Qëllimi i agjërimit është e mesmja. I dërguari i Allahut, ka thënë: “Shumë njerëz prej agjërimit nuk fitojnë asgjë veç urisë dhe etjes.”(54) Disa e kanë komentuar se i dërguari a.s kishte për qëllim atë që e prish agjërimin me gjëra të paligjshme. Ndërsa të tjerë kanë thënë se kishte për qëllim atë që druhet nga gjërat e ligjshme dhe e prish agjërimin me mishin e njerëzve që i ka përgojuar, gjë që është rreptësisht e ndaluar. Të tjerë akoma më tej thanë se profeti a.s kishte për qëllim ata njerëz që nuk i ndalojnë shqisat nga mëkatet.

E pesta është se kur ta çelë agjërimin, robi nuk duhet ta teprojë dhe me ushqimin e lejuar, prej të cilit stomaku sa s’pëlcet. Se nuk ka enë më të urryer tek Zoti, sasa stomaku i mbushur me ushqim të lejuar, por që mezi merr frymë. Si mund të shpresojë njeriu të mposhtë armikun e Zotit dhe nënshtrojë dëshirat nëpërmjet agjërimit, i cili kur e çel agjërimin e plotëson normën duke ngrënë dhe atë që kish lënë mangut gjatë ditës, madje shton dhe ca më tepër me pije dhe ushqime të llojeve të ndryshme. Prandaj disa e kanë bërë të udhës të grumbullojnë sa më shumë ushqim për muajin e Ramazanit, ku bollëku ushqimor ia kalon kushedi sa muajve rresht. Ndërkohë që dihet fare mirë se qëllimi i agjërimit është uria dhe ndrydhja e epshit në mënyrë që shpirti të arrijë piedestalet më të larta në devotshmëri. Nëse stomakut i ndalohet ushqimi nga mëngjesi deri në mbrëmje për t’i hapur oreksin dhe për t’ia shtuar dëshirat, e nesë më pas do të ngopej mirë e mirë deri në nginje, kënaqësia do të shtohej dhe gjallëria do të dyfishohej, duke u dhënë kështu rrugë pasioneve, të cilët në të kundërt do të ishin në gjendje të fjetur. Shpirti dhe e fshehta e agjërimit qëndron në tretjen e së mishtës dhe dhjamosjes, që janë armë të shejtanit për ta drejtuar njeriun kah e mbrapshta. Por, ligështimi i tyre nuk mund të arrihet kurrë, nëse njeriu nuk e pakëson ushqimin e tij gjer në sasinë që konsumon mbrëmjeve të zakonshme, pra ditëve kur nuk ka agjëruar. E nëse ha sa për ditën e natën bashkë, prej agjërimit të tij nuk do të shihte asnjë lloj mirësie. Tjetër kërkesë nga kërkesat e agjërimit, është se robi nuk duhet të flejë gjatë ditës në mënyrë që të provojë gërryerjen e urisë dhe zjarrmin e etjes, duke e kuptuar dhe përjetuar dobësimin e së mishtës, dhe duke ndjerë pastrimin dhe ndriçimin e zemrës.

Vazhdimësia e kësaj ndjenje dobësie duhet ta shoqërojë dhe gjatë Natës së Kadrit (Fuqisë), në mënyrë që për të ajo natë të jetë adhurim, që ta ketë më të lehtë adhurimin dhe leximin. Me këtë shpresohet që shejtani të largohet nga orbita që ka krijuar rreth zemrave tona, dhe që ne të kemi mundësi ta hedhim shikimin drejt Mretërisë Qiellore. Në këto rrethana, Nata e Kadrit (Fuqisë) përfaqëson natën në të cilën njeriut i shfaqet një rreze nga bota e padukshme.
Eshtë poashtu nata që Zoti e ka cekur në Kuran: “Vërtet ne e zbritëm atë Natën e Fuqisë (Kadrit).” (55)

Ai që e zhyt kryet në një trajse ushqimi, s’ka se si shpreson të shohë botën e padukshme, madje dhe nëse stomakun e ka të boshatisur, nuk do të mundë të largojë perden dhe të shohë të padukshmen, nëse mendja nuk i boshatiset nga çdo gjë përveç Zotit. Këtu qëndron e gjithë çështja, në thelb të së cilës qëndron pakësimi i ushqimit që konsumojmë. Kjo temë do të diskutohet më gjerë në librin që flet për një sërë ushqimesh.

E gjashta është se zemrën duhet ta kaplojë një gjendje angështie e makthi mes frikës dhe shpresës, duke qenë se ai nuk e di nëse i është apo nuk i është pranuar agjërimi, nëse do të jetë prej atë afërmvë apo prej të larguarve të Zotit, prej atyre që kanë nxitur zemërimin hyjnor. Kjo gjendje ankthi duhet ta shoqërojë robin pas çdo vepre adhurimi.

Është transmetuar se Hasan ibn Ebi Hasani, kaloi një herë pranë një grupi që qeshnin e zbaviteshin, të cilëve iu drejtua me këto fjalë: “Nuk ka dyshim se Zoti Ramazanin e ka bërë muaj për të garuar në adhurim drejt Tij. Disa e fituan garën, ndërsa disa ngelën pas dhe dështuan. Vërtet që çuditemi dhe befasohemi tek gjejmë burra që e vrasin kohën me plogështi dhe gjëra boshe, ditën që fisnikët e mbyllin me ngadhënjim ndërsa të papunët me dështim e fatkeqësi. Pasha Zotin, po të hiqej perdja, do t’i shihnit të lartët të përkushtuar me veprën e tyre të mirë, ndërsa keqbërësit me të ligën që gatuan.” Me fjalë të tjera kënaqësia e atij që i pranohet agjërimi, do ta mbushë atë dhe do ta mbajë larg kotësive, ndërsa agonia dhe keqardhja e atij që nuk i pranohet, do t’ia rrëmbejnë gjithë gëzimin e zemrës dhe do t’ia ngrijnë buzëqeshjen.

Është transmetuar nga Ahnaf ibn Kajs se i thanë një herë: “Ju jeni një burrë i plakur dhe i moshuar e agjërimi do t’ju dobësonte më tej.” Pas kësaj ai u përgjigj: “Ky agjërim është furnizimi im për një udhëtim të gjatë. Të durosh barrën e shërbimit të Zotit, është vërtet shumë më e lehtë se të durosh barrën e dënimit të Tij.” Këto fjalë mbartin kuptimin e brendshëm të agjërimit.

E nëse ju pyesni: “Si munden vallë juristët (fakihët) të aprovojnë agjërimin që frenon oreksin e stomakut dhe ndrydh nxitjet seksuale, por që në të njëjtën kohë, nuk i marin parasysh aspektet e brendshme të agjërimit; si munden vallë ta quajnë të vlefshëm atë lloj agjërimi?” Dijeni atëherë se juristët e ligjit të jashtëm mbështesin kërkesat formale nëpërmjet argumentash shumë herë më të dobët nga ato me të cilat ne parashtruam kushtet e brendshme, në veçanti të atyre që lidhen me përgojimin dhe të tjera të ngjashme. Megjithatë, prej juristëve të ligjit të jashtëm, nuk shpresohet të merren me të tjera gjëra përveç atyre që kanë të bëjnë me njerëzit e thjeshtë, me çështje të kësaj bote. Në anën tjetër, njerëzit e pajisur me dije për botën tjetër, me vlefshmëri nënkuptojnë pranimin dhe me pranim arritjen e qëllimit që robi i vë vetes. Me arritjen e qëllimit ata nënkuptojnë fitimin e njërës prej cilësive të Zotit, që është qëndrueshmëria (samadijab), si dhe ndjekjen e shembujve të engjëjve nëpërmjet vetpërmbajtjes sa më shumë të jetë e mundur, nga epshet trupore, dhe në sajë të aftësisë për të mposhtur epshin me dritën e arsyes, e cila e ngre njeriun mbi kafshët (të cilat nuk e posedojnë një dritë të tillë). Në anën tjetër, duke qenë se njeriu është nën presionin e këtyre epsheve dhe dëshirave, dhe duke qenë se gjykohet me masën se sa i lufton tundimet, sa më shumë t’u shkojë pas këtyre qejfeve aq më poshtë do të bjerë e aq më pranë kafshëve do të afrohet. E sa më shumë t’i ndrydhë ato, aq më lart do të ngrihet dhe aq më pranë engjëjve do të jetë. Engjëjt janë shumë afër Zotit, dhe kushdo që ndjek hapat e tyre dhe konkuron për tek shembulli i tyre, do të jetë gjithmonë e më pranë Zotit. Por kjo afërsi nuk matet me vendndodhje por me cilësi e virtyte.

Nëse për njerëzit që mendojnë thellë dhe për mjekët e zemrave, është kjo e fshehta e agjërimit, atëherë ç’gjë të mirë do të sillte të vonuarit e ushqimit dhe këmbimi i orareve të tij me lindjen dhe perëndimin e diellit, duke mos braktisur asnjë lloj kënaqësie gjatë ditës? E nëse në një sjellje të tillë do të kishte ndonjë dobi, atëherë ç’kuptim do të kishin fjalët e profetit a.s kur tha: “Shumë njerëz nuk fitojnë asgjë nga agjërimi i tyre përveç urisë dhe etjes.”(56) Për këtë shkak Ebu Darda ka thënë njëherë: “Sa i këndshëm është gjumi i të urtit dhe sa i hijshëm të ngrënët e tij; shihni se sa poshtëruese është kjo për pagjumësinë dhe agjërimin e mendjelehtëve.” Me të vërtetë që vepra sa pesha e një atomi e besimtarit të sinqertë e të devotshëm, është më e mirë se vepra sa një mal e një njeriu të shpërudhur. “Shumë agjërues nuk agjërojnë, e ka shumë nga ata që dhe pse hanë dhe pijnë, janë shumë larg mëkateve; agjërues që nuk agjëron është ai që dhe pse rri i etur e i uritur, ia heq frerët vetes në gjurmim të çdo mëkati. Por kushdo që e kupton drejt agjërimin dhe të fshehtat e tij, e di fort mirë se ai që ia ndalon vetes të ngrënët, të pirët dhe marëdhëniet seksuale, por s’u ndahet mëkateve, është si ai që mer abdest vetëm duke kaluar dorën e lagur mbi gjymtyrë nga tri herë, duke plotësuar rregullat e jashtme persa u përket gjymtyrëve, por duke lënë mënjanë thelbin, larjen me ujë. Si pasojë, për shkak të injorancës, namazi nuk do t’i pranohej. Në anën tjetër, ai që e prish agjërimin me të ngrënë por largohet nga çdo lloj mëkati, i ngjan atij që merr abdes, që e lan çdo gjymtyrë vetëm nga një herë. Në dashtë Allahu, namazet e tij do të pranohen, sepse ai përbushi parimin kryesor të abdesit, dhe pse detajet i kaluan. Mirëpo, ai që i bën të dyja, merr abdes duke larë çdo gjymtyrë nga tri herë e duke përmbushur parimin bazë si dhe detajet, ai ec drejt përsosmërisë. Profeti a.s ka thënë: “Me të vërtetë agjërimi është amanet; pra secili le të tregojë kujdes për atë që i besohet.” Sërish kur këndoi: “Vërtet Zoti ju urdhëron t’ua ktheni amanetet poseduesve të tyre”(58), ngriti duart, preku veshët dhe sytë dhe tha: “(Dhurata) e dëgjimit dhe (dhurata) e shikimit janë secila amanet.” Ngjashmërisht, dhe të folurit është amanet, sepse nëse nuk do të ishte kështu, i dërguari i Allahut a.s nuk do të kishte thënë: “Nëse dikë nga ju e shan apo e ofendon dikush, le të thotë, Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm.”(59) Apo thënë ndryshe: “Mua më është besuar gjuha për të mësuar si ta frenoj, dhe jo për t’i dhënë liri veprimi e për të t’u përgjigjur ty.”

Eshtë e qartë tashmë se çdo vepër adhurimi ka formën e saj të brendshme dhe të jashme, një lëvozhgë dhe një bërthamë. Lëvozhgat janë të gradave të ndryshme dhe të ndryshme i kanë dhe shtresat. Ju takon juve të zgjidhni, nëse do të kënaqeni thjesht me lëvozhgën apo do t’u bashkoheni të urtëve dhe të diturve.

*Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Ihja Ulum ud-Din” të Ebu Hamid el-Gazalit

FUSNOTA

42. Sure vi: 91.
43. I papërcaktuar.
44. Ndoshta Xhabir ibn-Abdullah el-Ansari.
45. I papërcaktuar.
46. Ibn abi-Sulejm, vdiq ndërmjet viteve A.H., 136 dhe 143/A.D. 754 dhe 760. Cf.
Ibn- Sad, Vol. Vl, pp.243-44; ibn-Qutaybah, p.241; Shadharat al Dhahab, Vol. t, f..207-212.
47. Buhariu, Agjërimi: 2.
48. I papërcaktuar.
49. Sure v: 46.
50. Sure v: 68.
51. Sure iv: 139.
52. I papërcaktuar.
53. Fjalëpërfjalë ndërto një kështjellë dhe shkatërro një zonë të tërë. 54. lbn-Maxhe, Siyam: 21.
55. Sure acvii:1.
56. Ibn-Maxhe, Siyam:21.
57. I papërcaktuar.
58. Sure iv: 61.
59. Cf. Bukhariu, Agjërimi, 2.

Saturday, September 13, 2008

Du'atë për çdo ditë të Ramazanit

Dita 1

O Allah, në këtë ditë
bëje agjërimin tim si agjërimin e të sinqertëve,
dhe qëndrimin tim në namaz
prej qëndrimit të atyre që falen me bindje,
zgjomë në të nga gjumi i të pavëmendshmit,
e m’i shlyej mëkatet, o Zot i botërave,
dhe falmë mua, o Falës i mëkateve.

Dita 2

O Allah, në këtë ditë
afromë kënaqësisë Tënde,
mbamë larg zemërimit dhe dënimit Tënd,
jepma rastin t’i recitoj ajetet e Tua,
me mëshirën Tënde, o më i Mëshirshmi i mëshiruesve.

Dita 3

O Allah, në këtë ditë,
dhuromë urti dhe vetëdije,
mbamë larg cektësisë dhe krekosjes,
jepmë pjesë në çdo bekim që zbret,
me bujarinë Tënde, o më Bujari i bujarëve.

Dita 4

O Allah, në këtë ditë
forcomë në zbatimin e urdhrave të Tuaja,
ma lejo shijimin e ëmbëlsisë së dhikrit Tënd,
mundësoma, me mirësinë Tënde,
që të Të falënderoj.
Mbromë, me mbrojtjen dhe mbulesën Tënde,
O më Dalluesi i shikuesve.

Dita 5

O Allah, në këtë ditë
vendosmë me kërkuesit e faljes.
vendosmë mes shërbëtorëve të Tu të drejtë e të bindur,
dhe evlijave të Tu,
me butësinë Tënde, o më i Mëshirshmi i mëshiruesve.

Dita 6

O Allah, në këtë ditë
mos më lër të vetëposhtërohem duke
T’u mosbindur,
dhe mos më godit me kamzhikun e dënimit Tënd,
mbamë larg shkaqeve të zemërimit Tënd,
me mirësinë dhe fuqinë Tënde,
o dëshira e përfundme e dëshiruesve.

Dita 7

O Allah, në këtë ditë,
ndihmomë me agjërimin dhe namazet e saj,
dhe më mbaj larg nga gabimet dhe mëkatet e saj,
mundësoma të Të kujtoj pareshtur gjatë saj,
me ndihmën Tënde, o Udhëzuesi i atyre që shmangen.

Dita 8

O Allah, në këtë ditë,
më bëj t’i mëshiroj jetimët,
t’i ushqej [të uriturit],
të përhap selamin
dhe të rri me të mençurit,
o strehues i shpresuesve.

Dita 9

O Allah, në këtë ditë,
jepmë nga mëshira Jote e gjerë,
udhëzomë drejt provave Tuaja ndriçuese,
drejtomë tek kënaqësia Jote gjithëpërfshirëse,
me dashurinë Tënde, o shpresa e dëshiruesve.

Dita 10

O Allah, në këtë ditë, më bëj,
prej atyre që mbështeten tek Ti,
atyre që Ti i quan të suksesshëm
dhe vendosmë me ata që janë të afërt me Ty,
me favorin Tënd, o synimi i kërkuesve.

Dita 11

O Allah, në këtë ditë,
më bëj ta dua mirësinë,
dhe mospëlqej zullumin e mosbindjen,
pengomë nga zemërimi dhe skëterra,
me ndihmën Tënde, o ndihmues i ndihmëkërkuesve.

Dita 12

O Allah, në këtë ditë,
më zbukuro me sinqeritet e ndershmëri,
mbulomë me rrobën e kënaqjes dhe pastërtisë,
më bëj t’i përmbahem drejtësisë dhe paanësisë,
e më ruaj nga ajo që druhem,
me mbrojtjen Tënde, o mbrojtës i të frikësuarve.

Dita 13

O Allah, në këtë ditë,
pastromë nga papastërtia e ndytësia,
më bëj durimtar ndaj asaj që është shkruar,
jepmë aftësinë të bëhem i devotshëm,
e të shoqërohem me të mirët,
me ndihmën Tënde, o i dashuri i të skamurve.

Dita 14

O Allah, në këtë ditë,
mos më dëno për rrëshqitjet,
më bëj t’i pakësoj gabimet dhe fajet,
mos më bëj shënjestër të fatkeqësive dhe halleve,
me nderin Tënd, o nderi i muslimanëve.

Dita 15

O Allah, në këtë ditë,
dhuromë bindjen e të nënshtruarve
zgjeroma kraharorin me pendimin e të përulurve,
me sigurimin Tënd, o strehë e të frikësuarve.

Dita 16

O Allah, në këtë ditë,
dhuromë përputhje me të mirën,
mbamë larg ngjitjes me të keqen,
udhëzomë drejt saj - me mëshirën Tënde - në vendqëndrimin e përjetë,
me qenien tënde Zot, o Zoti i gjithë botërave.

Dita 17

O Allah, në këtë ditë,
udhëzomë në vepra të mira,
plotësomi nevojat dhe shpresat,
o Ai që s’i nevojiten as shpjegime as pyetje,
o Ai që di ç’mbajnë gjokset e gjithë botës.
bekoje Muhammedin dhe Familjen e tij të Pastërt.

Dita 18

O Allah, në këtë ditë,
më zgjo me bekimet e mëngjeseve të tij,
ndriçoma zemrën me shkëlqimin e rrezeve të tij,
bëma çdo pjesë të trupit t’i ndjekë efektet e tij,
me dritën Tënde,
o ndriçues i zemrave të atyre që dinë.

Dita 19

O Allah, në këtë ditë,
shumëfishomi bekimet e saj,
dhe lehtësoma rrugën drejt begative të saj,
mos më privo nga pranimi i veprave të mira në të,
o Udhëzuesi në të vërtetën e qartë.

Dita 20

O Allah, në këtë ditë,
hapmi dyert e xhennetit
dhe mbyllmi dyert e skëterrës,
ndihmomë ta recitoj Kur’anin,
o zbritësi i qetësisë
në zemrat e besimtarëve.

Dita 21

O Allah, në këtë ditë,
tregoma rrugën për të fituar kënaqësinë Tënde,
mos e lër Shejtanin të më mposhtë,
bëjë xhennetin vendqëndrim dhe prehje për mua,
o Plotësues i kërkesave të nevojtarëve.

Dita 22

O Allah, në këtë ditë,
hapmi dyert e mirësisë Tënde,
zbritmi bekimet e saj,
ndihmomë drejt shkaktuesve të mëshirës Tënde,
e më jep një vend në rehatitë e Parajsës,
o Përgjigjësi i thirrjes së të pikëlluarit.

Dita 23

O Allah, në këtë ditë,
m’i laj mëkatet,
pastromë nga çdo e metë,
hetoma zemrën me devotshmërinë e zemrave,
o Kapërcyesi i të metave të gjynahqarëve.

Dita 24

O Allah, në këtë ditë,
Të lutem për atë që Të kënaq Ty,
dhe kërkoj mbrojtje tek ti nga ajo që Të zemëron,
po Të kërkoj të ma japësh mundësinë që të Të bindem
e jo që të Të mosbindem,
o Bujari ndaj kërkuesve.

Dita 25

O Allah, në këtë ditë,
më bëj me ata që i duan miqtë e Tu,
dhe i urrejnë armiqtë e Tu,
në Sunnetin e Pejgamberit Tënd të fundit,
o Rojtar i zemrave të pejgamberëve.

Dita 26

O Allah, në këtë ditë,
bëmi përpjekjet të denja për vlerësim,
mëkatet të falura, veprat të pranuara,
dhe të metat e fshehura,
o më i miri i dëgjuesve.

Dita 27

O Allah, në këtë ditë,
dhuromi bekimet e Lejlet ul-Kadrit,
ndryshomi punët nga të vështira në të lehta,
pranomi ndjesat,
dhe pakësomi gjynahet e ngarkesat,
o i Mëshirmshmi ndaj shërbëtorëve punëdrejtë.

Dita 28

O Allah, në këtë ditë,
jepmë pjesë në nafile,
nderomë duke m’i qarë hallet,
qasmi mjetet për të T’u afruar, nga të gjitha mjetet,
o i patrazueshëm nga kërkesat e përgjëruesve.

Dita 29

O Allah, në këtë ditë,
mbulomë me mëshirën Tënde,
më jep në të sukses dhe mbrojtje,
pastroma zemrën nga errësira e shpifjeve,
o i Mëshirshmi ndaj shërbëtorëve besimtarë.

Dita 30

O Allah, në këtë ditë,
bëmi agjërimet të denja për vlerësim dhe pranim,
sipas asaj që Të kënaq Ty, dhe kënaq Pejgamberin,
ku degët forcohen nga rrënjët,
për hir të prijësit tonë, Muhammedit, dhe familjes së tij të pastër.
el-hamdu li’l-Lahi, rabbi’l a’lemin.

Përgatiti: Edin Q. Lohja

Tuesday, September 9, 2008

Agjërimi sipas pesë medhhebeve

Muhammed Xhevad Mughnijjeh

al-Tawhid Journal, vëll. IX, nr. 4, Shewwal – Dhu’l-Hixhxheh 1412


Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit është ndër shtyllat e fesë islame. Nuk nevojitet provë për qenien e tij i detyrueshëm (waxhib) dhe mohuesi i tij del jashtë Islamit, sepse ai është i vetëkuptueshëm sikurse namazi, ku lidhur me diçka të vërtetuar kaq qartë, si të diturit ashtu edhe analfabetët, të vjetrit e të rinjtë, janë të gjithë të një mendimi.

Ai u deklarua detyrim (farz) i obligueshëm në vitin e dytë të hixhretit, mbi çdo të rritur të shëndetshëm nga mendtë dhe trupi (mukalef), ku prishja e tij (iftar) nuk lejohet përveçse në rastet e mëposhtme:

1. Hajdhi e nifasi: Shkollat pajtohen se agjërimi nuk është i vlefshëm për gratë gjatë të përmuajshmeve dhe lehonisë.

2. Sëmundje: Lidhur me këtë, shkollat dallojnë. Imamitë vërejnë: agjërimi nuk është i vlefshëm nëse shkakton apo rëndon sëmundje, apo forcon dhimbjet ose vonon shërimin, sepse sëmundja nënkupton lëndim (darar) dhe lëndimi është i ndaluar (muharrem). Për më tepër, një ndalim i lidhur me një adhurim (‘ibadeh) e zhvleftëson atë. Ndaj, nëse personi agjëron në kushte të tilla, agjërimi i tij nuk është i vlefshëm (sahih). Një mundësi serioze shkaktimi ose rëndimi të një sëmundjeje mjafton për t’u përmbajtur nga agjërimi. Sa i përket dobësisë së tepruar, ajo nuk përbën përligjje për iftar, për sa kohë që është e durueshme. Kësisoj, shkaku ndërprerës është sëmundja e jo dobësia, mundimi ose rëndesa, sepse çdo detyrë përfshin vështirësi dhe mosrehati.

Katër shkollat sunnite pohojnë: nëse agjëruesi (sa'im) sëmuret, ose i druhet rëndimit të sëmundjes, apo vonimit të shërimit, ai mund të zgjedhë të agjërojë ose jo. Ai s’e ka të detyrueshëm ndërprerjen (iftar); e cila në këtë rast përbën lehtësim, jo obligim. Mirëpo aty ku ekziston mundësi vdekjeje ose humbjeje të cilësdo shqise, iftari është obligim dhe agjërimi i tij nuk vlen.

3. Gruaja në etapën e fundit të shtatzanisë dhe nënat gjidhënëse. Katër medhhebet pohojnë: nëse një grua shtatzënë ose gjidhënëse frikësohet për shëndetin e saj ose të fëmijës, agjërimi i saj vlen, ndonëse i lejohet të përmbahet nga agjërimi. Nëse ajo zgjedh ta ndërpresë, shkollat pajtohen se ajo nuk e ka për detyrë të agjërojë kada' më vonë. Ato dallojnë lidhur me zëvendësimin (fidjeh) dhe shlyerjen (kaffareh) e tij. Rreth kësaj, hanefitë vërejnë: nuk është aspak waxhib. Malikitë janë të mendimit se është waxhib për një grua gjidhënëse, por jo për shtatzënën.

Hanbelitë dhe shafi'itë pohojnë: Fidja është waxhib për një shtatzënë e një gjidhënëse vetëm nëse ato i druhen rrezikut për fëmijën; por nëse i druhen dëmit ndaj shëndetit të tyre si dhe të fëmijës, ato e kanë për detyrë vetëm të agjërojnë kada', pa patur nevojë të japin fidjeh. Fidjeh e çdo dite është një mudd, pra sasia e ushqimit të një nevojtari (miskin).[1]

Imamitë pohojnë: nëse një shtatzënë pranë lindjes ose fëmija e një gjidhënëseje mund të pësojnë dëm, të dyja duhet ta ndërpresin agjërimin, i cili nëse vazhdohet nuk vlen, për shkak të palejueshmërisë së lëndimit. Ata pajtohen se të dyja duhet të agjërojnë kada' dhe të japin fidjeh sa një mudd, nëse i druhen lëndimit të fëmijës. Por nëse dëmi nga i cili ekziston frika lidhet vetëm me personin e saj, disa imami pohojnë se ajo duhet të agjërojë kada' por jo të japë fidjeh, ndërsa të tjerë mendojnë se ajo e ka detyrim edhe kada'në edhe fidjen.

4. Udhëtimi, me kusht që të plotësohen kushtet e nevojshme për salatu’l-kasr, sipas opinionit të çdo medhdhebi. Shkollat sunnite i shtojnë një kusht të mëtejshëm këtyre, duke thënë se udhëtimi duhet të fillojë përpara agimit dhe udhëtari duhet ta ketë arritur pikën ku namazi bëhet kasr, përpara agimit. Kështu, nëse e fillon udhëtimin pas agimit, ai e ka haram të prishë agjërimin, dhe nëse e thyen, do të obligohet me kada'në e saj, pa kaffarah. Shafi'itë shtojnë një tjetër kusht, gjegjësisht se udhëtari nuk duhet të jetë udhëtar i vazhdueshëm, si për shembull shofer. Kësisoj, nëse e ka zakon të udhëtojë, atij nuk i lejohet të ndërpresë agjërimin. Sipas të katër shkollave sunnite, prishja e agjërimit është me dëshirë, jo e detyrueshme. Prandaj, një udhëtar që plotëson të gjitha kushtet ka mundësinë që të agjërojë ose jo, megjithë faktin se hanefitë vërejnë se kryerja e namazit kasr gjatë udhëtimit është e detyrueshme e jo me dëshirë.

Imamitë pohojnë: nëse plotësohen kushtet për t’u falur kasr, agjërimi nuk pranohet. Prandaj, nëse agjëron, atij do t’i duhet të kryejë kada' pa u detyruar me kaffarah. Kjo, në rastin kur udhëtimi i tij fillon para mesditës. Mirëpo, nëse niset në mesditë ose më vonë, ai do ta vazhdojë agjërimin, të cilin nëse e ndërpret do të duhet ta shlyejë me kaffaranë e atij që thyen agjërimin me dashje. Dhe, nëse udhëtari arrin në shtëpi (ose në një vend ku synon të rrijë të paktën dhjetë ditë) përpara mesditës, pa patur kryer asnjë veprim që e prish agjërimin, ai e ka waxhib ta vazhdojë agjërimin, të cilin nëse e ndërpret, duhet ta shlyejë si personi që e ka thyer me dashje.

5. Ekziston njëzëshmëri mes të gjitha shkollave se ai që vuan nga sëmundje etjeje akute mund ta ndërpresë agjërimin dhe, nëse mund ta kryejë kada'në më vonë, ajo do t’i jetë waxhib pa ndonjë kaffarah, sipas katër medhhebeve. Imamitë mendojnë se ai duhet të japë një mudd si kaffarah. Medhhebet dallojnë mbi atë nëse uria akute është ndër arsyet që lejojnë ndërprerjen e agjërimit, sikurse etja. Katër shkollat thonë se uria dhe etja janë të ngjashme, duke e bërë të lejueshme ndërprerjen. Imamitë pohojnë: uria nuk është shkak që lejon ndërprerjen e agjërimit, përveçse kur pritet të shkaktojë sëmundje.

6. Të moshuarit e të moshuarat në vitet e thyera, për të cilët agjërimi është i dëmshëm e i vështirë, mund ta ndërpresin agjërimin, por obligohen me fidjeh duke ushqyer një miskin për çdo ditë të humbur. Kështu duhet të veprojë edhe i sëmuri që nuk ka shpresë të përmirësohet gjatë tërë vitit. Mbi këtë rregull pajtohen të gjitha shkollat, përveç hanbelive, të cilët pohojnë: fidjeh është mustehabb e jo waxhib.

7. Imamitë pohojnë: agjërimi nuk është waxhib për atë që është në vilani, edhe nëse ajo ndodh vetëm në një pjesë të ditës, përveçse kur ai e ka bërë nijjetin e agjërimit përpara dhe e merr veten më pas, me ç’rast do të vazhdojë të agjërojë.


Zhdukja e përligjjes:

Nëse përligjja e ndërprerjes së agjërimit resht - si p.sh. kur i sëmuri shëndoshet, fëmija piqet, udhëtari kthehet ose të përmuajshmet sosen - është mustehabb sipas imamive dhe shafi'ive që të përmbahet (imsak) nga gjërat që e ndërpresin agjërimin (muftirat), si shenjë respekti. Hanbelitë dhe hanefitë e konsiderojnë imsakun waxhib, ndërsa malikitë as waxhib as mustehabb.


Kushtet (shurūt) e agjërimit:

Siç u përmend më lart, agjërimi në muajin e Ramazanit është waxhib për secilin mukalef. Çdo i rritur i shëndoshë nga mendja (el-baligh el-‘akil) konsiderohet mukalef. Prandaj agjërimi as nuk është waxhib për një të çmendur e as nuk vlen nëse e kryen. Sa për fëmijën, ai nuk është waxhib për të, ndonëse bëhet i vlefshëm nëse kryhet nga një mumajjiz. Gjithashtu, për vlefshmërinë e agjërimit është thelbësor të qenit musliman dhe qëllimi (nijjeh). Kësisoj, sipas njëzëshmërisë, as agjërimi jomuslimanit e as imsaku i atij që s’ka bërë nijjeh nuk pranohet. Kjo pavarësisht nga kushtet e lartpërmendura, si mospatja e të përmuajshmeve, lehonisë, sëmundjes dhe udhëtimit.

Sa i përket personit në gjendje të dehur ose të pavetëdijshme, shafi'itë vërejnë: agjërimi i tij nuk vlen nëse ai nuk është i ndërgjegjshëm gjatë gjithë periudhës së agjërimit. Por nëse është i vetëdijshëm për një pjesë të saj, agjërimi i tij është i vlefshëm, megjithëse i pavetëdijshmi obligohet me kada'në e saj, cilatdo qofshin rrethanat, pavarësisht nëse ndërgjegjësimi i tij bëhet vetë apo imponohet. Por kada' ja nuk është waxhib për një të dehur, përveç nëse ky është përgjegjësi për gjendjen e vet.

Malikitë pohojnë: agjërimi i tij nuk vlen nëse gjendja e pavetëdijes ose dehjes zgjat për krejt ditën ose pjesën më të madhe të saj. Por nëse ajo përfshin gjysmën e ditës ose më pak dhe ai ishte i vetëdishëm në çastin e nijjetit por nuk e bëri nijjetin, duke u dehur ose zhvetëdijësuar më vonë, kada'ja nuk është waxhib për atë. Sipas tyre, koha e bërjes së nijjetit të agjërimit zgjatet nga muzgu në agim.

Sipas hanefive, një i pavetëdijshëm është tamam si i çmenduri në këtë aspekt dhe opinioni i tyre lidhur me këtë të fundit është që nëse çmenduria zgjat për tërë muajin e Ramazanit, ai nuk e ka waxhib kada'në, e nëse ajo mbulon gjysmën e muajit, ai do të agjërojë për gjysmën tjetër dhe do të kryejë kada'në e agjërimeve të humbura për shkak të çmendurisë.

Hanbelitë vërejnë: Kada'ja është waxhib për një person në gjendje pavetëdijeje si dhe dehjeje, pavarësisht nëse ato gjendje i janë imponuar nga jashtë apo i ka shkaktuar vetë.

Sipas imamive, kada'ja është waxhib mbi një person të dehur, pavarësisht nëse është dehur vetë apo tjetërsoj dhe s’është waxhib për një të pavetëdijshëm edhe sikur humbja e vetëdijes së tij të jetë e shkurtër.


Muftirat:

Janë gjërat, përmbajtja nga të cilat është e detyrueshme gjatë agjërimit, nga agimi deri në muzg:

1. Të ngrënit e të pirit (shurb) me qëllim. Të dy e zhvleftësojnë agjërimin dhe obligojnë kada' sipas të gjitha shkollave, ndonëse ato dallojnë lidhur me atë nëse edhe kaffaraja është waxhib. Hanefitë dhe imamitë e konsiderojnë të tillë, ndërsa shafi'itë e hanbelitë jo.

Një person që ha dhe pi nga pakujdesia nuk detyrohet as me kada' as me kaffarah, përveçse te malikitë, të cilët obligojnë vetëm kada'në e saj (te pirja [shurb] përfshihet edhe marrja e tymit të duhanit).

2. Marrëdhënia seksuale e qëllimshme e zhvleftëson agjërimin dhe obligon kada' dhe kaffarah, sipas të gjitha shkollave.

Kaffarah është lirimi i një shërbëtori e nëse kjo është e pamundur, agjërimi për dy muaj rresht, e nëse as kjo nuk është e mundur, ushqyerja e gjashtëdhjetë të varfërve. Imamitë dhe malikitë lejojnë zgjedhjen e njërës prej këtyre, pra një mukalef mund të zgjedhë midis lirimit të një shërbëtori, agjërimit ose ushqyerjes së të varfërve. Shafi'itë, hanbelitë dhe hanefitë obligojnë kaffarah sipas renditjes së mësipërme; pra lirimi i një shërbëtori është specifikisht waxhib, ku në rast pamundësie agjërimi bëhet waxhib. Nëse as kjo nuk është e mundur, të ushqyerit i të varfërve bëhet waxhib.

Imamitë pohojnë: të tre kaffaratë bëhen waxhib së bashku nëse akti i agjërimprishjes (muftir) është vetë haram, si p.sh. ngrënia e diçkaje të uzurpuar (maghsub), të pirit e verës, ose zinaja.

Sa i përket marrëdhënies seksuale nga pakujdesia, ajo s’e prish agjërimin sipas hanefive, shafi'ive dhe imamive, por e zhvleftëson sipas hanbelive dhe malikive.

3. Derdhja seminale (el-‘istimna'): Ekziston pajtim se ajo e zhvleftëson agjërimin nëse kryhet me dashje. Hanbelitë pohojnë: nëse del madhj nga shikime të përsëritura epshore apo të ngjashme, agjërimi zhvleftësohet.

Katër shkollat pohojnë: derdhja seminale obligon kada' pa kaffarah. Imamitë thonë se duhet edhe kada' edhe kaffarah.

4. Vjellja: e zhvleftëson agjërimin nëse bëhet me dashje, ndërsa sipas imamive, shafi'ive dhe malikive, ajo obligon edhe kada'. Hanefitë pohojnë: të vjellurit me dashje nuk e prish agjërimin, përveçse kur të vjelltit mbush gojën. Nga Imam Ahmedi, ndërkaq janë raportuar dy opinione. Shkollat pajtohen se të vjelllurit pa dashje nuk e zhvleftëson agjërimin.

5. Hedhja e kupave (hixhameh) është muftir vetëm sipas hanbelive, të cilët vërejnë: edhe lëshuesi i kupave edhe pacienti kanë prishur agjërim.

6. Injeksioni e zhvleftëson agjërimin dhe kërkon kada', sipas të gjitha shkollave. Disa juristë imami vërejnë se ai kërkon edhe kaffarah, nëse nuk është marrë si masë urgjente.

7. Thithja e një reje të dendur pluhuri të pezullt e zhvleftëson agjërimin sipas imamive, të cilët pohojnë: nëse një pluhur i dendur i pezullt, si p.sh. miell ose diçka e tillë, hyn në trup, agjërimi zhvleftësohet, sepse ajo është më e lëndshme sesa injeksioni ose tymi i duhanit.

8. Lyerja me kohl zhvleftëson agjërimin vetëm sipas malikive, me kusht që të jetë bërë gjatë ditës dhe që shija t’i ndjehet në fyt.

9. Nijjeti për të ndërprerë agjërimin: nëse dikush synon të ndërpresë agjërimin dhe pastaj përmbahet nga ndërprerja, agjërimi i tij konsiderohet i pavlefshëm sipas imamive dhe hanbelive; por jo sipas medhhebeve të tjera.

10. Shumica e imamive pohojnë: zhytja e plotë e kokës, veçmas ose bashkë me pjesë të tjera të trupit, në ujë, zhvleftëson agjërimin dhe kërkon edhe kada' edhe kaffarah. Shkollat e tjera juridike e konsiderojnë atë si pa pasoja për agjërimin.

11. Imamitë pohojnë: personi që rri xhunub me dashje pas agimit në muajin e Ramazanit e zhvleftëson agjërimin e tij dhe kada'ja e kaffaraja do t’i jenë waxhib. Shkollat e tjera pohojnë se agjërimi i tij mbetet i vlefshëm dhe ai nuk obligohet me asgjë.

12. Imamitë pohojnë: personi që i mvesh me dashje diçka të pavërtetë Zotit ose të Dërguarit (s.a.) [pra nëse thotë ose shkruan se Zoti ose Pejgamberi (s.a.v.s) kanë thënë kështu e ashtu, duke qenë i ndërgjegjshëm se kjo nuk është e vërtetë], e zhvleftëson agjërimin e tij dhe obligohet me kada' e kaffarah. Një grup juristësh imami shkojnë më tej duke i kërkuar një shpifësi të tillë kaffaranë e të liruarit të një robi, agjërimin dy muaj rresht dhe ushqyerjen e gjashtëdhjetë të varfërve. Kjo masë tregon injorancën dhe ligësinë e atyre që thonë se imamitë e lejojnë thënien e gënjeshtrave ndaj Zotit dhe të Dërguarit të Tij (s.a.v.s).


Llojet e ndryshme të agjërimeve:

Juristët e shkollave të ndryshme i klasifikojnë agjërimet në katër kategori: waxhib (i detyruar) mustehabb (i pëlqyeshëm), muharrem (i ndaluar) e mekruh (i papëlqyeshëm).


Agjërimet e detyruara:

Të gjitha shkollat pajtohen se agjërimet waxhib janë ato të muajit të Ramazanit, kada'të e tyre, agjërimet shlyese të kryera si kaffarah, dhe ato që kryhen për të mbajtur një zotim. Imamitë shtojnë edhe dy, të lidhura me Haxhin dhe i`tikafin.

Më poshtë vijon diskutimi i kada'së dhe kaffarasë që i obligohen prishësit të agjërimit. Lloje të tjera të agjërimeve të detyrueshme janë diskutuar në kapitujt përkatës.


Kada'ja e agjërimeve të humbura në Ramazan:

1. Medhhebet pajtohen se i obliguari me kada' të agjërimeve të Ramazanit duhet t’i kryejë ato gjatë po atij viti në të cilin i ka humbur, pra para se të vijë Ramazani vijues. Ai është i lirë t’i zgjedhë ditët në të cilat synon të agjërojë, duke përjashtuar ato kur agjërimi ndalohet (të cilat do të diskutohen më poshtë). Mirëpo ai e ka waxhib t’i fillojë menjëherë kada'të e tyre, nëse ditët e mbetura deri në fillimin e Ramazanit vijues janë të barabarta me numrin e agjërimeve të humbura në Ramazanin e shkuar.

2. Nëse personi që e ka të mundur të kryejë kada'në brenda vitit e neglizhon atë deri në Ramazanin e ardhshëm, ai duhet të agjërojë këtë të fundit dhe pastaj të kryejë kada'në e vitit të shkuar si dhe të japë kaffarah një mudd për çdo ditë të humbur - sipas të gjitha shkollave, përveç hanefive, të cilët i kërkojnë vetëm kada'në pa asnjë kaffarah. E nëse nuk është në gjendje të kryejë kada' - si p.sh. kur sëmundja i zgjat në tërë periudhën ndërmjet Ramazanit të parë e të dytit - atij nuk i kërkohet as kada ' e as kaffarah, sipas të katër shkollave, ndërsa imamitë pohojnë: ai nuk do të obligohet me kada' por me dhënien e një mudd ushqim si kaffarah për çdo agjërim të humbur.

3. Nëse personi e ka të mundur kryerjen e kada'së gjatë vitit por e shtyn atë, me nijjetin e kryerjes së saj menjëherë përpara Ramazanit vijues, në mënyrë që agjërimet kada' vijohen fill nga Ramazani i ardhshëm, por një arsye e ligjshme e pengon nga kryerja e kada'së para ardhjes së Ramazanit, ai obligohet vetëm me kada' e jo me kaffarah.

4. Për atë që ndërpret një agjërim Ramazani me arsye dhe më vonë është në gjendje të kryejë kaza'në por nuk ia arrin gjatë jetës së tij, imamitë pohojnë: është waxhib për fëmijën e tij më të madh ta kryejë kada'në në emër të prindit.

Hanefitë, shafi'itë dhe hanbelitë pohojnë: në emër të tij duhet dhënë një mudd sadakah për çdo agjërim të humbur.

Sipas malikive, kujdestari i tij ligjor (wali) do të japë sadakah në emër të tij, nëse ai ka porositur kështu në testament; por në mungesë të këtij nuk është waxhib.

5. Sipas katër medhhebeve, një person që kryen kada' të Ramazanit mund ta ndryshojë nijjetin e tij dhe ta ndërpresë agjërimin si para, ashtu edhe pas mesditës, pa u obliguar me ndonjë kaffarah, me kusht që të ketë kohë për ta kryer kada'në më vonë.

Imamitë vërjenë: atij i lejohet të ndërpresë agjërimin vetëm paradite e jo më vonë, sepse vazhdimi i agjërimit bëhet i detyrueshëm pas kalimit të pjesës më të madhe të tij, e cila i jep fund edhe kohës së ndryshimit të nijjetit. Prandaj, nëse vepron në kundërshtim me këtë dhe e ndërpret agjërimin pas mesditës, ai obligohet me kaffarah duke ushqyer dhjetë të varfër; nëse nuk është në gjendje ta kryejë këtë, do të agjërojë për tri ditë.


Agjërimi shlyejtës (kaffarah):

Agjërimet shlyese janë disa llojesh. Mes tyre janë agjërimet e pendesës për vrasje pa dashje, agjërimet për shlyerje të betimit ose zotimit të shkelur dhe agjërime pendese për zihar. Këto agjërime kanë rregullat e tyre, të cilat diskutohen në kapitujt përkatës. Këtu do të diskutojmë rregullat e zbatueshme mbi personin që agjëron kaffarah për të shlyer mosagjërimin e Ramazanit.

Shafi'itë, malikitë e hanefitë pohojnë se atij që i është bërë waxhib agjërimi i dy muajve të njëpasnjëshëm për prishje të një agjërimi në Ramazan nuk i lejohet të humbasë as edhe një ditë gjatë këtyre dy muajve, pasi kjo do ua ndërpriste vazhdimësinë. Ndaj nëse e ndërpret agjërimin, me ose pa arsye, ai duhet të agjërojë sërish për dy muaj pa ndërprerje.

Hanbelitë pohojnë: nëse humbet një agjërim me arsye, vazhdimësia nuk thyhet.

Imamitë pohojnë: për vazhdimësinë mjafton të agjërohet për një muaj të plotë dhe një ditë nga muaji tjetër. Paskëtaj, ai mund të kapërcejë ditë dhe pastaj të vazhdojë aty ku e ka lënë. Mirëpo nëse humbet një agjërim gjatë muajit të parë, pa arsye, ai duhet të fillojë sërish; por nëse kjo është bërë për ndonjë arsye të lejuar, si sëmundja ose menstruacionet, vazhdimësia nuk thyhet dhe ai/ajo do presë gjersa arsyeja largohet dhe do të rifillojë agjërimet.

Imamitë pohojnë më tej se ai që nuk mund të agjërojë për dy muaj ose të lëshojë një rob apo të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër, ka zgjedhjen: ose të agjërojë 18 ditë ose të japë sadakah sipas mundësisë. Nëse nuk mundet as kaq, ai mund të japë lëmoshë ose të agjërojë sa të mundet. Nëse këto i janë të pamundura, ai duhet të kërkojë falje nga Zoti i Madhërishëm.

Shafi'itë, malikitë dhe hanefitë pohojnë: nëse nuk mund të ofrojë asnjë formë kaffaraje, personi do të mbetet përgjegjës për atë gjersa të arrijë aftësinë për ta kryer, çka përbën rregullën e Sheri'atit për këtë rast.

Hanbelitë janë të opinionit që nëse ai nuk është në gjendje të japë kaffarah, detyrimi i tij resht, madje edhe në rast se aftësohet për këtë më vonë, atij nuk obligohet me asgjë.

Shkollat pajtohen se numri i kaffarave do të jetë i barabartë me numrin e shkaqeve që i sjellin ato. Kështu, personi që ndërpret dy agjërime do të duhet të japë dy kaffara. Por nëse ha, pi ose kryen marrëdhënie seksuale disa herë në një ditë, hanefitë, malikitë dhe shafi'itë vërejnë: numri i kaffarave nuk do të rritet me rritjen e shkaqeve ndërprerëse, pavarësisht nga lloji i tyre.

Hanbelitë pohojnë: nëse në një ditë të vetme ndodhin disa shkelje që kërkojnë kaffarah dhe person jep kaffarah për shkeljen e parë të agjërimit përpara kryerjes së të dytës, ai do të japë kaffarah edhe për shkeljen e dytë, por nëse nuk ka dhënë kaffarah për shkeljen e parë përpara se të kryejë të dytën, atëherë mjafton një kaffarah e vetme.

Sipas imamive, nëse marrëdhënia seksuale përsëritet disa herë në një ditë të vetme, numri i kaffarave rritet gjithashtu përpjesëtimisht, por nëse personi ha ose pi disa herë, mjafton një kaffarah e vetme.


Agjërimet e ndaluara:

Me përjashtim të hanefive, të gjitha shkollat pajtohen se agjërimi në ditët e dy bajrameve (‘Id el-Fitr e ‘Id el-Adha) është i ndaluar (haram). Hanefitë vërejnë: agjërimi në këto dy bajrame është mekruh shumë pranë haramit.

Imamitë vërejnë: agjërimi në ditët e Teshrikut ndalohet vetëm për ata që janë në Mina. Ditët e Teshrikut janë 11, 12 e 13 Dhu'l-Hixhxheh.

Shafi'itë janë të mendimit se agjërimi nuk vlen në ditët e Teshrikut, si për haxhinjtë, edhe për të tjerët.

Sipas hanbelive, është haram të agjërohet në këto ditë për ata që nuk kryejnë haxh, jo për haxhinjtë.

Hanefitë vërejnë: agjërimi në këto ditë është mekruh shumë pranë të qenit haram.

Malikitë pohojnë: është haram të agjërohet më 11 e 12 Dhu'l-Hixhxheh, për ata që nuk kryejnë haxhin, jo për haxhinjtë.

Të gjitha shkollat përveç hanefive pajtohen se agjërimi mustehhab i një gruaje që nuk ka marrë lejen e të shoqit është i pavlefshëm nëse interferon me plotësimin e cilësdo të drejte të tij. Hanefitë vërejnë: agjërimi i një gruaje pa lejen e të shoqit është mekruh, jo haram.


Ditët e dyshimta:

Ekziston njëzëshmëri mes shkollave se imsaku është detyrim për atë që nuk agjëron në një "ditë të dyshimtë" (jeum el-shakk), e cila më vonë del se ka qenë ditë e Ramazanit, dhe ai obligohet me kada'në e saj më vonë.

Lidhur me agjërimin në një ditë të dyshimtë, e cila më vonë merret vesh se ka qenë ditë e Ramazanit, ato dallojnë nëse kjo mjafton pa kërkuar kada'.

Shafi'itë, malikitë dhe hanbelitë vërejnë: ky agjërim nuk do të mjaftojë dhe kada'ja e tij është waxhib.

Sipas hanefive, ai mjafton pa kërkuar kada'.

Shumica e imamive pohojnë: kada'ja e tij nuk është waxhib për atë, me përjashtim të rastit kur ai ka agjëruar me nijjetin e Ramazanit.


Agjërime të pëlqyeshme:

Agjërimi konsiderohet mustehabb në të gjitha ditët e vitit përveç atyre në të cilat është ndaluar. Por ka ditë në të cilat agjërimi është theksuar posaçërisht dhe ato përfshijnë tri ditë të çdo muaji, preferueshmërisht ditët me hënë (el-'ajjam el-bid), që janë datat 13, 14, 15 të çdo muaji hënor. Mes tyre është Dita e ‘Arafatit (9 Dhu'l-Hixhxheh). Të theksuara janë gjithashtu ditët e muajve Rexheb dhe Sha'ban. Agjërimi të hënave dhe marteve është theksuar po ashtu. Ka edhe ditë të tjera, që janë përmendur në vepra më të hollësishme. Ekziston njëzëshmëri mes të gjitha shkollave juridike se agjërimi në këto ditë është mustehabb.


Agjërime të papëlqyeshme (mekrah):

Në veprën el-Fikh ‘ala el-medhahib el-'arba`ah shkruhet se është mekruh të ndahen të premtet dhe të shtunat për agjërim dhe po kështu Nouruzi (21 Marsi) – sipas të gjtiha shkollave, përveç shafi'ive, si dhe agjërimi në njërën ose dy ditët përpara Ramazanit.

Ndërsa në librat imami të fikhut është pohuar se përbën mekruh që miku të agjërojë pa lejen e pritësit, fëmija pa lejen e prindit, si dhe në rast dyshimi për hënën e re të Dhu'l-Hixhxhes, dhe mundësinë vijuese që dita është ajo e bajramit.


Dëshmia e hënës së re:

Ekziston njëzëshmëri e plotë mes muslimanëve se shikuesi i hënës së re është i detyruar të veprojë në përputhje me dijen e tij, qoftë ajo hëna e re e Ramazanit apo e Shewwalit. Ndaj, ai që ka shikuar të parën e ka waxhib të agjërojë, edhe nësë të gjithë të tjerët nuk agjërojnë[2] e të përmbahet nga të agjëruarit kur e sheh të dytën, edhe nëse të gjithë mbi tokë agjërojnë, pavarësisht nëse vëzhguesi është ‘adil ose jo, burrë apo grua. Shkollat dallojnë lidhur me pikat e mëposhtme:

1. Hanbelitë, malikitë dhe hanefitë pohojnë: nëse të shikuarit (ru'jeh) e hënës së re është konfirmuar në një rajon të caktuar, njerëzit e të gjitha rajoneve të tjera obligohen prej kësaj pavarësisht nga distanca mes tyre; dallimi në horizontin e hënës së re nuk ka ndikim.

Imamitë dhe shafi'itë pohojnë: nëse njerëzit e një vendi të caktuar e shohin hënën e re, ndërsa ata të një tjetri jo, kur këto vende janë pranë me horizont, të dytit do të ndjekin të parët, por jo nëse horizontet e tyre dallojnë.

2. Nëse hëna e re shihet gjatë ditës, qoftë para mesditës apo pas saj, më 30 Sha'ban, a do të konsiderohet ajo si dita e fundit e Sha'banit (me ç’rast, agjërimi në të nuk do të jetë waxhib)? Po kështu, nëse hëna e re shihet gjatë ditës së 30të të Ramazanit, a do të llogaritet si ditë e Ramazanit apo e Shewwalit? Me fjalë të tjera, a do të llogaritet dita në të cilën vërehet hëna e re si: e muajit në kalim apo atij në vijim?

Imamitë, shafi'itë, malikitë dhe hanefitë vërejnë: ajo i përket muajit të kaluar e jo të ardhshmit. Për pasojë, është waxhib të agjërohet në ditën vijuese në rastin e shikimit të saj në fund të Sha'banit dhe të ndërpritet agjërimi në rastin e shikimit të saj në fund të Ramazanit.

3. Shkollat pajtohen se hëna e re konfirmohet me shikim, sikurse tregohet në këtë hadith profetik:

“Agjëroni kur të shihni hënën e re dhe ndaloni kur ta rishihni!”

Ato dallojnë në lidhje me metodat e konfirmimit të saj.

Imamitë vërejnë: ajo konfirmohet si për Ramazanin, ashtu edhe për Shewwalin me tewatur (pra dëshminë e një numri mjaftueshmërisht të lartë njerëzish, komploti i të cilëve për pohim të rremë është i pamundur), dhe nga dëshmia e dy burrave ‘adil, pavarësisht nëse qielli është i kthjellët ose me re dhe nëse i përkasin të njëjtit qytet apo dy qyteteve fqinje, me kusht që përshkrimet e tyre të mos jenë kundërthënëse. Dëshmia e grave, fëmijëve, burrave fasik dhe atyre me karakter të panjohur nuk pranohet.

Hanefitë bëjnë dallim ndërmjet hënave të reja të Ramazanit dhe Shewwalit, duke pohuar se: hëna e re e Ramazanit konfirmohet nga dëshmia e një burri të vetëm dhe një gruaje të vetme, me kusht që të jenë muslimanë dhe ‘adil. Hëna e re e Shewwalit konfirmohet vetëm me dëshminë e dy burrave ose të një burri dhe dy grave. Kjo në rastin kur qielli nuk është i kthjellët. Kur është vranësirë - pavarësisht nëse bëhet fjalë për hënën e re të Ramazanit apo të Shewwalit - hëna e re konfirmohet vetëm me dëshminë e një numri të konsiderueshëm personash, raportimi i të cilëve sjell siguri.

Sipas shafi'ive, hëna e re e Ramazanit dhe Shewwalit konfirmohet nga dëshmia e një dëshmitari të vetëm, me kusht që ai/ajo të jetë musliman/e, mendëisht i/e shëndoshë dhe ‘adil/e. Gjendja e qiellit nuk ndikon.

Sipas malikive, hëna e re e Ramazanit dhe Shewwalit konfirmohet vetëm nga dëshmia e dy burrave ‘adil, pavarësisht nëse qielli është i kthjellët apo me re.

Hanbelitë pohojnë: hëna e re e Ramazanit konfirmohet nga dëshmia e një burri ose gruaje ‘adil/e, ndërsa ajo e Shewwalit vetëm me dëshminë e dy burrave ‘adil.

4. Me përjashtim të hanefive, ekziston njëzëshmëri mes shkollave që: nëse askush nuk pohon ta ketë parë hënën e re të Ramazanit, agjërimi do të jetë waxhib pas datës 30 Sha'ban. Sipas hanefive, agjërimi bëhet waxhib pas ditës së njëzet e nëntë të Sha'banit.

Sa i përket hënës së re të Shewwalit, hanefitë dhe malikitë vërejnë: nëse qielli është i vranët, tridhjetë ditë të Ramazanit duhen plotësuar dhe ndërprerja (iftar) do të jetë waxhib ditën e ardhshme. Por nëse qielli është i kthjellët, agjërimi pas datës 30 është waxhib duke hedhur poshtë dëshminë e mëparshme të atyre që kanë konfirmuar ditën e parë të Ramazanit, pavarësisht nga numri i tyre.

Shafi'itë e konsiderojnë iftarin waxhib pas tridhjetë ditëve, edhe sikur fillimi i Ramazanit të jetë konfirmuar nga dëshmia e një personi të vetëm, pavarësisht nëse qielli është i vranët apo i kthjellët.

Sipas hanbelive, nëse fillimi i Ramazanit është konfirmuar nga dëshmia e dy burrave ‘adil, iftari pas ditës së tridhjetë është waxhib, dhe nëse është konfirmuar nga dëshmia e një ‘adili të vetëm, është waxhib të agjërohet edhe në ditën e tridhjetë e njëtë.

Sipas Imamive, edhe Ramazani edhe Shewwali konfirmohen pas plotësimit të tridhjetë ditëve, pavarësisht nga të qenit e qiellit i vranët apo i kthjellët, me kusht që fillimi i tij të jetë konfirmuar në një mënyrë të miratuar nga Sheri‘ati.


Hëna e re dhe astronomia:

Këtë vit (1960), qeveritë e Pakistanit dhe Tunizisë kanë vendosur të mbështeten në opinionin e astronomëve për konfirmimin e hënës së re, për t’i dhënë fund konfuzionit [3] dhe paleverdisë së përgjithshme që sjell mosnjohja paraprake e ditës së Bajramit, e cila herë vjen befas e herë shtyhet, megjithë tërë ato përgatitje.

Ky vendim i dy qeverive është bërë çështje debati të nxehtë në qarqet fetare.

Protagonistët e ndryshimit vërejnë se nuk ka asgjë në fe që të kundërshtojë mbështetjen në opinionin e astronomëve; përkundrazi, një gjë e tillë mbështetet nga ajeti 16 i Sures en-Nahl:

{...Dhe shenja të tjera (ditën); ndërsa (natën) orientohen përmes yjeve}

Kundërshtuesit thonë: ky vendim i bie ndesh hadithit të lartpërmendur profetik:

“Agjëroni kur të shihni hënën e re dhe ndaloni kur ta rishihni!”

Kjo sepse fjala ru'jeh (shikim) nënkupton të shikuarit e hënës me sy, që ishte praktikë e zakonshme për njerëzit në kohën e Pejgamberit (s.a.v.s). Sa i përket përdorimit të teleskopit ose mbështetjes në llogaritje astronomike, ato janë të papërputhshme me kuptimin e fjalëpërfjaltë të hadithit, theksojnë ata.

Në të vërtetë, asnjëra palë nuk ka parashtruar arsye të shëndosha, sepse ‘udhëzim nga yjet’ nënkupton përcaktimin e rrugëve tokësore dhe detare me ndihmën e yjeve e jo përcaktimin e ditëve të muajit dhe hënës së re. Sa i përket hadithit, ai nuk i bie ndesh dijes së saktë shkencore, sepse ‘të shikuarit’ është mjet i arritjes së dijes e jo qëllim më vete, siç është dhe rasti me çdo mjet që ndihmon në konfirmimin e fakteve. Por, sipas mendimit tonë, gjykimet e astronomëve nuk shpiejnë në dituri të sigurtë e as nuk i heqin të gjitha dyshimet, siç është rasti me shikimin, sepse gjykimet e tyre mbështeten në probabilitet e jo në siguri. Kjo është e qartë nga gjykimet e tyre divergjuese mbi netët e hënës së re, kohën e lindjes së saj dhe periudhën gjatë së cilës ajo rri (mbi horizont).

Në ardhtë koha që astronomët të arrijnë dije të saktë dhe të mjaftueshme shkencore, në mënyrë që të ekzistojë njëzëshmëri mes tyre dhe ata vërtetohen se kanë të drejtë vazhdimisht, në atë shkallë sa parashikimet e tyre bëhen gjë e sigurtë sikurse ditët e javës, atëherë do të jetë e mundur të mbështetemi tek ata. Madje, atëherë do të jetë e detyrueshme të ndiqen gjykimet e tyre dhe të refuzohet gjithçka që u bie ndesh atyre.[4]









Përshtati në shqip: Edin Q. Lohja
Londër, Shtator 2008







SHËNIME:

[1] Afërsisht 800 gramë miell ose diçka e ngjashme me të.

[2] Mirëpo hanefitë vërejnë: nëse ai dëshmon përpara një kadiu që ia hedh poshtë dëshminë, ai e ka waxhib të kryejë kada'në e tij pa u ngarkuar me kaffarah (el-Fikh ‘ala el-medhahib el-'arba`ah).

[3] Më 1939, Kurban Bajrami u festua të hënën në Egjipt, të Martën në Arabinë Saudite dhe të mërkurën në Bombei.

[4] Drejtojuni shtjellimit të kësaj çështjeje në vëllimin e parë të librit tonë Fikh el-Imam Xha‘fer es-Sadik, seksioni i provës së hënës së re në fund të kreut të agjërimit.

Friday, September 5, 2008

QIELLGËRVISHTËSA

Toka e vogëlth
Si një mbretërizë xhuxhash
Grimcuar nga dhëmbë monarkësh të vegjël

Vëllai im, ai më rebeli,
Qëllonte me gurë fytyrën thatime të saj

Ishte pa qime vëllai,
Dhëmbët e qumështit ende,
Lëkurën e bardheme si bukë e ardhur

“Guri i Madh” thërritej shkëmbi krye rrëpirës
Mbi shtëpinë time
Sa një odë zjarri e kishte hijen më të mirë
Por mund të na binte në shtëpi,
Mu në odën e zjarrit

Çezarë, legjionare, skllevër,
Trëndafilat në fushë,
Padurojnë nën qiellin e thyer mespërmes
Nga një shkrepëtime që parandjell lindje,
Zogj

Toka u mbyt nga lëvozhgat e kaltra të qiellit,
Gjinjtë e plleshëm të reve pi plot etje,
Edhe Gjalica,
Ajo qepallë e madhe e diellit,
Që njerëzit i faleshin për t’ia shkrirë zemëratën,
Mbuluar nga qerpikët ngjyrë kakao të pishave,
Kridhet në barkun e zbërdhulët të reve

Akoma të vegjël, rioshë
Strehëkërkimtarë në pëqinj çatishë
Ngarendim nga një faqe muri në tjetrën,
Pas jehonave të mbretërthve,
Ngasjes mashtrimtare të kuajve të tyre

Mbi shpinën shpërfillëse të tokës,
Rrekemi të zëmë rrënjë,
Dhe të gjethojmë e të ngjyrojmë qerpikët
Petkat e arnuara të Gjalicës

Mbi lëvozhgat e kaltra të qiellit,
Krisur mespërmes nga një vetëtimë
Zogj, harabelë,
Rrahim ajrin me krahë të lagësht

Asnjë pëllëmbë qiell s’është pushtuar
Falë Zotit!